ilmihali

Ka nga ata që thonë me të madhe se besimi mbi kaderin ndikon negativisht mbi muslimanët. Vallë, sa janë të vërteta këto konsiderata dhe pretendime?
Nëse ka diçka që shkon mbrapsht në botën e muslimanëve në kohën aktuale që po jetojmë, do të ishte mirë që këtë ta lidhnim jo me kaderin, por me “teorizimet” mbi fatin dhe fatalitetin të njerëzve që u kërkojnë këllëf dembelizmit dhe indiferentizmit të tyre.
Gjendja e rëndë ku ndodhet sot bota islame, nuk është pasojë e besimit islam mbi kaderin, por e jetesës jo në përshtatje me frymën e Islamit, e përfaqësimit të dobët e të mangët të Islamit, si dhe e faktit që muslimanët nuk e japin atë që pritet prej tyre në punë, përpjekje dhe sakrifica.
Po qe se besimi mbi kaderin dhe kadanë do të kishte qenë pengesë për veprimtarinë e muslimanëve, si mund të realizohej gjithë ai përparim kolosal i arritur në periudhat kulmore të Islamit? Pra, në periudhat kur kjo fe shfaqi një vitalitet të lartë me përfundime të mëdha në përmasa botërore, ky besim kurrë s’u bë pengesë për muslimanët që të përparonin dhe të bëheshin pararendës të qytetërimit. Po të bëjmë një shqyrtim të çështjes nga aspekti praktik i saj, do të shohim se muslimanët e mëparshëm, në zemrat e të cilëve ndikimi i mendimit fetar ishte më i madh, nuk ishin dembelë dhe nuk u mundën nga popujt e besimeve të tjera. Dhe askush nuk mund të pretendojë se ata nuk i besonin kaderit dhe kadasë.
Meqë nga këndvështrimi kozmologjik, besimi mbi kaderin do të thotë “besim se çdo gjë është e lidhur nga Allahu me një rregullim dhe masë të caktuar”, besimi mbi kaderin, duke shtresuar në mendjen e njeriut vetëdijen se në gjithësi nuk ka vend për rastësi si dhe idenë e rregullit dhe rregullsisë, është bërë për njeriun një parim shtytës për të punuar në mënyrë të vazhdueshme, të programuar e sistematike.
Pas një hyrjeje të tillë, tani do ta marrim dhe trajtojmë nga dy këndvështrime vendin e besimit të shëndoshë mbi kaderin në jetën e njeriut.

a) Përsa i përket programit hyjnor që sundon në gjithësi
Para së gjithash, besimi te kaderi e eliminon idenë e rastësisë. Idetë e rrymave filozofike, si materializmi, bashkohen në pikën se gjithësia ku sundon një rregull dhe harmoni tejet e përsosur, ka ardhur në gjendjen e sotme si rezultat i një zinxhiri rastësish. Muslimanët mund t’i shpëtojë nga këto lloj idesh të gabuara vetëm besimi mbi kaderin, sepse të thuash se i beson kaderit, do të thotë të besosh se në gjithësi nuk ka vend për rastësi. Kështu, është një e vërtetë e shprehur hapur në Kuran, se në gjithësi asgjë nuk varet nga rastësitë, përkundrazi, çdo gjë vepron sipas një plani dhe programi të caktuar:
“Te Allahu, çdo gjë është sipas një mase të caktuar!” (Rad, 13/8)
“Pa dyshim, Ne e kemi krijuar çdo gjë me një masë (të caktuar)!” (Kamer, 54/49)
Në çdo gjë në gjithësi, nga më e vogla te më e madhja, vëzhgojmë një rregull dhe harmoni. Ligjet e vëna në natyrë nga Krijuesi janë pjesë e kaderit hyjnor, të gjitha ligjet veprojnë brenda kuadrit të kaderit dhe, siç shprehet Kurani, në kaderin e tyre nuk shihet ndonjë ndryshim: “S’ka ndryshim në krijimin e Allahut!” (Rum, 30/30)
Sipas këtij parimi, Zoti e administron çdo gjë sipas planit hyjnor dhe rregullsisë së lartë të përcaktuar prej Tij në pafillimshmëri. Atëherë, themi se çdo lloj dukurie dhe ndodhie materiale e jomateriale që ngjan në gjithësi, nuk ngjan rastësisht, pa qëllim e pa synim. Çdo gjë krijohet me anë të dijes eternale (të pafillim), vullnetit absolut dhe fuqisë së pafundme të Allahut që përfshin çdo gjë, dhe në përputhje me rregullin dhe planin hyjnor. Kadaja e Allahut shfaqet gjithmonë në përputhje me kaderin e Tij. Me këtë aspekt, vërtetimi i kaderit është vërtetim i teuhidit, besimit monoteist islam mbi Allahun si Zoti i vetëm i gjithësisë. Kështu, në një hadith Profetik, duke u shprehur se “besimi te kaderi është rregull i teuhidit”, është tërhequr vëmendja mbi faktin se baza besimore mbi kaderin është e lidhur drejtpërdrejt me teuhidin.
Shkurt, besimi te kaderi na pengon ne t’i shohim të gjitha dukuritë dhe ngjarjet që ndodhin në gjithësi, si “pasoja të shkaqeve”, siç ndodh në determinizëm, dhe, duke na shmangur nga mendimi determinist, na tregon se pas çdo gjëje është një dorë urtësie dhe fuqie vazhdimisht në veprim.

b) Përsa i përket vendimit hyjnor lidhur me njeriun
Le ta paraqesim këtë çështje në formë pikash me radhë.
1) Kaderi, i cili, me përfshirjen e tij në bazat e besimit, përmban urtësi të rëndësishme, është si një pritë ose barrierë që e mbyll rrugën që mund ta çojë njeriun në mohim, sepse, ndër të tjera, njeriu, me aspektin e tij egoistik, kërkon të lavdërohet dhe krenohet me vetitë dhe bukuritë që i janë dhuruar atij në krijim, kurse të metave, gabimeve, fajeve dhe krimeve të veta kërkon t’u gjejë pretekste justifikuese ose t’ua ngarkojë të tjerëve.
Po qe se njeriu nuk i njeh kapacitetet dhe bukuritë me të cilat është i pajisur si dhuratë dhe mirësi të Zotit, i hapet rruga e krenarisë dhe mendjemadhësisë. Ky damar krenarie, ndërsa e shtyn një shumicë njerëzish të mbahen me të madh para njerëzve të tjerë, një pjesë tjetër njerëzish, duke e çuar gjer në idenë fikse të vështrimit të çdo gjëje si meritë dhe përkatësi të vetën, si përfundim, e bën të dënuarin e mendimit për të mos njohur asnjë vullnet dhe fuqi mbi veten.
Në fakt, në natyrën e njeriut ekziston ndjenja e përvetësimit të çdo aftësie dhe bukurie vetjake, e lavdërimit dhe e krenimit me to dhe, përtej kësaj, e kalimit në një egoizëm të pamasë. Ja, në këtë moment, për të mos rënë në krenari për punët e mira të kryera, futet në veprim kaderi, i cili duke i sugjeruar njeriut të mos bëhet krenar se nuk është ai që i ka bërë ato punë, e mbron nga rënia në mendjemadhësi dhe krenari. Sepse, jo vetëm që është vullneti hyjnor që dëshiron kryerjen e atyre punëve, por është përsëri po ajo Fuqi që jep mundësinë dhe forcën e duhur për realizimin e tyre. Në këtë pikë futet në veprim edhe parimi islam i zgjedhjes (vullnetit) së lirë me qëllim që të mos eliminohen propozimi dhe përgjegjësia, parim i cili i thotë njeriut se ai është përgjegjës sepse ai e bëri zgjedhjen, duke ia kujtuar, kështu, atij, përgjegjësinë.
Nisur nga kjo, Kurani, me ajetin “çdo e mirë që të vjen është nga Allahu, kurse çdo e keqe, nga vetja jote” , tërheq vëmendjen mbi faktin se Allahu është zotëruesi i vërtetë i të gjitha mirësive, bukurive dhe dobive, kurse të gjitha të këqijat dhe mëkatet burojnë nga vetja (egoja) e njeriut.
2) Te njeriu që i beson kaderit nuk ndodh as më i vogli pesimizëm dhe lëshim. Pastaj, njeriu që i beson kaderit, kur arrin sukses, nuk heq dorë nga thjeshtësia e modestia dhe nuk e humbet veten me dehjen e fitores. Në ajetin e mëposhtëm shprehet në mënyrë koncize se besimi te kaderi jo vetëm që përbën burim force për njeriun përballë fatkeqësive, por edhe e shpëton atë nga krenaria:
“S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë. Allahu nuk i do kryelartët mburravecë!” (Hadid, 57/22-23)
Këtu, Allahu (xh.xh.) u ka bërë thirrje njerëzve të besojnë te kaderi për ta lehtësuar hidhërimin dhe dëshpërimin në çastet e fatkeqësive. Sepse, kur kaderi mendohet përsa u përket shqetësimeve dhe fatkeqësive të papërballueshme nga vullneti i njeriut, bëhet ilaçi shërues i pesimizmit, dëshpërimit dhe i stresit të shkaktuar prej këtyre. Njeriu i cili e di se çdo gjë vjen nga Allahu dhe e beson këtë, e pranon me pëlqim çdo gjë të hidhur a të ëmbël të ardhur prej Tij, i nënshtrohet mëshirës dhe urtësisë së Tij, duke bërë durim, shpëton nga hidhërimi i shkaktuar prej shqetësimit dhe fatkeqësisë. Përballë fatkeqësisë, thotë: “Unë jam rob i Allahut dhe, në fund, te Ai do të kthehem. Në dëshirimin e Allahut ka mirësi dhe dobi; në dashtë Allahu, edhe në këtë gjë për mua ka mirësi e dobi. Allahu im, bëmë mua durimtar dhe mbromë nga fatkeqësi më të mëdha!”, duke gjetur kështu qetësi!
Kështu, në Kuran thuhet: “Kur atyre u vjen ndonjë fatkeqësi, thonë: “Ne jemi të Allahut dhe te Ai do të kthehemi!” (Bekare, 2/156) Dhe: “Mundet që në diçka që nuk ju pëlqen, Allahu të ketë caktuar shumë dobi për ju!” (Nisa, 4/19)
Në një aspekt, për njeriun i cili nuk i sheh dot fatkeqësitë sipas kaderit, bëhet e pashmangshme që të mbetet i mpirë para çdo ngjarjeje shpresëthyese e persekutuese, që të ankohet vazhdimisht për gjendjen e vet, që ta përplasë kokën andej-këtej, madje, si përfundim, të bjerë në llumin e mëkatit dhe mjerimit. Një njeri i tillë shtypet edhe para fatkeqësisë më të vogël dhe, me ah-e e me oh-e e kthen botën në burg për vete. Sa për besimtarin që i beson kaderit, ai, siç thuhet në Kuran, as gëzohet sa për të rënë në krenari me gjërat e fituara e të arritura nga punët e kësaj bote, as dëshpërohet për gjënë e humbur. Sepse ai e di që çdo gjë s’përbëhet nga dimensioni i kësaj bote, nga kjo botë, por që më e mira dhe më e bukura e çdo gjëje është në jetën tjetër pas kësaj.
3) Një urtësi tjetër e përfshirjes së kaderit në bazat e besimit është se, duke e shpëtuar njeriun nga barra e rëndë e jetës, kaderi ia lehtëson dhe qetëson shpirtin.
Njeriu është një qenie që ka të bëjë me gjithësinë. Ai ka synime dhe dëshira të pafundme. Kurse fuqia dhe vullneti i njeriut nuk mjafton as për një të miliontën e nevojave të tij. Veç kësaj, shpeshherë njeriu nuk e shpëton dot veten nga ndikimi i disa ngjarjeve që i sheh përreth pa ua kuptuar dot urtësinë dhe shqetësohet. Për shembull, po të shohë një skenë të dhimbshme, për një kohë nuk shpëton dot nga efekti i saj dhe jeta i bëhet e hidhur.
Në këtë moment, e vetmja gjë që i shkon në ndihmë njeriut, është besimi te kaderi. Personi që beson në kuptimin e vërtetë të fjalës te kaderi, e shkarkon te kaderi barrën e krijuar prej nevojave dhe frikërave dhe, kështu, zemra dhe shpirti i lehtësohen. Personi që beson se të gjitha ngjarjet shfaqen në gjithësi, zhvillohen sipas rregullit të një ligji hyjnor dhe se çdo gjë ecën mjaft lehtë me anë të një programi hyjnor, ia lë mundimet dhe vështirësitë që i përjeton të kësaj bote, të Zotit të saj dhe sheh të përfitojë nga të gjitha bukuritë dhe kënaqësitë parajsore të saj. E shprehur ndryshe, mbështetur në mëshirën e Zotit dhe në bukuritë e punëve dhe ligjeve të Tij, çdo gjë e sheh nga ana e mirë e saj dhe, në vartësi të kësaj, e kalon jetën me një kënaqësi pa dhimbje dhe me lumturi. Edhe nga ky këndvështrim, besimi te kaderi është aq kënaqësindjellës sa nuk përshkruhet. Kush i beson kaderit në këtë kuptim, nuk hidhërohet e nuk dëshpërohet. Me të vërtetë, në një hadith Profetik, Profeti (s.a.s.), duke tërhequr vëmendjen mbi këtë të vërtetë, ka thënë: “Besimi te kaderi e heq shqetësimin dhe dëshpërimin!”
Nisur nga kjo, besimi te kaderi ka një vend të pazëvendësueshëm përsa i përket ndikimit pozitiv në jetën e njerëzve të kapur nga sëmundje të rënda. Besimtari i rënë në një vuajtje të pashpresë, i cili nuk ka asgjë në dorë, i lutet kështu Zotit duke e ndjerë veten në siguri: “Allahu im i lartë! I bindem pa kushte vullnetit tënd! Urtësitë e tua janë të pafundme. Po të duash, ti edhe më shëron mua. Edhe dëshirimi apo mosdëshirimi yt është një urtësi që të përket Ty! Ne e bëmë ç’kishim në dorë, edhe pasardhësit tanë do ta bëjnë. Kurse vdekja është ligji Yt; edhe po të vdesim, ç’rëndësi ka! Sepse ne kthehemi tek Ti!” Si përfundim, njeriu i cili, duke e kuptuar se “çdo gjë e caktimit hyjnor (kaderit) është e bukur”, i nënshtrohet caktimit hyjnor e në çdo gjë sheh urtësinë dhe drejtësinë e kaderit.
4) Një ndikim tjetër i besimit te kaderi mbi njeriun është forcimi i vullnetit të njeriut, sepse njeriu i cili beson te kaderi, siç shprehet edhe hadithi Profetik, është i guximshëm sepse beson se fatkeqësia që ka për t’i rënë në kokë, do t’i bjerë patjetër, dhe ajo që s’ka për t’i rënë, kurrsesi s’do t’i bjerë!
Meqë ky besim e shtyn njeriun të mbetet i gjallë, energjik dhe në veprim, personi me një besim të tillë nuk prapset para vështirësive, nuk tregon dembelizëm dhe mefshtësi. Fakti që njerëzit që në të kaluarën kanë hedhur nënshkrimin në suksese të mëdha, kanë qenë përfaqësues të këtij besimi, është argumenti më i hapur i kësaj. H. Zija Ylken i cili e trajton karakterin e kaderit në Islam si “dalje mbi ngjarjet materiale e mbi shkaqet materiale, ngjitje drejt horizonteve”, bën këtë vlerësim lidhur me çështjen:
Në kaderin islam ka vullnet dhe qëllim. Vlerësimi i ndriçimit na jep shpresë dhe qetësi, ne nuk biem në boshllëk dhe pesimizëm. Besimi te kaderi për atë që e ka këtë besim, është shprehje e vetëdijes se nuk ka mbetur vetëm edhe kur çdo gjë t’i jetë konsumuar, kur çdo gjë që mund t’i vinte dore, t’i jetë mbaruar, se nuk është braktisur në shurdhërinë dhe pandjeshmërinë e materies dhe se mbështetja më e lartë ndodhet bashkë me të. Lidhja pas Allahut nuk do të thotë zbritje e vullnetit në zero, përkundrazi, vënie e vullnetit në veprim edhe para situatave të papritura, madje, pamundësive!
Meqë kush i beson kaderit, është mbështetur te Allahu, ia hyn çdo pune në jetë dhe gjatë gjithë jetës ecën nga suksesi në sukses pa e humbur forcën dhe guximin. Edhe sikur të ndodhë që të mos ketë sukses, duke menduar se në atë mungesë suksesi apo dështimi do të ketë një urtësi, përpiqet ta provojë të njëjtën gjë edhe në rrugë të tjera; edhe po s’e bëri këtë, mendon se i tillë ka qenë kaderi dhe vazhdon në udhën e vet pa e humbur vendosmërinë dhe vullnetin.
5) Meqë besimtari që i ka besuar kaderit e di se pjesën e vet të rrizkut (të mirave) e ka të caktuar, për rrjedhojë, nuk do të mund ta fusë në dorë pjesën e të tjerëve çfarëdo që të bëjë, nuk e dhunon të drejtën e tjetrit, nuk tregon ambicie dhe nuk tregon zili.
Prandaj, njeriu që i beson kaderit, duke pasur parasysh edhe tërheqjen e vëmendjes që bën Kurani duke thënë, “Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët!” (Nisa, 4/32), nuk i vë syrin gjësë së tjetrit. Sepse ai e di se një veprim i tillë është zemërim ndaj kaderit dhe kadasë së Allahut, shikim me sy të keq i dhuntisë së Tij të përpjesëtuar mes robve të Tij, konsideratë e pakëndshme për drejtësinë e vendosur me urtësi prej Tij, për pasojë, faj të kryer ndaj thelbit të teuhidit, prandaj shmanget nga ai veprim.
6) Personi që beson se çdo gjë del në shesh me anë të kaderit, kadasë, vendimit dhe vullnetit të Allahut, edhe nëse e bën përgjegjës dikë që ka kryer faj kundër tij, tregohet më tolerant ndaj fajtorit. Besimtari i cili e vlerëson këtë ngjarje edhe nga këndvështrimi i kaderit, e ka më të lehtë ta falë tjetrin.
Në dëmin ose dhimbjen që i ka shkaktuar dikush tjetër, besimtari merr parasysh se është edhe pjesa e mëkateve të veta, pra, duke menduar se gjendja e krijuar mund të jetë edhe ndëshkim për të për një mëkat të kryer prej tij më parë, bën dhe duhet të bëjë një vetëllogari. Me të vërtetë, Kurani thotë: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.” (Shura, 42/30) Kështu, shpëton më lehtë nga neveria dhe urrejtja që do të ndjente ndaj tjetrit.
Le ta mbyllim temën e kaderit me këto shprehje të njeriut numër një të mendimit dhe aksionit të shekullit tonë, Bediuzaman:
“Besimi te kaderi është aq i shijshëm, aq lumturindjellës, sa nuk përshkruhet!”
“… në jetën time, në mijëra raste të përvojës sime, unë pashë dhe mësova se po të mos jetë besimi te kaderi, lumturia e jetës së kësaj bote shkatërrohet. Sa herë që t’i kem parë fatkeqësitë e dhimbshme me aspektin e besimit te kaderi, kam vërejtur se fatkeqësia lehtësohej. Dhe habitesha se si mund të jetonte ai që s’i besonte kaderit…”

Lexo  A mund të lexohet kaderi i njeriut nga vijat e duarve ose të fytyrës?
Ndajeni me miqtë tuaj...