ilmihali

a) Mrekullitë e Përmendura në Kuran

 

Ngjarja e Miraxhit

Në Kuran, mrekullia e miraxhit preket në dy vende lidhur me fillimin e ngjarjes dhe të pastajmen e saj.

    “I të patëmeta është Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.” (Isra, 17/1)

Pastaj iu afrua e iu lëshua, sa largësia midis dy harqeve ose edhe më afër, e i shpalli (Zoti) robit të Tij, atë që i shpalli. Zemra (e Muhamedit) nuk gënjen për atë që ka parë.” (Nexhm, 53/8-11)

Të tërheq mjaft vëmendjen fakti që, duke e treguar ngjarjen Isra e cila është fillimi i mrekullisë së miraxhit, Kurani fillon me shprehje të tilla, si “subhanel’ledhi…” që do të thotë “Allahu që është i pastër nga atributet e mangëta…” Me këtë, në të vërtetë, mesazhi që kërkon të na japë Allahu neve, robve të Tij besimtarë, është ky: Shihni, tani do t’ju njoftoj për një ngjarje, prandaj, kujdes, të mos mendoni se a mund të jetë e vërtetë një gjë e tillë, sepse jam Unë që e realizoj këtë punë dhe për Mua s’ka asnjë lloj vështirësie si shprehje mangësie!

Allahu me fuqi dhe favor të pakufizuar, me favorin e tij e ka marrë pranë të Dërguarin e Tij i cili, me devocionin e thellë dhe të kulluar, pati bërë t’i zhvillohet cilësia dhe e ka bërë të merituar të një veçantie që s’i ka rënë në pjesë asnjë qenieje. Në udhëtimin e miraxhit, Profeti, duke i kapërcyer shkaqet që e rrethonin nga të gjitha anët dhe duke i lënë pas dimensionet-pengesë për ta parë Zotin, nga pozicioni ku ka arritur trupërisht dhe shpirtërisht, e ka vëzhguar Zotin. Në këtë udhëtim të mbushur me të fshehta, Profeti është përshëndetur me Profetët, ka parë engjëjt, ka soditur xhenetin dhe bukuritë e tij, ka parë xhehenemin dhe pamjen tronditëse të tij.[1]

Allahu ia favorizoi të dërguarit të tij këtë miraxh me qëllim për t’ia treguar bashkësisë së tij çështjet që i duheshin treguar duke i parë vetë me sy dhe në mënyrë ngopëse, për të na i përcjellë ne gjërat që i besojmë si të fshehta, si vëzhgime të tij, për më tepër, për ta parë Allahun dhe për të na thënë neve “Ai ekziston”.

Në këtë udhëtim, Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam), pasi e soditi xhenetin, me një orë soditje të të cilit nuk mund të barazohen një mijë vjet jetë të tokës dhe pasi u nderua me vëzhgimin e Bukurisë hyjnore, me një çast vëzhgimi të së cilës nuk mund të barazohet jeta parajsore, pasi i pa dhe i kuptoi të vërtetat e të gjitha çështjeve të Kuranit dhe cilësitë e tij metaforike, kuptimet dhe urtësitë e të gjitha adhurimeve, Profeti u kthye sërish në tokë mes nesh për të na i treguar ne.

Lexo  Bujaria dhe gjerësia e shpirtit.

 

Ndarja e Hënës

Kjo mrekulli të cilën Kurani na e njofton duke thënë “Kiameti u afrua dhe hëna u nda” (Kamer, 54/1), përcillet në librat e hadithit. Nga sahabet, Ibni Mes’ud na e tregon kështu këtë ngjarje: “Një herë, ndërsa ndodhesha me të Dërguarin e Allahut në Mina, papritmas hëna u nda në dy pjesë: njëra pjesë në këtë anë të malit, tjetra, në anën tjetër. Para kësaj ngjarjeje, i Dërguari i Allahut na tha: “Jini dëshmitarë!”[2]

Ata që nuk u besojnë mrekullive të këtij lloji, në fakt, nuk kanë mundur ta vërtetojnë dot Allahun dhe fuqinë e Tij. Ata që thonë se “hëna nuk ndahet me anë të mrekullisë”, e kuptojnë apo jo, kanë rënë në një rrugë pa krye sikur të thoshin se “Allahu nuk e ndan dot hënën”!

Përsëri, në këtë kuadër, bëhemi dëshmitarë se një sërë personash besimtarë, duke u nisur nga shprehja e ajeteve të formës “… nuk mund të gjesh ndryshim në zakonin e Allahut…”,[3] dalin me pretendimin se “Allahu nuk e bën këtë punë”. Duke iu përgjigjur një qëndrimi të tillë, ne themi po, në gjithësi ka ligje të Allahut që nuk ndryshojnë dhe paraqesin vazhdueshmëri, ndërkaq që këto veprimtari që zhvillohen në linjën shkak-pasojë, nuk janë pengesë që Allahu të shfaqë një akt tjetër, të ndryshëm. Kjo ka të bëjë vetëm me anën që sheh nga ne, të çështjes. Për shembull, Allahu (xh.xh.) që ka vënë si zakon që, për sa u përket shkaqeve, fëmija të formohet nga bashkimi i nënës me babanë ose nga bashkimi i elementëve që përbëjnë shkak për formimin e fëmijës, e ka sjellë në botë Hz. Isanë (alejhissalatu uesselam) me anë të një akti tjetër, të ndryshëm nga zakoni i vënë prej Tij!

Këtu duam të theksojmë një specifikë shumë të rëndësishme: mrekullitë nuk janë zhvilluar në çdo vend në mënyrë që çdo njeri të ketë pasur mundësi çdo çast për t’i parë hapur e qartë për të mbetur i detyruar të besojë. Sepse, me aspektin e tyre që sheh nga njerëzit, mrekullitë janë për të fuqizuar besimin e atyre që besojnë dhe për t’ua thyer kryeneçësinë në mohim të atyre që nuk besojnë për rrjedhojë, për t’i bindur ata, por jo për t’i detyruar dhe shtrënguar. Po të ndodhte kështu, atëherë ekzistenca e mendjes dhe arsyes e humbte kuptimin, njerëzve u merrej vullneti nga duart dhe detyroheshin me forcë të besonin, gjë që do të thoshte të eliminoheshin propozimi i adhurimit dhe e fshehta e provës, në përfundim të së cilës, mes Omerit shpirtmargaritar dhe Ebu Lehebit shpirtqymyr nuk do të kishte ndryshim, pra, njerëzit do të ishin të njëvlershëm në besim. Është për këtë arsye që një mrekulli e madhe si ndarja e hënës në dy pjesë është zhvilluar në një kohë të caktuar të natës, brenda një kohe të shkurtër dhe para syve të një numri të kufizuar njerëzish, për rrjedhojë, si për dëshmitarët e kësaj ngjarjeje, ashtu dhe për pasardhësit, as nuk është marrë e drejta e vullnetit të tyre për të zgjedhur, as nuk është mbyllur dera e mendimit dhe arsyetimit e mendjes së tyre.

Lexo  Qëllimi i dërgimit te profetëve

 

B) Mrekullitë e Përmendura në Librat e Hadithit

Në librat e hadithit janë rrëfyer dhe bërë të njohura shumë mrekulli të Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam). Këto janë aq shumë, saqë, po t’i përmendnim të gjitha këtu, do të rritej vëllimi i këtij punimi, ndaj ne do të mjaftohemi të përmendim prej tyre vetëm ato më të njohurat dhe më të përhapurat. Këtu, jashtë mrekullive të përmendura në Kuran, mund të rreshtojmë këto: rrjedhja e ujit nga gishtat[4], begatimi dhe shtimi i ushqimit të pakët[5], shërimi i të sëmurëve e i të plagosurve[6], përshëndetjet dhe dëshmitë e maleve dhe gurëve[7], pranimin në çast të lutjeve[8].

 

Një Vlerësim Mbi Mrekullitë Emotive/Materiale

E shohim me dobi që, nën këtë nëntemë, të kujtojmë një specifikë. Edhe nëse mrekullitë e Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam) si dhe mrekullitë e tjera nuk pajtohen me parimin e përputhshmërisë së shkaqeve, janë ngritur mbi një sërë shkaqesh. Për shembull, po qe se do t’u hidhnim një sy mrekullive të shfaqura nga Profeti Muhamed, një radhë, ai, për të plotësuar nevojën e ushtrisë së tij të mbetur pa ujë, bën që nga gishtat e tij të rrjedhë ujë si çurg, vetëm se, duke e shfaqur këtë mrekulli, ai i ka zhytur gishtat në një enë me ujë. Një radhë tjetër, Profeti përdori nja dy grushte hurma për të ngopur rreth treqind sahabe, shokë të tij, duke i begatuar atë sasi hurmash në sajë të aktit krijues të Allahut. Nga të gjitha këto kuptojmë se, për sa kohë që çështja të mbetet brenda kuadrit të shkaqeve, Allahu (xh.xh.) nuk i eliminon shkaqet plotësisht. Edhe mrekullitë e dala nga Profetët e tij, Allahu (xh.xh.) i favorizon me anë të shkaqeve të pjesshme dhe me këtë tërheq vëmendjen mbi rëndësinë e shkaqeve.

Si përfundim, jemi të detyruar edhe një herë tjetër që, me anë të provave dhe argumenteve racionale dhe logjike, ta përcaktojnë pozitën dhe ta vendosim vendin e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi uesel’lem) si në mendjen, ashtu dhe në jetën tonë. Sa të thellë që të jenë besimi dhe nënshtrimi ynë ndaj Tij, po aq do të jetë përfitimi ynë prej mesazhit dhe dritës së Tij!



[1] Shih. Buhari, Salat, 1; Muslim, Iman, 263; Nesai, Salat, 1; Ibni Maxhe, Ikame, 194.

[2] Shih. Buhari, Menakib, 27; Muslim, Sifatu’l-Munafikin, 44; Ibni Hanbel, Musned, I, 377.

[3] Shih. Ahzab, 33/62; Fatir, 35/43; Fetih, 48/23; Isra, 17/77.

[4] Shih. Buhari, Shurut, 15; Muslim, Fedail, 4-6.

[5] Shih. Buhari, Ejman, 22; Muslim, Eshribe, 142.

[6] Shih. Buhari, Fedailu’s-Sahabe, 9; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 34.

[7] Muslim, Fedail, 2; Buhari, Menakib, 25.

[8] Buhari, Istiska, 7; Muslim, Istiska, 1.

Ndajeni me miqtë tuaj...