* Aliu, Xhabiri dhe Aishja (r.a.) tregojnë: “Pejgamberi kur dilte jashtë e përshëndesnin edhe pemët e gurët që ishin në rrugë. “Es selamu alejke ja Resulallah”, i thonin atij. Nga transmetimi i Aishes mësojmë se Profeti ka thënë: “Në kohën kur Xhebraili më shpalli profetësinë, të gjithë gurët dhe pemët më thonin: Përshëndetje o i Dërguari i Allahut.”
* Enesi i cili ishte në shërbim të Profetit tregon: “Isha pranë Profetit. Mori disa gurë të vegjël në dorë të cilët filluan të bëjnë dhikër Allahun. Profeti (s.a.s.) këta gurë i vuri në dorën e Ebu Bekrit dhe ashtu vazhduan të bëjnë dhikër. Pastaj i vuri në dorën e Omerit dhe Osmanit dhe gurët përsëri vazhduan të bëjnë dhikër Allahun. Kur i vuri në dorën time dhe të Ebu Dherrit, gurët pushuan, pra nuk bënë dhikër.
* Profeti (s.a.s.) kur po mbulonte me një mbulesë Abasin dhe 4 fëmijët e tij, u lut me këto fjalë: “O Zot! Ky është xhaxhai im dhe vëllai i babait tim. Kurse këta janë fëmijët e tij. Ashtu siç i mbuloj dhe i ruaj unë me anë të kësaj mbuloje, edhe Ti ruaji ata nga xhehenemi”. Në atë çast edhe dera, muret dhe tavani i shtëpisë u bashkuan në lutjen e Profetit duke thënë: “Amin! Amin!”
* Enesi, Ebu Hurejre, Osmani dhe Said ibn Zejd, tregojnë: “Profeti (s.a.s.) bashkë me Ebu Bekrin, Omerin dhe Osmanin ishin ngjitur në malin e Uhudit. Mali i Uhudit, ndoshta nga madhështia, ndoshta dhe nga kënaqësia e vizitës së tyre, kishte lëvizur nga vendi. Në atë çast, Profeti e urdhëron: “Ndalo o Uhud! Nuk ka dyshim që sipër teje është një Profet, një Siddik (besnik) dhe dy shehidë.” Siç e dini dhe ju, pseudonimi i Ebu Bekrit është Siddik, besnik i Allahut dhe i Profetit. Me fjalën e mësipërme, Profeti e vërteton këtë fjalë, kurse për Omerin dheOsmanin, lajmëron që do të bien shehidë dhe ashtu ndodhi.
* Gjatë emigrimit të Profetit nga Meka në Medinë, armiqtë e tij idhujtarë e ndiqnin pas. Profeti ndodhej sipër malit Sebir. Mali i tha: “O i Dërguari i Allahut. Në qoftë se armiqtë tuaj të godasin duke qenë sipër meje, Allahu do të më dënojë, prandaj zbrit nga unë”. Ndërsa mali Hira i tha: “Eja tek unë, o i Dërguari i Allahut.” Edhe sot, myslimanët që shkojnë në haxh apo umre, tregojnë se sipër malit Sebir ndiejnë frikë, kurse sipër Malit Hira ndejnë siguri dhe shpresë. Nga kjo ngjarje, pra, kuptojmë që edhe malet janë robër të Zotit, të cilët e njohin dhe e duan Profetin tonë.
* Ibn Abasi bashkë me Ibn Mesudin tregojnë: “Ditën e çlirimit të Mekës, në Qabe kishte 360 idhuj të cilët ishin të lidhur me gurë nga poshtë. Profeti (s.a.s.) drejtoi nga ata shkopin e tij dhe u thotë: “Drejtësia erdhi, gënjeshtra u zhduk. Sigurisht që gënjeshtra është e destinuar të zhduket”. Sa herë që Profeti (s.a.s.) ia drejtonte shkopin idhujve, ata binin për tokë. Të gjithë u rrëzuan dhe u bënë copë-copë.
* Para se t’i shpallej profetësia,Muhamedi (s.a.s.) bashkë me xhaxhain e tij Ebu Talibin dhe të tjerë, nisen për të bërë tregti për në Damask. Gjatë rrugës, kur iu afruan një kishe, një prift me emrin Bahira, i cili nuk fliste shumë me njerëzit, u drejtohet duke bërë me shenjë nga Profeti: “Ky fëmijë është prijësi i të gjithë botës dhe do të bëhet Profet (asokohe Profeti ishte në moshën 12 vjeçare). Kurejshët i thanë: “Nga e di këtë gjë?” Prifti tha: “Rrugës, kur po vinit, sipër jush kishte një re. Kudo që shkonit, e ndiqte nga pas dhe ulej deri poshtë duke i bërë hije fëmijës. Po ashtu, edhe gurët dhe pemët përkulen para tij. Kjo gjë u ndodh vetëm Profetëve.” Bahira, edhe pse ishte një prift, e kishte njohur dhe kishte lajmëruar që Ai do të jetë Profeti i fundit. Sepse në librin e shenjtë Teurat, ishte lajmëruar qartë ardhja pas disa shekujve e Profetit tonë. Për këtë arsye, Bahira e kishte këshilluar Ebu Talibin që ta kthente në Mekë djalin e vogël, sepse hebrenjtë do ta njihnin atë dhe mund t’i bënin ndonjë të keqe. Ndaj, Ebu Talibi bashkë me djalin kthehet në Mekë.
* Një nga shumë mrekullitë e ndodhura në luftën e Bedrit, është edhe ajo me Ukashen. Shpata e tij thyhet në përleshje me armiqtë e Allahut. Si pasojë e varfërisë së atyre kohërave, nuk kishte armë të tjera. Profeti (s.a.s.), kur e pa Ukashen në atë gjendje, ia hodhi një dru të gjatë dhe i tha: “Lufto me këtë.” Ukashe sapo filloi të luftonte me të, ajo u kthye në një shpatë të gjatë dhe të bardhë, e cila u bë e famshme ndërmjet sahabeve me emrin “el aun” (ndihmësja). Ukashe i cili u nderua me një shpatë të tillë, nuk e lëshoi nga dora asnjëherë, derisa ra shehid në luftën e Jemames. Një mrekulli e ngjashme ka ndodhur edhe në luftën e Uhudit. Djalit të hallës së Profetit (s.a.s.), Abdullahut, gjatë luftës i thyhet shpata. Profeti ia hedh atij një dru të gjatë, i cili kthehet në shpatë. Edhe kjo shpatë ishte bërë e famshme dhe sipas historianit Ibn Sejid, këtë shpatë Abdullahu ia ka shitur 200 lira një njeriu me emrin Bugaj Turki.