Namazi është kushti i dytë dhe më i rëndësishëm i fesë Islame pas fjalës së dëshmisë dhe falja e tij në pesë kohë të caktuara të ditës është farz për çdo mysliman, burrë apo grua. Namazi është një shtyllë e rëndësishme përsa i përket adhurimit. Madje atë mund ta quajmë dhe thelbi i adhurimeve. Namazi është preteksti më i madh i të kujtuarit vazhdimisht të Allahut. Prandaj dhe në Kuranin fisnik thuhet: “Fal namaz për të më përkujtuar Mua.” (Taha, 14).

Namazi i falur pesë herë në ditë luan një rol të rëndësishëm në sistemimin e jetës së besimtarit. Falja e vazhdueshme në kohë të caktuara e disiplinon atë nga ana shpirtërore dhe fizike, materiale dhe jomateriale.

Namazi është një urdhër i Allahut (xh.sh) për ne. Çdo fëmijë duhet të mësojë faljen e namazit kur mbush shtatë vjeç dhe duke filluar nga mosha 10 vjeçare duhet të vazhdojë faljen e namazit pa e lënë asnjëherë. Në një ditë ka pesë namaze farz. Këta janë: sabahu, dreka, ikindia, akshami dhe jacia. Çdo namaz ka kohën e caktuar dhe falet pasi të ketë hyrë koha e tij.

Namazet ndahen në farz, vaxhib dhe sunet.

Namazet farz: Janë namazet të cilat duhet të falen detyrimisht dhe nuk mund të lihen pa asnjë pretekst.

 

Namazet vaxhib: Shumica e dijetarëve myslimanë e kanë vlerësuar vaxhibin njësoj si farzin. Braktisja e vaxhibit edhe pse nuk mund të jetë në vlerën e braktisjes së farzit është gjynah dhe për të mbahet përgjegjësi.

 

Namazet sunet: Namazet sunet janë pjesa përveç farzit dhe vaxhibit, për braktisjen e të cilëve nuk mbahet përgjegjësi, por janë namaze që janë falur nga Profeti (a.s) dhe kur falen nga myslimanët i ndihmon ata të ndihen më afër tij.

 

KOHËT E NAMAZEVE

Tani le të mësojmë pak rreth pesë kohëve të namazit.

Namazi i sabahut: koha e namazit të sabahut fillon prej agimit e deri në lindjen e diellit. Me agim kuptojmë atë çast kur errësira fillon të venitet nga një dritë e hollë në horizont. Me shfaqjen e kësaj drite fillon dhe koha e namazit të sabahut. Namazi i sabahut përbëhet nga katër rekatë, dy sunet dhe dy farz.

Namazi i drekës: koha e namazit të drekës fillon kur dielli arrin pikën më të lartë dhe fillon të drejtohet nga perëndimi. Ky namaz ka 10 rekatë, katër sunet, katër farz dhe dy sunet të fundit.

Lexo  XHUMAJA

Namazi i ikindisë: koha e namazit të ikindisë fillon atëherë kur mbaron koha e namazit të drekës dhe vazhdon deri në perëndim të diellit. Ka tetë rekatë, katër sunet dhe katër farz.

Namazi i akshamit: koha e namazit të akshamit fillon sapo perëndon dielli dhe përfundon kur zhduket krejtësisht drita. Ka pesë rekatë, tre farz dhe dy sunet.

Namazi i jacisë: koha e tij fillon kur errësohet plotësisht dhe vazhdon deri në agim. Ka dhjetë rekatë, katër sunet, katër farz dhe dy sunete të fundit.

Namazi i vitrit: është namaz vaxhib dhe falet pas namazit të jacisë. Ka tre rekatë.

 

KUSHTET E NAMAZIT

Për të falur namaz duhet të plotësojmë disa kushte. Disa prej tyre duhet të plotësohen para fillimit të namazit. Këta quhen ndryshe kushtet e jashtme të namazit dhe janë gjashtë:

  1. Pastrimi nga papastërtia: personi i cili nuk ka abdes duhet të marrë abdes dhe ai cili është xhunub duhet të marrë gusul. Kjo lloj pastërtie ashtu siç ka dobitë e saj në pastrimin e trupit nga papastërtitë, ka njëherazi dobitë e saj edhe në pastrimin shpirtëror dhe bëhet me qëllimin për të kryer adhurimet.

Përveç rasteve të cilat prishin abdesin të cilat njihen si papastërti të vogla, rastet si xhenabeti, menstruacionet, lehonia dhe gjendje të cilat kërkojnë marrjen e gusulit njihen si papastërti të mëdha.

  1. Pastrimi nga nexhaseti: do të thotë të pastrosh veshjen dhe vendin ku falesh nga gjëra të cilat njihen si të pista si urina apo gjaku i një njeriu, urina apo jashtëqitja e kafshëve si kali, delja etj. Nexhaseti (pisllëku) është dy llojesh:
  2. Nexhaset i rëndë: është urina dhe jashtëqitja e njeriut, urina, jashtëqitja e kafshëve mishi i të cilave është i ndaluar, jashtëqitja e kafshëve si pula, pata dhe rosat, gjaku, meni, medhi, vedi, vjellja me gojë të plotë dhe pijet e tjera të ndaluara. Nëse nga papastërtitë e ngurta ka më shumë se 3,2 gram dhe nga ato të lëngshmet më shumë se shuplaka e dorës atëherë nuk mund të falet namaz.
  3. Nexhaset i lehtë: konsiderohet urina e kalit, jashtëqitja e kafshëve shtëpiake dhe të atyre mishi i të cilave është i lejuar, jashtëqitja e zogjve mishi i të cilëve nuk hahet. Nëse këto papastërti përhapen në më shumë se në ¼ e rrobës, atëherë kjo përbën një pengesë për faljen e namazit.
  4. Mbulimi i pjesëve të trupit (tek burrat mes kërthizës dhe gjurit, ndërsa gratë duhet të mbulojnë gjithë trupin përveç fytyrës, duarve dhe këmbëve).
  5. Hyrja e kohës së namazit.
  6. Drejtimi nga kibla.
  7. Bërja e nijetit për namazin përkatës.
Lexo  Urtësitë e kohëve të namazit

 

SHTYLLAT E NAMAZIT

  1. Tekbiri iftitah: Tekbiri fillestar. Kur fillojmë namazin ngremë duart lart dhe themi ‘Allahu ekber’.
  2. Kijam: qëndrimi në këmbë për sa kohë lexohen pjesë nga kurani për çdo rekat.
  3. Kiraat: leximi i Kuranit. Në namaz Kurani lexohet në gjendjen e kijamit, pra kur qëndrojmë në këmbë. Në namaz duhet të lexohen e pakta tre ajete ose një ajet i gjatë.
  4. Ruku: pas qëndrimit në këmbë përkulemi përpara duke vendosur duart në gjunjë. Përkuljen më të rregullt e ka praktikuar vetë I Dërguari i Allahut (s.a.s) duke mbajtur kokën drejt me shpinën në një nivel.
  5. Suxhud: do të thotë rënia në tokë dhe vendosja e disa pjesëve të trupit në tokë. Sexhdeja më e rregullt është ajo që ka bërë vetë i Dërguari i Allahut (s.a.s), duke vendosur në tokë shtatë gjymtyrë: fytyrën, duart, gjunjët dhe gishtërinjtë e këmbëve.
  6. Ka’de Ahir: do të thotë ulje e fundit, në fund të namazit ulemi dhe presim aq kohë sa të themi teshehudin. Tek namazet me dy rekatë ka vetëm një ulje të fundit.

Në uljen e fundit duhet të qëndrojmë aq kohë sa të lexohet ettehijatu. Përveç pjesëve të namazit ka dhe kushte të tjera që duhet të zbatohen. Këta quhen vaxhibet e namazit.

VAXHIBET E NAMAZIT

  1. Fillimi i namazit duke thënë ‘Allahu Ekber’.
  2. Leximi i sures Fatiha.
  3. Leximi i një sure të dytë pas Fatihas në 2 rekatet e para të namazeve farz dhe në çdo rekat të namazeve vaxhib, sunet e nafile.
  4. Vendosja e hundës bashkë me ballin në sexhde.
  5. Leximi i Ettehijatu në uljen e parë dhe të fundit.
  6. Dhënia e selamit në fund të namazit.
  7. Respektimi i ta’dili erkanit (kryerja e rregullt e shtyllave të namazit) në namaz.

 

Sunetet plotësojnë vaxhibet dhe vlejnë për të shtuar sevapet. Zbatimi i suneteve shpreh dashurinë dhe lidhjen tonë me Profetin (s.a.s).

Ndajeni me miqtë tuaj...