ilmihali

Që një lider të pëlqehet dhe pranohet me të gjitha aspektet e tij nga bashkësia e vet dhe njerëzit që e ndjekin pas, si dhe që ai të bëhet një njeri i besueshëm dhe të cilit i binden, duhet që ai të jetë në gjendje t’i zgjidhë të gjitha problemet që i përkasin shoqërisë apo grupit shoqëror përkatës: individuale, familjare, shoqërore, ekonomike, politike, etj. Një lider, në atë masë që t’i zgjidhë problemet individuale, familjare e shoqërore të njerëzve që ka pas, pranohet dhe duhet prej tyre, merret në supe, bëhet flamur dhe mbrohet gjer në përjetësi. Ja pra, Profeti Muhamed (s.a.s.) ishte për njerëzimin një lider i tillë që i zgjidhte të gjitha problemet!

Në zgjidhjen e problemeve, si alternativë, mund të përdorni format e ndryshme të shtypjes, mund të jepni ndëshkime të ndryshme, mund të dërgoni në internim, mund të hiqni të drejtën e qytetarisë, mund të shtypni, mund t’i hapni dyert e burgjeve kat më kat, mund të zbatoni të gjitha llojet e torturave, mund t’u vini njerëzve spiunët nga pas, mund t’i mbani disa njerëz nën presion me anë të frikës dhe terrorit shtetëror, por me këto nuk mundet të zgjidhni me rrënjë asnjë problem! Jo vetëm që s’mund t’i zgjidhni, por mund të bëheni shkak për ndërlikime të ndryshme dhe për depresione në përmasa shoqërore. Për rrjedhojë, kjo nuk është rrugëzgjidhje. Edhe pse disa njerëz mund ta quajnë këtë rrugë zgjidhjeje, kjo është e tillë që bën të lindin probleme të reja. Madje është një rreth vicioz. Ju gëzoheni se zgjidhët diçka, por as që po i bini më të se jeni duke u përballur me një sërë koklavitjesh. Sapo të formohet një rreth vicioz dhe të hyni në të, çdo veprim i ri i juaji për ta thyer, për të dalë prej tij, ju fundos edhe më keq të! Kurse Profeti Muhamed (s.a.s.) i pati zgjidhur të gjitha problemet me lehtësinë e heqjes së një qimeje prej gjalpit, pa hyrë në rreth vicioz, pa u prirur ndaj shtypjes dhe terrorit, pa u mbështetur në frikësimin dhe tmerrimin, pa iu drejtuar burgjeve, duke respektuar vullnetin e lirë të njerëzve dhe duke ditur se si duhet të jesh i respektueshëm ndaj tyre. Pa parë gjendjet e tjera mrekullore, pa marrë parasysh mrekullitë e tij, vetëm nëse do të mundeni ta shihni me vëmendje në këtë aspekt të tij, edhe ju do të thoni: “Muhammedu’r-Resulullah”, “Muhamedi është i Dërguari i Allahut”! Po, Profeti Muhamedi (s.a.s.) s’është tjetërkush, veçse i Dërguari i Allahut! Po të mos ishte profet, si do t’i zgjidhte të gjitha këto probleme? Kurse ai doli nga mesi i një shoqërie që prodhonte probleme pa pushim, që shkaktonte grindje në çështjen më të vogël, të hapur ndaj intrigës, ku njerëzit i kundërviheshin njëri-tjetrit për pesë para, i një shoqërie të mbytur në egërsi, perversitet, tërbim, errësirë, dhe Allahu (xh.xh.) ia ngarkoi në supet e bekuara detyrën e rëndë për ta sjellë në rrugë të mbarë këtë shoqëri! Siç shprehet edhe ajeti, “sikur ta zbrisnim këtë Kur’an mbi një mal, do ta shihje se si do të strukej e çahej…” (Hashr, 59/21), Profeti Muhamed (s.a.s.) erdhi me një përgjegjësi të tillë që, po t’u ngarkohej maleve, do të thërrmoheshin e bëheshin pluhur; po, kaq e rëndë ishte përgjegjësia e tij! Sepse Allahu e kishte ngarkuar me detyrën e orientimit të një shoqërie tejet të egër, tejet beduine, tejet të zvetënuar! Edhe ai, i kapi një për një të gjitha problemet për shkak të të cilave vuante ajo shoqëri, i zgjidhi e u dha fund dhe shoqëria arriti qetësinë dhe kënaqësinë!

Shoqëria e qetë dhe e kënaqur që formoi Profeti Muhamed (s.a.s.) ishte e tillë që të tjerët vetëm e kishin lexuar të përshkruar në veprat utopike. Ja “Republika” e Platonit, ja “Utopia” e Tomas Morit, ja dhe “Qyteti i Diellit” i Kampanelës. Duket sikur që të gjithë janë marrë me dëshirën për të kërkuar dhe gjetur atë shoqëri ëndrrash të përgatitur nga i Dërguari i Allahut. Le të vazhdojnë ata me fantazitë dhe iluzionet e tyre! Shumë shekuj para tyre, duke kapërcyer edhe aspektet e gjymta të mendimit të tyre, i Dërguari i Allahut e pati përgatitur dhe formuar në praktikë këtë shoqëri dhe ua pati ofruar pasardhësve si një model ekuivalent me yjet në qiell! Kush do të vepronte si ata, kush do të ndiqte shembullin e tyre, do të bëhej njeri i qetë e i lumtur dhe ashtu ndodhi. Ne e shohim këtë të vërtetë lakuriq në ditët e sotme, i besojmë edhe më shumë mundësisë reale të periudhës së sahabeve dhe presim dritra dhe formime të reja!

Po qe se i Dërguari i Allahut nuk do t’i kishte zgjidhur të gjitha problemet e njeriut të asaj dite, a do të mund të dilnin nga brenda asaj egërsie sahabet, ata personalitete të konsideruar si krenari e njerëzimit? Pa asnjë dyshim që jo! Mirë, po a vetëm me mendjen dhe zgjuarsinë e vet i zgjidhi Profeti Muhamed (s.a.s.) të gjitha këto probleme? Edhe për këtë themi një “jo” të vendosur dhe shtojmë: Zoti i pati dhënë atij një zgjuarsi profetike të tillë që, në sajë të kësaj zgjuarsie të ndritshme me dimensione revelative, ai mundej t’i zgjidhte të gjitha problemet me mjaft lehtësi. Fundja, kjo ishte edhe një nga argumentet dhe provat e profetësisë së tij. Ndërkaq, kjo është edhe pikëdalja e temës sonë.

Dhe tani, le të përpiqemi të parashtrojmë disa shembuj për këtë specifikë.

1. Gjyqtarí për Gurin e Zi

Në atë periudhë, çdokush i drejtohej atij për probleme të ndryshme. Një ditë, gjatë meremetimit të Qabes ku pati punuar edhe ai vetë, doli në rend të ditës çështja e vendosjes në vend të Gurit të Zi që bartte embrionet e një katastrofe mes fiseve. Po qe se kjo çështje nuk do të zgjidhej brenda një a dy ditëve, lufta mes tyre bëhej e pashmangshme. Ashtu siç e thamë më lart me rastin e një çështjeje tjetër, mënyra e bukur se si e pati zgjidhur i Dërguari i Allahut vendosjen e Gurit të Zi në vend, e pati parandaluar një zjarr të tillë të frikshëm.

I Dërguari i Allahut shtroi përtokë një beze dhe e vuri Gurin e Zi në mes të saj. Pastaj u propozoi përfaqësuesve të fiseve ta kapnin secili bezen në një skaj dhe ta afronin së bashku te muri ku e kishte vendin. Pastaj i Dërguari i Allahut e mori vetë Gurin e Zi dhe e vendosi në mur.

Kjo ngjarje, në hollësitë e të cilës nuk do të hyjmë tani, tregon hapur se ç’zgjuarsi zotëronte i Dërguari i Allahut edhe para detyrës profetike!

Në këtë rast, kur iu kërkua të gjykonte këtë çështje, ai ishte ende një djalë 20-25 vjeç, pra nuk kishte ardhur ende koha kur ai do të mbështetej në gjykimet dhe veprimet e tij nga detyra profetike, kur do të fitonte thellësi mendimi dhe do të ulej para Rrethit Mësimor të Allahut (xh.xh.). Edhe në këtë periudhë kur ai ishte i mbyllur ndaj zbulesës hyjnore, me vendimet që kishte dhënë me anë të frymëzimeve të shpirtit të entuziazmuar, e kishte bërë të njohur veten te njerëzit, duke ngritur një fron të tillë në zemrat e tyre, saqë kur mohuesit kurejshë e patën parë të hynte brenda, patën bërtitur me gëzim: “Ky është Muhamed Emini, jemi dakord për gjykimin e tij!”[1] Kishte ardhur ai dhe problemi ishte zgjidhur! Po, ai e kishte mbaruar punën pa u menduar aspak, pa pritur, pa marrë laps në dorë, pa u takuar me këtë apo atë për të hetuar rrugë dhe metoda. Kjo ishte shumë e thjeshtë për të, mirëpo edhe të tjerët nuk patën kundërshtuar dhe nuk mund të kundërshtonin sepse e patën zgjedhur vetë gjykatës. Dhe ai kishte gjykuar dhe vendosur pa rrëshqitur dhe në mënyrë që i kishte lënë të kënaqur të gjithë!

Në jetën e tij nuk kishte hap të hedhur pas; nuk kishte, sepse ai zotëronte një zgjuarsi që i jepte mundësi t’i kuptonte shumë mirë gjërat që i vinin nga Allahu (xh.xh.)! Kjo zgjuarsi te ai ishte hapur si një burbuqe trëndafili, duke u hapur kishte marrë vezullime ngjyra-ngjyra dhe ishte reflektuar si buzëqeshje në fytyrën problematike, të pakënaqur e të thartë të njerëzimit. Po qe se thoni se erdhi një ditë që enigmat me dimensionet e njeriut të madh tek ai mbaruan, gaboheni, sepse nuk mbaruan, sepse, siç shprehej poeti Junus Emre, brenda asaj gonxheje kishte shumë e shumë gonxhe të tjera. Po, gjatë gjithë jetës së tij të shquar, atij i qenë drejtuar vazhdimisht dhe ai nuk i pati kthyer prapë të dëshpëruar ata që i kërkuan ndihmë, por ua pati zgjidhur problemet. Ajo shoqëri tejet e hapur para intrigës, prodhonte vazhdimisht probleme, kurse ai, i zgjidhte një e nga një.

Lexo  ARGUMENTET E PROFETËSISË SË PROFETIT MUHAMED

Hixhreti ishte një problem më vete. Pastaj problemet e luftës e të paqes, problemet e interesave dhe përfitimeve ekonomike e materiale, problemet e plaçkës së luftës. Po qe se ai nuk do t’i kishte zgjidhur këto me lehtësi, përleshja mes tyre e atyre njerëzve me natyrë të ashpër e grindavece, që ndjenin kënaqësi në grindje dhe luftë, do të bëhej e pashmangshme!

2. Përpjesëtimi i presë së Hunejnit

Plaçkën e luftës të zënë në luftën e Hunejnit, i Dërguari i Allahut e ndau mes disa personave, zemrat e të cilëve kishte dashur t’i ngrohte ndaj Islamit. Ndërkaq, kjo ndarje u bë pretekst thashethemesh mes të rinjve ensarë (medinas). Po, sidomos të rinjtë medinas nuk e kishin honepsur këtë lloj ndarjeje dhe kishin thënë: “Shpatat tona ende kullojnë gjak, kurse plaçka e luftës u jepet atyre!” Ubade b. Samit shkoi te Profeti dhe e lajmëroi për gjendjen ashtu siç ishte. I Dërguari i Allahut e pyeti: “Po ti, ç’thua?” “Edhe unë jam njëri prej tyre!” – iu përgjigj Ubade. Gjendja ishte mjaft kritike. Duhej gjetur menjëherë një zgjidhje! Çështja nuk priste!

Dhe i Dërguari i Allahut, me anë të zgjuarsisë së tij që shpërthente dritë, e zgjidhi edhe këtë çështje mjaft lehtë. Këtë ngjarje e kemi përcjellë edhe më parë dhe patëm kujtuar që është një argument dhe provë për profetësinë e Muhamedit (s.a.s.). Edhe këtu mundemi të themi të njëjtat gjëra!

I Dërguari i Allahut organizoi një mbledhje ku do të merrnin pjesë vetëm ensarët, muslimanët medinas. Askush përveç ensarëve nuk u mor në atë mbledhje. Në mënyrë të veçantë, cilësia e zhvillimit të kësaj mbledhjeje dhe fjalët e thëna aty ushtruan një ndikim të tillë pozitiv mbi ensarët, saqë kur i Dërguari i Allahut u tha atyre, “a s’do të dëshironit që, ndërsa të tjerët të ktheheshin në shtëpi me dhi e me deve, ju të ktheheshit me të Dërguarin e Allahut?”, të gjithë ensarët s’i mbajtën dot lotët dhe qanë![2] Përballimi prej tij me lehtësi i këtyre vështirësive të rënda nuk u duhet lënë disa konsideratave enigmatike, burimeve të forcave të ndryshme. Sepse ai ishte vetëm një profet. Me lejen tuaj, këtu dua të përsëris edhe një herë një specifikë: ai kishte dalë mes një shoqërie të hapur ndaj hipokrizisë dhe intrigës, shoqëria ishte problematike dhe atij i vinin para çdo ditë një sërë problemesh të vështira për t’u zgjidhur. Dhe ai, ashtu siç pranon dhe shprehet Bernard Shou, i zgjidhte të gjitha vështirësitë me lehtësinë e pirjes së një filxhani kafeje këmbë përmbi këmbë! Dhe shihni këto fjalë të matura të një shpirti të pamatur, të thëna për të: “Në këtë periudhë kur problemet janë grumbulluar një mbi një, njerëzimi ka më shumë se kurrë nevojë për Muhamedin!” Me këto shprehje, Bernard Shou tregon se sa është magjepsur nga mënyra se si i Dërguari i Allahut i zgjidhte me lehtësi problemet! Me këto fjalë ai e pohonte dhe e pranonte një të vërtetë. Do të dëshiroja shumë që qoftë edhe ky pohim i vogël t’ia hapte sytë atij; do të dëshiroja, sepse ai ka shprehur ndjenja vlerësimi për profetin tim dhe, meqë të njëjtën gjë kemi menduar edhe për Ebu Talibin, shpresoj se kjo butësi e imja do të shihet e justifikuar!

3. Problemi i hixhretit

Hixhreti është një problem. Si një dukuri, hixhreti ose emigracioni është duke u jetuar edhe në ditët tona. Po e shihni se si po i futen shtetit dy këmbët në një këpucë… Unë këtë shqetësimin tim e kam parashtruar në shumë biseda. Këto janë vënia në skenë e lojërave të planifikuara jashtë. Nesër në Lindje mund të hapet një portë e re hipokrizie, kurse në Perëndim, një portë e re mosmarrëveshjeje; në Jug mund të hapet një portë tjetër eksplozioni, kurse në Veri, një portë tjetër separacioni. Të gjitha këto, sepse në një anë mohuesit dhe mizorët, në anën tjetër hipokritët e Azisë presin të gatshëm dhe me gishtin në këmbëz për të na hapur një mijë e një belara mbi kokë. Edhe më parë na e patën rrokur një pikë të tillë të dobët dhe e shtrinë përtokë Perandorinë Osmane që ishte element ekuilibri në botë! Po qe se populli nuk do ta kishte përdorur, më në fund, në Dardanele, në luftën për pavarësi, vetëdijen e kombit, sot ky popull e ky komb s’do të ishte më. Jo vetëm ky popull, as bota islame s’do të ishte, sepse as që ka patur komb dhe popull të dytë musliman që ta ketë mbajtur në dorë ekuilibrin mes popujve, kombeve dhe shteteve! Po kështu, po të mos ishte ky popull e ky komb, as ne nuk do të kishim shpresë për ekuilibër. Por në Dardanele dhe në luftën për pavarësi, shtabet heroike, vetëmohuesit, të sakrifikuarit, dëshmorët dhe ushtarët e thjeshtë të ushtrisë së të bekuarve të këtij avanposti të famshëm të fundit ditën ta përdorin vetëdijen e kombit, edhe Zoti u fali atyre mundësitë për të ekzistuar dhe një herë tjetër! Ja, tek ekzistojmë, lavdi Zotit mijëra herë! Ekzistojmë dhe me një ekzistencë tjetër! Ekzistojmë me një ekzistencë tjetër që mungon në Sofje dhe Bullgari, në Turkistan dhe Uzbekistan, etj. Për të dëmtuarit, fatkeqët, të burgosurit dhe viktimat tona në këto vende, edhe pse mundemi të organizojmë vetëm ndonjë miting për të thirrur e bërtitur, edhe pse vetëm mundemi të klithim e rënkojmë, prapëseprapë shpërthejmë me të gjitha ndjenjat tona duke u dhënë edhe atyre lehtësi. Në dashtë Zoti, edhe ata një ditë do t’i thyejnë zinxhirët e qafës dhe do t’i lajnë hesapet me armiqtë! Në Kur’an thuhet: “Ne i ndërrojmë ditët mes njerëzve…” (Kur’ani, Al-i Imran, 3/140) Sot e ardhmja i përket atyre, nesër dikujt tjetër… ata që po vuajnë sot, në një të ardhme të afërt do të buzëqeshin!

Po, hixhreti ose emigrimi është një problem më vete, i rëndë e i vështirë. Në sajë të zgjuarsisë së gjerë të të Dërguarit të Allahut, si ata që emigruan në Etiopi, si ata që emigruan në Medine, jo vetëm që i kapërcyen me lehtësi vështirësitë materiale të emigrimit, pa iu nënshtruar asnjë shqetësimi ekonomik, por, krahas kësaj, realizuan arritje të mëdha. Ç’është e vërteta, asnjë emigrim në historinë e njerëzimit nuk është realizuar me aq sukses sa emigrimet e realizuara me dorën e Profetit. Po si i kishte zgjidhur i Dërguari i Allahut këto dy probleme nga më të mëdhatë? Dhe tani, le ta shtjellojmë pak më gjerë këtë temë, por pa kaluar shumë në hollësi.

Medina ishte një vend i vogël, popullsia autoktone merrej me bujqësi, prandaj dhe tregtia dhe tregu kishin kaluar krejt në dorë të çifutëve. Mekasit që kishin emigruar në Medinë e njihnin shumë mirë tregtinë, por me mundësitë tejet të vogla që kishin në dorë, e kishin shumë të vështirë të mbaheshin përballë çifutëve! Ku dhe si do të bënin tregti? Ata kishin ardhur aty, duke lënë krejt mallin dhe pasurinë në Mekë! Ndërkaq, numri i atyre që emigronin nga Meka në Medinë, shtohej çdo ditë, popullsia fryhej pa pushim dhe me shpejtësi. Ku do të vendoseshin dhe me se do të ushqeheshin këta njerëz që arrinin aty çdo ditë? Popullsia vendase e Medinës ishte e varfër për vete! Të gjitha këto ishin probleme të stivuara një mbi një dhe të gjitha prisnin zgjidhje nga i Dërguari i Allahut! Të gjithë shihnin me besim nga ai. Sigurisht që ai do t’i zgjidhte! Dhe ashtu ndodhi! I Dërguari i Allahut i zgjidhi ato probleme me një hop!

Lexo  SHEMBUJ NGA SISTEMI EDUKATIV I PROFETIT (S.A.S.)

Sapo arriti në Medine, i Dërguari i Allahut ngriti vëllazërinë mes ensarëve medinas dhe muhaxhirëve mekas.[3] Ai frymëzoi një vëllazëri të tillë në shpirtrat e tyre, që e kalonte shumë vëllazërinë e gjakut! Aq para shkoi kjo vëllazëri, saqë erdhi një ditë që ensarët t’u propozonin mekasve trashëgimi sikur t’i kishin vëllezër të vërtetë! Në përgjithësi, ensarët e ndanë çdo gjë përgjysmë me muhaxhirët! Kurse pati raste kur kjo ndarje e kaloi ço kufi!

I Dërguari i Allahut i kishte bërë vëllezër Sad b. Rabi me Abdurrahman b. Avf-in. Vëllazëria mes tyre ishte aq e thellë dhe e sinqertë, sa ishte e pamundur të tregohej një rast i dytë i saj!

Një ditë, Sad b. Rabi (r.a.) ia kap dorën të vëllait dhe i thotë kështu: “O vëlla! Ju e latë çdo gjë në Mekë dhe erdhët këtu! Tani ti je beqar, kurse unë kam dy gra. Po të them për hir të Allahut: pëlqeje njërën dhe unë do ta ndaj që ta marrësh ti!”

Me sytë e përlotur, Abdurrahman b. Avfi (r.a.) iu përgjigj kështu: “O vëlla, Allahu t’i bekoftë gratë! Ti vetëm tregomë rrugën e tregut, kjo më mjafton mua!”

Pas një farë kohe, Abdurahman b. Avfi arrin në gjendje ekonomike që të mund të mbajë shtëpi dhe, puna e parë që bën, është të martohet. Në të njëjtën kohë, ky akt ishte edhe shprehje e respektit ndaj ndjenjave të familjes ku hynte e dilte, ishte një delikatesë shpirtërore krejt e veçantë![4]

Nuk kishte asnjë problem që të mos e zgjidhte kjo vëllazëri. Personat vetëmohues të lidhur në këtë mënyrë me njëri-tjetrin ishin, në të njëjtën kohë, kandidatë për ngadhënjimin e botës. Kjo atmosferë vëllazërie që zotëronte në Medine, me kohë do të depërtonte në arteriet e të gjithë botës!..

a) Përplasja e të kënaqurit me pak dhe bujarisë së madhe

I Dërguari i Allahut po rrinte vetëm. Një çast, u hap dera dhe brenda filluan të hyjnë të parët e muhaxhirëve, emigrantëve mekas. Mes tyre nuk ndodhej asnjë ensar, musliman medinas, dhe gjendja ishte e tillë që të tërhiqte vëmendjen. Pse vallë, kishin ardhur vetëm muhaxhirë, kurse nga ensarët nuk kishin thirrur asnjë? Të ardhurit kërkuan leje nga i Dërguari i Allahut dhe ia paraqitën kështu justifikimet e tyre:

“O i Dërguari i Allahut! Ne erdhëm këtu duke emigruar për hir të Allahut. Gjithë mendimi ynë ka qenë të ndodhemi me ty në rrugën e Allahut. Mirëpo vëllezërit ensarë treguan një interesim të tillë për ne, që kemi frikë se mos e mbarojmë këtu shpërblimin e ahiretit! Vëllezërit le të na lejojnë se ne, tashmë, duam t’i plotësojmë vetë nevojat tona, kurse ndihmat dhe pjesën që e patën ndarë për ne, duam t’ua kthejmë prapë. Po mbetemi të detyruar ndaj tyre dhe po turpërohemi!”

Duke folur kështu, ata qanin. Edhe i Dërguari i Allahut nuk i mbajti dot lotët. Kjo pamje ndoshta i kishte përlotur edhe banorët e qiellit! Në një aspekt, kjo ishte përplasje e të kënaqurit me pak dhe bujarisë së madhe. Gjer atë ditë, një grindje e tillë nuk ishte parë mbi tokë!

Kur, pas pak, i Dërguari i Allahut thirri ensarët dhe u tregoi se ç’kishte ngjarë, të gjithë menjëherë kundërshtuan dhe nuk e pranuan këtë thjeshtësi, këtë të kënaqur me pak të muhaxhirëve! Pranimi i një propozimi të tillë, për ta, ishte një lloj sikur të pranonin t’ua prisnin trupin për mesi! Sepse ata ishin njësuar në atë mënyrë me vëllezërit muhaxhirë, që ndarja prej tyre ishte pothuaj vdekje për ta. Kështu, edhe ensarët qanin, edhe muhaxhirët qanin. Të jetonin bashkë në të njëjtën qytezë dhe të paktën pesë herë në ditë të ndodheshin së bashku në faltore dhe të largoheshin tani nga dhomat dhe sofrat që i kishin ndarë së bashku gjer tani, ishte tejet e vështirë sidomos për ensarët! Njëra anë përfaqësonte bujarinë e madhe, kurse ana tjetër, të kënaqurit me pak dhe sakrificën. Muhaxhirët e morën fjalën edhe një herë, tashmë në sy të vëllezërve ensarë, dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut! Ne bëmë hixhret, emigruam për hir të Allahut dhe erdhëm në Medinë. Ne nuk menduam gjë tjetër veç lartësimit të fesë, por vëllezërit ensarë na ndihmuan me të tepërt dhe u sollën si burrat, prandaj kemi frikë se do t’i shpaguajmë këtu të gjitha të mirat dhe përfitimet dhe s’do të na mbetet gjë për të marrë në ahiret! O i Dërguari i Allahut, ne s’mundëm t’i bindnim vëllezërit ensarë, prandaj lutuni ju në emër tonë të na lenë të lirë, të kujdesemi vetë për veten tonë, të banojmë veç, të mos na i sjellin prodhimet e veta, të mos gatuajnë e të na e vënë gjellën përpara!..” Të gjithë ishin prekur thellë! Po ashtu edhe i Dërguari i Allahut! Ai u tha kështu ensarëve: “Vëllezërit muhaxhirë thonë se ju kujdeseni shumë për ta, se i bëni me turp me këtë kujdes kaq të madh, se, kështu, ata e humbin pëlqimin e Zotit, pasi s’u mbetet të bëjnë asnjë sakrificë për ta fituar atë!”

Ja, të tillë vëllazëri kishte frymëzuar i Dërguari i Allahut në shpirtin e tyre, kështu i kishte lidhur dhe shkrirë ata me njëri-tjetrin! Në këtë mbledhje historike, palët arritën këtë marrëveshje: muhaxhirët, emigrantët mekas do të punonin me pagesë në arat, kopshtet dhe pemishtet e ensarëve dhe do të banonin në shtëpitë e veta; kështu, ata nuk do të mbeteshin nën detyrimin e mirënjohjes. Natyrisht, duke u dhënë mundësi muhaxhirëve për të punuar dhe fituar, ensarët vazhdonin t’i ndihmonin muhaxhirët dhe, kështu, muhaxhirët mbeteshin muhaxhirë dhe, ensarët, ensarë![5] Me këtë vetëdije vëllazërimi që pati mirësinë të ngrinte në Medinë, i Dërguari i Allahut kishte zgjidhur së pari, në një masë të madhe, çështjen e emigrimit.

Çështja e dytë ishte tregtia. I Dërguari i Allahut pa se në Medinë, në jetën tregtare sundonin çifutët dhe të krishterët. Për ta kapërcyer këtë sundim të tyre, i Dërguari i Allahut urdhëroi, që në një vend të veçantë, të ngrihej tregu i muslimanëve.[6] Aty e tutje, muslimanët do ta bënin tregtinë e tyre, do të shisnin e blinin në tregun e tyre! Kjo do të siguronte edhe hyrjen e muslimanëve në tregti dhe fuqizimin e tyre, edhe ngritjen e tregut të tyre. Në këtë mes, do t’i jepte fund edhe sundimit të jomuslimanëve në treg.

Dhe, kështu, u ngrit një treg i ri. Muslimanët filluan të bënin tregti mes tyre. Autorët bio-bibliografë shënojnë këtë: “Shumë shpejt, çifutët arritën të mos bënin më dot tregti në tregun e Medinës!” Po, në tregun e muslimanëve askush nuk konkurronte dot më me muslimanët! Fundja, kjo ishte edhe ajo që synonte i Dërguari i Allahut! Muslimanët nuk do t’i nënshtroheshin kujt, nuk do të vareshin nga të tjerët! Allahu (xh.xh.) nuk do të pajtohej me depersonalizimin e muslimanëve! Besimtari duhet të jetë vetë ai, duhet të qëndrojë mbi këmbët e veta, duhet të ecë me këmbët e veta, duhet të kapë me duart e veta, duhet të shohë me sytë e vet, duhet të flasë me mendimet e veta, duhet të jetojë sipas ideve të veta dhe duhet ta ruajë patjetër identitetin e vet! Ja, këtë realizoi i Dërguari i Allahut në Medine!

b) Kushtetuta e parë

Sapo arriti në Medine, Profeti përhapi një deklaratë.[7] Këtë deklaratë të përgatitur nga i Dërguari i Allahut me të arritur në Medinë, juristët e quajnë Kushtetuta e të Dërguarit të Allahut. Shumica e parimeve që përmbahen në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, përmbahen në këtë marrëveshje ose kontratë sociale të të Dërguarit të Allahut. Me të drejtat që u njohu të krishterëve dhe çifutëve, ai realizoi një afërsi dhe njësim të tillë mes medinasve të të tre besimeve, saqë i tërhoqi ata pas vetes duke i shkëputur nga bizantinët, sasanidët dhe kurejshët. Kështu, për shumë kohë, çifutët jetuan të qetë e të kënaqur nën pushtetin dhe mbrojtjen e muslimanëve. Ngatërrestari i madh i periudhës së Medinës, hipokriti i famshëm Ubej Ibni Selul, ua përshkruan kështu shqetësimet e veta kurejshve: “Për ne, ardhja e tij në Medinë dhe përhapja e fesë së vet nuk përbëjnë rrezik. Rrezik është largimi i të krishterëve dhe çifutëve nga afria me idhujtarët dhe tërheqja pas vetes. Ky është edhe kërcënimi i vërtetë për ju!”

Sistemi dhe kushtetuta të hapura ndaj paqes, për shumë kohë ose, më saktë, gjersa u shkelën prej tyre, u bënë pretekst qetësie edhe për ta, edhe për muslimanët! Për shumë çështje, çifutët i drejtoheshin të Dërguarit të Allahut dhe mbështeteshin në gjykimin e tij.

Me të vërtetë, librat e hadithit tregojnë se ata, në çështjen e vjedhjes, në çështjen e dënimit ekuivalent me fajin (kisas), në çështjen e adulterit, i drejtoheshin të Dërguarit të Allahut. Nga kjo kuptojmë se, po t’u liheshin vetë atyre çështjet e tyre, ata u drejtoheshin gjykimit të muslimanëve, sidomos pse në atë mes ndodhej i Dërguari i Allahut, ngaqë muslimanët i njihnin për më të drejtë e më të aftë në gjykim! Burimi i shenjtë që do të bëhej në të ardhmen instanca qendrore e njerëzimit, qysh ato ditë kishte filluar ta bënte të ndjehej se ishte instanca qendrore e drejtësisë!

Ja, kështu, me një të rënë të dorës, edhe çështja e hixhretit, emigrimit zgjidhej, edhe muslimanët, brenda një jete të qetë, hulumtonin rrugët për t’u hapur në botë!


[1] Ibn Hisham, Sire, 1/209.

[2] Muslim, Zekat, 132-135; Ibn Hisham, Sire, 4/141-142.

[3] Ensar: ndihmës, ndihmëtar; muhaxhir: njeri që bën hixhret, emigrant.

[4] Buhari, Menakibu’l-Ensar, 3; Ibn Hisham, Sire, 2/50; Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/279.

[5] Buhari, Hibe, 35; Muslim, Xhihad, 70; Musned, 3/200; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/279-280.

[6] Ibn Maxhe, Tixharat, 40.

[7] Ibn Hisham, Sire, 2/147.

Ndajeni me miqtë tuaj...