Kurban Bajrami Simbol i Heroizmit, i Sakrificës dhe i Bindjes
Kurban Bajrami mbetet një simbol i heroizmit, i sakrificës dhe i bindjes qysh prej kohës së Hz. Ibrahimit dhe Hz .Ismailit, paqja qoftë mbi ta!, deri në ditët tona.
A) Kurbani
Kurban; në kuptimin gjuhësor do të thotë “të afrohesh, mjet që të afron me Zotin.” Ndërsa në literaturën Islame ka kuptimin “të therësh një kafshë të përshtatshme sipas kushteve të caktuara me qëllim adhurimi”. Kurbani kryesisht theret në ditët e Kurban Bajramit (në tre ditët e para të tij).
B) Kurbani Është Një Adhurim Në Të Gjitha Fetë
Kurbani pothuajse ekziston në të gjitha fetë si shprehje adhurimi. Në Kuran tregohet në këtë formë ekzistenca e kurbanit në të gjitha fetë: “Ne i caktuam çdo populli kurbanin.”(Haxh/34)
Krahas kësaj Kurani flet edhe për ngjarje dhe shembuj të ndryshëm që kanë ndodhur në periudhat e mëparshme: P.sh., flitet për kurbanet që dy djemtë e Hz. Ademit i paraqitën Zotit dhe që njëri prej tyre u pranua e tjetri jo.(Maide 27-29) Kjo ngjarje që tregohet në Kuran me pak ndryshime ekziston gjithashtu edhe në librat e tjerë të shenjtë.
C) Urtësitë e Therjes së Kurbanit
Para së gjithash duhet ditur mirë se adhurimet bëhen sepse janë urdhër i Zotit. Dhe adhurimet të cilat kryhen me urdhrin e Zotit ka shumë urtësi që mund t’i dimë apo jo.
Kur kryhet adhurimi i kurbanit, me përmendjen e emrit të Zotit para therjes, bëhet e njohur se të gjitha kafshët në rruzullin tokësor janë pronë e Zotit që na i ka dhuruar ne për të përfituar prej tyre.
Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrificës dhe bindjes së njeriut në rrugën për fitimin e kënaqësisë së Zotit. Kjo bindje dhe sakrificë është simbolizuar me Hz. Ibrahimin dhe Hz. Ismailin duke arritur majat. Kurani e tregon kështu këtë ngjarje:
“Ibrahimi u lut: O Zot me jep një djalë të mbarë. Dhe ne i dhuruam atij një djalë me mendje në kokë. Kur fëmija u rrit derisa mundte të vraponte i tha atij: Biri im, unë të shikoj ty në ëndërr sikur po të ther, si t’ia bëjmë kësaj, ç’mendim ke? I biri iu përgjigj: Baba, ti mos u lodh duke u menduar, por bëj atë që të urdhërohet prej Zotit. Me dëshirën e Zotit edhe mua do të më shikosh të durueshëm”.
Të dy iu bindën urdhrit të Zotit dhe kur Ibrahimi e shtriu djalin për ta therur i thirrëm atij: “Ibrahim, e vërtetove ëndrrën tënde duke e zbatuar atë. E hoqëm prej teje barrën të therësh tënd bir. Kështu i shpërblejmë Ne të mirët. Vërtet kjo ishte sprovë e madhe. Dhe i dhamë atij një kurban në vend të të birit.”
Dhe ndaj tij Ne lamë një kujtim të mirë për popujt pasardhës në mënyrë që të thonë: “Paqja qoftë mbi Ibrahimin”. Kështu i shpërblejmë Ne të mirët. (Safat/ 100-110)
Kurbani rrit shpirtin bindës ndaj Allahut. Në këtë mënyrë njeriu shfaq adhurimin e tij të vërtetë dhe mundohet të kryejë detyrën e falënderimit; afrohet me Allahun dhe kurbani kryen rolin e afrimit të tij me Krijuesin.
Gjithashtu kurbani ka shumë urtësi përsa i përket jetës sociale. Kurbani mbjell në shoqëri shpirtin vëllazëror, bashkëpunimin, ndihmesën dhe shpirtin e sakrificës. Ndihmon në zhvillimin e barazisë në shoqëri. Ndikon në kalimin e hendekut midis shtresave të ndryshme shoqërore duke i nxitur ata drejt bashkëpunimit.
Për të varfrit që nuk kanë mundësi të blejnë mish, kurbani është një mirësi mjaft e madhe. Kurbani e mëson njeriun e pasur të japë nga pasuria e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit. E nxit atë ndihmojë të tjerët dhe të ndiejë thellë në ndërgjegje kënaqësinë që të jep kjo ndihmë që u ofrohet të tjerëve. Kështu e shpëton atë nga sëmundja e koprracisë dhe pasioni i tepërt për pasurinë e kësaj bote.
LLOJET E KURBANIT
Kurbani ndahet në dy lloje:
a) KURBANI VAXHIP
1. Kurbani Që Theret Gjatë Bajramit Të Kurbanit
Kur thuhet kurban përgjithësisht nënkuptohet kafsha e therur gjatë Bajramit të kurbanit. Sipas hanefive personat të cilët i plotësojnë kushtet e përcaktuara nga ana fetare e kanë vaxhip (detyrim) të therin kurban.
Në Kuran Allahu i drejtohet kështu Profetit (s.a.s): “Fal namaz për Zotin tënd dhe ther kurban” (Keuther/ 2). Sipas mendimit Hanefi; diçka që është vaxhip për Profetin (s.a.s) dhe nuk ka asnjë argument që vërteton të kundërtën, përfshin edhe të gjithë umetin, d.m.th. edhe ata e kanë vaxhip të therin kurban. Sepse Profeti (s.a.s) është udhërrëfyes për umetin e tij.
Gjithashtu Profeti i Nderuar (a.s) ka kërcënuar personat që kanë mundësi të therin kurban por nuk e bëjnë atë në këtë mënyrë: “Ai që ka mundësi të therë kurban dhe nuk e bën këtë, të mos i afrohet faltores tonë.”
Personat që e kanë të detyruar therjen e kurbanit
- Të jetë mysliman
- Të jetë me mendje dhe të jetë adult
- Të mos jetë udhëtar
- Të zotërojë mundësi financiare
2. Kurbani Premtimit
Është rasti kur një person vendos që të therë një kafshë për hir të Zotit pa e patur detyrim në momentin që ka arritur një qëllim ose ka shpëtuar nga diçka e keqe. Ky lloj kurbani nuk është detyrim por personi që e ka vendosur ta kryejë atë i kthehet në vaxhip (detyrim) therja e kurbanit.
3. Kurbani Që Ther Personi Që Kryen Haxhi Kiran dhe Haxhi Temettu
b) KURBANI NAFILE
Në këtë kategori hyjnë llojet e kurbanit që nuk janë vaxhip, si kurbani akika dhe kurbanet e tjera që theren jashtë bajramit të kurbanit.Kurbani Akika
1. Kurbani Akika
Quhet kurbani që theret në ditët e para të lindjes së një fëmije me qëllim shprehjen e falenderimit ndaj Zotit Krijues. Ky është një adhurim jo i detyrueshëm por është sunet. Profeti (s.a.s) ka therur nga një kurban akika për dy nipat e tij Hasanin dhe Hysenin dhe ka këshilluar umetin e tij që të therin kurban për fëmijët e tyre djem ose vajza.
2. Kurbani Që Ther Personi Që Kryen Haxhi Ifrat
Kafsha për kurban
Personi i obliguar me therjen e një kurbani që adhurimi i tij të plotësohet duhet të zbatojë disa kushte përsa i përket kafshës së kurbanit dhe therjes së saj.
- Kafsha për kurban mund të jetë dele, dhi, lopë, buall, deve dhe nga kafshët e tjera të ngjashme. Kjo është e pranuar unanimisht nga të gjithë dijetarët islamë. Pra pula, rosa, pata, gjeli i detit etj. nuk pranohen si kafshë për kurban. Kafshët e lartpërmendura si të përshtatshme mund të theren si kurban nga të dyja gjinitë. Por përsa i përket familjes së deleve është më e pëlqyeshme të theret dashi.
- Për kafshët si delet dhe dhitë ato duhet të kenë mbushur një vit që të mund të theren si kurban. Vetëm nëse një dele 6 muajshe është e shëndetshme dhe tregon për një vit atëherë edhe ajo mund të pritet si kurban. Ndërsa dhia duhet patjetër të mbushë vitin. Kafshët si lopa dhe bualli duhet të jenë mbi dy vjeçë, ndërsa deveja duhet të jetë mbi pesë vjeç.
- Delja dhe dhia mund të theret kurban vetëm në emër të një personi, ndërsa kafshët si lopa, kau dhe bualli mund të theren si në emër të një personi ashtu edhe në emër të shtatë personave që bien në ujdi me njëri-tjetrin. Pasi theret kurbani mishi ndahet ndërmjet tyre në mënyrë të barabartë.
- Kurbani që theret me qëllim adhurimi dhe përafrimi me Allahun, duhet të jetë e shëndoshë, e majme dhe me organe të rregullta. Kjo shërben si për qëllimin dhe mënyrën e adhurimit, gjithashtu edhe për rregullat e shëndetit. Për këtë arsye kafsha për kurban nuk duhet të ketë ndonjë mangësi që ta pengojë nga plotësimi i kushteve të kurbanit.
- Të gjitha adhurimet kryhen në kohën dhe sipas kushteve të caktuara nga Allahu. Kështu që kurbani mund të theret nga mbarimi i namazit të kurbanit deri në perëndimin e ditës së tretë.
- Gjithashtu është kusht që kafsha të theret me qëllim adhurimi. Allahu nuk ka nevojë as për adhurimet që i kryhen atij dhe as për kafshët që theren, Ai duke na urdhëruar me therjen e kurbanit vë në provë përpikërinë e bindjes së robërve ndaj urdhrave hyjnorë dhe mat me to afërsinë e tyre me Zotin. Allahu shprehet kështu në Kuran: “ Mos harroni se as mishi dhe as gjaku nuk do shkojnë tek Zoti. Por ajo që arrin deri atje është devotshmëria që ushqeni në zemrat tuaja dhe respekti ndaj Allahut. (Haxh/37)
Mangësitë Që Pengojnë Kafshën Të Jetë Kurban
- Të ketë të dy sytë ose vetëm njërin të verbër.
- Të jetë topalle as sa mos të jetë në gjendje të ecë.
- Të ketë njërin ose të dy veshët të prerë.
- Të ketë të gjithë dhëmbët ose pjesën më të madhe të tyre të rënë.
- Të jetë e sëmurë shumë.
Mënyra e Therjes së Kurbanit
Kafsha merret dhe pa e munduar shtrihet në drejtim të kibles nga ana e majtë. Kurbanin mund ta therë i zoti ose mund t’ia lërë ndonjë tjetri. Ai që e ther nuk lejohet ta torturojë kafshën dhe thika që do të përdorë duhet të jetë e mprehtë. Thika mbahet me dorën e djathtë dhe në momentin e therjes thuhet “Bismil’lahi, Allahu Ekber”. Kafsha theret në të dyja anët e damarëve të qafës.
Një kusht tjetër është që kafshës duhet t’i rrjedhë i tërë gjaku pasi të jetë therur. Për të mos e munduar shumë kafshën nuk fillohet rrjepja e lëkurës derisa ajo të mos lëvizë më.