ilmihali

1. Ndërgjegjja dhe krijimi kurrë nuk gënjejnë. Ndër­gjegjja e një njeriu që nuk i është prishur natyra e kri­ji­mit, e gjen dhe e njeh Zotin e vet

Ndërgjegjja dhe natyra kurrë nuk gënjejnë. Sigurisht, ligjet e krijimit nuk gënjejnë! Cilësitë dhe veçoritë që ndodhen në naty­rën e gjërave, nuk e gënjejnë njeriun. Për shembull, po qe se bota thotë “rrotullohem”, rrotullohet. Fara ju thotë: “Hidhmëni në tokë. Kur të plotësohen kushtet e përshtatshme, unë do të mbij, do të nxjerr filiz, do të rritem e bëhem pemë dhe do të jap fruta!” Dhe ashtu bën. Po qe se uji ju thotë se ngrin nga të ftoh­tit dhe bëhet akull, me të vërtetë ngrin dhe bëhet akull. Po qe se zjarri ju thotë se ju djeg, tërheqja e tokës ju thotë të mos e lë­shoni veten në hapësirë se rrëzoheni e vriteni, bilbili ju thotë se këndon, gjarpri ju paralajmëron se ju kafshon, ashtu bëjnë. Asnjë natyrë krijimi nuk bën ndonjë deklaratë kontradiktore.

Ndërsa lëndët pa jetë, bimët dhe kafshët, megjithëse s’kanë shpirt dhe ndërgjegje që hyn nën përgjegjësi, në natyrën e tyre krijimore nuk gënjejnë, a mund të gënjejë krijimi i njeriut i cili ka ndërgjegje, për rrjedhojë, edhe vetëdije dhe aftësi njohëse? Po qe se vetëdija si një rregullues, është në veprim, atëherë edhe ndërgjegjja e kryen funksionin e vet në përshtatje me na­tyrën e vet. Zemra është një element i rëndësishëm i ndërgje­gjes, e cila është një thesar potencial që u përfton kahje dhe ku­ptim mendjes, vetëdijes, ndjenjave dhe delikatesave, kurse shpirti është urdhëruesi i saj, nga i cili ajo merr fuqi. Sigurisht, edhe nëse njeriu të cilit nuk i është prishur krijimi dhe vetëdija e kryen detyrën e vet, nuk i lexon librat si dhe argumentet e shkruara në faqet e gjithësisë, siç thonë edhe shumë mendimta­rë, prapëseprapë, ndërgjegjja që nuk di ç’është gënjeshtra, e gjen Zotin e vet dhe e njeh. Ndërkaq, ta pranosh ndërgjegjen brenda një organizmi të panjohur pa llogaritur shpirtin, është mungesë ndërgjegjeje dhe shpirti.

2. Një nga pikat ku njeriu veçohet nga kafshët është edhe konceptimi i kohës nga shpirti

Njëra nga pikat e shumta që e ndajnë njeriun nga bota e ka­fshëve, është lidhja e tij me të shkuarën dhe të ardhmen. Kafsha jeton vetëm me shijimin e çastit. Siç nuk preket nga ngjarjet e së kaluarës, kafsha nuk është e pajisur as me veçoritë për t’u mër­zitur, për t’u shqetësuar, për t’u gëzuar, për të ushqyer qëllime e synime për të ardhmen dhe për të bërë plane rreth saj. Një njeri s’mund ta hiqni mënjanë qoftë edhe për t’i dhënë një shpullë, pa ia mbushur mendjen që të dalë mënjanë. Kurse kafshët nuk e dallojnë dot as vdekjen që mund ta kenë nën hundë. A do të gjenit dot kafshë në thertore sikur ta kuptonin ato se ku po i çojnë? Në jetën tjetër, kafshët do të bëhen dhé sepse s’kanë as­një përgjegjësi. Kjo do të thotë se, edhe nëse njerëzit u ngjajnë kafshëve nga qelizat, mes këtyre dy qenieve ka dallime të rën­dësishme si ndërgjegjja, mendja, vetëdija dhe njohja. Si këto, edhe mendimi mbi pafundësinë, dëshira për t’u bërë i përjet­shëm, frika nga asgjësimi dhe konceptimi i kohës si dhe ndikimi nga e kaluara dhe përjetimi i frikës dhe gëzimit për të ardhmen janë veçori njerëzore që nuk ndodhen te kafshët.

Lexo  SHKAQET, NATYRA DHE VETËKZISTENCA

3. Ndjenja e përjetësisë dhe dëshira për të qenë i përjetshëm i përkasin shpirtit i cili është kandidat i përjetshmërisë

Ndjenja e përjetësisë dhe dëshira për të qenë i përjetshëm mund t’i përkasin vetëm shpirtit i cili është kandidat për të kalu­ar në përjetësi. Lënda e konsumueshme dhe e vdekshme kurrë nuk mund të bëhet burimi dhe mbështetja e mendimit mbi pa­fundësinë. A mund ta mbajnë këtë mendim telat e hollë ele­ktrikë, rryma e tensionit të lartë? Në botën materiale nuk ka ndonjë model që të reflektojë në pasqyrën dhe mendimin e bre­ndshëm të njeriut dëshirën për të jetuar pafundësisht dhe për të tharmuar tek ai një ndjenjë të tillë, që të thuhet se njeriu e mori prej atij modeli dëshirën për të jetuar pafundësisht. Atëherë. themi se, përtej qelizave të trupit të vdekshëm dhe atomeve të gjithësisë, është shpirti, i pasionuari i përjetësisë, ai që thotë kë­shtu për të: “I vdekshëm jam, vdekatarin s’e dua, i dobët jam, të dobëtin s’e dua; dua, një Mik të Pavdekshëm dua, një botë të përjetshme dua!”

4. Ndërprerja e funksioneve jetësore dhe vdekja shkaktohen nga largimi i shpirtit prej trupit

Sytë e të vdekurit mund të jenë edhe të hapura, por pse nuk sheh? Pse s’kupton se ç’po bëni dhe pse s’ju jep përgjigje? Pse u shthurën ushtarët qeliza të garnizonit trup dhe pse nuk i kry­ejnë më detyrat e tyre? Përgjigjja është mjaft e thjeshtë: Sepse komandanti i braktisi dhe shkoi, dielli shpirt perëndoi, zogu iku nga kafazi-trup dhe fluturoi në pafundësi, miku kalimtar i shtë­pisë prej mishi e kockash mblodhi plaçkat e doli për ta vazh­duar rrugën e vet drejt pafundësisë… Shpirti mbetet shpirt, kur­se trupi që qëndroi në këmbë për 60 vjet me radhë, as 60 ditë s’u bën dot ballë mikrobeve dhe kalbet! Më thoni o sytë e mi, më thuaj, o drita e syve të mi, pse s’m’i tregon qoftë edhe për disa minuta miqtë, librat dhe lulet e mia?

Lexo  Argumente mbi ringjalljen dhe jetën e përtejme

5. Shpëtim nga vdekja s’ka!

Njeriu që e quani të vdekur në bazë të rrahjeve të zemrës, mund të kthehet në jetë me anë të masazheve, të elektroshokut, të ilaçeve dhe aparateve të përsosura, por kjo s’do të thotë as­pak rikthim në jetë i një njeriu të vdekur. Në kushte të tilla, edhe nëse disa funksione trupore duket sikur janë ndërprerë, njeriu nuk ka vdekur, sepse shpirti nuk është larguar ende prej trupit. Me gjuhën mjekësore, kësaj i thonë “vdekje klinike”, prej së cilës njeriu mund të kthehet në jetë. Kjo mund të quhet gje­ndje kalimtare mes jetës dhe vdekjes. Por kur shpirti të jetë larguar prej trupit, ndodh vdekja e vërtetë dhe atëherë rikthimi në jetë është krejtësisht i pamundur!

6. Kujdesi që tregohet për të vdekurin, nuk është për kufomën që do të kalbet e tretet

Po qe se e marrim dhe e trajtojmë çështjen nga aspekti i të drejtës islame, veprimet e larjes, qefinosjes, faljes funerale dhe varrimit pasi shpirti ta ketë lënë trupin dhe njeriu të ketë vdekur me të vërtetë, ndenjja pa gjumë, vrapimet andej-këtej, qarjet dhe vajtimet, lajmërimet dhe ftesat, mbledhja e jashtëzakon­sh­me e fqinjëve dhe farefisit, bartja e tabutit pa e tronditur, ngritja në këmbë në shenjë respekti kur kalon kufoma, të gjitha këto a mos janë për kufomën që do të kalbet e do të bëhet dhé? Vi­zitat në varre, këndimet nga Kurani, lutjet, fshehja si kujtim e disa gjërave të mbetura nga i vdekuri, fotografitë e varura në mure dhe psherëtimat duke i vështruar ato, a mos janë për qeli­zat e shkrira në tokë qëkuri? Edhe në botën e mosbesuesve, madje, bëhen shumë veprime përkujtuese, si balsamosja, ngri­tja e busteve dhe përmendoreve dhe lënia e luleve para tyre me raste të ndryshme përkujtimore, përkulja ose përgjunjja para varreve, monumenteve dhe përmendoreve, a mos janë për ato mbeturina të dekompozuara? Prej nga vjen urdhri për veprim i shifrave gjenetike që e përfaqësojnë çdo gjallesë me tërë imtë­sinë e saj? Ç’është ajo që siguron dhe rregullon jetën dhe vepri­mtarinë e DNA-së, RNA-së dhe qelizave si dhe veprimtarinë e atomeve? Ndërsa të gjitha shkaqet dhe pretekstet lëndore-ma­teriale janë gati, pse pas shumë e shumë kërkimesh pohohet se “qelizës nuk mund t’i jepet jetë”? A nuk janë ekzistenca e Alla­hut, jeta pas vdekjes dhe shpirti që do ta mbajë atë jetë, të vër­teta të lidhura me njëra-tjetrën? A nuk janë e vërteta e shpirtit, ideja e ringjalljes dhe llogaridhënies, besimi se fajtori dhe vikti­ma përkatësisht do të ndëshkohen dhe shpërblehen, një frenim, një disiplinë dhe shkak ekuilibri dhe lumturie në jetën shoqë­rore për fëmijët, të rinjtë, pleqtë, të sëmurët, të shëndoshët, shkurt, për çdo njeri që beson?

A nuk kemi ne të drejtë t’i themi kështu mohuesit: “Ta zëmë se s’ka ditë ringjalljeje dhe llogaridhënieje, ç’humbim ne duke besuar dhe ç’fiton ti duke mohuar? Ndërsa jemi ende në këtë botë, besimtari ka fituar vlera dhe virtyte morale e njerëzore, ka fituar lumturi, po ti, ç’ke fituar? Ç’mund të thuash për hallin tënd? Mirë, po të ketë ditë të llogaridhënies, pa mendo se ç’do të fitojmë ne e si do të jetë fundi yt!”

Ndajeni me miqtë tuaj...