Namazi është miraxhi i besimtarit, mjeti i udhëtimit dhe drita në rrugën e miraxhit, anija-avioni-sateliti i zemrave besimtare nëpër rrugë, fushimi më i afërt i udhëtarit të afërsisë dhe bashkimit hyjnor për përtej, çadra e fushimit të tij, njëri prej preteksteve më të mëdhenj të të njëjtit kufi me qëllimin përfundimtar.

Gjithashtu, rruga për të qenë, në ditën e kiametit, me ballin të larë, me vështrimin të ndriçuar, me shenjat e abdesit dhe sexhdes nëpër gjymtyrë, më në krye të atyre që ndodhen në krye, me duart dhe fytyrën krejt të pastër, me ndërgjegjen të kulluar po aq sa të botëve të brendshme të banorëve të qiellit, nëpër namaz dhe nëpër veprimet e paranamazit kalon. Në të njëjtën kohë, adhurimit të namazit që konsiderohet titull i veçantë i afërsisë ndaj Allahut dhe që ka thellësi shumë të ndryshme, mund t’i themi edhe “lidhje e brendshme shpirtërore” me kuptimin përqendrim në mendimin e adhurimit dhe kalim i jetës përballë Zotit.

Abdesi është, në rrugën e namazit, paralajmërimi i parë dhe përgatitja më e parë, kurse ezani është paralajmërimi i dytë dhe një rrugë “tendosjeje metafizike”. Njeriu i cili me abdesin e pastron trupin nga gjërat e papastra dhe negativitetet e parandjera apo të paparandjera, me ezanin dëgjon ndërgjegjen dhe përfytyrimet e saj dhe, pastaj, me namazin e parë që do të falë, përpiqet ta gjejë zërin dhe frymëmarrjen në esencën e vet dhe vihet të presë startin e lëvizjes së madhe që do të mund të realizohet vetëm me xhematin.

Ky adhurim i bekuar me gjerësi miraxhi që e vërtit njeriun nëpër qiejt e amshueshmërisë dhe e çon gjer në botën e engjëjve, është si një përrua i kulluar që rrjedh nga mali ku zhytemi pesë herë në ditë e lahemi, dhe që në çdo zhytje na pastron edhe një herë tjetër nga gabimet, na merr e na bart për në oqean dhe na përsjell vazhdimisht mes kreut dhe fundit, gjë që do të thotë për ne stërvitje lartësimi shpirtëror dhe përjetësimi jashtë dimensioneve tona.

Me namazin, dita dhe nata i nënshtrohen një përpjesëtimi të fshehtë, jeta rregullohet sipas një mendësie kohore me bosht adhurimin, për rrjedhojë, sigurohet rrjedha e mirë e sjelljeve tona nën kontrollin hyjnor dhe, ndërkaq, edhe lëvizjet tona jashtë adhurimit marrin formën e adhurimit, vishen me ngjyrën e adhurimit dhe jeta jonë e përkohshme mbi tokë nis të ngjyhet me ngjyrën e banorëve të qiellit.

Në çastin kur ezani shpërthen nga brenda zhurmave fizike ose qetësisë së përgjithshme, me t’u dalluar, me anë të kontrollit të zërit që bëjnë muezinët para se të nisin këndimin e ezanit dhe zhurmës karakteristike të altoparlantëve, akrepat e orëve, ndërrimi i vendit nga dielli, shtimi i zërave dhe frymëmarrjeve në mjedisin e xhamisë, përjetimi në çdo anë i emocionit të përjetësisë, fillojnë të dëgjohen bisedat e heshtura nëpër gjokse, përçartjet brenda çrregullimit të zgjimit të njerëzve të porsangritur nga gjumi, fjalë që i kapërcejnë dimensionet tona si të jetohej një intermexo mes kësaj bote dhe përjetësisë; veç kësaj, dalin në shesh manevrat e mendimeve për të kërkuar një pikëpërqendrimi të ri dhe, megjithëse ende nuk është hyrë për në namaz, dalin në shesh një sërë ndjenjash të tjera me mendimin e rrugës së namazit, pëshpëriten gjëra sa një botë e tërë dhe kërkohet tensionimi metafizik dhe përqendrimi në emër të adhurimit të planifikuar për t’u realizuar pak më pas dhe, me të gjitha aftësitë shpirtërore, bëhen përpjekje për të arritur konsistencën e duhur.

Ecja drejt faltores (xhamisë), mendimi gjatë rrugës, tendosja dhe akordimi i parë të realizuar me abdesin mund të quhen të gjitha nga një përpjekje më vete për të fituar konsistencën e duhur. Ezani, pothuajse ftesa për të na marrë brenda rrethit të intimitetit të vet, është si një zë hyjnor që na përgatit për përqendrim në thellësitë e shpirtit tonë dhe si një heshtë që ngulet e shkulet mbi ndjenjat tona. Edhe nëse veshët na janë mësuar me të ngaqë përsëritet çdo ditë, edhe nëse logjika jonë e zakonshme ndjen ndaj saj një ngopje, në çdo kohë ezani shfaqet përnjëherësh krejt si një hënë pas majave mes botëve përtej dhe nesh, buçet si vetëtimat dhe, brenda një çasti, vështrimet tona tokësore i kthen nga qielli; ndërkaq, në të katër anët fillon një akt qiellor krejt i ri që zhurmon lehtë-lehtë si shatërvanët dhe që gjëmon me madhështi dhe shkëlqim si ujëvarat dhe që sapo fillon, na zbraz në shpirtra muzikën më të bukur, më prekëse dhe më ringjallëse të botës. Dhe s’mbetet me kaq, por na tërheq ne në klimën e atllastë të asociacioneve dhe na pëshpërit në zemra magjitë e epokave të ndritura. Përfytyrimet tona të hapura ndaj mbikohësisë na i entuziazmon duke na i gjetur dhe kthyer prapë gjërat që kemi humbur në kthesat e ndryshme të historisë dhe për çdo radhë na dhuron neve një tufë zërash krejt të freskët, një tufë poezish, një tufë melodish. Ezanin ne e dëgjojmë në çdo kohë me të gjithë qenien tonë dhe në çdo dëgjim, me një magji të pakuptueshme për ne, zgjohemi me një tjetër shije, me një tjetër delikatesë, me një tjetër shije. Ky dëgjim dhe ky ndijim na zgjon shumë herë një ndjenjë sikur të ngjiteshim drejt qiejve me një spirale magjike ose sikur të vërtiteshim shumë lart me një balonë. Pa le kur ezani ekzekutohet në përputhje me mënyrën e duhur dhe si zëri e frymëmarrja e ndërgjegjes! Sa të nurshme e plot ndjenjë janë, atëherë, minutat e ezanit kur qiejt mbyten në dritë, kur shpirti rrjedhës muhamedan çel ngjyra dhe kur gjuha ahmedane bën të jehojnë qiej e tokë. Po qe se në ato minuta njeriu do të mund të zbriste në thellësitë e shpirtit e t’i vinte veshin ndërgjegjes së e vet, ç’kuptime të pazbuluara t’i rridhnin brenda dhe burimin e ç’asociacioneve në thellësitë e veta do të dëgjonte!

Ndërgjegjet e gjalla që, duke e rinuar veten vazhdimisht, munden të mbeten të freskëta për nga jeta e zemrës dhe e shpirtit, në çdo kohë ezani ndjejnë delikatesën dhe ëndjen e kohës së zbritjes së parë të ezanit nga qielli dhe brenda zërit që ngjitet lart nga minaret, dëgjojnë thirrjet e profetëve, në zemër arrijnë korin e tekbirit, tehlilit dhe shehadetit të engjëjve dhe pothuajse bëhen sikur dëgjojnë frymën ringjallëse të Xhebrailit, frymëmarrjet jetëdhënëse të Israfilit!

Pas plotësimit me ezanin të tendosjes dhe ngopjes së jashtënamazit, ende pa u hapur shumë gjerësive të afërsisë shpirtërore të vërtetë, kontrollohet edhe një herë përqendrimi i thelluar hap pas hapi gjer në atë çast me anë të namazit të parë nafile që konsiderohet etapa e rrethimit të shpirtrave nga frymërat e mëshirës hyjnore valë-valë dhe, pas tij, të ikametit, kalohen nëpër sy edhe një herë tjetër masat paraprake të kthimit kah prehja përfundimtare dhe vetë ky kthim dhe ecet për në namaz sikur të ecej për në miraxh. Zërat, fjalët dhe sjelljet që na përplasen zemrës gjer atë çast, që na i kalojnë në gjendje alarmi aspektet tona njerëzore dhe që na orientojnë drejt mihrabit të përjetshëm, janë si një veprim akordimi në telat e ndërgjegjes me qëllim për të gjetur tingujt e vërtetë të zemrës. Kurse zëri i vërtetë në adhurim fillon me lëvizjet, sjelljet dhe veprimet e përbashkëta të xhematit që, përballë atij mihrabi të vetëm, ka arritur unitetin e ndjenjës dhe mendimit dhe ka qëndruar me duart të lidhura gatitu pas imamit, të xhematit i cili përkulet dhe shpreh nderim dhe respekt, ngrihet dhe qëndron gatitu para të Vërtetit, bie në tokë dhe, duke i bashkuar kokën dhe këmbët në një pikë, ecën drejt Allahut. Me aq sa ta ndjejmë vetëdijen e xhematit, bëhemi sikur po e dëgjojmë dhe ndjejmë tërë bukurinë dhe harenë e epokave të ndritshme të jetuara me profetët.

Sigurisht, për ata që janë bërë një me harmoninë qiellore të namazit, çdo lëvizje pas imamit dhe çdo fjalë japin për njeriun një zë malli dhe përpjekjeje në emër të parajsës së humbur, valëzohen me një shpresë dhe me një ndjenjë bashkimi. Pothuajse për çdokënd që e lëshon veten në atmosferën me dimensione miraxhi të namazit, harmonia qiellore e namazit u ngjan majave ku zbardh drita e ditëve të periudhës sonë parajsore dhe të ditëve përkëdhelëse e ëndërrimtare të parajsave përtej. Në dimensionet e vendit që zë bota jonë ndjesore në hapësirë, në çdo qëndrim në namaz, ne gëlltitim kthjelltësinë dhe qetësinë e një brezi të tërë drite që zgjatet nga bukuritë e parajsës gjer në epokën tonë të artë, dhe ngremë kryet lart me hare. Si rrjedhojë e kësaj, mendjet tona të hallakatura nga një mijë e një përplasjet dhe shqetësimet e kësaj bote, e mbledhin veten, shpirtrat tanë çlirohen nga atmosfera tërë ankth e materiales dhe bota jonë ndjesore shkumëzon edhe një herë tjetër me mendimin e bashkimit me Zotin. Edhe nëse jo në çdo kohë namazi dhe në faljen e çdo farzi, njerëzit e shpirtit e të zemrës të paktën çdo ditë, disa herë në ditë, shkojnë e vijnë mes pafillimshmërisë dhe pafundësisë, e përshkojnë shpesh të kaluarën e të ardhmen nëpër filtrin e mendimit dhe i vëzhgojnë fragmentet e arta të kohës së dukur si e shkuar, së bashku me majat e blerta prej smeraldi që përvijohen me shpresën e së ardhmes, ne i ndjejmë dhe i jetojmë në të njëjtin çast jetën e jetuar nga të tjerët dhe jetën tonë dhe, si të pinim gllënjkë pas gllënjke eliksir, gjejmë brenda vetes kujtimet e një mijë e një kënaqësive dhe lumturive. Krejt siç ndodh në ëndrra, kapërcejmë largësi, përsillemi në botët tejkohore, ndjejmë tërë kënaqësitë e jashtëzakonshmërive, kalojmë nga ndjenja në ndjenjë e nga mendimi në mendim dhe çdo çast e kalojmë brenda një tufani intuite të veçantë, konfidence të veçantë dhe kënaqësie të veçantë. (Këto konsiderata janë për ata që u arrin gjer në këtë pikë horizonti i kulturës shpirtërore.)

Pa le kur shpirti dhe zemra njësohen me namazin, është kjo cilësi dritësore që zotëron dhe që në vend të aktit tonë të zakonshëm, sjell dhe vendos harmoninë e vet, poezinë e vet dhe qielloren e vet.

Disa herë në ditë, lëvizjet dhe veprimet enigmatike dhe magjike të namazit që na i ushqejnë mendimet dhe përfytyrimet, gjejnë një rrugë dhe një pikëkalim që do të mund të na bartte ne në çdo kohë për përtej, dhe na i bëjnë zemrat të shprehen siç shprehet poeti Nesimí:

Vendi im në hapësirë u zëvendësua,

I tërë trupi në shpirt m’u shndërrua,

Vështrimi i Zotit qartaz u dallua,

Veten e pashë të dehur në bashkim!

 

Dhe, kështu, adhurimi e nxjerr në pah edhe një herë tjetër në tërë thellësinë e vet që nuk e nxënë dot dimensionet, burimin e asaj bukurie të fshehur në zemra, të fshehur e të njohur si thesar, dhe të të gjitha arritjeve. Është për këtë arsye që brenda namazit, më shumë se specifikat që njihen hapur dhe duken qartë, përjetohet një vorbull dhe tufan ndjenjash madhështie dhe impresionimi tejsasiore e tejcilësore. Në namaz na e mbështjellin horizontin e shprehjes gjithë po ato gjëra që s’thuhen, ndjenja të pamundura për t’u shprehur na i pëshpërisin shpirtit një muzikë të çuditshme, ndijime dhe mendime të thella që nuk i nxë dot gjuha e përditshme na e pushtojnë vetveten dhe një fshehtësi që i kapërcen kufijtë e arsyes materiale e të logjikës së zhveshur, një zgjuarsi shumëngjyrëshe hap dyert e një mendimi amshueshmërie të linjës profetike. Edhe nga ky këndvështrim mund të themi se për njeriun nuk ka adhurim më të madh se namazi dhe gjendje më të shëndoshë e të gjerë se përfytyrimet dhe ëndërrimet që fryhen e shkumëzojnë brenda në namaz!

Horizonti i namazit në pikën e fshehtësisë së të cilit arrin shpirti njerëzor me anë të ndijimeve dhe parandjenjave duke e kapërcyer konkreten dhe materialen e trupit, ia thotë atij të gjitha mallet, vuajtjet dhe nostalgjitë e ndarjes të shpirtrave që e dëgjojnë atë. Në të njëjtën kohë, ia thotë kënaqjen e zemrës, ëmbëlsinë dhe gjallërinë e ndjenjave njerëzore, aventurën e pafund të ekzistencës, soditjen e yjeve mbi tokën, enigmat e qiellit, dritat e botës tjetër, majat e parajsës, pemët me shtatin hedhur përpjetë në ato maja, lumenjtë që gurgullojnë përherë nën pemët…; na i thotë përmes elementëve përbërës të tij, përmes Kuranit brenda tij, përmes lutjeve, dhe, ato që na i thotë, ua përsërit me një formë dhe mënyrë krejt të re shpirtrave tanë sikur t’u jepte për të pirë eliksir…

Pas kijamit, këta skllevër besnikë të mbërthyer pas adhurimit, kërkojnë t’i thonë me të madhe edhe një herë tjetër nga katedra e rukusë dridhjet e mendimeve të orientuara. Ata përkulen pothuaj si një shkop me një ndjenjë të prodhuar nga aliazhi i madhështisë dhe ashpërsisë me mëshirën dhe favorin dhe brenda një forme të veshur me impresionim, përkulen dhe, me një vetëdije adhurimi të ndjerë gjer në palcë, mërmërisin gjithë po madhështinë hyjnore dhe, me anë të një rukuje e cila konsiderohet mënyra se si i drejtohen Allahut disa banorë të qiellit, shtyjnë dyert e parajsës dhe, me aq sa të hapen ato dyer, arrijnë në thellësitë e botës së vet shpirtërore. Ashtu siç ndodh që në haxh dhe në udhëtimet e tjera, ngjitja në kodra e maja, varja teposhtë dhe arritja në rrafshinë të shoqërohen me zërin e etapave të tekbirit dhe tehlilit, edhe udhëtimi për në miraxh i shpirtit nën titullin e namazit, gjithë po me të njëjtat ndjenja dhe mendime të bekuara dhe gjithë po me të njëjtat fjalë të bekuara shprehet gjatë kalimit nga një fragment në një fragment tjetër. Pothuaj në çdo ruku, me anë të tekbireve dhe tahmideve që thuhen për të shprehur në mënyrën më të mirë synimin për të qenë respektues ndaj Allahut, si dhe me konsideratat bashkëshoqëruese të këtyre fjalëve, preken tokmakët e derës së audiencës së lartë, pastaj kalohet në pritje me vëmendje, syçelësi dhe maturi të lartë dhe, me ndjeshmërinë e një maceje dhe durimin e një merimange që presin gjahun, bëhen përpjekje për të rrokur produktet dhe shfaqjet hyjnore.

Në namaz, rukuja lëshon mbi ne frymën e vet një hap më tej se kijami dhe sa e sa gjëra më të bukura se jeta, më të shijshme se kënaqësitë fizike dhe se një ëndërr të pamundur për t’u realizuar në këtë botë të kufizuar, se një ëndërr në përmasa të papërfytyrueshme na u pëshpërit shpirtrave tanë. Dhe na u premton zemrave tona ditë, orë dhe minuta të smeraldta përtej sendeve që kërkojmë e presim ne. Fundja, a nuk jemi ne pak edhe fëmijë të shpresave, meditimeve, iluzioneve dhe pritjeve tona? Pothuajse të gjithë ne, pasi plagosemi nga tersllëqet e së sotmes, na hapen sytë për ta parë të vërtetën, e kapërcejmë kohën ku ndodhemi dhe, me shpresën e jetës dhe lumturisë që do të arrijmë më pas, themi “e ardhmja” dhe, me buzëqeshje, vështrojmë si nëpër mjegull majat e parajsës!

Me dimensionin e kuptimit për t’u thyer më dysh para Zotit, rukuja merr nga të gjithë ata që përkulen, domethënë, që bëjnë ruku, një zë, i cili herë i shprehet Zotit se ka pësuar dëm dhe herë i thotë se vetëm Atij ia hap dhe ia tregon hallin dhe neve na vjen një gurgullimë nga lumi i jetës dhe një kundërmim i erës së këmishës së Jusufit dhe na entuziazmon ne me harenë që do të shfaqet nga gjërat e mrekullueshme që do të vijnë gjithë po nga përtej të të vërtetave. Dhe ashtu na entuziazmon, sa na bën ta drejtojmë belin me një tufan lavdërimi e falënderimi për Zotin që na shpërthen nga vetvetja, dhe t’i paraqesim Atij edhe një etapë tjetër mirënjohjeje. Ky qëndrim shumë i shkurtër në këmbë është i ndryshëm nga i pari si dhe është një liman i veçantë i ecjes drejt Zotit. Në këtë liman tërë dritë, kijamin, kiraatin dhe tesbihet e rukusë i përshkojmë edhe një herë tjetër nëpër thellësitë e zemrës, pakufishmërinë e ndjenjave dhe pafundësinë e përfytyrimeve përpiqemi ta ndjejmë duke i ngjeshur brenda këtij qëndrimi të shkurtër ndërmjetës dhe të gjithë fuqinë tonë ndjesore e vëmë në dispozicion të rrokjes së përfitimeve shpirtërore dhe, me anë të rrezeve të “thesarit të fshehtë” që i kapim, e lëshojmë veten në një rrymë të re ndijimesh më të gjerë e me ngjyra afërsie hyjnore. Është e vështirë për ta saktësuar se ç’shije dhe kënaqësi arrijnë, se me ç’frikë dhe respekt përpëliten dhe se me ç’shpresë forcohen e me ç’frikë rrëqethen ata që e ndjejnë namazin në ruku dhe e dëgjojnë në kijam. Ky ndijim e ky dëgjim janë i pari i hapave më seriozë që hidhen drejt bashkimit me Zotin, kurse sexhdeja është i dyti.

Sexhdeja është trualli i falënderimit për dhuratat dhe produktet brenda namazit, është pota e konfidencës dhe intimitetit ku zemrat e shkrira derdhen plotësisht në kallëpin e adhurimit, është pranimi i Zotit me anë të lutjeve drejtuar Tij, është vija e drejtë mes dy pikave në mes të saj, është gjiri detar i bashkimit dhe trualli tokësor i takimit të ndjenjave dhe mendimeve ndaj Individualitetit që do të gjendet dhe njihet, që do të njihet dhe duhet. Pasi ne të kemi ndjerë dhe dëgjuar sexhden brenda pozitës së saj të vërtetë, ndjejmë se si një esencë e kulluar nga Islami dhe ihsani, duke përshkuar nëpër kijamin, rukunë dhe tërësinë përbërëse të namazeve tona, rrjedh për në majat prej smeraldi të zemrave tona!

Duke i bashkuar, në sexhde, kokën me këmbët në një pikë, ne bëhemi lëmsh, tendosemi si hark, bëhemi një zë e një frymë dhe rënkojmë dhe e bashkojmë dhe e bëjmë një me besimin tonë gjerësinë e mjaftueshme për çdo gjë të shpresave tona përballë akteve tona, përparësinë e mëshirës hyjnore që qëndron para çdo gjëje; duke kaluar nën këtë kurbë qiellore që i përngjet pothuaj një ylberi me njërin skaj në këtë botë e me tjetrin në botën tjetër, përpiqemi ta ndryshojmë fatin tonë.

Në këtë pikë ku, duke parë nga maja e fatit ku ndodhet i lartësuar nga ndijimet dhe parandjenjat e përjetuara në sexhde, e vëzhgon të vërtetën, njeriu, duke përdorur gjuhën e zemrës, duke derdhur në shesh të gjitha fjalët e ndjenjave, duke e orientuar pak botën drejt jetës së pasme, ahiretit, duke i bërë edhe botët përtej të reflektohen brenda botës së vet shpirtërore, mund të ndjejë dhe të përjetojë aftësinë për t’iu dukur sikur po këndon epopenë e adhurimit të tij!

Po, kur lutjet e njeriut të cilat ngrihen peshë me anë të vetëdijes së pozitës së robit ndaj Zotit dhe adhurimit ndaj tij, përballen me rrymat e mëshirës dhe favorit hyjnor, rrjedhin në njëri-tjetrin dhe lutja me përgjigjen ndaj saj takohen, ndjenjat fillojnë të na marrin vrull të bukura si jeta parajsore dhe të gjera si bashkimi hyjnor. Shija e këtyre bukurive për ata që kuptojnë, është aq e mprehtë dhe e folura e tyre është aq magjepsëse, sa ata që e ndjejnë dhe e përjetojnë një herë, nuk e dinë si të falënderojnë për këto dhunti dhe se si ta falënderojnë të zotin e këtyre dhuntive.

Njeriu i afërsisë hyjnore i cili e thellon afërsinë e tij ndaj Zotit me kokën në tokë dhe duke u ngjitur me një spirale prej drite në majat më të paarritshme, me një udhëtim qiellor, për ta bërë edhe më shumëngjyrësh me një dimension tjetër bashkimin e tij me ndjenjën, vetëdijen dhe turbullinë e arritjes së parajsës, duke ia paraqitur Zotit nderimet e tij të thella duke e madhëruar dhe shenjtëruar Atë, ngre kokën nga sexhdja dhe me tërë edukatën dhe etikën e ndodhjes në audiencën hyjnore, duke thënë “et-tehijjat…”, ekzaltohet dhe, tashmë, sikur të mos ish një qenie tokësore, vishet me një gjendje, me një kuptim dhe me një magji mbinatyrore.

Heroi i namazit i cili entuziazmohet me këto kënaqësi të gjera, me një ndjenjë që s’di të ngopur dhe sipër kufijve të sasisë e cilësisë, në emër të pasurisë, jetës dhe të të gjitha dhuratave hyjnore që i thelloi dhe i bëri të pafundme me nijetin dhe që me njohjen e tij faktike, i lidhi me Zotin dhe i bëri të përjetshme me kthjelltësinë e vet shpirtërore, drejtohet për ta plotësuar detyrimin e mirënjohjes ndaj Zotit, e kujton Allahun me të gjithë ndjeshmërinë e zemrës dhe rënkon… E kujton Profetin dhe shpirti i mbushet me prehje… Mendon njerëzit që ndajnë të njëjtën lumturi me të dhe thotë me zë të lartë lutje për të mirë. Më në fund, këtë udhëtim miraxhi që e filloi me tekbire, e mbyll me dëshmi të cilat konsiderohen themeli i fesë…

Njerëzit që janë mësuar me namaz dhe që ushqehen me të, kurrë nuk ngopen me të. Jo që s’ngopen, por, në mbarim të çdo namazi, thonë “a s’ka më?”, vrapojnë nga nafilja në nafile, me mesditën lartësohen si diell, me evabinin shkojnë e prekin tokmakun e afërsisë hyjnore, me tehexhudin dërgojnë dritëra në errësirën e varrit, përpiqen ta thurin jetën si një dantellë mbi shallin e adhurimit dhe kurrsesi s’duan të ndahen nga dritërat brenda të cilave jetojnë dhe nga kuptimet që ua mbështjellin shpirtin. Nuk duan të ndahen, prandaj vrapojnë pandërprerë drejt bukurive të premtuara nga adhurimi!

Ndajeni me miqtë tuaj...