Nata e pesëmbëdhjetë (nata që lidh ditën e 14 me ditën e 15) të muajit Shaban sipas kalendarit hënor, është Nata e Mirë e Beraetit. “Beraet” do të thotë pafajësi, shpëtim prej një situate të keqe, marrje e pafajësisë.

Përveç emrit Beraet, kjo natë ka emrat: Nata e Shenjtë sepse është plotë begati, Nata e Pafajsisë sepse nëse vlerësohet si duhet është një mundësi e dhënë nga Allahu për të dalë i pastër nga gjynahet dhe gabimet. Kjo natë quhet edhe “Sak”, dekret shpëtimi. Gjithashtu mban emrin Nata e Mëshirës meqë njerëzit përfitojnë nga mirësia dhe mëshira e madhe e Allahut (xh.sh.).

Rreth vlerës dhe begatisë së natës së Beraetit po i drejtohemi hadithit të profetit Muhamed (a.s.): “Kalojeni natën e gjysmës së muajit Shaban me namaz, kurse ditën, me agjërim! Atë natë, pas perëndimit të diellit, Allahu i Lartë zbret në qiellin e tokës dhe na bën zë kështu: “A s’ka ndonjë që kërkon falje, ta fal; a s’ka ndonjë që kërkon pjesë, t’i jap; a s’ka ndonjë që kërkon shërim, ta shëroj?”, dhe vazhdon kështu deri në mëngjes” (Ibn Maxhe, Ikame fi’s-salat, 191).

Një tjetër rëndësi që i jepet kësaj nate është mendimi i disa dijetarëve, të cilët pranojnë se ndërrimi i kibles nga Mesxhidi Aksa drejt Qabes, ka ndodhur vitin e dytë të hixhretit, pikërisht në këtë natë të bekuar.

 Pesë veçoritë e natës së Beraetit

Nga burimet Islame, mësojmë se Nata e Beraetit njihet për këto pesë veçori:

  • Në këtë natë bëhet ndarja dhe përzgjedhja e punëve më të rëndësishme.
  • Adhurimet që bëhen në këtë natë dhe agjërimi që mbahet ditën, kanë vlera shumë të mëdha.
  • Është një natë e mbushur plot me mirësi hyjnore dhe me begati.
  • Është nata e faljes.
  • I është dhënë e drejta e plotë Resulullahut për të bërë shefat (ndërmjetësim për falje) për popullin e tij. Profeti (a.s.) në natën e 13-të të muajit Shaban kërkoi shefat dhe iu dha një e treta; në natën e 14-të kërkoi përsëri shefat dhe iu dha një e treta; në natën e 15-të (Nata e Beraetit) kërkoi përsëri dhe në këtë natë iu dha i plotë shefati për popullin e tij. Ata që janë të privuar nga ky ndërmjetësim, janë ata të cilët ikin nga Allahu siç ikën deveja duke u trembur (Tefsiri er-Razi dhe Ebu Suud, H. Basri Çantaj).
Lexo  Si t’i lutem Zotit të Madhëruar?

Në një hadith tjetër thuhet kështu: “Kjo natë është nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban. Në këtë natë Allahu Teala i shpëton njerëzit nga xhehenemi sa numri i qimeve të deleve të fisit Beni Kelb, por nuk shikon fytyrat e atyre të cilët i bëjnë shirk Atij, të atyre që ushqejnë urrejtje dhe armiqësi ndaj myslimanëve, të atyre që shkëpusin marrëdhëniet me të afërmit, të atyre që mburren dhe që janë mëndjemëdhenj, të atyre që nuk u binden nënës dhe babait dhe, të atyre që vazhdojnë pirjen e alkoolit” (Buhari, et-Tergib ve’t-Terhib, II, 118). Në këtë natë regjistrohen ngjarjet që do të ndodhin gjatë një viti deri në natën e Beraetit të vitit të ardhshëm. Shkruhen një nga një nga engjëjt në defter (fletore): Tërmetet, ndodhitë, luftërat që do të ndodhin gjatë një viti… Defteri i këtyre i jepet Xhebrailit. Defterët në lidhje me rrizkun dhe motin i jepen Mikailit dhe defteri i atyre që do të vdesin i jepet Azrailit alejhimuselam.

Siç shihet Allahu i Lartë e ka nderuar këtë natë me mëshirë, mirësi dhe begati, për të falur ata njerëz që drejtohen nga rruga e Tij duke kërkuar me sinqeritet dhe me lot në sy falje për mëkatet e bëra. Ai (xh.sh.) i thërret robtë për t’i rishikuar dhe vetgjykuar edhe njëherë punët dhe veprat e tyre, në mënyrë që t’i minimizojnë dhe mospërsërisin në të ardhmen fajet dhe gabimet e të shkuarës. Gjithashtu nga ana tjetër edhe i dërguari i Allahut i përgjërohet Zotit për ndërmjetësim të plotë ndaj ymetit të tij. E ajo që na mbetet ne besimtarëve, është t’a shfrytëzojmë këtë natë, këtë rast që na dhurohet nga Krijuesi ynë në mënyrën më të hijshme, ashtu siç i shkon një myslimani të vërtetë.

Lexo  Nata e bekuar Beraet
Ndajeni me miqtë tuaj...