ilmihali

Një aspekt tjetër i kësaj teme, është se a mund të bëhet fjalë për pafajësinë specifike – ismet– edhe për njerëz të tjerë, përveç profetëve. A i mbron Allahu (xh.xh.) prej mëkateve edhe disa njerëz të tjerë të përafruar, por që nuk janë profetë? Përgjigja e shumicës së dijetarëve në këtë çështje është negative, mendimi i tyre është se “nuk ka ismet te njerëz të tjerë, veç profetëve”.

Kushdo ka gjasa, ka mundësi të kryejë mëkate, të vogla ose të mëdha. Pafajësia specifike është një atribut që u përket vetëm profetëve. Një hadith i Profetit e përforcon më tepër këtë teori: “Gjithë njerëzit gabojnë. Më të mirët e atyre që gabojnë, janë ata që pendohen”.360

Por në këtë pikë duhet të theksojmë një të vërtetë. Mundësia hipotetike dhe fizike e një personi për të gabuar ose mëkatuar, nuk do të thotë se ai person gabon patjetër. Ndaj nisur nga kjo, mund të themi se edhe disa njerëz të tjerë përveç profetëve, të cilët janë pajisur me virtyte të larta dhe janë të aftë për të qenë udhërrëfyes për të tjerët, mund të ndodhen nën mbrojtjen e të Plotfuqishmit dhe nuk mëkatojnë. Kjo ide nuk ka aspak lidhje me teorinë e shtatë imamëve shiitë, të cilët besojnë se “imamët nuk mëkatojnë, ata janë të pafajshëm dhe të pajisur me atributin -ismet-”

Pyetjes se a mundet Imam Rabbani të kryejë një mëkat, që të gjithë i përgjigjemi pozitivisht. Sepse teorikisht, mundet; ai nuk është profet. Porse pyetjes se a ka kryer ndonjë mëkat gjatë jetës së tij Imam Rabbani, nuk mund t’i përgjigjemi si pyetjes së parë. Sepse askush nuk është në gjendje të vërtetojë ose të dëshmojë qoftë edhe për mëkatin më të vogël të Imam Rabbaniut. Rrjedhimisht, të zotërosh aftësinë e të gabuarit, nuk është fakt se ke gabuar medoemos. Ndaj, e parë nga ky aspekt, del edhe ideja se Zoti mund të mbrojë edhe të përkushtuarit, evlijatë, të përafruarit (mukarrebin), si dhe të përzgjedhurit e Tij dhe të mos i lejojë ata të mëkatojnë.

Abdulkadir Gejlani është prijësi i evlijave dhe kurora e të mëdhenjve. Dhe është fakt se Allahu (xh.xh.) e ka ruajtur edhe këtë lider të madh të shpirtit islam dhe e ka mbrojtur atë nga mëkati në mënyrë specifike. Për të tregohet:

“Ditën e parë të Ramazanit ndodh shpesh që ka probleme me përcaktimin e hënës, ndaj dhe nuk dihet saktë dita e parë e agjërimit. Kjo ditë quhet “ditë e dyshuar” dhe njerëzit janë të lirë të zgjedhin për të agjëruar ose jo. Në një rast të tillë, një grup besimtarësh kanë dyshim dhe ngurrojnë të nisin agjërimin a të presin, ndaj dhe shkojnë pranë një njeriu të ditur e të shquar dhe e pyesin si të veprojnë. Ai u thotë kështu:

– Shkoni në Gejlan. Sonte atje ka lindur një fëmijë. Pyesni nënën e tij, nëse fëmija ka pirë para agimit, hani e pini. Nëse nuk ka pranuar të pijë, atëherë vazhdoni agjërimin.

Shkojnë në Gejlan dhe pyesin nënën e fëmijës. Ajo është në ankth se foshnja nuk pranon të pijë kurrsesi. Të pranishmit e kuptojnë si është puna dhe i kthehen gruas:

– Mos u shqetëso, nuk është i sëmurë fëmija, jo. Po ti ke lindur dikë që do të bëhet baba për njerëzimin, – dhe vazhdojnë agjërimin.

Kjo është një histori dhe nuk ka pse merret për bazë gjatë vendosjes së normave juridike të Islamit. Po kjo histori është shumë domethënëse rreth vetive të atij personi. Po për këtë person tregojnë se si pranon t’u tregojë vendin ku mban paratë hajdutëve që i presin rrugën, vetëm e vetëm që të mos gënjejë.361 Allahu (xh.xh.) i ruan dhe i mbron të gjithë ata që janë në rrugën e Tij dhe i pengon t’i afrohen mëkatit.

Në një ajet thuhet kështu:

“O ju që keni besuar! Po t’i druheni Allahut (xh.xh.), Ai ju jep një furkan (koncept) që e ndan të mirën nga e keqja, mbulon gabimet e ligësitë tuaja dhe ju fal. Allahu (xh.xh.) është Zot i mirësisë së madhe.”

Ky ajet tregon qartë se Zoti i ruan e i mbron edhe ata njerëz që mundohen të jetojnë brenda rrethit të besimit e të frikës nga Ai. Ai i pajis këta besimtarë të sinqertë me një ndjesi të tillë, me anë të së cilës ata janë të aftë të perceptojnë menjëherë të mirën e të keqen dhe t’i largohen menjëherë mëkatit.

Në një ajet tjetër, thuhet kështu: ”A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?! Kësisoj, jobesimtarëve u duken të bukura veprat që bëjnë”. (En’am 6/122)

Për sa kohë që ata njerëz që kanë marrë mbi supe besimin e Zotit dhe e kanë bërë qëllimin e jetës së tyre lartësimin e emrit të Tij, t’i rrinë besnikë fjalës e besës që kanë dhënë, do të kenë një pozitë të veçantë e do të mbrohen nga Zoti në kornizën e paragrafit hyjnor: “Ju mbani fjalën që më keni dhënë, që edhe Unë të mbaj fjalën që ju kam dhënë”.

Në një tjetër ajet, urdhri hyjnor shpallet kështu:

“O besimtarë, nëse ndihmoni Allahun (çështjen e Tij), edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja!”. (Muhamed 47/7)

Ja, ata që ndodhen në shërbim të besimit e të Kur’anit, kanë një garanci të tillë dhe nuk kryejnë mëkate të mëdha, madje ndonjëherë janë të mbrojtur edhe ndaj mëkateve të vogla. Vetëm se garancia ndaj tyre është e varur me kushtet përkatëse e me vlerësimin që u bëhet. Askush tjetër, përveç profetëve, nuk ndodhet nën një garanci absolute. Vetëm nëse e shohim me sy ose e dëshmojmë konkretisht një mbrojtje të tillë, mund të themi “Po, Zoti e ruajti aksh person nga mëkati” dhe vetëm atëherë mund të flitet për një mbrojtje specifike. Për njerëzit e tjerë nuk ka asnjë garanci për të ardhmen e tyre, kurse për profetët kjo ndryshon, mbrojtja e tyre specifike dhe garancia e tyre është e pakushtëzuar me kohën, ajo përfshin të ardhmen e të kaluarën.

Lexo  Fakte rreth pafajësisë së profetëve

Secili prej nesh mund të mbesë i mahnitur po të vëzhgojë me kujdes çaste të ndryshme të jetës, se si për shkaqe fare të papritura jemi marrë nën mbrojtjen hyjnore e jemi larguar prej mëkatit. Çdo njeri mund ta dëshmojë këtë. Përveç kësaj, mirësitë e bashkëkohësve të profetit, të pasuesve të tij dhe të atyre që kanë pasuar rrugën e tij, sikur kanë ngritur një barrierë në emër të të ardhmes për të mbrojtur ose për t’u bërë shkak që të mbrohen nga mëkatet, duke u përfshirë dhe ata në kuptimin e ajetit:

“…për të t’i falur ty Allahu gabimet e mëparshme dhe të ardhshme, për ta plotësuar dhuntinë e Vet ndaj teje dhe për të të udhëzuar në rrugën e drejtë,…” (Fetih 48/2).

Kjo gjë shprehet në një farë kuptimi me mbrojtjen e tyre prej Zotit në të tashmen a të ardhmen, për hir e për hatër të disa veprave të tyre të mrekullueshme në të kaluarën.

Për shembull, dikush përgatitet të kryejë një veprim që përmban mëkat ose për të shkuar në një vend të tillë, ku kurthi i mëkatit është i pashmangshëm. Po Zoti e bën t’i rrëshqasë këmba dhe kështu e pengon të shkojë. Do që të kryejë një mëkat me sy, po syri nuk i sheh, do që të bëjë diçka të keqe me dorë, po dora nuk i mban. Kështu, në një farë mënyre, Zoti krijon shkakun për ta mbrojtur atë rob të Tij të dashur e për ta penguar në rrugën drejt mëkatit. Ndonjëherë, këto ngjarje që bëhen shkak, mund të jenë edhe fatkeqësi ose disfata në lidhje me këtë botë. Po në të vërtetë ato nuk kanë asnjë farë vlere, kur mendon se janë shkak për të shpëtuar botën tjetër të njeriut.

Në një hadith të shenjtë paraqitet më së mirë një urdhëresë që është e lidhur drejtpërdrejt me këtë temë:

Gjëja më e dashur me të cilën më afrohet robi Im, janë veprat që i kam shpallur farz. Pastaj, ai rob vazhdon të Më afrohet me vepra të dobishme -nafile-, derisa bëhet i dashur për Mua. Dhe Unë bëhem veshi i tij që dëgjon, syri i tij që shikon, dora e tij që mban, këmba e tij që ec”.362

Ky hadith mund të shpjegohet kështu:

Unë i tregoj atij robi të mbarën, të mirën, të bukurën dhe e mbroj nga ligësia e nga gjërat e këqija. Në shpirtin e tij dija e njohja konkretizohet, arrin në një nivel tepër të lartë dhe ai ndjehet gjithmonë i hapur ndaj mesazheve hyjnore. Çdo çast ka në mendje Allahun (xh.xh.) dhe ky mendim lulëzon e gufon brenda tij. Gjithmonë mendon për më të mirën, vullneti i tij drejtohet gjithmonë andej dhe e gjithë vepra e tij ka këtë qëllim. Unë e ndihmoj të kapërcejë çfarëdo pengese që mund t’i dalë para në këtë rrugë, sepse Unë nuk dua që zemra e ndjenja e tij të marrin plagë nga mëkatet, sepse Unë e dua atë rob, ai është pranë Meje. Hadithi i mësipërm mbaron me këto fjalë:

Nëse ai më kërkon diçka, Unë ia jap menjëherë, nëse kërkon mbrojtje nga ndonjë e ligë, atë e mbroj dhe e ruaj Unë vetë”.

Atëherë, edhe po ta pranojmë atë hipotezë të të tjerëve se edhe profetët, edhe njerëzit e dashur të Zotit, teorikisht e fizikisht mund të bëjnë mëkate, prapë është e qartë se Zoti i ruan të gjithë profetët dhe ata që do nga njerëzit e tjerë dhe nuk i lejon të kryejnë mëkate.

Në epokën e kalifit Omer jetonte një djalë i ri, që nuk ndahej nga mesxhidi. Ai ishte si një zog që e kishte folenë aty. Përkushtimi i tij ishte i dukshëm nga çdo aspekt, ai ishte i zhytur thellë në adhurim dhe mundohej t’i afrohej Zotit me vepra të dobishme. Kishte disa ditë që Hz. Omeri nuk po e shihte djalin në mesxhid.

Ja edhe një nga qëllimet e tjera të faljes me xhemat, vepër kjo e pranuar “farz” – e detyrueshme nga disa dijetarë, “kusht i namazit” nga disa të tjerë, ose më e pakta “suneti muekkede”. Imami do të kontrollojë me sy xhematin dhe nëse vëren se dikush mungon, do të pyesë se çfarë ka, mos ka ndonjë hall a mos është sëmurë… Aq më tepër kur imam është Hz. Omer e xhemat janë pasuesit e Profetit.

Sado që xhemati ishte i madh, Hz. Omeri i njihte që të gjithë dhe i kontrollonte me sy çdo ditë. Ndaj dhe kur nuk e pa atë djalosh , u merakos dhe e pyeti:

– Çfarë ka vallë filani, që ka dy-tre ditë që nuk e shoh në faltore?

Në fillim, asnjëri nuk deshi të përgjigjej. Fshehën sytë majtas e djathtas, që të mos u hasnin vështrimet me Hz. Omerin. Por atij nuk i kishte shpëtuar nga sytë ajo sjellje e çuditshme, ndaj këmbënguli në pyetjen e tij. Më në fund, dikush iu përgjigj.

– O prijësi i besimtarëve! Ai djalë vdiq. E gjetëm të vdekur në rrugë. Se ku do të shkonte… I falëm xhenazen dhe e varrosëm pa të thënë, se nuk donim të të mërzisnim.

Por Hz. Omeri e kupton pak a shumë si qëndron puna. A thua sipari i vështrimit i ishte hapur dhe e shihte djalin të vërtetë, para syve.

Lexo  Pafajësia e profetëve në kuptim të përgjithshëm

Thelbi i ngjarjes është ky: ndërsa djaloshi shkonte e vinte në faltore, një grua që e kishte shtëpinë mbi atë rrugë, e kishte parë dhe i ishte qepur keq. Djali ishte ende shumë i ri, po gruaja nuk hiqte dorë dhe kishte vendosur të përdorte gjithë format më djallëzore, derisa ta bënte për vete. Po megjithatë, djaloshi çdo herë i kishte kundërshtuar, duke u rezistuar me vendosmëri propozimeve të saj. Ai nuk donte as t’i afrohej mëkatit.

Por çdo njeri e ka një moment dobësie. Kështu dhe djaloshi një ditë nuk e gjen forcën për t’i rezistuar këmbënguljes së gruas, që e fton me gjithë tërheqjen e paturpësinë e saj, hedh dy-tre hapa drejt shtëpisë së gruas. Po ndërkohë ndjen në buzë se si pa vetëdije përsëriste një ajet. Kishte kohë që djali pa e pasur mendjen, përsëriste ajetin që i kishte mbetur në mend. Por sapo i kishte rënë në të, i ishte hapur vetëdija dhe kishte menduar ajetin që përsëriste, e kishte lënë zemra. Kishte marrë fund…

Ajeti që i kishte ardhur në buzë si një rrufe nga qielli, ishte ky:

“Ata që i frikësohen Allahut, kur u vjen ndonjë mendim i lig nga djalli, i kujtojnë (urdhrat e Tij), e atëherë e shohin rrugën e drejtë,…”. (Araf 7/201)

Ky ajet e fut djalin në një gjendje të tillë shpirtërore, sa atij i duket se ajeti po i shpallet nga qielli drejtpërsëdrejti atij, ndjen një turp të paskajshëm prej Zotit të vet, “e vret marrja”. Rrënqethet nga halli që ndjen, qoftë edhe për një çast të vetëm, ai ka lënë mënjanë drejtimin e tij, ka harruar mirësitë e Zotit të vet dhe i është përgjigjur ftesës së djallit drejt mëkatit. Atë Zot, që edhe në ato çaste kur ai shkonte drejt mëkatit, nuk e kishte braktisur, po i kishte shtënë ndërmend atë ajet, për ta kthyer në vete. Aq shumë e emocionon kjo gjendje këtë njeri drite, sa balanca e zemrës së tij nuk i reziston dot frymëzimit hyjnor, ai përmend Zotin dhe ec drejt së përtejmes.

Si mëson historinë kuptimplotë të djaloshit, Kalifi Omer vrapon drejt varrezave, përkulet te varri i tij dhe i thërret:

– O djalosh, dy parajsa e presin atë që ka frikë nga Zoti!

Pikërisht atë çast, varri dridhet, i vjen goja e një zë i dendur, sa zëri i Omerit, dëgjohet të thotë:

– O prijësi i besimtarëve! Zoti më ka dhuruar dyfishin e asaj që po thua ti!363

Është zëri i djaloshit…

Këtu nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë fakti nëse është djaloshi ai që flet apo ka folur një engjëll në vend të tij. Ndoshta ka qenë një kolonë zanore qiellore ajo që i është përgjigjur Hz. Omerit, ose asnjëra prej tyre. Po këtu, frika e djaloshit nga Allahu është vlerësuar e ka gjetur një shpërblim të dyfishtë. Dhe pikëlidhja e kësaj ngjarjeje me temën tonë, qëndron këtu: ky djalosh ishte nisur të hynte në mëkat. Një mëkat, që fundja ishte individual dhe do të ndikonte vetëm atë, do të bëhej shkak vetëm për shkatërrimin e tij, por nuk do të ndikonte të tjerët. Sepse ai nuk kishte ndonjë përgjegjësi si prijës apo si udhërrëfyes ndaj njerëzve. Po nëse hamendësojmë se personi që shkon drejt mëkatit ishte profet, atëherë shkatërrimi i tij do të sillte edhe shkatërrimin e tërë botës. Sepse pozicioni i një profeti është i tillë që ndikon e përfaqëson gjithë botërat. Atëherë, pse nuk do t’i ruajë Zoti profetët nga çdo lloj mëkati, ashtu siç ruajti atë djalë të ri?

Në një hadith që flet për ata besimtarë që e kanë provuar shijen e mrekullueshme të besimit, Profeti ynë shprehet kështu:

“Shijen e vërtetë të besimit e ka provuar ai njeri, për të cilin është më e rëndë të hyjë në kufr*, se sa të hyjë në zjarr”.364

Këtu flitet për një njeri normal, si gjithë të tjerët, të cilin Zoti e ka shpëtuar nga kufrie rebelimi. Për të është më e rëndë të kthehet prapa se sa të hyjë në ferr. Dhe faktori që e bën atë njeri të zhvillojë një reaksion të tillë ndaj mëkatit, është shija e besimit, kënaqësia që ka marrë ai nga imani, siguria e virtyti që ai i ka falur.

Domethënë se ata mendjelehtë që nuk ngurrojnë aspak t’u veshin profetëve petkat e mëkatit, nuk e shohin forcën e besimit të profetëve as sa forca e besimit të një njeriu të zakonshëm, ndaj dhe mendojnë kështu. Mos qoftë e thënë! Mos qoftë e thënë që forca e besimit te një profet të mos jetë e një niveli të tillë, që të pengojë mëkatin!

Profetët pa dyshim që e kanë një mbrojtje të tillë, po kush kërkon të vërtetojë e të dëshmojë se madje dhe evlijatë kanë qenë të pajisur me një mbrojtje të tillë ndaj mëkatit, mjafton të shfletojë Mefahatul Uns ose Tabakat’in e Sharanit dhe do të hasë qindra shembuj konkretë, që tregojnë se si edhe ata kanë qenë të izoluar ndaj mëkatit.

Sa për shembull. Një njeriu të afruar me Zotin, veli, i sjellin për të ngrënë. Ai fut një kafshatë në gojë, përtypet e përtypet, po nuk e gëlltit dot. Atëherë e kupton se në atë kafshatë është përzier diçka e ndaluar, –haram-, dhe heq dorë. Tani mendoni vetë se ç’mungesë logjike është të mendosh se Zoti, që ruan edhe një mik të Tijin nga një kafshatë haram, të mos ruajë profetët e Vet nga çdo lloj mëkati.

Atributi i pafajësisë –Ismet– është një atribut i pandarë nga profetësia, ai është i lidhur drejtpërdrejt me misionin e me qenien e profetëve. Secili profet vjen në këtë botë i pajisur e i kurorëzuar me këtë atribut. Rrjedhimisht, një person që nuk e zotëron këtë atribut, nuk mund të jetë profet. Para se të kalojmë në vërtetimin dhe faktimin e pafajësisë te profetët, do të bëjmë një ndalesë të shkurtër, sa për të vërejtur se si është hedhur baltë mbi pafajësinë e virtytin e tyre, duke paraqitur shembuj nga tekstet e deformuara të Ungjillit dhe të Tevratit (Tora). Pastaj do ta analizojmë çështjen në aspekt të Kur’anit dhe do të hedhim poshtë një e nga një të gjitha shpifjet që janë bërë për ta. Ndaj dhe këtu është e pamundur të kalojmë pa i shtjelluar pak këto çështje.


360 Tirmidhi, Kijame 49; Ibn Maxhe, Zuhd, 30

361 en-Nebhani, Xhamiu Keramati-l Evlija, 2/203

362 Buhari, Rikak, 38; Musned, 6/256

363 Ibn Kethir, Tefsir, 3/539

* kufr- mosbesim, mohim

364 Buhari, Iman, 9; Edep 42. Muslim Iman 66; Tirmidhi Iman 10

Ndajeni me miqtë tuaj...