Tre muajt me begatinë e tyre rindezën zemrat e myslimanëve në mbarë botën. Nata e mirë Regaib na lajmëron fillimin e tre muajve dhe, krahas faljeve të mëkateve, njëkohësisht në të gjenden dhe shumë vlera të tjera dhe mëshirë. Tre muajt janë cilësuar të veçantë edhe nga vetë Profeti Muhamed a.s. Në këtë hark kohor Profeti ynë i dashur a.s lutej më shumë nga muajt e tjerë. Profeti ynë a.s këshillon që gjatë këtyre muajve të thuhet kjo lutje: “O Zoti im, na i beko muajt Rexhep dhe Shaban [1] dhe na fal jetë që të arrijmë Ramazanin!”
Duke u nisur nga fakti se Profeti ynë i dashur vazhdimisht ka agjëruar ditën e hënë dhe të enjte, edhe dita e sotme është një mundësi e mirë që të kalohet duke agjëruar. Si parapërgatitje për natën e mirë Regaib, këshillohet që namazi i Sabahut dhe i Jacisë të falen me xhemat.
Një hadith i Profetit a.s thotë; “Kush fal me xhemat namazin e Jacisë, është sikur të jetë zgjuar gjysmën e natës, kush fal edhe namazin e Sabahut me xhemat, është sikur të jetë zgjuar gjithë natën”. Kështu që edhe ne ta kalojmë këtë natë të shenjtë sipas udhëzimeve të hadithit.
Dita e kaluar me agjërim shërben që njeriu të përgatitet me atmosferën shpirtërore që i ka hije kësaj nate. Njëkohësisht ditën duhet thënë edhe lutje të ndryshme.
Afrohuni Zotit tuaj me adhurimet nafile!
Në këtë natë këshillohet të lexohet Kuran duke parë dhe kuptimin e ajeteve. Lutjet ndaj pjesëtarëve të familjes, kushërinjve, fqinjëve apo ndaj vëllezërve mysliman, duke ju përmendur emrat, është forma më e lartë e adhurimit gjatë kësaj nate. Në net të mira si kjo, duhet lexuar Kuran, duhet bërë lutje(dua) dhe padyshim të shoqëruara me namaz. Namazi nafile s’ka kufi, mund te falet sipas mundësisë të çdo njeriu. Mund ta zbukurojnë me namazin e natës (tehexhud). Njëkohësisht mund të falen edhe namazet kaza (të prapambetura).
Tërësia e gjithë këtyre adhurimeve na përgatisin për muajin e madhërishëm, Ramazanin.
[1] Muajt Rexhep dhe Shaban, janë 2 muajt para muajit të Ramazanit.