ilmihali

* Nëna e Enesit e quajtur Umu Sulejm, kishte skuqur në vaj një grusht me hurma, i kishte vendosur në një enë dhe ia kishte çuar Profetit (s.a.s.). Enesi i cili i solli hurmat, u urdhërua që të ftonte çdo person që do të takonte rrugës. Enesi ashtu bëri. Në shtëpinë e Profetit (s.a.s.) erdhën afro 300 sahabe, të cilët e mbushën kopshtin plot e përplot. “Ndahuni në grupe të përbëra nga 10 vetë”, iu tha atyre Profeti. Pastaj vuri dorën në ato pak hurma, iu lut Allahut e pastaj i ftoi që të hanin. Njerëzit e ardhur, që ishin gati 300 vetë, hëngrën derisa u ngopën. Pastaj, Profeti (s.a.s.) e urdhëroi Enesin ta ngrinte sofrën. Enesi thotë: “Nuk e di me siguri, në kishte patur më shumë hurma në fillim apo në fund, nuk jam i sigurt për këtë gjë.

 

* Ejubit (r.a.) tregon një kujtim të tijin në lidhje me Profetin: “Në kohën kur Profeti ishte mysafir tek unë, atij dhe Ebu Bekrit i përgatita një gjellë. Profeti urdhëroi: “Thirri 30 persona nga ensarët.” Thirrëm 30 vetë dhe të gjithë hëngrën derisa u ngopën. Pastaj urdhëroi: “thirr 60 vetë”. Ftova edhe 60 të tjerë, të cilët hëngrën derisa u ngopën. “Thirri edhe 70 të tjerë”, më tha. Erdhën edhe 70 persona të tjerë, hëngrën nga e njëjta enë e cila nuk mbaronte dhe që të gjithë përballë një mrekullie të tillë pranuan fenë Islame.

 

* Një mrekulli tjetër e ndodhur para syve të një ushtrie të tërë dhe që e tregojnë Omeri, Ebu Hurejre dhe Seleme:

“Në një luftë, ushtria mbeti pa ushqim. Me t’ia shpjeguar gjendjen e vështirë, Profeti tha: “Sillni ushqimet e mbetura nëpër çantat tuaja.” Të gjithë i sollën hurmat e mbetura nëpër torba. Më së shumti, prej tyre kishte katër grushte me hurma. I vendosën të gjitha këto hurma në një copë beze. Seleme thotë: “Më kujtohet që grumbulli i hurmave ishte sa një kec i vogël i ulur përtokë. Profeti (s.a.s.) këtij grumbulli hurmash iu këndoi një dua, pastaj tha: “Secili prej jush të sjellë enën e tij.” Të gjithë sahabet vrapuan dhe mbushën me hurma të gjitha enët që kishin me vete. Hurmat e vendosura mbi beze qëndronin ashtu siç ishin, pa u pakësuar aspak. Përballë kësaj mrekullie njëri nga sahabet tha: “Si rrjedhojë e atij bereqeti, sikur të gjitha gjallesat e botë të mblidheshin, do t’u mjaftonte të tërëve.”

 

* Djali iEbu Bekrit (r.a.), Abdurrahmani tregon: “Në një udhëtim, bëheshim 130 persona bashkë me Profetin (s.a.s.). U përgatit një bukë me 4 grushte miell dhe u poq një kec. Mëlçitë dhe veshkat i poqëm veçmas. Betohem se nga mëlçitë dhe veshkat u shpërnda çdo personi nga një copë. Pastaj Profeti e vendosi mishin e pjekur të kecit në dy enë. Të gjithë hëngrëm nga ky mish derisa u ngopëm, madje teproi më shumë mish se sa ishte në fillim. Pastaj e mora mishin dhe e ngarkova në deve.”

 

* Një mrekulli tjetër e Profetit tonë, me bukë dhe me mish, ka ndodhur në luftën e Hendekut, në prani të 1.000 vetëve. Xhabiri (r.a.) thotë: “Atë ditë u përgatit një bukë elbi dhe u bë kurban një qengj. Ushqimi u përgatit në shtëpinë time ku hëngrën derisa u ngopën rreth 1.000 njerëz dhe ushqimi nuk u pakësua aspak. Nga brumi i vogël i asaj, zihej në kazan pa u pakësuar aspak. Sepse Profeti (s.a.s.) i kishte hedhur brumit dhe tenxheres pak nga uji i gojës së tij dhe ishte lutur për t’u shtuar begatinë.

 

* Një mrekulli tjetër e transmeton Bera dhe Seleme në luftën e Hudejbies. “Në fushën e Hudejbies erdhëm pranë një pusi. Ishim 1.400 vetë. Por uji i pusit u mjaftonte vetëm 50 vetëve. E nxorëm të gjithë ujin, aq sa në pus nuk mbeti asgjë. Profeti (s.a.s.) erdhi dhe u ul pranë pusit dhe kërkoi nga ne një kovë me ujë. Ia sollëm. Në kovë hodhi pak nga pështyma e tij e bekuar dhe bëri dua. Pastaj ujin e kovës e hodhi në pus. Për një moment, nga uji i pusit filli të buronte derisa u mbush deri në grykë. Nga ai ujë pinë derisa u ngopën të gjithë njerëzit, kafshët dhe u mbushën të gjitha enët e boshatisura.

Lexo  MREKULLITË NË LIDHJE ME MBROJTJEN E PROFETIT

*Aliu (r.a.) tregon: “Profeti (s.a.s.) mblodhi 40 persona nga bijtë e Abdulmutalibit. Disa prej tyre hanin në një vakt një deve të vogël dhe pinin 5 litra qumësht. Të gjithë këtyre njerëzve, Profeti (s.a.s.) u përgatiti një grusht ushqim nga i cili hëngrën derisa u ngopën dhe ushqimi mbeti ashtu siç ishte në fillim. Pastaj në një enë prej druri solli qumësht, i cili mund t’u mjaftonte vetëm 3-4 vetëve. Nga ky qumësht pinë 40 vetë derisa u ngopën dhe qumështi përsëri teproi aq sa ishte.

* Aliu (r.a.) ishte i martuar me vajzën e Profetit (s.a.s.), i cili në ditën e martesës së tyre thirri Bilalin dhe i tha: “Përgatisni një bukë prej 3-4 grushte mielli dhe prisni një deve të vogël”. Bilali tregon: “Kur unë i solla ushqimet e përgatitura, Profeti (s.a.s.) i preku ato me dorën e tij, pastaj erdhën të gjithë shokët me radhë, hëngrën sa u ngopën dhe u larguan. Përsëri bëri dua për ushqimin e mbetur dhe ua dërgoi nga një enë me ushqim edhe nënave tona duke thënë: “Le të ushqehen vetë dhe ata që janë me to.”

* Tregon Ebu Talha: “Profeti Muhamed (s.a.s.) ngopi 70- 80 njerëz me një bukë të vogël që e mbante Enesi nën sqetull. “Ndajeni bukën në copa të vogla”, tha ai dhe pastaj filloi të lutet. Të pranishmit vinin në grupe prej 10 vetash sepse dhoma ku ndodheshim ishte e vogël. Hëngrën të gjithë sa deshën dhe u larguan.

* Tregon Xhabiri (r.a.): “Një ditë erdhi një njeri dhe kërkoi nga Profeti ushqim për familjen e tij. Profeti i dha atij gjysmë thesi me elb. Familja e këtij njeriu e përdori këtë ushqim si për vete, ashtu edhe për mysafirët që u vinin. Por u çuditën shumë sepse thesi me elb nuk kishte të mbaruar. Nuk duruan më dot dhe shkuan ta peshonin. Nga ky çast, bereqeti i tij sosi dhe ushqimi në thes filloi të pakësohet. Kur ky njeri erdhi tek Profeti dhe ia tregoi ngjarjen, Profeti (s.a.s.) i tha: “Sikur të mos e kishit peshuar, ky ushqim do t’iu mjaftonte për gjithë jetën.”

*Muhamedi (s.a.s.) i thotë Omerit (r.a.): “Jepu ushqim për rrugë 400 kalorësve të fisit Ahmes.”

– O i Dërguari i Allahut, aktualisht kemi vetëm 8-10 kg ushqim. Po ta mbledhim, bëhet sa një deve e vogël e ulur përtokë. Profeti (s.a.s.) tha përsëri: “shko jepua”. Ai pak ushqim iu dha 400 kalorësve, e cila do t’u mjaftonte dhe do të ngelej ashtu siç ishte, e papakësuar aspak, sikur të mos ishte prekur fare.

* Babai i Xhabirit në kohën kur vdiq, u detyrohej shumë borxhe hebrenjve. Xhabiri (r.a.) u propozon atyre tokat e babait të tij. Por hebrenjtë nuk pranuan duke kërkuar që borxhi t’u paguhet me anë të frutave të pemëve të asaj toke. Xhabiri u mërzit pa masë. Sepse i duhej të punonte shumë vjet për ta. Me ta dëgjuar këtë, Profeti (s.a.s.) tha: “Mblidhni frutat e pemëve dhe grumbullojini”. I mblodhën menjëherë. Profeti (s.a.s.) bëri dua për frutat e mbledhura dhe urdhëroi Xhabirin që t’ua lante borxhin hebrenjve. Gjatë mbledhjes së frutave, të gjithë çuditeshin sepse frutat ishin më shumë së ato të disa viteve dhe ishin më shumë se sa duhej të paguheshin për të larë borxhin. Hebrenjtë u çuditën pa masë nga kjo pamje. Më pas ngelën po aq fruta sa morën hebrenjtë.

Lexo  Ç’LEXOJMË NË FIGURËN E PROFETËSISË

* Sahabi i famshëm, Selman Farisi, para se të bëhej mysliman, ishte skllav tek hebrenjtë. Për ta bërë të pamundur lirimin e tij, ata kërkonin prej tij të mbjellë 300 fidanë hurmash të cilat duhet të rriteshin dhe të jepnin fruta, pastaj edhe 50 kg flori. Selmani i mërzitur vjen dhe ia tregon ngjarjen Profetit (s.a.s.). Profeti (s.a.s.) merr 300 fidanë hurmash dhe i mbjell të gjithë jashtë qytetit të Medinës. Brenda atij viti, përveç njërit, të gjithë fidanët që kishte mbjellë Profeti (s.a.s.) dhanë fruta. Profeti (s.a.s.) e nxori atë dhe e mbolli përsëri, duke dhënë fruta edhe ai siç të gjithë të tjerët. Pastaj Profeti (s.a.s.) një grusht me flori e preku me pështymën e tij dhe i tha Selmanit: “Shko dhe jepua hebrenjve”, i tha. Kur Selmani ua dha hebrenjve paratë e tyre, pa që floriri nuk po pakësohej. Ai paguante borxhin e tij, ndërsa hebrenjtë nuk e fshihnin dot habinë e tyre. Kurse paratë që kishte në fillim nuk u pakësuan aspak.

* Ebu Hurejre tregon se: “Në luftën e Tebukut ushtria ngeli pa ushqim dhe Profeti më pyeti:“A kemi diçka për të ngrënë?”“Kanë ngelur vetëm 15 hurma”, i thashë. “Silli”, më tha. Ia solla. Dorën e tij të bekuar e futi në torbën me hurma, nxori disa prej tyre, duke i vënë në një enë, pastaj bëri dua dhe thirri ushtarët të cilët erdhën në grupe prej 10 vetash. Të gjithë u ngopën. Pastaj më tha: “Merr aq sa solle, fshihi, por mos i pesho ato”. E futa dorën në enën me hurma dhe mora aq sa ishin në fillim, afër 15 hurma. Nga këto hurma kemi ngrënë gjatë gjithë kohës kur Profeti (s.a.s.) ishte gjallë deri në kohën e kalifatit të Ebu Bekrit, Omerit dhe Osmanit (r.a.), por nuk i mbaruam dot. Nga këto hurma kemi shpërndarë falas me thasë të tëra. Ditën kur ra shehid Osmani, të gjitha këto hurma u bastisën dhe humbën të tëra.

* Ebu Hurejre shkon bashkë me Profetin në shtëpinë e tij. Aty ndodhej një gotë qumësht të cilën ia kishin dhuruar Profetit (s.a.s.). Ai (s.a.s.) e dinte mjaft mirë që qumështin do ta ndante me ta. Ngjarjen në vazhdim le ta dëgjojmë nga Ebu Hurejre:

Profeti më tha: “Thirr Ehli Sufen (personat që jetën e tyre ia kishin kushtuar Allahut dhe rrinin pranë Profetit). Mendova vetmevete: “Unë mund ta pi i vetëm të gjithë qumështin, sepse kam uri më shumë se ata”, por zbatova urdhrin e dhënë. Ishin mbi 100 vetë. Profeti (s.a.s.) tha: “Jepu të pinë!” Gotën me qumësht ua kaloja dorë me dorë. Personi që kishte gotën pinte derisa ngopej pastaj ia zgjaste shokut pranë, derisa pinë dhe u ngopën të gjithë. Profeti tha: “Mbetëm vetëm ne të dy. Pi ti më parë”. Unë pija, kurse Profeti këmbëngulte që të pi akoma. Më në fund nuk durova dot dhe thashë: “Betohem në Atë (Allahun), që të ka dërguar ty Profet, se nuk më ka mbetur asnjë vend bosh në stomak.

Pastaj e mori gotën dhe tha: “Bismil’lah” dhe e piu të gjithë qumështin e mbetur duke e falënderuar Allahun.

Ndajeni me miqtë tuaj...