Siç e dini edhe ju, Muhamedi (s.a.s.) është Profeti i fundit dhe nuk do të ketë profetë të tjerë pas tij. Në veprat dhe librat e shumtë të myslimanëve, thuhet se përpara tij kanë ardhur 124.000 profetë të tjerë ku disa prej të cilëve u janë shpallur libra dhe broshura.
Ndër më të rëndësishmit janë Teurati, i cili iu zbrit Musait (s.a.s.), Zeburi, i cili i zbrit Davudit (a.s.) dhe Inxhili, i cili i zbriti Isait (a.s.). Në këto libra të shpallur para shumë shekujsh, Allahu e ka përgëzuar njerëzimin që në atë kohë për ardhjen e Profetit tonë, si Profeti i fundit dhe më i madhi i njerëzimit.
* Shumë kristianë që kishin dëgjuar këto fjalë të Isait (a.s.), edhe pse nuk e kishin parë Profetin tonë, Muhamedin (s.a.s.), e kishin besuar atë si Profet të fundit dhe si më të madhin e njerëzimit. Për shembull, një hebre i quajtur Ibnul A’la, e kishte përgëzuar popullin e tij që përpara shpalljes së Profetit tonë dhe pas shpalljes kishte ardhur tek Profeti dhe i kishte thënë: “Veçoritë e tua unë i kam parë në Inxhil dhe të kam besuar. Sepse djali i Merjemes, Isai (a.s.), e ka theksuar ardhjen tënde edhe në Inxhil”.
* Profeti (s.a.s.) në moshën e fëmijërisë ishte nisur në udhëtim me xhaxhain e tij Ebu Talibin dhe në rrugë ishte takuar me priftin Bahira. (Kjo ngjarje është përmendur edhe në kapitujt e mësipërm). Ashtu si në Inxhil, edhe në Teurat janë treguar shenjat dhe veçoritë e Profetit tonë, prandaj prifti Bahira, edhe pse Profeti (s.a.s.) ishte një fëmijë në moshën 12 vjeçare, e kishte njohur atë. Për këtë arsye, prifti Bahira e këshilloi Ebu Talibin që ta marrë djalin dhe ta kthejë në shtëpi, sepse edhe hebrenjtë e tjerë do ta njihnin dhe ndoshta do ta vrisnin atë. Ebu Talibi e dëgjoi këshillën e dhënë dhe bashkë me Muhamedin (s.a.s.) u kthyen në Mekë.
* Edhe mbreti i Etiopisë, Nexhashiu, i kishte lexuar shenjat e Profetit tonë, të cilat ishin të shkruara në Inxhil dhe Teurat, prandaj ishte bërë mysliman duke thënë: “Më mirë të jem shërbëtor i Muhamedit (s.a.s.), se të jem mbreti i Etiopisë. Sepse të jesh shërbëtor i tij është më e ndershme se të jesh mbret.”
* Një tjetër person që i kishte lexuar shenjat dhe veçoritë e Profetit në librat e shenjtë, ishte edhe mbreti i Jemenit, Tubba. Në një vjershë të tijën, ai thotë: “Unë që tani e pranoj profetësinë e Muhamedit. Sikur të jetoja deri në kohën e tij, do të dëshiroja të bëhesha djali i xhaxhait të tij”.
* Një mbret tjetër i Jemeni, i quajtur Sejf, kishte lexuar në librat e shenjtë të mëparme për Profetin tonë dhe ishte bërë besimtar që atëherë. Ky mbret e kishte thirrur gjyshin e Profetit tonë Abdulmuttalibin, i cili bashkë me një karvan të Kurejshëve, kishte ardhur në Jemen dhe i kishte thënë: “Në Hixhaz do të lindë një fëmijë, ku ndërmjet dy shpatullave do të ketë një shenjë (vula e profetësisë) dhe ky fëmijë do të jetë prijësi i të gjithë njerëzve.” Pastaj ky mbret e kishte përgëzuar me këto fjalë madhështore: “Gjyshi i këtij fëmije do të jesh ti.”
* Profeti (s.a.s.), kur mori detyrën e të Dërguarit të Allahut, si pasojë e disa ngjarjeve interesante, ishte frikësuar shumë. Varaka, një i afërm i Hatixhes (r.a.), kur dëgjoi për këtë, shkoi tek ai dhe pasi e dëgjoi me vëmendje, i tha: “Mos ki frikë, kjo që të ndodh ty quhet vahj (shpallje hyjnore). Ti je Profeti Muhamed (s.a.s.) ai që përgëzoi Isain (a.s.) dhe njeriu që pret njerëzimi.”
* Edhe magjistarët, të cilët flasin për të fshehta, në sajë të lidhjeve me shpirtrat dhe xhindët, kanë lajmëruar për ardhjen e Profetit tonë. Ndër më të famshmit, janë magjistarët Shekk dhe Satih. Shekku kishte një sy, një dorë dhe një këmbë dhe i ngjante një gjysmë njeriu, i cili shumë kohë më parë kishte lajmëruar që do të vijë Profeti (s.a.s.) dhe e kishte përsëritur shumë herë këtë lajm. Magjistari i Sirisë, i quajtur Satih, ishte një krijesë e çuditshme, pa asnjë kockë dhe gjoksin e kishte të bashkuar me kokën. Ky ishte një magjistar që fliste për të fshehtat dhe ishte bërë i famshëm, sidomos me shpjegimin dhe domethënien e ëndrrës që kishte parë mbreti i Persisë, Kisra, lidhur me shembjen e 14 kolonave të pallatit të tij, në kohën kur kishte lindur Profeti (s.a.s.). Ky mbret, kishte dërguar një njeri tek Satihi dhe kishte pyetur domethënien e shembjes së 14 kollonave. Satihi i ishte përgjigjur duke i thënë që në shtetin e Persisë do të jetojnë 14 mbretër të tjerë dhe pas tyre, një njeri nga Hixhazi, do të formojë mbretërinë e tij dhe do ta shkatërrojë mbretërinë e Persisë, dhe ky njeri do të jetë Profeti (s.a.s.).
* Një magjistar tjetër që lajmëron ardhjen e Profetit tonë ishte edhe kushëriri i Osmanit (r.a.), i quajtur Sad. Në kohën kur Profeti (s.a.s.) shpalli hapur misionin e tij të shenjtë, ky njeri e urdhëroi Osmanin (r.a.), që t’i besonte këtij Profeti dhe Osmani u bë mysliman me anë të këshillës së tij.