* Si pasojë e dhunës së ushtruar nga mekasit idhujtarë, Profeti (s.a.s.) i urdhëroi shokët e tij myslimanë të braktisin qytetin e Mekës dhe më vonë u largua edhe Profeti (s.a.s.) bashkë meEbu Bekrin për në qytetin e Medinës. Kur idhujtarët mësuan se Profeti po largohej nga Meka, filluan t’i ndiqnin nga pas për t’i vrarë. Profeti (s.a.s.) dhe Ebu Bekri (r.a.) detyrohen të fshihen në shpellën Hira për t’u mbrojtur nga sulmi tradhtar i tyre. Pas një kohe të shkurtër, idhujtarët e gjetën shpellën. Por, pak para se të vinin idhujtarët tek shpella, dy pëllumba kishin ngritur folenë e tyre para hyrjes së shpellës, kurse një merimangë e urdhëruar nga Allahu kishte ndërtuar edhe ajo shtëpinë e saj prej rrjete, në hyrje të shpellës, ku ishte fshehur Profeti (s.a.s.). Idhujtarët deshën të futen brenda, por njëri prej tyre, Ubej bin Halef u tha: “Mos u futni brenda, sepse këtu shoh një shtëpi merimange të ndërtuar para lindjes së Profetit. Po të kishte njeri brenda në shpellë, edhe pëllumbat do të kishin ikur.” Idhujtarët egoistë të Mekës ranë në grackë të merimangës, ashtu siç bien mizat në shtëpinë e saj. Kurse pëllumbat të cilët ndërtuan folenë e tyre në derën e shpellës në ditën e çlirimit të Mekës fluturuan bashkë me myslimanët duke fluturuar mbi kokën e Profetit.

* Tregon gruaja e Profetit, nëna e besimtarëve,Aishja (r.a.): Në shtëpinë tonë kishim një zog që i ngjante pëllumbit dhe quhet “daxhin”. Kur Profeti ndodhej në shtëpi, ai nuk lëvizte dhe nuk fliste fare. Sa herë që Profeti largohej, fillonte të lëvizte pa pushim.

* Një mrekulli e famshme me emrin “ngjarja e ujkut” është transmetuar nga Ebu Said el Hudri, Seleme, Ibni Ebi Veheb, Ebu Hurejre dhe nga Uhbani, i cili e ka parë një mrekulli të tillë. Një ujk kishte sulmuar tufën e dhive të Uhbanit duke kapur njërën prej tyre. Por Ukbani e kishte shpëtuar atë. Ujku i drejtohet Uhbanit dhe i thotë: “A nuk kishe frikë nga Allahu që ma more ushqimin tim?” Çobani ishte çuditur pa masë dhe kishte thënë: “Çudi! Si mund të flasë ujku?” Ujku i thotë: “Çudi është puna jote, sepse pas kësaj kodre ndodhet një Profet që ju thërret në xhenet, kurse ju nuk i besoni.”

Ebu Hurejre tregon vazhdimin e mrekullisë: “Çobani i thotë ujkut: – Po të shkoj unë tek Profeti, kush do të ma ruajë tufën?” “Ta ruaj unë”, i përgjigjet ujku. Uhbani ia dorëzon tufën ujkut, shkon tek Profeti, pranon Islamin dhe kur kthehet, e gjen ujkun duke ruajtur tufën e tij. Asnjë dhi nuk mungonte. Çobani e pret një dhi dhe ia jep ujkut për të ngrënë, sepse ujku ishte ai që i tregoi për Profetin dhe e ndihmoi atë të bëhet mysliman.

* Një ujk ishte duke vrapuar për të kapur një kaproll, ku, papritur gjendet në Qabe ku përballet me Ebu Sufjanin dhe Safuanin, të cilët ishin idhujtarë. Ai i lajmëron ata për vërtetësinë e Profetit (s.a.s.). Ebu Sufjani i thotë Safuanit: Mos t’i tregojmë askujt këtë ngjarje. Në të kundërt, të gjithë mekasit bëhen myslimanë.

* Edhe “ngjarja e devesë” e transmetuar nga sahabe të mëdhenj si Ebu Hurejre, Seleme, Xhabiri dhe Abdullahu (r.a.), ishte bërë shumë e njohur. Një deve ishte nevrikosur shumë dhe nuk linte t’i afrohej asnjeri. Kur dëgjoi Profeti (s.a.s.), shkoi pranë devesë. Deveja iu afrua Profetit dhe me një respekt të madh u përkul para tij. Profeti ia vuri litarin në qafë, kur deveja filloi të ankohej: “Mua më lodhën me punë të rënda, kurse tani duan të më presin. Profeti e pyeti të zotin e devesë: “A është e vërtetë?” “Po”, tha pronari duke i dhënë të drejtë devesë.

 * Profeti (s.a.s.) kishte një deve me emrin Adba. Pasi ndërroi jetë Profeti (s.a.s.), kjo deve u mërzit shumë dhe si pasojë as nuk hante dhe as nuk pinte. Kështu që pas një kohe të shkurtër ngordhi.

* Deveja e Xhabirit (r.a.) ishte lodhur shumë gjatë një udhëtimi. Nuk ishte në gjendje të hidhte asnjë hap dhe dridhej vazhdimisht. Profeti (s.a.s.) e preku pak devenë. Ajo menjëherë fitoi forcë dhe filloi të ecte aq shpejt, sa nuk e arrinin dot të tjerat.

* Në luftën e Hajberit një grua hebreje kishte pjekur një kec dhe ua kishte dhënë sahabeve. Por mishi ishte i helmuar me një helm shumë të fortë. Sahabet sapo deshën ta hanin, Profeti Muhamed (s.a.s.) i ndaloi duke i thënë: Hiqini duart! Kjo dhi e pjekur më paralajmëroi duke më thënë se është e helmuar. Të gjithë u larguan përveç Bishrit, i cili hëngri një kafshatë dhe vdiq në vend. Profeti urdhëroi që të gjendet dhe të sillet menjëherë gruaja. Profeti e pyeti: “Përse e helmove mishin?”Gruaja i tha: “Po të ishe Profet helmi nuk do të helmonte. Po të ishe mbret, njerëzit do të shpëtonin nga ti.”

* Një natë, u hap lajmi se po sulmonin ushtarët armiq nga jashtë Medinës. Menjëherë, sahabet më trima u hipën kuajve dhe dolën të zbulojnë ndonjë armik. Pas pak, panë një kalorës që po vinte drejt tyre. Ishte Profeti Muhamed (s.a.s.) i cili iu tha: “Mos u merakosni”. Profeti (s.a.s.) me trimërinë e tij të pashoqe, i kishte hipur kalit të Talhas dhe kishte dalë i pari përballë armikut. Kur erdhi, i tha Ebu Talhas: “Kali yt nuk të trondit dhe është shumë i shpejtë”. Deri në atë kohë, kali i Ebu Talhas ishte më i ngathëti nga të gjitha kafshët e tjera. Pas asaj nate, i kalonte të gjithë kuajt.

* Gjatë një udhëtimi, Profeti deshi të falte namaz dhe e urdhëroi kalin ku kishte hipur të ndalonte. Kali ngeli pa lëvizur derisa Profeti (s.a.s.) kreu namazin.

* Tregon Omeri: “Një banor i shkretëtirës erdhi tek Profeti Muhamed (s.a.s.) me një hardhucë në dorë dhe i thotë: “Po qe se kjo kafshë dëshmon se ti je i Dërguari i Allahut, edhe unë do të bëhem mysliman, përndryshe nuk të besoj.” Profeti (s.a.s.) kur e pyeti kafshën, ajo tha: “Unë dëshmoj se tij je i Dërguari i Allahut.” Fjalët e saj ishin shumë të qarta.

Ndajeni me miqtë tuaj...