Në kohën kur Profeti (s.a.s.) u ngarkua me një detyrë të tillë, ishte krejt i vetëm. Ndërsa, duke filluar nga xhaxhai dhe të afërmit e tij, deri tek popujt e asaj kohe, të gjithë ishin armiqtë e tij. Në Kuran thuhet: “Allahu të mbron ty nga njerëzit”. Pas zbritjes së këtij ajeti, Profeti (s.a.s.) iu drejtua shokëve të cilët dëshironin ta mbronin me këto fjalë: “Unë nuk kam më nevojë për mbrojtje. Mua më ruan Allahu.”

* Kryetarët e fisit Kurejsh u mblodhën dhe vendosën të vrisnin Profetin (s.a.s.). Për këtë do të merrte pjesë një person nga çdo fis. Pastaj, nën drejtimin e dy armiqve si Ebu Xhehli dhe Ebu Lehebi, u mblodhën 200 vetë të cilët rrethuan shtëpinë e Profetit tonë. Profeti Muhamed (s.a.s.) i thotë Aliut që të flejë në shtratin e tij. Kurse ai, në kohën kur erdhën idhujtarët, u hodhi atyre pak nga dheu i tokës dhe u largua i qetë. Kurejshët përreth tij nuk e panë dot dhe në shtëpinë e tij gjetën vetëm Aliun. Pastaj filluan ta ndiqnin nga pas deri tek shpella Hira, ku dhe atje nuk e kapën dot.

* Kur Profeti Muhamed (s.a.s.) doli nga shpella Hira bashkë meEbu Bekrin dhe u nisën drejt Medinës, armiqtë e tij nuk rrinin duarkryq. Një personi të quajtur Suraka i premtuan shumë mall dhe para, duke e urdhëruar që ta gjente dhe ta vriste Profetin (s.a.s.). Suraka ishte njeri shumë i guximshëm, i cili arriti t’i gjente. Kur iu afrua atyre,Ebu Bekri u shqetësua shumë. Profeti (s.a.s.), ashtu si në shpellën Hira, e qetëson duke i thënë: “Mos u mërzit! Allahu është me ne.” Suraka, sapo hodhi shikimin drejt Profetit tonë, këmbët e kalit të tij u zhytën në rërë dhe nga toka filloi të dilte tym i dendur. Suraka e kuptoi që askush nuk ishte në gjendje t’i bënte ndonjë të keqe Profetit (s.a.s.) dhe i kërkoi falje atij. Profeti Muhamed (s.a.s.) e fali dhe i tha: “Shko dhe mos i lejo të tjerët të na ndjekin nga pas.”

Pasi largohet Suraka, Profeti (s.a.s.) bashkë meEbu Bekrin vazhdojnë rrugën derisa takojnë një çoban i cili i kishte njohur. Menjëherë deshi të largohej dhe t’i lajmëronte Kurejshët me qëllim që të fitonte sa më shumë para. Por kur arriti në Mekë, edhe pse u mendua me orë të tëra, harroi përse kishte ardhur. Kur u kthye në vendin e tij, iu kujtua, por e kuptoi që Allahu e kishte bërë që të harronte.

* Armiku i Allahut, Ebu Xhehli, kishte marrë një gur të madh dhe ishte betuar që t’ia hidhte në kokë Muhamedit kur ai të ulej në sexhde. Në kohën kur Profeti Muhamed (s.a.s.) po falej, ai i afrohet fshehurazi, por duart bashkë me gurin i ngelën të shtangura në ajër dhe ai nuk lëvizte dot në asnjë drejtim. Kështu ai mbeti në atë pozicion derisa Profeti (s.a.s.) mbaroi namazin dhe u largua. Më pas duart iu liruan dhe u qetësua.

* Edhe Velid Bin Mugire, që ishte nga fisi i Ebu Xhehlit, merrte shembull nga ai, duke dashur të vriste Profetin (s.a.s.) gjatë namazit. Kur mori një gur dhe iu afrua Profetit (s.a.s.), shikimi iu verbua. Nuk shikonte asgjë, as shokët e tij, edhe pse ua dëgjonte zërat. Ai ngeli ashtu derisa Profeti Muhamed (s.a.s.) mbaroi të falurit dhe u largua.

* Në luftën e Gatfanit, një njeri i quajtur Gavres, i cili ishte mjaft trim, i afrohet fshehurazi Profetit (s.a.s.), nxjerr shpatën dhe ia vendos në kokë duke i thënë: “Kush do të të shpëtojë ty nga unë.” “Allahu”, i përgjigjet Profeti Muhamed (s.a.s.) duke thënë këtë dua: “O Allahu im! Më mbro mua nga ai ashtu siç dëshiron Ti.” Pas kësaj lutjeje, Gavresi u rrokullis përtokë sikur të kishte pësuar një goditje nga pas nga diçka e padukshme, duke i rënë edhe shpata nga dora. Profeti (s.a.s.) e kapi shpatën dhe ia drejtoi atij duke i thënë: “Po ty, kush do të të shpëtojë?” Gavresi u frikësua dhe u çudit shumë, por Profeti (s.a.s.) e fali atë, dhe e lejoi të largohej. Gavresit i dukej vetja si në ëndërr. Ai ua tregoi ngjarjen edhe të afërmve të tij, të cilët prisnin me padurim ardhjen e tij. Ai u tha: “Ja pra, ngjarja ndodhi siç iu thashë. Unë tani po kthehem nga njeriu më i mirë në botë.”

* Për armikun e Islamit, Allahu (xh. xh.) në Kuran, në suren Tebet, thotë: “U thafshin duart e Ebu Lehebit dhe i shuar qoftë ai”, ndërsa gruan e tij e quan “mbartëse drurësh e ferrash”, për shkak se ajo i hidhte pengesa prej ferrash e shkopinjsh në rrugët ku kalonte Profeti. Umu Xhemili kur e dëgjon për zbritjen e këtij ajeti, vjen në Qabe. Ato çaste, Profeti Muhamed (s.a.s.) ishte ulur bashkë me Ebu Bekrin dhe po bisedonte. Kjo grua, armike e Allahut, edhe pse ishte fare pranë Profetit (s.a.s.), nuk e shikonte atë, por vetëm Ebu Bekrin dhe e pyet: “O Ebu Bekr! Ku është shoku yt? Kam dëgjuar që është tallur me mua. Sikur ta shihja, do ta qëlloja me gurë.” Allahu (xh.sh.) nuk do ta shqetësonte Profetin e Profetëve me bartësen e druve e të ferrave.

* Dy idhujtarë, Amiri dhe Ebedi, thurën një plan për të vrarë Profetin dhe pasi vendosën të kryenin këtë akt të shëmtuar, Amiri tha: “Unë do ta hutoj atë me fjalë, kurse ti do ta godasësh”. Amiri, edhe pse kishte një kohë të gjatë që po fliste me Profetin, shoku i tij nuk e goditi. Pasi u ndanë, Amiri e pyeti: “Pse nuk e qëllove Muhamedin?” “Si ta qëlloj”, ia kthen Erbedi. “Sa herë që matesha ta qëlloja, më dilje ti përpara. Ti futeshe ndërmjet meje dhe atij. Si të të qëlloj unë ty?”

* Një njeri me emrin Shejbe, për të marrë hakun e babait dhe xhaxhait të tij të vrarë në luftën e Uhudit (ose Hunejnit) ngaHamzai, i afrohet fshehurazi nga prapa Profetit dhe në kohën kur ngriti shpatën ta qëllonte, ajo i bie nga dora. Profeti (s.a.s.) e shikoi atë dhe ia vuri dorën në gjoks. Shejbe vazhdon të tregojë vetë ngjarjen. “Në atë moment nuk kishte njeri më të dashur në botë se Ai”. Pastaj Profeti i tha: “Shko tani, lufto kundër armiqve.”Shejbe vazhdon: “U largova dhe fillova të luftoj përkrah Profetit tonë. Në qoftë se përpara do të më dilte edhe im atë, do ta qëlloja edhe atë”.

* Në ditën e çlirimit të Mekës, një njeri me emrin Fedale, i afrohet Profetit me qëllim për ta vrarë. Profeti Muhamed (s.a.s.) e shikon dhe i buzëqesh. Çfarë po mendoje me vete?”, e pyeti Profeti dhe iu lut Allahut që ta falë këtë njeri. Fedale u pendua shumë duke u shprehur në këtë mënyrë: “Në ata moment nuk mund të kishte njeri që ta doja më shumë se Profetin (s.a.s.).” 

Ndajeni me miqtë tuaj...