* Tregon Aliu, Enesi dhe Omeri (r.a.): Si pasojë e përgënjeshtrimit të vazhdueshëm që i bënin jobesimtarët Profetit tonë, një ditë ai i lutet Allahut me këto fjalë: “Ja Rabbi. Më trego një mrekulli të tillë që me anë të saj, të mos mërzitem më për jobesimtarët.” Njëri nga katër melekët e mëdhenj, Xhebraili në ato momente ishte pranë tij. Profeti (s.a.s.), thirri një pemë që ishte në luginë dhe ajo erdhi pranë tij. Më pas urdhëroi të largohej dhe ajo u largua.

* Tregon Abdullahu: Gjatë një udhëtimi, një bedevi vjen pranë Profeti. Profeti e pyet: “Ku po shkon?” “Tek të afërmit”, tha bedeviu. Profeti: “A nuk dëshiron diçka më të mirë se kjo?”– e pyet bedeviun. “Çfarë është ajo?”, pyeti bedeviu. Profeti: “Të dëshmosh që nuk ka zot përveç Allahut, të dëshmosh që Ai është një, i pa shok, të dëshmosh që Muhamedi është rob dhe i dërguari i Allahut”. Bedeviu pyeti: “Një dëshmie të tillë kush është dëshmitar?”Do të dëshmojë ajo pema në luginë”, – i thotë Profeti Muhamed (s.a.s.). Omeri thotë: “Pema doli nga toka duke u lëkundur e duke e çarë atë dhe erdhi pranë Profetit. Profeti (s.a.s.) e pyeti pemën për vërtetësinë e fjalëve të mësipërme tre herë rresht, ku edhe pema u përgjigj po tre herë duke i thënë se Zoti është Një dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij.” Më pas, Profeti e urdhëroi pemën që ajo të kthehet në vendin e saj dhe ajo u kthye.

* Burejde tregon: “Ne ishim pranë Profetit (s.a.s.), kur një bedevi u afrua dhe kërkoi nga Profeti një mrekulli. Profeti i tha: “Thuaji kësaj peme: – Eja se të thërret i dërguari i Allahut”. Bedeviu e thirri dhe Profeti ia bëri me shenjë pemës. Pema menjëherë lëvizi nga vendi, duke u lëkundur sa majtas-djathtas dhe duke i nxjerrë rrënjët nga toka, derisa erdhi tek Profeti duke e përshëndetur: “Es-selamu alejke ja Resulallah (përshëndetje o i Dërguari i Allahut).” Bedeviu kërkoi që pema të shkojë përsëri në vendin e saj dhe ajo me urdhër të Profetit iku aty ku ishte më parë. Bedeviu ngeli i hutuar: Pastaj tha: “Më lejo o Profet të të bëj sexhde ty.” Por Profeti (s.a.s.) duke i rikujtuar se vetëm Allahut duhet t’i bëhet sexhde, i tha: “Nuk ka leje për askënd.” Më pas bedeviu iu lut Profetit që t’ia puthte duart dhe këmbët dhe ai e lejoi.

* Tregon Xhabiri: “Në një udhëtim isha me Profetin (s.a.s.). Profeti kërkoi një vend të mbyllur që të kryente nevojat personale, por nuk gjeti dot. Iu afrua dy pemëve. E kapi degën e njërës pemë e cila u afrua bashkë me pemën drejt Profetit. Profeti i tërhoqi ato dy pemë ashtu siç tërhiqet deveja sipas dëshirës me anë të litarëve. Pastaj u tha atyre: “Bashkohuni sipër meje.” Pemët u bashkuan me urdhrin e Profetit (s.a.s.) dhe e mbuluan atë. Më pas i urdhëroi të largohen në vendet e tyre dhe ato u larguan.

* Tregon Usame: Isha në udhëtim bashkë me Profetin (s.a.s.). Nuk gjeti vend për t’u mbyllur për të kryer nevojat personale, prandaj më tha: “A ka pemë ose gurë këtej rrotull?” “Po”, i thashë. Më tha: “Pemëve thuaju të mblidhen kurse gurëve thuaju të bëhen mur. Pra folu me emrin tim.” Shkova dhe iu thashë. Betohem që pemët u bashkuan kurse gurët u bënë mur. Pasi kreu nevojën, tha: “Thuaji ti të largohen”. Betohem në Allahun që pemët dhe gurët u larguan në vendet e tyre.

Dy mrekullitë e transmetuara më sipër nga Xhabiri dhe Usame, janë treguar edhe nga Ja’le, Gejlani dhe nga Ibn Mesudi në luftën e Hunejnit.

* Tregon Imam ibni Fevrek: Ishim në luftën e Taifit. Natën kur po udhëtonim me kalë, Profetit tonë i vjen gjumë. Në rrugë përballë tij ishte një pemë me emrin sidre. Kjo pemë për të mos shqetësuar Profetin, ndahet në dy pjesë duke i dhënë rrugë atij, i cili ishte duke fjetur përmbi kalë. Kjo pemë ndodhet edhe sot e kësaj dite e ndarë në dy pjesë.

* Tregon Ja’la (r.a.): Në një udhëtim, një pemë me emrin “talha” ose “semure”, vjen tek Profeti (s.a.s.) dhe fillon të rrotullohet rreth tij. Më pas ajo u largua. Profeti kur e pa atë, tha: “Kjo pemë kërkoi nga Allahu që të më përshëndesë.”

* Tregon Ibni Abasi: Profeti i tha një arabi: “Po qe se degën e kësaj peme e thërras dhe ajo vjen këtu, a do të bëhesh mysliman?” “Po”, ia ktheu ai. Atëherë Profeti e urdhëroi degën që t’i vinte atij dhe ajo erdhi. Pastaj e urdhëroi përsëri dhe ajo u kthye aty ku ishte.

Ndajeni me miqtë tuaj...