ilmihali

Librat e kaluar, Ungjilli, Tevrati e Zeburi (Psalmet), megjithëse kanë të njëjtin burim hyjnor, në ditët tona janë deformuar aq shumë dhe fjala e njeriut është përzier aq shumë me fjalën e Zotit, sa tashmë është e pamundur të gjendet e vërteta dhe të ruhet destinacioni i idealeve duke u bazuar në normat e tyre të tanishme. Rrjedhimisht, edhe tablotë e shëmtuara që paraqiten aty, janë të papranueshme edhe për njerëzit e rëndomtë, jo më për profetët, sepse në themel të tyre qëndron shtrembërimi konceptual që u është bërë këtyre librave. Mund ta shprehim edhe kështu: edhe nëse nuk faktohet dot asnjë e dhënë tjetër për shtrembërimin që u kanë bërë njerëzit atyre librave, tablotë e mbushura me shpifje e me mëkate, me të cilat ata paraqesin profetët, janë një fakt i mjaftueshëm për këtë gjë.

Allahu (xh.xh.) nuk ka dhënë asnjë garanci për ruajtjen dhe mbrojtjen e përjetshme të këtyre librave, sepse vlefshmëria e tyre kohore është e kufizuar. Kurse për Kur’anin, thotë kështu:

“Vërtet, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe Ne do ta ruajmë atë me siguri.” (Hixhr 15/9),

duke shprehur kështu referencën hyjnore në mbrojtjen e ruajtjen e Kur’anit. Duke u bazuar në këtë fakt, është pranuar me konsensus nga të gjithë dijetarët se normat e Kur’anit do të jenë në fuqi deri në fund të botës. Ai libër është i garantuar. Duke u bazuar te kjo, burimi themelor dhe më i saktë për të vërtetat rreth profetëve është Kur’ani. Librat e Kaluar, të cilët kanë pësuar një sërë ndërhyrjesh e ndryshimesh nga njerëzit, është afërmendsh që të përbëjnë një referencë të saktë me shprehjet që përmbajnë në lidhje me profetët, për sa kohë që nuk vërtetohen nga Kur’ani. Aq më tepër pafajësia e profetëve, e cila është një temë delikate, krejtësisht hyjnore dhe nuk pranon as edhe ndryshimin më të vogël nga dora e njeriut. Këto janë çështje që i përkasin të kaluarës, ndaj janë të panjohura, për aq sa nuk i bën të ditura Zoti, ndaj në lidhje me to, e drejta e fjalës u përket vetëm profetëve, të cilët flasin të bazuar në shpallje dhe aspak njerëzve të rëndomtë. Ndaj dhe pas Profetit tonë, askush nuk mund të shtojë as edhe një presje në lidhje me këtë temë, sepse ai i ka thënë të gjitha ç’janë për t’u thënë. A nuk ia ka lënë edhe Profeti Isa fjalën atij duke thënë: “Unë po shkoj, se do të vijë zotëria i botërave”?

Përshkrimi e trajtimi që i bën Perëndimi kësaj çështjeje, mua personalisht nuk më duket aspak i këndshëm. Vetëm se jam i detyruar këtu të jap disa shembuj nga këta libra, tashmë janë tepër larg origjinalit, që të formojmë një ide më të saktë për temën, ndaj dhe kërkoj falje për këtë nga personaliteti i lartë shpirtëror i atyre profetëve të kulluar. Më pas, sidoqoftë, do të paraqesim shembujt e saktë të Kur’anit në lidhje më këtë çështje.

  • Shpifjet që janë hedhur mbi profetët në Librat e Kaluar

Në faqen 228 të Gjenezës, shkruhen shpifje të tilla të shëmtuara, sikur profeti Lut ka pasur marrëdhënie incesti me vajzat e veta, se ka pirë e ka mëkatuar dhe se gjenerata e tij ka vazhduar nëpërmjet vajzave të tij. Mendoni, Sodoma e Gomorra janë bërë një me tokën se nuk i kanë vënë veshin thirrjes së këtij profeti. Ky profet ishte një përmendore morali e virtyti, që ua kishte dërguar Zoti për t’i sjellë në rrugë të mbarë, porse ata vetëm e kishin tallur e përqeshur. Ndaj dhe u ndëshkuan si popull.

Lexo  Qëllimi i dërgimit te profetëve

 A nuk janë fakt i moralit të kulluar të Profetit Lut, që është nipi i Profetit Ibrahim (a.s.), gërmadhat e muret e shkatërruara të atij qyteti që u varros nën tokë? Tani, si mund ta pranojmë si libër hyjnor atë tekst që përmban të tilla shprehje?

Sërish në kreun e 38 të Gjenezës, në faqen 228, flitet për Jahozën, birin e Profetit Is’hak, i cili gjithashtu mendohet të ketë qenë profet. Sipas këtij teksti, Jahoza ka mëkatuar me nusen e djalit të vet dhe Profeti Davud, Sulejman e gjithë soji i profetëve të tjerë të Izraelit, e kanë zanafillën te kjo marrëdhënie e shëmtuar. Padyshim që kjo fyerje e hedhur mbi gjithë gjeneratën e profetëve, nuk është veçse një gënjeshtër e shëmtuar. Profeti ynë e ka deklaruar se soji i tij, që nga profeti Adem (a.s.), ka rrjedhur i pastër dhe gjithmonë brenda kurore. Në një tjetër hadith, Profeti ka thënë: “Që të gjithë profetët janë bij të të njëjtit baba”. Përderisa prejardhja e Profetit tonë është krejtësisht e kulluar dhe soji i tij është përcjellë gjithmonë brenda kurore, ky është një rregull që vlen edhe për profetët e tjerë. A nuk është Profeti Muhamed (a.s.) nga nipërit e Profetit Ibrahim (a.s.)? Edhe Jahoza, për të cilin flitet, është nip i Profetit Ibrahim. Në degët fisnore të këtyre profetëve, tradhtia nuk ka vend…

Mendoni që, kur ka edhe persona të tjerë, nuk këshillohet që namazin ta drejtojë dikush që ka lindur nga marrëdhëniet jashtëmartesore367. Po si mund të pranohet atëherë që një person i tillë të jetë prijës e profet për gjithë njerëzimin? Kjo është larg mendsh!

Në kreun e 11 të Gjenezës, thuhet për Profetin Sulejman se nga fundi i jetës së tij, ai është kthyer nga besimi i tij, ka mohuar Zotin dhe i është drejtuar sërish idhujtarisë. E kush, Profeti Sulejman! Ai të cilit Zoti i ka dhuruar mbretëri në këtë botë e në botën tjetër! Ai, i cili ka adhuruar Zotin ditë e natë, e ka shtuar falënderimin e përkushtimin e tij përballë çdo mirësie të Zotit, çdo çast e më tepër, ashtu siç i shkon atij!

Profeti Isa në Kur’an cilësohet Ruh-ul Kudus – i lindur me frymën e shenjtë hyjnore*, profeti Musa cilësohet Kelimullah – njeri që Zoti i ka folur drejtpërdrejt**. Kurse Profetit Davud dhe familjes së tij, Zoti i drejtohet kështu:

“O familja e Davudit! Falënderoni Zotin ashtu si ju ka hije!”, duke i cilësuar pjesëtarët e asaj familjeje me epitete të veçanta.

Në Dhiatën e Vjetër tregohet se si Davudi vret njërin prej komandantëve të ushtrisë së vet dhe i merr gruan. Tani mendoni vetë se sa hyjnor është ai libër, që i vesh Profetit Davud – i cili në Kur’an cilësohet Ni’me-l abdnjë rob i mrekullueshëm – (Sad 38/30) këtë sjellje kaq të pahijshme, sa edhe në ëndërr ta shohë një njeri i zakonshëm, i del gjumi e i kthehet menjëherë pendesës. Ndërsa të pranosh si të saktë qoftë edhe një grimcë të këtyre shprehjeve, do të thotë të mos dish ç’është profeti dhe të mos kesh idenë se ç’përmbledh misioni i profetësisë.

Profeti Davudi (a.s.), njeriu që lotët i kanë bërë vraga në fytyrë! Profeti Davud, që kur njerëzit vinin në kuvendet e tij, i linte zemra kur dëshmonin dashurinë e marrëdhënien e tij hyjnore. Ai mallëngjehej dhe mallëngjente, qante dhe i bënte të gjithë të qanin… Ai rënkonte… gjithmonë kishte një psherëtimë në buzë, gjithmonë kishte një rënkim në shpirt…

Lexo  Pafajësia përveç profetëve

As dhe për një çast të vetëm ai nuk e kishte ndarë vështrimin nga Zoti i vet. Adhurimi ishte boshti e qëllimi i jetës së tij.*

Profeti e vlerësonte dhe e këshillonte mënyrën e tij të agjërimit si më të virtytshmen. Shokëve të tij, që kërkonin të agjëronin në mënyrën më të përsosur, ai u këshillonte të agjëronin si Profeti Davud (a.s.). Ai një ditë agjëronte, një ditë hante.

Ai ishte mbret. Në duart e tij ndodhej gjithë thesari i një shteti mjaft të pasur. Por ai as nuk e çoi nëpër mend të merrte për vete qoftë edhe një kafshatë nga prona e shtetit. Edhe pse mbret, ai vazhdoi profesionin e vet dhe ushqeu familjen me ato që fitonte me duart e veta. Tani përfytyroni një profet, që cilësohet përmendore adhurimi, që kujdeset edhe për kafshatën e gojës që ta ketë të pastër, të cilit i mvishen sjellje të tilla, kaq të ulëta, kaq të neveritshme. Edhe imagjinata e atij profeti të lartë është aq e pastër, sa nuk e pranon as për një çast, sa nuk e prodhon dot një mendim të tillë! Jo më ai vetë, personalisht, të kryejë një diçka të tillë! Më tej, mes hipotezave të papërfytyrueshme të Dhiatës së Vjetër, hasim edhe këtë fragment absurd:

Israeli u kacafyt me Zotin dhe e mundi Atë”.

Israeli është Profeti Jakub (a.s.). Filozofia materialiste perëndimore ka arritur gjer atje, sa me mendjen që i ka rënë veç te sytë, e sheh Zotin – mos qoftë thënë – si një qenie njerëzore, që bën ndeshje me profetët.

I nderuari Hamza ende nuk e kishte pranuar Islamin, kur një ditë vjen te Profeti e i thotë një fjalë, që i jep më së miri përgjigjen e duhur këtyre dogmave.

“O bir i tim vëllai! Kur tërhiqem krejt i vetëm nëpër shkretëtirë, atëherë e kuptoj se Zoti është aq i madh, sa nuk hyn dot mes katër mureve”.

Tani imagjinoni një libër hyjnor, që nuk ka arritur ende nivelin e vetëdijes së Hz. Hamzait, i cili ia thotë këta fjalë profetit pa hyrë akoma në Islam. Si mund të jetë hyjnor ai libër, që paraqet një ide kaq shterpë rreth Zotit?

(Edhe Ungjilli, edhe Tevrati janë plot me shpifje e me shtrembërime edhe mbi Allahun (xh.xh.) edhe mbi robtë e Tij më të çmuar, profetët. Njëri syresh është burim shpifjesh, tjetri, rrjet shtrembërimesh. Kur’ani Famëlartë i hedh poshtë të gjitha fyerjet që u janë bërë profetëve dhe urdhëron bindje e respekt ndaj të gjithë atyre, pa asnjë përjashtim. Kur’ani e bën këtë urdhëresë për faktin se ata që të gjithë janë prijës e udhërrëfyes që duhen ndjekur nga çdo aspekt. Secili profet është një pasqyrë, ku reflektohet kënaqësia e miratimi i Zotit. Në ta është e pamundur të gjendet qoftë një grimcë pluhur, qoftë çfarëdo lloj papastërtie. Ja, ky është koncepti për ta në Kur’an dhe ky theksohet kur shpjegohen ata ose kur urdhërohet Profeti ynë të shpjegojë karakteristikat e tyre.

Nuk është se nuk ekzistojnë rastet kur edhe shprehjet kur’anore në lidhje me disa profetë janë keqkuptuar e janë keqinterpretuar, duke iu ngarkuar atyre fjalëve koncepte gabimi a devijimi të profetëve. Madje, disa prej këtyre teorive kanë gjetur edhe përkrahësit e vet. Natyrisht, e pranojmë se këto keqinterpretime, në shumicën e rasteve, kanë për shkak komentimin e ngushtë të shprehjes ose, pse jo, horizontin e cekët të interpretuesit. Po të ishin treguar pak më të kujdesshëm e më optimistë e po të kishin arritur të mendonin të zhveshur nga ndikimet e izraelizmave*, edhe këta interpretues do të arrinin të shpëtonin nga paragjykimet e do të mendonin edhe ata si shumica e dijetarëve, duke u treguar më të ndjeshëm ndaj figurës së profetëve.


367 Merginani, el-Hidaje

* Shih Kur’an Bakara 2/87, 253; Maide 5/110; Nahl 16/102

** Shih Kur’an Nisa 4/164; Araf 7/143

* Shih Kur’an Sad 38/17

* Doktrina hebraike

Ndajeni me miqtë tuaj...