Sot, më e pakta që mund të themi është se, Islami nuk njihet nga të gjithë. Myslimanët duhet të deklarojnë: “Në Islam nuk ka terror!” Në Islam, vrasja e një njeriu është një akt i barabartë me rrezikshmërinë për kufr (mosbesimi në Zot). Asnjë person nuk mund të vrasë një krijesë njerëzore. Asnjë person nuk mund ta ngacmojë një person tjetër të pafajshëm, madje edhe në kohë lufte. Asnjë nuk mund të japë një fetva në këtë fushë. Asnjë nuk mund të jetë një granatier vetëvrasës (kamikaz). Asnjë nuk mund të vrapojë në mes turmave me njerëz, me bomba lidhur në trupin e tij. Pakujdesia e treguar ndaj fesë së njerëzve në këto turma, nuk është nga ana fetare e lejueshme. Edhe në kohë lufte – gjatë së cilës është e vështirë të mbash balancat – kjo nuk është e lejuar në Islam. Islami deklaron: “Mos prekni fëmijët ose njerëzit që luten në kishë!” Kjo nuk është thënë vetëm një herë, por është përsëritur vazhdimisht gjatë gjithë historisë. Ç’thoshte mjeshtri ynë, Profeti Muhamed, ç’thoshte Ebu Bekri dhe ç’thoshte Omeri, është e njëjtë me çfarë kanë thënë gjithashtu në kohët e mëvonshme Salahadin Ejubi, Alparslani dhe Këllëçarslani. Pastaj të njëjtën gjë tha dhe Sulltan Mehmeti II, triumfuesi. Në këtë mënyrë, qyteti i Kostandinopojës, në të cilin sundonte kaosi dhe shthurja, u bë Stambolli. Në këtë qytet grekët nuk i dëmtuan armenët dhe po ashtu as armenët nuk u sollën të këqija grekëve. As myslimanët nuk dëmtuan asnjë njeri nga popullsitë e tjera. Pak pas pushtimit të Kostandinopojës, njerëzit e qytetit varën një portret të stërmadh të triumfuesit në murin që i përkiste Patriarkanës. Është e çuditshme që një qëndrim i tillë ishte shfaqur në atë kohë. Atëherë, siç tregohet në histori, Sulltani e thirri Patriarkun dhe i dha çelësat e qytetit. Edhe sot, patrikana e kujton këtë gjest me respekt. Por sot, Islami, si në çdo pikë tjetër, nuk është kuptuar saktë. Islami gjithmonë ka respektuar idetë e ndryshme dhe nëse është kuptuar kjo, atëherë kemi të bëjmë me një vlerësim të drejtë.
Me keqardhje po them që në vendet ku jetojnë myslimanët, disa udhëheqës fetarë dhe myslimanë të papjekur nuk kanë armë tjetër në duar veç interpretimit fundamentalist të tyre për Islamin. Ata e shfrytëzojnë këtë për të hedhur njerëzit në luftëra që u shërbejnë interesave të tyre. Në fakt, Islami është një besim i vërtetë, dhe duhet jetuar besnikërisht. Në rrugën për arritjen e besimit nuk mund të përdoren kurrë metoda të rreme. Në Islam, ashtu siç një qëllim mund të jetë i ligjshëm, po ashtu duhet të jenë të gjithë mjetet që përdoren për ta arritur atë. Nga kjo perspektivë, askush nuk mund ta fitojë parajsën duke vrarë një person tjetër. Një mysliman nuk mund të thotë, “Unë do të vras një njeri dhe atëherë do të shkoj në parajsë.” Pëlqimi i Zotit nuk mund të fitohet duke vrarë njerëz. Një prej qëllimeve më të rëndësishme për një mysliman është të arrijë pëlqimin e Zotit, tjetri është për të bërë emrat e Zotit të Gjithëfuqishëm të njohur për universin.
Rregullat e Islamit janë të qarta. Individët nuk mund të shpallin luftë. Një grupim apo një organizatë nuk mund të deklarojë luftë. Lufta shpallet nga shteti. Lufta nuk mund të shpallet pa një president apo një ushtri, duke deklaruar së pari që jemi në luftë. Ndryshe, ky është një akt terrori. Një rast lufte i tillë është krijuar nga grumbullimi rreth vetes, më falni për gjuhën time, i pak banditëve. Një tjetër person duhet të mbledhë të tjerë rreth vetes së tij. Nëse njerëzit do të shpallnin luftë individualisht, atëherë kaosi do të mbizotëronte, sepse për dallime kaq të vogla, një front lufte mund të jetë krijuar edhe në mes njerëzve me mendim të shëndoshë. Disa njerëz mund të thonë: “Unë shpall luftë kundër aksh personi.” Një njeri që është tolerant me Krishtërimin mund të jetë akuzuar si në vijim: “Ky njeri ndihmon Krishtërimin dhe dobëson Islamin. Kundër tij duhet të shpallet luftë dhe ai duhet të vritet.” Si rezultat është shpallur luftë. Për fat, shpallja e luftës nuk është kaq e thjeshtë. Nëse shteti nuk deklaron luftë, asnjë tjetër nuk mund ta nisë atë. Kushdo që nuk e kupton këtë, edhe nëse ata janë dijetarë, të cilët unë i admiroj, nuk mund të zhvillojë një luftë të vërtetë. Kjo është kundër frymës së Islamit. Normat e paqes dhe të luftës në Islam janë parashtruar qartë.
/islami.al/