Në Islam, madhështia e periudhave të veçanta kohore bëhet për myslimanët nga një shkak për zbritjen e mëshirës dhe begatisë së pafund të Allahut (xh.sh.). Këto muaj, ditë dhe netë të begatshme, shenjtërimi i të cilave mbështetet në ajete dhe hadithe gjenden të shpërndara gjatë gjithë vitit, të cilat myslimanët i festojnë prej vitesh.
Sipas kalendarit hënor që bazohet ne hixhretin (udhëtimi nga Meka në Medine) e Pejgamberit tonë të dashur (a.s.) veçanërisht muajt Rexhep, Shaban dhe Ramazan janë muaj të begatë. Në Islam këta muaj njihen si: “Tre muajt”.
Nata e Beraetit është nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban, i cili është muaji i dytë i “Tre muajve” të begatë. Në këtë natë i bëhet e ditur melekëve nga ana e Allahut (xh.sh.) për rizkun e krijesave gjatë një viti, nëse do të jenë të nderuar ose të përçmuar, nëse do të kenë një jetë të begatshme apo të varfër, për jetëgjatësinë e tyre dhe deri tek numri i haxhilerëve të atij viti.
Fjala Beraet përmban kuptimet: Mospasje lidhje midis dy gjërave, shpëtimi nga përgjegjësia e një personi ose mospasje e përgjegjësisë.
Sipas shpalljes së haditheve të vërteta (sahih) kemi: “Ata njerëz që pendohen (bëjnë teube) në natën e pesëmbëdhjetë të Shabanit duke përfituar nga falja e gjynaheve nga ana e Allahut (xh.sh.) do të shpëtojnë prej Xhehenemit.” Nata e pesëmbëdhjetë e Shabanit përveç emrit Beraet ka dhe emrat: Natë e Begatshme sepse ka begati shpirtërore, bereqet dhe mirësi; Nata e Pafajësisë sepse në qoftë se vlerësohet si duhet është një mundësi e dhënë nga Allahu për pastrimin shpirtëror nga gjynahet dhe gabimet; gjithashtu quhet dhe Nata e Mëshirës sepse ka shumë mirësi, falje dhe arrihet në gostinë dhe përgëzimin e Allahut (xh.sh.). Rreth begatisë së Natës së Beraetit po i drejtohemi një-dy haditheve të vërtetë (sahih) që vijojnë si më poshtë: “Në Natën e Beraetit Allahu (xh.sh.) zbret me mëshirën e vet në qiellin e tokës, aty shfaqet (me veprat dhe duke treguar veçoritë e veta) dhe fal më shumë gjynahe se numri i fijeve të leshit të deleve të fisit Kelb.” Sipas një transmetimi (rivajeti) tjetër Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Natën e Beraetit kalojeni duke bërë ibadet dhe në ditën e saj agjëroni.”
Allahu shfaqet në qiellin e tokës në mbrëmje mbas perëndimit të diellit dhe deri në sabah thotë: “A nuk ka ndonjë që kërkon falje ta fal atë? A nuk ka ndonjë që kërkon rizk (të mira materiale dhe shpirtërore) t’i jap atij rizk? A nuk ka ndonjë që ka rënë në vështirësi t’i jap rehatinë? A nuk ka ndonjë kështu, A nuk ka ndonjë ashtu? e kështu me radhë.” Ndërsa në një hadith tjetër është dhënë sihariqi se duatë që bëhen në Natën e Beraetit nuk kthehen mbrapsh (pranohen).
Sipas burimeve islame nata e Beraetit njihet për këto pesë veçori:
1. Në këtë natë bëhet një përzgjedhje dhe ndarje me vlera dhe qëllime e çdo pune të rëndësishme.
2. Ibadetet (namazet që falen, Kurani që lexohet, duatë që bëhen dhe faljet që kërkohen) që bëhen gjatë kësaj nate dhe agjërimi i kësaj dite kanë një vlerë shumë të madhe.
3. Është një natë e mbushur plot për plot me begati dhe mirësi hyjnore.
4. Është nata e faljes.
5. Në këtë natë Pejgamberit (a.s.) i është dhënë e drejta e ndërmjetësimit të plotë.
Në këtë natë nuk përfitojnë nga keqardhja, falja dhe mirësia e Allahut vetëm këta persona:
1. Ata që i bëjnë ortak (shirk) Allahut
2. Ata të cilët duke pasur zemrat e tyre plot për plot me ndjenja armiqësore nuk mendojnë gjë tjeter veçse t’i kundërvihen njerëzve.
3. Ata që prishin lidhjet farefisnore.
4. Ata që zvarrisin rrobat e tyre në tokë për shkak të mëndjemadhësisë dhe lartësimit të tyre.
5. Ata që vazhdojnë pabesinë ndaj nënës dhe babait.
/Drita Islame/