Po qe se foleja familjare që keni për të ngritur ose që keni ngritur, është në një kuadër që do t’i bënte të kënaqur Allahun (xh.xh.) dhe Profetin (s.a.s.), mund të thuhet se premton të ardhme. E thënë ndryshe, po qe se brezat që do të rritni e përgatitni, janë të orientuar për t’u bërë ummet, bashkësi e Profetit (s.a.s.), mund të konsiderohet se e kanë rrugën të hapur, kurse ju mund të konsideroheni të lumtur. Por po qe se brezat e përgatitur nga ju u janë lënë amanet rrugëve dhe janë në opozicion me fenë, madje, armiq të xhamisë, xhemaatit, ata konsiderohen të pafat, kurse ju, përgjegjës. Kjo është, së pari, padrejtësi ndaj fëmijëve, pastaj dhe ndaj shoqërisë. Askush nuk ka të drejtë të bëjë një të keqe të tillë. Neve kanë për të na kërkuar llogari për brezat e përgatitur si armiq të islamit, që hanë e pinë haram, që, me sjelljet e tyre jolegjitime, shkelin rregullat e përgjithshme. Përgatitja e brezave të aftë për të menduar në mënyrë besnike ndaj rrënjëve ideore të veta, të thellë, me horizont, të mëshirshëm dhe të respektueshëm ndaj njeriut, është një nga detyrat tona kryesore. Kjo detyrë e rëndësishme fillon me ngritjen e vetëdijshme të folesë familjare dhe vazhdon gjatë gjithë jetës e kushtëzuar nga arsyeja, logjika dhe gjykimi.
Nisur nga kjo, familja duhet trajtuar si një institucion i mbështetur në frymën e fesë, me bosht arsyen dhe vetëdijen dhe i duhet dhënë vazhdimësi duke marrë për bazë pëlqimin e Allahut. Profeti (s.a.s.) tërheq vëmendjen se ka për t’u krenuar me shtimin dhe shumimin e ummetit, bashkësisë së tij. Nga ky këndvështrim, një brez që s’e njeh atë, sado shumë që të jetë, jo vetëm nuk do të ketë ndonjë vlerë para Allahut (xh.xh.), por nuk do të përbëjë vlerë as sipas Profetit (s.a.s.).
Prandaj ne, nga njëra anë do t’i presim rrënjët e prirjes ndaj së keqes duke u kthyer nga Allahu e duke bërë pendesë, nga ana tjetër, me hapa që do ta fuqizonin prirjen ndaj së mirës me anë të lutjeve, adhurimeve dhe punëve të mira e të dobishme, duke bërë çdo gjë të nevojshme me zemër, me punë e me fjalë, do të vazhdojmë të presim në mënyrë aktive.
Kur’ani urdhëron: “Thuaj: “E keqja dhe e fëlliqura nuk janë njëlloj me të mirën dhe të pastrën; edhe sikur e keqja dhe e fëlliqura të kenë epërsi numerike marramendëse e mahnitëse, ky realitet nuk ndryshon. Atëherë, o ju që keni arsye, kini frikë Allahun që të shpëtoni!” (Kur’ani, Maide, 5/100)
Po, disa herë mund të ndodhë që epërsia sasiore e të keqes dhe e të këqinjve mund t’jua tërheqin vëmendjen e t’ju lënë të mahnitur, por duhet ta dini se, në vështrimin e Allahut, e ndyra me të bukurën kurrë s’kanë qenë të njëvlefshme. Atëherë, ju gjithmonë duhet t’i jepni rëndësi përgatitjes së një brezi që, me bukuritë e tij të rrezatuara, t’ju kujtojë xhennetin, parajsën, ta ndiqni të bukurën dhe të bëheni prind, mësues dhe edukues i të bukurës!
Sëmundja e banalitetit
Në një hadith të nivelit sahih (autentik), Profeti (s.a.s.) thotë kështu: “Në të ardhmen, ndjekësit e librit dhe kombe të tjerë do të sulen mbi ju siç sulet i urituri mbi sofër dhe do të kërkojnë t’jua marrin kafshatën prej goje!” Me fjalë të tjera, do të hidhen mbi ju siç hidhet i urituri drejt bukës për t’jua rrëmbyer kuletën prej dore, për t’u ulur mbi gjërat që keni fituar ju.
Sahabet, shokët e tij, e pyesin: “Atë ditë kjo a do të ndodhë për shkak se ne do të jemi në pakicë, o i Dërguari i Allahut?” Dhe ai iu përgjigjet: “Jo, përkundrazi, ju atë ditë do të jeni tejet të shumtë, por Allahu do ta ketë nxjerrë nga zemra e armiqve ndjenjën e drojtjes para jush (ju do të dukeni në sy të armiqve të padenjë për t’u respektuar, nuk do të jepni siguri dhe nuk do t’i bëni dot ata ta ndjejnë peshën tuaj); gjithashtu, Allahu do t’ju fusë në zemër ndjenjën e banalitetit!”
Sahabet e pyesin: “Ç’do të thotë “vehen”, o i Dërguari i Allahut?” Dhe ai u përgjigjet: “Vehen do të thotë dashuri për këtë botë (kalimtare), vënie e kësaj bote në plan të parë dhe frikësim nga vdekja.”
Pa dyshim, po qe se një shoqëri e vë këtë botë, duke e trajtuar në anët e saj që kanë lidhje me interesa materiale, egoistike e të ulta, pra, që kanë lidhje me anët e saj banale, si synim duke u orientuar kah ajo me zemër e shpirt dhe duke e lënë mënjanë pëlqimin e Allahut, pra, po qe se parapëlqen këtë botë dhe gjërat e saj ndaj Allahut, edhe sikur të thotë “La ilahe il’lallah, nuk ka zot tjetër veç Allahut”, nuk mund të thuhet se e ka orientuar zemrën dhe shpirtin kah Allahu. Këtu, duke thënë, “Allahu do të fusë në zemrën tuaj banalitetin dhe atëherë ju para armiqve do të bini të mundur”, si dhe, në një hadith tjetër, duke folur mbi heqjen e drojtjes së armiqve, Profeti (s.a.s.) tërheq vëmendjen mbi nënvleftësimin e disa detyrave, si “urdhërimi i të mirës dhe ndalimi i të keqes”, parashtrimi i besimit mbi ringjalljen dhe llogaridhënien.
Atëherë, qëllimi më i madh për ne duhet të jetë përgatitja e një brezi shumë besimtar, tejet të fuqishëm materialisht e moralisht, të vullnetshëm për të çarë malet, parashikues sa për ta hedhur poshtë botën në aspektet e saj banale dhe të shenjtë sa për të mos i dhënë vend në zemër banalitetit, si dhe impresionues përballë armikut.