Çdo periudhë kohore gjatë së cilës është lëkundur apo lëkundet besimi monoteist, është koha kur sundon errësira. Nëse besimi te Zoti që është drita e qiejve dhe e tokës, nuk sundon në të gjitha zemrat, errësira i nxin e i bën sterrë të zeza ndërgjegjet dhe shpirtrat. Meqë cilësia e vështrimit të sendeve dhe dukurive nga ana e një zemre dhe ndërgjegjeje të tillë do të jetë miope dhe e turbullt, njeriu do të jetojë krejt si lakuriqët e natës në një natë krejt të errët.

Në një periudhë kur të gjitha parimet fetare qenë lëkundur nga themeli dhe kur fetë qiellore qenë korrigjuar nga vetë anëtarët e tyre, ndoshta disa monoteistë i besonin një Zoti që nuk e emërtonin dot, që nuk e njihnin dot e, që, për rrjedhojë, nuk kryenin adhurime në rrugën e Tij; zërat e tyre ishin aq të dobët sa nuk tërhiqnin vëmendjen e askujt.

 

Idhujtaria në periudhën e injorancës

Të gjithë politeistët krenoheshin dhe gjenin prehje në adhurimin e idhujve me të cilët kishin mbushur Qaben. Kurse ata vetë mes tyre që kishin pak njohuri, thoshin se idhujt i pranonin vetëm si ndërmjetës që i afronin ata te Zoti. Në një ajet-argument të Kur’anit kjo specifikë pohohet kështu: “Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë më shumë tek Allahu.” (Kur’ani, Zumer: 3). Kështu, ndjenja e adhurimit e dedikuar si një amanet i rëndësishëm krijimit të njeriut, edhe një herë tjetër shpërdorohej, edhe një herë tjetër tradhëtohej! Njerëzit adhuronin drurin, gurin, tokën, diellin, hënën dhe yjet, madje, u kushtoheshin një copë herë idhujve që i kishin bërë me duart e veta prej gjërave të ngrënshme si prej hallve dhe djathi dhe pastaj, pasi i kapte uria, u hynin e i hanin.

Këtë mendim arkaik e këtë botëkuptim të tejkaluar Kur’ani e trajton në këtë mënyrë: “Ata lënë Allahun e jepen pas gjërave nga të cilat nuk kanë as dëm e as dobi dhe thonë:”Këta janë ndërmjetësit tanë te Allahu.” Thuaju: “Mos vallë ju i tregoni Allahut për ndonjë gjë që mund të mos e dijë Ai në tokë e në qiej? Hasha, mos qoftë e thënë! Ai është i lartë e s’ka të bëjë me gjërat me të cilat ata e barazojnë!” (Kur’ani, Junus: 18).

Si dhe: “Kujdes! Feja e vërtetë është vetëm feja e Allahut. Ata që e lënë Atë dhe zënë miq të tjerë, thonë: “Ne i adhurojmë ata për të na afruar më shumë te Allahu. S’ka dyshim se Allahu do të gjykojë për kontradiktën e tyre. Pa dyshim, Allahu nuk i orienton në udhë të drejtë mohuesit dhe gënjeshtarët!” (Kur’ani, Zumer: 3).

Përveç kësaj, ata kërkonin edhe justifikim për këtë gjë. Justifikimi më i madh i tyre qe se kështu kishin pasë vepruar edhe etërit e tyre: “Kur politeistëve u thuhet që ta pranojnë revelacionin e Allahut, ata përgjigjen: “Jo, ne shkojmë pas traditës së etërve tanë!” Mos vallë edhe nëse etërit e tyre s’kanë kuptuar asgjë e s’e kanë gjetur të vërtetën?” (Kur’ani, Bakara: 170).

 

Drama e vajzave të vogla

Një të keqe tjetër të periudhës së injorancës Kur’ani e tregon kështu: “Kur ndonjëri prej tyre lajmërohet se i ka lindur vajzë, i nxihet fytyra e mbushet plot mllef. Kërkon të fshihet për shkak të asaj të keqeje që e ka gjetur. Pastaj mendon nëse duhet ta mbajë fëmijën duke pranuar turpin, apo ta mbulojë të gjallë në dhe. Ç’gjykim i keq e i mbrapshtë!” (Kur’ani, Nahl: 58-59).  Po, kur ndonjërit prej tyre i lindte vajzë, mbushej plot mllef dhe hante veten nga marazi për këtë ngjarje që, sipas tyre, ishte një ndëshkim dhe jo dhuratë prej Zotit. Prandaj edhe përpiqej të mos dilte në sy të njerëzve. Ndërkaq, përpiqej të vendoste: ose do ta mbante fëmijën duke pranuar turpin, ose do ta varroste të gjallë atë duke pastruar (!), kështu, nderin e vet.

Lexo  ARGUMENTET E PROFETËSISË SË PROFETIT MUHAMED

Ja, pra, kështu poshtërohej femra në kohën e injorancës dhe ky nënvleftësim, kjo përbuzje e ky poshtërim nuk ishte diçka specifike vetëm për arabët e asaj periudhe. Gjendja ishte po ajo edhe në perandoritë romake dhe sasanite. Duke u nisur nga kjo, mund të thuhet se transformimi i jashtëzakonshëm që kreu Islami midis arabëve në lidhje me botën femërore, ishte një operacion i pashembullt në historinë e njerëzimit në emër të saj.

Po, është Kur’ani që i del për herë të parë përballë kësaj egërsie dhe e ndalon vrasjen e vajzave të vogla për çfarëdo shkaku dhe në çfarëdo kushtesh: “Thuaj: “Ejani t’ju lexoj ato që me të vërtetë jua ndaloi Zoti juaj: …të mos i mbytni fëmijët për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë edhe juve, edhe ata…” (Kur’ani, En’am: 151).

Sikur Zoti u thoshte: Pse i vrisni fëmijët? Pjesën tuaj të të mirave Unë jua siguroj. A nuk e shihni se toka e pasur si mijëra sofra ju jepet nën urdhrin tuaj? Qielli ju vrapon në ndihmë. Kush mund të jetë përveç Meje ai që për ju sjell retë, lëshon shi e borë dhe bën që të mbijnë miliona bimë? Kur i shihni të gjitha këto, me ç’ndërgjegje dhe me ç’mendje ju kap frika e jetesës dhe i vrisni fëmijët? Por mos harroni: ata që veprojnë kështu, kurrë s’do të meritojnë të bisedojnë me Zotin e tyre, ndërsa ata fëmijët e pafajshëm një ditë do të pranohen para Zotit dhe do të pyeten se për çfarë zakoni i vranë dhe fëmijëvrasësit do të marrin pa tjetër ndëshkimin e krimit të tyre! Ajeti-argument i mëposhtëm na tregon neve moralin e asaj periudhe në tërë tmerrin e vet: “Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura gjallë se për çfarë mëkati janë vrarë, …” (Kur’ani, Tekvir: 8-9).

Një ditë, një prej sahabeve, pasuesve të Profetit, pati treguar në këtë mënyrë në praninë e tij për egërsinë e periudhës së injorancës: “O i Dërguari i Allahut! Në kohën e injorancës ne i groposnim të gjalla vajzat. Edhe unë kam pasur një vajzë të vogël. Një ditë i thashë s’ëmës: “Vishe vajzën se do ta çoj te daja i saj.” (Gruaja e dinte se ç’do të thoshte kjo: pas pak, fëmija i saj, pjesë e mishit dhe e gjakut të saj, do të hidhej në një gropë dhe do të përpëlitej nën dhe gjersa të jepte shpirt. Por ç’e do se gruaja në atë kohë s’kishte asnjë lloj të drejte dhe mundësie për t’i dalë përpara kësaj egërsie; ajo vetëm mund të derdhte lot!) Gruaja bëri siç i thashë. Fëmija kujtonte se me të vërtetë do të shkonte te daja dhe përgatitej e gëzuar. E mora për dore dhe e çova në buzë të gropës që e pata hapur që më parë. I thashë të shihte në gropë. Sapo zgjati kokën për të parë, i dhashë një shqelm dhe e shtyva brenda. Sidoqoftë, arriti të kapej në buzë të gropës. Edhe përpiqej të dilte, edhe më thoshte se më ishte bërë rroba me pluhur të cilin përpiqej ta shkundte. Megjithatë, i dhashë një shqelm tjetër dhe e mbulova të gjallë nën dhe!”

Lexo  Zëri i minareve

Ndërsa burri tregonte, i Dërguari i Allahut dhe të pranishmit qanin me ngashërim. Njëri prej tyre tha: “O njeri, e hidhërove të Dërguarin e Allahut!” Kurse Profeti i tha burrit: “Tregoje edhe një herë!” Burri e tregoi edhe një herë ngjarjen. Lotët e syve të Profetit të të dy botëve i rridhnin nëpër mjekër e poshtë. Me këtë përsëritje, Profeti sikur donte të theksonte: “Ja, pra, kështu ishit ju para Islamit! Kërkova të përsëritej tregimi që të kujtonit edhe një herë tjetër vetëdijen e të qenit njeri që ju përftoi Islami!”

Siç u pa nga kjo ngjarje e hidhur, atë ditë njerëzimi kalonte një krizë të rëndë. Çdo natë, në errësirën e shkretëtirës hapeshin gropa të thella dhe, në atmosferën e një mijë e një klithjeve zemërçjerrëse, vajza të vogla të pafajshme jepnin shpirt të mbuluara nën dhe. Për nga egërsia, njerëzimi i kishte lënë prapa edhe çakajtë. Ai që s’kishte dhëmbë, nuk kishte të drejtë jete dhe ishte i dënuar pa shpëtim të copëtohej mes dhëmbëve të atij që kishte. Shoqëria jetonte në kllapi, ndërsa s’kishte kush t’i thoshte “mjaft!” asaj kllapie!

Pikërisht në ato ditë, Ai që ishte shkaku i krijimit të qenies, ndahej nga njerëzit dhe tërhiqej në malin Hira që do t’i thoshte “Mali i Dritës” dhe sytë i prisnin agimet shpëtimtare në horizont. Gjithsesi, në ato orë pritjeje, vinte ballin në sexhde, lutej pa pushim dhe i kërkonte Zotit të vet një shpëtimtar për njerëzimin! Në përshkrimet e Buhariut e të Myslimit përdoren shprehje që tregojnë pikërisht për adhurim. Disa herë i Dërguari i Allahut nuk kthehej në Mekë, por rrinte aty gjersa t’i mbarohej ushqimi. Pastaj kthehej, merrte ushqim dhe vinte përsëri në mal.

Gjithsesi, Ai, nga njëra anë mendonte për qenien, për “paskuintën” e saj, për krijimin dhe qëllimin e krijimit dhe, nga ana tjetër, për njeriun që kish dalë nga drejtpeshimi, për hallin e tij që të shtinte drithmat dhe për vuajtjen e tij zemërpërvëluese…

 

Vlera që ndërrojnë

Po shoqëria ishte mbërthyer nga një gjendje e tillë që të gjitha vlerat njerëzore ishin kthyer përmbys, virtytet kishin filluar të konsideroheshin turpe, kurse turpet, virtyte. Egërsia duartrokitej, ndërsa ndjenja njerëzore përbuzej. Ujqit, të bërë çobenj, bënin demonstrim force, kurse delet rënkonin në duart e atyre çobenjve të pamëshirshëm. Në mënyrë të tillë ishin përhapur prostitucioni, adulteri dhe imoraliteti, saqë shumica edhe të atin nuk e njihnin. Soji dhe fisnikëria kishin tharë e ishin zhdukur. Pijet dhe kumari nuk ishin apsak ndër gjërat e konsideruara turp. Matrapazllëku vlerësohej si një dukuri normale dhe thithja e gjakut të njerëzve me lloj-lloj spekulimesh konsiderohej si mjeshtëri dhe mençuri.

Ja, pra, ndihej nevoja e një fjale me fuqi eliksiri që t’u thoshte “ndal!” këtyre dukurive. Kjo nevojë ishte aq e fuqishme, saqë shpërtheu menjëherë Mëshira dhe po aty u bë preteksti i dërgimit të detyrës profetike Profetit të profetëve dhe, me ardhjen e tij, çdo gjë ndërroi aty për aty. Siç ka thënë edhe poeti i madh Ahmed Shevkiu, “Lindi drejtësia/ Plot dritë u mbush gjithësia/Në buzët e kohës tani/ buzëqeshje ka dhe krenari.”

Koha dhe hapësira që ishin errësirë, me dritën e sjellë nga Hz. Muhammedi u shndërruan menjëherë në një tufë trëndafilash që buzëqeshin. Vite më pas, me rastin e hixhretit, populli i Medinës do ta priste Atë me thirrje që ishin shprehje pikërisht të një realiteti dhe ndjenjash të tilla.

Ndajeni me miqtë tuaj...