ilmihali

Kjo tematikë ka anët e saj historike, shoqërore dhe psikologjike. Nëse e ndjekim me durim, mund të gjejmë jo vetëm përgjigje për pyetjen tonë, por edhe për pyetjet që mund të na vijnë ndërmend më pas.

Më së pari, është e dobishme të kujtojmë se neveria dhe tronditja që ndiejmë sa herë që kujtojmë skllavërinë, vijnë për disa shkaqe të vjetra e të reja.

1) Botëkuptimi social-historik i materializmit historik, domethënë raporte të tilla si punëdhënës-punëtor, i pasur-i varfër, shtypës dhe të shtypur, etj. Më pas, ky botëkuptim, i zgjeruar me konsideratat mbi natyrën dhe krijimin, mbi skllavërinë dhe robërinë në kuadrin e zhvillimit shoqëror si dhe duke marrë përhapje akoma edhe më të gjerë, më vonë, nëpërmjet shfrytëzimit të koncepteve të tilla si paga e padrejtë dhe puna e papaguar, bëri që pothuaj çdo njeri t’i duartrokiste këto mendime e konsiderata që përsilleshin kudo. Për më tepër t’i duartrokiste pa i dhënë mundësi një të kundërte, si rrjedhojë, ndërsa duhej menduar me maturi, duke i dhënë, të paktën mundësi edhe mendimit të kundërt, u mendua në mënyrë të njëanshme dhe u nxorën konkluzione të gabuara.

2) Trajtimi i egër dhe mizor i skllevërve në periudhat e lashta të historisë, veçanërisht në Egjipt dhe në Romë, sa herë që rrekemi t’i kujtojmë, na shkaktojnë tronditje dhe neveri. Prandaj ndodh që, edhe sot, pas kaq shumë shekujsh, përfytyrojmë se si skllevërit bartnin gurë për ndërtimin e piramidave, se si personaliteti i asgjësuar i tyre bënte që të humbnin si plehra, se si nxirreshin nëpër arena për t’u përleshur me luanët me qëllim dëfrimin e perandorëve mizorë, se si bartnin në qafë kularin poshtërues, kështu që i urrejmë si skllavërinë, ashtu edhe ata që e mbanin atë në këmbë.

3) E treta dhe e fundit, trajtimi çnjerëzor i robërve në historinë e afërt dhe në ditët tona ka prekur, si çdo njeri me ndërgjegje, edhe brezin tonë; e ka zemëruar dhe e ka revoltuar jashtëzakonisht shumë.

Prandaj brezi ynë e urreu skllavërinë duke u bërë armik i çdo sistemi që e mbron atë. Ndërkaq, në kritikën dhe sulmin që i bëhet Islamit, kryhet një padrejtësi e madhe, sepse, ashtu si skllavëria, për nga burimi, nuk mbështetej në Islam, ashtu edhe ekzistencës së saj nuk iu dha vazhdimësi pas Islamit. Si në të kaluarën, edhe sot, skllavëria vazhdimisht është mbështetur dhe e ka çuar më tej ekzistencën e saj në shumë kombe e shtete jomyslimane. Nisur nga kjo konsideratë, edhe ne në fillim duam të përqendrohemi në faktorët që kanë çuar në lindje e skllavërisë.

Skllavëria ka dalë si pasojë e luftërave, duke e vazhduar sakaq ekzistencën e saj mes atyre popujve që e kanë dashur një gjë të tillë. Roma që pati vënë si qëllim një jetesë luksoze e tejet të rehatshme, sipas dëshmisë së vetë historisë së saj, pati qenë një shtet qejfesh e dëfrimesh të pacaka. Duke veshur më të bukurat e rrobave, duke i stolisur sofrat me lloj-lloj ushqimesh, pati bërë një jetë kafshërore mes dëshirave më të ulëta e turpndjellëse për njeriun. Kësisoj, që të vazhdohej ai shpërdorim dhe dëfrim, ai luks dhe shkëlqim, nevojiteshin pasuri të pasosura, plaçkitje të vazhdueshme, robër dhe pasuri njerëzore të shumta. Prandaj Roma bënte luftëra, themelonte koloni dhe kërkonte, me anë të kësaj rruge, të vazhdonte sundimin e saj mbi botën. Myslimanët e patën soditur këtë atmosferë, me tërë shëmtinë e saj, teksa triumfuan mbi Egjiptin. Tregje robërish si tregje mallrash… meshkuj e femra, të lidhur me zinxhirë, që ekspozoheshin të zhveshur para myshterinjve duke u mohuar çdo lloj dinjiteti dhe të drejte njerëzore… Pastaj, në mbrëmje, kthim në shtëpitë e pronarëve dhe fjetje nëpër izba e gjirize të ndyra, kurse, disa herë, kishte raste kur as kjo mundësi nuk u jepej. Dhjetëra e qindra vetë të shembur mbi njëri-tjetrin…Të gjitha këto patën qenë gjëra të papara e të padëgjuara për myslimanët. Kjo pati lënë mbresa të thella mbi ta. Dhe, ndërsa myslimanët, kudo që shkonin, përpiqeshin ta mjekonin këtë plagë me anë të parimeve të Islamit, perëndimorët e përvetësonin këtë trashëgim të shëmtuar të Romës dhe Egjiptit të Lashtë ashtu siç e gjenin, pa i bërë asnjë lloj retushi. Pastaj skllavi do të bëhej shërbëtor i agallarëve, do të rrihej për qejf të tyre, do të vriste e do të vritej vetëm e vetëm për qejf të tyre. Krejt ashtu siç patën bërë gladiatorët për të dëfryer romakët e poshtër e të ndyrë…

Së pari, Islami e pati pranuar skllavërinë si një fakt të kryer. Pastaj u pati kujtuar njerëzve se skllevërit nuk qenë as mall tregtie, as dëfrimi duke u tërhequr vëmendjen se edhe ata qenë njerëz sikurse të tjerët: “Ju jeni nga njëri-tjetri”[1]. Duke shpallur parime hyjnore të tilla si “Kush e vret skllavin e tij, edhe atë e vrasim, kush e burgos skllavin ose ia pret ushqimin, edhe atë e burgosim ose ia presim ushqimin, kush e tredh skllavin, edhe atë e tredhim”[2], Islami i pati dhënë orientim mendimit duke iu kundërvënë kategorikisht perversitetit. “Ju jeni të bijtë e Ademit dhe Ademi është prej dheu.”[3] “Dijeni se askush nuk ka epërsi mbi tjetrin: as arabi mbi joarabin, as edhe joarabi mbi arabin; as i bardhi mbi të ziun, as i ziu mbi të bardhin. Epërsia arrihet veç me adhurim dhe punë të mira.”[4] Me fjalë të tjera, e gjithë epërsia dhe merita e individit qëndronin në kuptimin e konsideratës së Krijuesit për njeriun dhe në rregullimin e qëndrimit dhe të sjelljeve të tij sipas konsideratës hyjnore. Sa e sa njerëz ka, që në saje të kësaj atmosfere të butë të Islamit, pas një të kaluare në skllavëri e mjerim, patën parë vazhdimisht respekt e konsideratë të lartë prej udhëheqësve e prijësve të Islamit. Duke e thirrur me apelativin zotëri zezakun Bilal, ashtu siç thërriste edhe Ebu Bekrin, i cili e pati çliruar Bilalin nga skllavëria, Omeri shprehte respektin e tij për njeriun ashtu siç ia kishte mësuar Islami. Islami i shihte ata brenda vëllazërimit universal dhe, para së gjithash, i urdhëronte: “Shërbëtorët dhe skllevërit tuaj janë vëllezërit tuaj. Çdo person që ka nën vete vëllanë, t’i japë për të ngrënë nga ajo që ha vetë, ta veshë me atë që vishet vetë. Të mos e ngarkojë dhe urdhërojë vëllanë për punë që nuk mundet t’i bëjë. Nëse i jep punë të vështira, patjetër ta ndihmojë atë.”[5] Askush nga ju të mos thotë “ky është skllavi im, kjo është mantenuta ime”. Të thotë “vajza apo djali, apo vëllai.”[6]. Nisur nga kjo konsideratë, kalifi i dytë, Omeri i nderuar, kur qe nisur nga Medina për në Jerusalem, për të marrë në dorëzim faltoren Mesxhidul Aksa, e pati përdorur me radhë devenë me shërbëtorin që e shoqëronte në atë udhëtim. Kur Osmani i nderuar ndodhej në krye të shtetit mysliman, për shkak se i kishte tërhequr veshin skllavit, e pati ndëshkuar veten në sy të popullit duke e urdhëruar skllavin që edhe ai t’ia tërhiqte veshin. Ndërsa Ebu Dherri ishte një tjetër shembull duke ndarë edhe veshjen e vet me shërbëtorin e tij…[7]

Me anë të të gjitha këtyre tregohej se edhe skllavi ishte njeri, madje një njeri krejt si të tjerët, pa asnjë ndryshim dhe, sakaq, arrihej e sigurohej etapa e parë e ndryshimeve që duheshin kryer në këtë “fakt të kryer”, para të cilit ishte ndodhur Islami. Në se do të duhej theksuar edhe një herë tjetër, ndryshimet në fjalë ishin një përmbysje e madhe për një shoqëri të virgjër përsa u përket ndjesive, e cila jetonte në qoshen më të mbyllur e të harruar të botës. Sepse, në një periudhë kur kombet dhe shtetet bashkëkohëse as nuk deshën të mendonin se skllavi mund të konsiderohej njeri, në antagonizëm me përleshjet e egra nëpër arena, me kërbaçët e pamëshirshëm nëpër vendet e punës dhe me përbuzjet e talljet ndaj asaj çka ishte njerëzore tek skllevërit, ndërgjegjes së përgjithshme i propozohej të pranonte qëndrimin dhe sjelljen më të plotë, më të qëndrueshme e më pozitive.

Ky trajtim pozitiv dhe dobiprurës pati ndikimin e vet të veçantë edhe mbi skllevërit. Megjithëse skllavi rifitonte të drejtën për t’u quajtur njeri në saje të parimit të barazisë dhe zinte vend pranë të zotit, madje megjithëse fitonte lirinë dhe lihej i lirë, nuk dëshironte të largohej nga i zoti. Kjo situatë e nisur me Zejd bin Harithin, skllavin që gruaja e Tij e parë, nëna e besimtarëve, Hatixheja, ia kishte dhuruar Profetit, qe përsëritur edhe në raste të tjera. Megjithëse Profeti (alejhi selam) ia pati dhënë lirinë Zejdit dhe e pati lënë të lirë të rikthehej tek i ati, ai pati parapëlqyer të vazhdonte të qëndronte pranë Profetit. Pas tij kështu patën vepruar edhe një sërë skllevërish të tjerë. Sepse ata patën përjetuar një trajtim aq të mirë e të ngrohtë, saqë zotërinjtë e tyre i quanin si pjesëtarë të familjeve të veta. Po ashtu mendonin edhe zotërinjtë dhe përpiqeshin të respektonin të drejtat e tyre me korrektësinë më të imtësishme. Në fakt, zotërinjtë as që mund të vepronin ndryshe, sepse, edhe nëse atë ditë do të tregoheshin si pronarë ndaj skllevërve, nuk dihej se si mund të ndryshonin punët të nesërmen, pasi edhe parimet ishin shumë të ashpra dhe të afta për ta mbajtur në këmbë mendësinë e re: “Kush e vret skllavin e tij, edhe atë e vrasim, kush e burgos skllavin ose ia pret ushqimin, edhe atë e burgosim ose ia presim ushqimin”.[8] Para masave të tilla ndëshkuese, zotëria ishte i matur e i kujdesshëm, kurse skllavi mjaft i sigurt. Të gjitha këto ishin ngjarje të mëdha, të pashembullta në historinë njerëzore të së kaluarës, që gjithashtu s’do të kishin shembull as në historinë e së ardhmes e që përbënin, në lidhje me skllavërinë, etapën e parë të atyre çka pati sjellë Islami.

Lexo  Ç’ndodh me shpirtin pas vdekjes së njeriut?

Etapa e dytë qe çlirimi i skllevërve. Liria për qenien njerëzore është esenciale. Skllavërimi i një njeriu i cili në origjinë është i lirë, teksa liria përbën esencën e ekzistencës së tij, konsiderohet ndër gjynahet, mëkatet e mëdha, kurse përdorimi i të ardhurave të përftuara me këtë rrugë dhe përfitimi prej tyre janë kategorikisht haram, të ndaluara. Krahas dënimit të çdo sjelljeje apo akti që prek lirinë e njeriut, Islami ka miratuar edhe çdo ndërmarrje në shërbim të lirisë. Çlirimi përgjysmë i një skllavi apo robi është konsideruar për çliruesin si shpëtimi i gjysmës së trupit të vet nga zjarri i përjetshëm, kurse çlirimi i plotë është konsideruar sigurim për të gjithë trupin. Në Islam, çlirimi i skllevërve është një çështje për hir të së cilës është ngritur një flamur. Islami e quan, në një vend, atë, si një detyrë, në një vend tjetër, si një virtyt; diku e nxit e diku tjetër hap rrugën drejt tij me anë të marrëveshjeve mes zotërisë dhe skllavit.

Edhe zelli më i dukshëm, që bie në sy më shumë, i treguar në këtë specifikë, ashtu si edhe çdo zell tjetër, prapë me Islamin pati nisur dhe me atë pati gjetur vazhdim. Fakti që Profeti ynë (a.s.) dhe Ebu Bekri i nderuar (r.a.) patën marrë robër për t’i çliruar, zelli që patën treguar dhe pasuria që patën shpenzuar ata për këtë qëllim, janë gjëra që të gjithë i dimë.

Kjo veprimtari e zhvilluar në krye të herës me anë të pasurive personale të individëve, më pas qe marrë në dorë nga vetë shteti duke u quajtur si një ndër detyrat e tij. Profeti (a.s.), p.sh., u pati premtuar robërve që dinin të lexonin se do t’ua falte lirinë me kusht që t’u mësonin shkrim e këndim nga dhjetë fëmijëve, dhe e pati bërë këtë gjë në një kohë kur ai vetë me pasuesit e tij rropateshin në kushte mungesash shumë të mëdha ekonomike. Më pas, veçanërisht në periudhën e Omer b. Abdulazizit, kjo ishte gjetur si një nga vendet ku mund të shpenzohej zekati, dhe duke paguar parà nga thesari, qenë çliruar me dhjetëra e qindra robër e skllevër që vinin grupe-grupe nga të gjitha anët. Përveç kësaj, gabimet në disa detyra fetare, disa shmangie virtyti në sjellje dhe një pjesë aktesh të konsideruara si mëkat, vazhdimisht ngarkoheshin me përgjegjësinë për të çliruar robër e skllevër në dëmshpërblim të atyre gabimeve a mëkateve të kryera.

Në shkeljen e betimit, në aktin e dënueshëm të quajtur “dhihar[9], si dhe në krimin e vrasjes, gjithmonë këshillohej çlirimi i një robi apo skllavi. “Kush vret pa dashje një besimtar, ndëshkohet me çlirimin e një skllavi dhe me pagesën e një dëmshpërblimi në të holla njerëzve të të vrarit.”[10]

Meqë një vrasje prek edhe shumë aspekte shoqërore krahas atyre individuale dhe familjare, ashtu siç përbën dëmshpërblimi në të holla një grimë lumturie për njerëzit e të vrarit, edhe çlirimi i një robi apo skllavi, pra, i një individi konsiderohet si pagesë e një të drejte për shoqërinë, në përmasat e përftimit për të të një individi të lirë. Dhe sipas këtij konceptimi juridik, çlirimi i një njeriu si kundërvlerë e vrasjes së një tjetri, është parë, pothuajse, si një akt ringjalljeje.

Përveç këtyre, në Islam, skllevërit çlirohen me anë të modaliteteve juridike të quajtura “mukatebe” dhe “tedbir”. Modaliteti i parë konsiston në çlirimin e skllavit apo robit me kusht në bazë të një marrëveshjeje të caktuar me shkrim midis pronarit dhe skllavit apo robit. Një kusht mund të jetë pagimi i një shume të caktuar ose i një sasie të caktuar malli. Kështu, personit të robëruar i hapet rruga e çlirimit dhe ai fiton, qysh në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes, statusin e “palës”, për rrjedhojë, statusin e një njeriu të lirë. Nga shprehja e hapur e Kuranit, lidhur me këtë tematikë, kuptojmë se, pasi zotëria të pranojë propozimin e skllavit apo robit lidhur me kushtet e çlirimit të tij, pengesë për çlirimin mbetet vetëm sjellja e parave ose mallit të caktuar. Ndërsa modaliteti i dytë është çlirimi me premtim; i kushtëzuar, p.sh., me vdekjen e pronarit ose me ndonjë ngjarje tjetër. Kështu, nëse pronari i premton robit ose skllavit “pas vdekjes sime je i lirë”, rruga e lirisë për të është e hapur. Kurse çlirimi me qëllim sevapi, bamirësie, zë një vend më të gjerë se çdo përshkrim tjetër. Në të kaluarën, ashtu siç ka pasur periudha kur janë çliruar skllevër apo robër në grupe prej qindra vetash, madje pa asnjë kusht, vetëm duke shpresuar ndihmën dhe mbështetjen e Zotit, është praktikuar edhe dhënia e lirisë me rastin e muajve, ditëve e netëve të bekuara.

Në këtë mes, mund të thuhet kështu: Sado që të ketë përparime në çlirimin e skllevërve e në trajtimin njerëzor të tyre, edhe sikur të gjithë të çlirohen përnjëheri, prapëseprapë skllavëria mbetet në fuqi, ligjet nxirren sipas kësaj si dhe trajtimi i kësaj çështjeje në librat e drejtësisë bëhet sipas këtij statusi juridik, gjë që s’është tjetër veçse pranimi i skllavërisë. Nuk mund të mendohet e të pranohet se si Islami, që hoqi dhe zhduku shumë zakone, vese e shprehi të këqija që patën zënë rrënjë të thella në qenien e njeriut, të mos e heqë dot skllavërinë. Fakti që Islami nuk e hoqi skllavërinë ndërsa mund të hiqej, a nuk mund të interpretohet si nënvleftësim i saj?

Para së gjithash, duhet të dihet se jo vetëm që nuk qe Islami ai që e nxori dhe e zbatoi skllavërinë, por as ai që e mbrojti apo i dha asaj vazhdimësinë. Skllavëria është një institucion i krijuar prej shteteve e kombeve si pasojë e luftërave të zhvilluara. Për sa kohë që do të vazhdojnë luftërat mes shteteve – dhe, po s’e ndërroi njerëzimi natyrën e vet, do të vazhdojnë gjer në ditën e kiametit – asnjë komb nuk do t’ia dalë dot mbanë i vetëm t’ia presë udhën robërisë e skllavërisë.

Dhe tani le të mendojmë kështu: hymë në luftë me një shtet, aty disa prej tyre u zunë robër nga tanët, po ashtu edhe ne zumë robër nga të tyrit. Ekzistojnë disa mënyra trajtimi të këtyre robërve:

1. Ekzekutimi i të gjithë robërve, siç ndodh në disa administrata mizore.

2. Mbajtje në kampe robërish duke u bërë një trajtim të caktuar.

3. Krijimi i mundësive që të kthehen nëpër vendet e veta.

4. Shpërndarja e besimtarëve duke i konsideruar ata si një plaçkë lufte.

Tani le të qëndrojmë mbi këto alternativa, një e nga një:

1. Së pari, cila ndërgjegje është njëmendëse që t’u kalohen kryet nën tehun e shpatës në mënyrë të pamëshirshme meshkujve e femrave, fëmijëve e të moshuarve? Megjithëse kanë kaluar shekuj nga ajo kohë, krimi mbi kartagjenasit e tregon ende veten si një njollë e turpshme në ballin e romakëve dhe të pasardhësve të tyre. Vrasja e rreth shtatëdhjetë mijë hebrenjve dhe shkatërrimi i tempullit të Jerusalemit nga ana e mbretit babilonas Buhtunnasir, dhuna dhe padrejtësitë e faraonëve janë nga peizazhet e mbushura me mizori që faqja e Historisë nuk ka si ta lejojë fshirjen e tyre. Ç’nevojë ka që të shkojmë kaq larg? Ato që ngjanë në Ballkan pas largimit tonë, tridhjetë mijë kurbanë të grirë në Rusi, miliona vetë të vrarë nga nazistët; a mund të tregohet një njeri që do t’i shihte të gjitha këto si diçka të natyrshme?

2. As neveria e kampeve të robërve nuk qëndron pas. Shekulli i njëzetë është bërë dëshmitari i trajtave më të shëmtuara të kampeve të robërimit. Që të gjitha kampet e robërve në Ballkan, veçanërisht kampi i Edirnesë, janë të mbushura me akte të neveritshme dhune, para të cilave, fiseve të egra është për t’u kënduar këngë mëshire. Amerikanët ankohen për kampet e japonezëve. Por po qe se do të shihnin se si në kampin e Edirnesë grave u priteshin gjinjtë, dhe se si ato prekeshin në nder, se si braktiseshin për vdekje meshkujt duke i detyruar të hanin lëkura drurësh, të shihnin dhunën e ushtruar mbi fatkeqët në Azerbajxhan dhe Rusi, do t’i quanin shumë të lehta ato ç’kishin hequr prej japonezëve dhe ç’u kishin punuar edhe ata vetë atyre. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe Europa, edhe Azia i pa dhe i jetoi kampet e robërve në trajtat e tyre më të dhimbshme. Kjo do të thotë se provimi dhe praktikimi i kësaj rruge në lidhje me trajtimin e robërve s’është gjë tjetër veçse një egërsi dhe vandalizëm që s’është e mundur kurrsesi të ketë të bëjë me maturinë dhe njerëzinë.

3. E presim me miratim një rrugë njerëzore siç është kthimi i robërve nëpër vendet e tyre. Mirëpo, nëse armiqtë nuk na i kthejnë robërit e zënë prej tanëve, por na i vrasin, kjo do të ishte pabesi ndaj njerëzve tanë. Sidomos nëse mendojmë se robërit e liruar do të kthehen nëpër vendet dhe njësitë e tyre ushtarake me një pjesë informacionesh të marra tek ne, dhe ndërsa armikut do t’i japim mundësi të njihet me strategjinë tonë, gjë që do të shkaktojë rënie morale brenda radhëve të ushtrisë sonë, armiku do të marrë zemër dhe do të kalojë më me guxim në kundërsulm. Një kthim robërish mund të bëhet vetëm me marrëveshje të dyanshme, metodë kjo, e praktikuar shpesh si në të shkuarën, ashtu edhe në ditët e sotme. Kjo mund të përdoret edhe në të ardhmen duke i parandaluar dëmet njerëzore deri në një masë të caktuar.

4. Pas gjithë këtyre, e fundit mbetet rruga e ndarjes së robërve mes familjeve të atyre që kanë marrë pjesë në luftë. Edhe Islami, këtë rrugë ka zgjedhur për trajtimin e robërve të përkohshëm. As vrasje, as asgjësime në masë. As kampe përqendrimi bashkë me dhunën karakteristike të ushtruar në to, as ndonjë rrugë tjetër që do t’i jepte guxim armikut. Një rrugë kjo, krejt e ndryshme nga gjithë të tjerat dhe ndoshta, e vetmja që i ka hije qenies njerëzore.

Lexo  Cila mund të jetë arsyeja që shpallja e parë e Kuranit nis me urdhrin “lexo!”?

Çdo rob, në familjen e myslimanit, do të gjejë mundësinë të shohë me sytë e vet se ç’është e drejta, e bukura dhe e mira. Në saje të trajtimit dhe sjelljes njerëzore të treguar ndaj tij, do t’i fitohet zemra. Me të vërtetë, mijëra shembuj janë dëshmitarë se kështu ka ndodhur. Pas një farë kohe, robit i jepet liria dhe të gjitha të drejtat nga të cilat përfitojnë myslimanët. Me këtë rrugë dhe mënyrë trajtimi janë përgatitur me mijëra njerëz të mrekullueshëm. Merrni që nga Nafiu, shejhu i imam Malikut, e gjer te persona të tillë si Tavus bin Kejsani dhe Mesruku e do të shihni se si nga radhët e atyre robërve të çliruar, është përgatitur një shtresë e madhe “meualinjsh”[11], zotërinjsh e dijetarësh.

Krahas kësaj, ne, këtë praktikë e quajtëm të përkohshme, sepse, edhe sikur kjo lloj praktike të përsëritej vazhdimisht dhe në mënyrë qarkulluese, fakti që liria në Islam është parësore dhe thelbësore, shumëllojshmëria e rrugëve prej të cilave përfitohet për çlirimin nga robëria dhe inkurajimet që bën feja në lidhje me këtë çështje duke këshilluar rrugë të ndryshme, tregojnë se robëria dhe skllavëria janë dukuri jo të pashmangshme, por dytësore, të paskrijuara dhe artificiale. Por ç’e do se gjer në çastin kur të gjitha shtetet e botës do të arrijnë të bien në një mendje për këtë gjë, skllavëria, dhe robëria si një variant i saj, do të vazhdojnë të prodhohen dhe të zbatohen në ato joislame. Kurse konkluzionet e nxjerra dhe vendimet e marra në këtë fushë nga ana e Islamit, si i vetëm, do të mbeten të kufizuara vetëm brenda kuadrit të bashkësisë së vet. Islami e ka thënë fjalën e vet dhe i ka parashtruar parimet e veta. Ata që tregojnë zell për të siguruar paqen mbarënjerëzore, janë përgjegjës vetëm për të përgatitur bazën praktike për zbatimin e këtyre parimeve në shkallë botërore. Fundja, kjo është një nga specifikat që ka marrë në dorë Islami për ta reformuar dhe rregulluar, që, gjithashtu, tregon rrugën për të dalë nga një situatë nga më të egrat e çnjerëzoret, në dobi, bekim dhe bukuri. Njëkohësisht u tregon administratorëve të ardhshëm të shtetit specifikat të cilat kapërcejnë kufijtë e tyre.

Një specifikë tjetër, brenda kësaj tematike, është fakti që të gjithë individët e bashkësisë sonë nuk janë të formuar plotësisht në kuptimin islam të kësaj fjale. Në fakt, feja jonë nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për ta ngritur çdo individ në nivelin e engjëllit. Ashtu siç ka pasur individë që janë lartësuar e bërë engjëj duke u lidhur fort pas parimeve të saj të shenjta, janë gjendur e do të gjenden edhe shpirtra të palatuar që s’kanë mundur të kapërcejnë as vetveten, si dhe do të shihen edhe të meta e mangësi në çështje të veçanta e të detajuara. Ja pra, në këtë tip njerëzish do të vihet re dëshira për ta mbajtur gjallë skllavërinë dhe do të mund të shihen ata të qëndrojnë, lidhur me këtë, pranë të tjerëve, jo nga radhët tona, domethënë pranë kombeve që prodhojnë e do të prodhojnë skllavërinë e robërinë.

Tani mbeti vetëm një çështje, ajo që në periudha të caktuara, kur janë njohur dhe kanë ekzistuar rrugët për t’i çliruar robërit e skllevërit, për një kohë të gjatë në duar të myslimanëve janë gjendur robër e skllevër. Dhe kjo duket si kontradiktë mes gjërave të thëna dhe atyre të zbatuara në praktikë.

Po, qysh në shekullin e parë të historisë së Islamit shohim se, në periudha të caktuara, myslimanët e kanë zbatuar institucionin e skllavërisë. Por, në fakt, këtu kanë luajtur rol dy shkaqe dhe faktorë tejet seriozë. Njëri prej këtyre ka lidhje me zotërinjtë, kurse i dyti, me skllevërit. Ashtu siç e preka edhe pak më parë, Islami, në praktikë, sigurimin e njeriut të përsosur e trajton të lidhur me vullnetin dhe lirinë që ekziston tek vetë njeriu. Për rrjedhojë, individët me mangësi dhe të meta nuk do të mundin t’i kryejnë pa të meta një pjesë punësh ashtu siç i kryejnë njerëzit plotësisht të formuar, të mbështetur, në këtë formim, nga vullneti i tyre i lirë. Ja pra, deri në çastin kur njerëz të tillë, të mangët e të metë, të formohen me anë të edukatës muhamedane, do të jetë normale, të paktën deri në njëfarë mase, që çështja në fjalë të mos gjejë zbatimin e saj të plotë. Atëherë mbetet të themi se përpjekja për ta njollosur Islamin, duke zgjedhur si pretekst ndjenjat dhe jetesën kafshërore të katër-pesë të hutuarve, është padrejtësi dhe mungesë maturie njëkohësisht.

I dyti ka lidhje me vetë skllevërit. Edhe në këtë rast, zbatimi praktik që bën Islami, është origjinal dhe brenda kritereve që pranojnë veçantitë e natyrës njerëzore. Myslimanët e parë i kanë trajtuar skllevërit me anë të parimeve edukuese duke vënë si synim që t’i bëjnë ata të besojnë se janë njerëz, që të asgjësojnë tek ata egërsinë ndaj lirisë, që t’u tregojnë atyre rrugën për të ngritur familje e për t’i mësuar me jetën.

Zakonet dhe veset krijojnë tek njeriu një natyrë të dytë. Eliminimi i kësaj natyre të dytë dhe rikthimi në gjendjen e mëparshme është aq i vështirë sa ç’është edhe zbutja e një kafshe të egër. E tillë është edhe skllavëria kur njeriu mësohet me të duke iu kthyer sakaq në një natyrë të dytë. Skllavëria është një shformim i natyrës tek njeriu, është një denatyrim. Korrigjimi i tij kërkon kohë të gjatë. Ja pra, ky ka qenë problemi i myslimanëve teksa kanë mbajtur skllevër.

Çdo mysliman, duke e marrë nën mbrojtje e duke i thënë “vëlla” skllavit të vet, e ka mësuar atë dhe e ka përgatitur që të punojë, të fitojë i pavarur, po ashtu të ngrejë folenë familjare dhe të qeverisë familjen, e pastaj, nëse nuk është parë e dëmshme ose nëse është shpresuar për të mirë, ia ka rikthyer atij lirinë.

Në se ata njerëz me aftësi dhe mundësi të verbuara do të lëshoheshin të lirë mes shoqërisë pa i përgatitur qysh më parë ashtu siç sapo u përshkrua, do të mbeteshin të shtangur, si peshq akuariumi ose zogj kafazesh, para strukturës së ndërlikuar të shoqërisë dhe do të mbërtheheshin nga ndjenja e rikthimit dhe dëshira për gjendjen e mëparshme, gjë që nuk do të përbënte asnjë lloj dobie në emër të tyre. Me të vërtetë, shumë skllevër injorantë, para ligjeve të jetës, më vonë janë sjellë dhe kanë vepruar ashtu siç është dëshiruar. Heqja e plotë dhe e menjëhershme e skllavërisë nga ana e Abraham Linkolnit pati përfunduar me rikthimin e skllevërve të çliruar te zotërinjtë e tyre të mëparshëm. Zaten as që mund të mendohet se mund të ndodhte ndryshe.

Një njeri që ka jetuar një pjesë të jetës ose tërë jetën si rob, është mësuar të marrë vazhdimisht urdhra. Ndoshta ka ndodhur edhe që të nxjerrë në shesh punë mjaft të mira, vetëm se, meqë është drejtuar nga jashtë sikur të ishte një makineri, si një automat, edhe nëse ndodhet në një moshë të pjekur, nga ana mendore është në nivelin e një fëmije. Ai ka nevojë të pashmangshme për të qenë pranë dikujt tjetër që e njeh jetën dhe që është i hapur ndaj jetës, me qëllim që të mësohet e të edukohet, me qëllim që të mësojë jetën me të gjitha ligjet e saj. Dhe kjo specifikë është e efektshme, jo vetëm për skllevër që kanë humbur lirinë e tyre, por ndihet, ndoshta, edhe në shumë shtete e vende të kthyera në koloni dhe të shfrytëzuara për një kohë të gjatë. Po, me të vërtetë, nëse këtyre kombeve nuk u jepet edukatë për një kohë të gjatë dhe nuk u ripërftohet personaliteti dhe sedra vetjake, nuk do të mund të shpëtojnë nga vartësia shpirtërore ndaj shteteve e kombeve të huaja e nga duartrokitja e tyre. Madje, mund të them se t’u ripërftosh vetëdijen personale kombeve që e kanë humbur personalitetin, është tepër më e vështirë se sa t’u mësosh skllevërve se janë njerëz…

Ja pra, Islami e pati nisur punën duke i ripërftuar skllavit egon, vetëdijen njerëzore. I pati sjellë ekuilibrin shpirtit të çekuilibruar të tij, i pati shtruar në zemër kuptimin dhe pasionin e lirisë, e pati sjellë gjer në atë moment sa t’i thoshte “kërkomë, të të jap”. Mandej e pati lëshuar në jetë. Përgatitja dhe çlirimi i skllavit Zejd bin Harithe, martesa e tij më pas me një femër të fisme, dhe, , emërimi më tej, i tij, si komandant i një ushtrie islame ku merrnin pjesë persona të shquar të udhëheqjes së Islamit, s’janë gjë tjetër veçse ndjekja hap pas hapi e një qëllimi të planifikuar sipas disa etapave të caktuara.

Fakti që zezaku etiopas, Bilali i nderuar (r.a.) pati zënë vend në radhët e para, që skllavi i Hudhejfes, Salimi (r.a.), arriti të kishte, në sy të myslimanëve, një pozitë për t’u lakmuar, që Selman Farisiu qe konsideruar nga radhët e familjes së të Dërguarit të Allahut, janë shembuj të gjallë se ç’ndryshim pati pësuar gjendja e skllevërve në Islam, në shtëpitë e në mjediset myslimane. Këta shembuj mund t’i shumëzojmë me qindra. Mirëpo po e pres shkurtazi me mendimin se përgjigjet e vëllimshme e sforcojnë ndërtimin e formës pyetje-përgjigje.

Përmbledhtazi mund të themi se skllavërinë nuk e krijoi Islami; përkundrazi, Islami iu vu punës për ta rregulluar dhe tregoi rrugët për ngushtimin dhe eliminimin e saj. Po qe se s’do të ekzistonin robërit si mbeturina të luftërave si dhe nxitja dhe mbarështrimi i kësaj prej një pjese shpirtrash të mjera, kurrsesi s’do të mund të gjallonte skllavëria – në trajtën e kritikuar të saj – pjesë e trupit të lartë të Islamit. Edhe për skllavërinë që i pati dalë para në mënyrë të pashmangshme, Islami pati nxjerrë rregulla e ligje, duke e shpëtuar atë prej mjerimit materialo-shpirtëror, prej dhunimit dhe fatkeqësisë, qe orientuar kah bukuria absolute, kah dobia dhe bekimi absolut.

Sot, kur skllavëria individuale është eliminuar pas iniciativës së Islamit, po i jap fund fjalës sime me dëshirën dhe urimin që edhe skllavëria e kombeve dhe e shteteve një ditë do të zhduket njëherë e përgjithmonë.


[1] Sureja Nisa, 25.

[2] Ebu Davud, dijat 7; Tirmidhi, dijat 16; Hakim, el Mustedrek 4/408.

[3] Ebu Davud, edeb 120.

[4] Muslim, imaret 36; Tirmidhi, xhuma 80, xhihad 28.

[5] Muslim, ejman 29; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 5/161.

[6] Muslim, elfadh 3; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 2/484.

[7] Ebu Avane, el Musned 4/72; Bejhaki, Sunen 8/7.

[8] Ebu Davud, dijat 7; Ibn Maxhe, dijat 23; Nesaiu, kasem 10.

[9] Dhihar: Përngjasimi që i bën burri gruas së vet me nënën, motrën apo vajzën e vet me të cilat ai s’mund të martohet, p.sh.: “Të kam si nënën time”. Islami e ka ndaluar këtë përngjasim, e ka quajtur faj dhe këtë faj e ka dënuar me gjobë.

[10] Sureja Nisa, 92.

[11] Meualinjtë (Arabisht: موالي‎) është një term që në arabishten klasike përdoret për të shenjuar myslimanët joarabë.

Ndajeni me miqtë tuaj...