Fjala arabe “dhann” ka kuptimin e paramendimit, të paragjykimit, të vlerësimit të diçkaje sipas probabilitetit, të dyshimit, të ngurrimit. Paramendimi për mirë (husnu dhann) është të vepruarit duke hamendësuar e paramenduar për mirë për çështjet në shqyrtim. E kundërta e kësaj është paragjykimi (su-i dhann).

Zoti ynë, në Kuran, në një ajet ku radhit njëri pas tjetrit disa parime morale, na urdhëron që t’i shmangim paragjykimet, duke u shprehur se një pjesë e tyre janë mëkat: “O ju që besuat! Asnjë bashkësi prej jush të mos përqeshë një tjetër bashkësi, sepse mund të ndodhë që të përqeshurit të jenë më të mirë se përqeshësit e tyre. Edhe gratë të mos i përqeshin gratë e tjera. Ndoshta të përqeshurat mund të jenë më të mira se përqeshëset e tyre. Mos e nxini njëri-tjetrin, mos i ngjisni njëri-tjetrit epitete të këqija. Sa keq është kur, pasi kanë besuar, njerëzve t’u dalë emri për keq e të njollosen ligësisht! Kush nuk pendohet, është prej të tillë mizorësh. O besimtarë! Largojuni sa më shumë paragjykimit, sepse një pjesë e paragjykimit është mëkat. Mos hulumtoni gabimet e njëri-tjetrit dhe mos e përflisni njëri-tjetrin!” (Huxhurat, 11-12) “Mos u lësho pas diçkaje që nuk e di, sepse veshi, syri, zemra, të gjitha do të japin llogari për të!” (Isra, 36)

Paragjykimi që nuk gjen mbështetje te realiteti është një lloj shpifjeje dhe njollosjeje për tjetrin, ndaj edhe ka të bëjë me cenimin e së drejtës, apo të hakut të robit. Për të mos rënë në një situatë të tillë, duhet shmangur gjykimi përmes hamendjesh. Në rastet dhe vendet, në të cilat nuk kemi argumente dhe njohuri të sakta, është detyra jonë që çështjen ta vlerësojmë paraprakisht për mirë dhe jo për keq.

Profeti ynë i dashur (paqja qoftë mbi të!), duke thënë “paramendimi i mirë është bukuria e ibadetit”[1], na tërheq vëmendjen në këtë pikë. Në shpifjen që iu bë nënës sonë, Hz. Aishes, Allahu i lartësuar paralajmëron në këtë mënyrë: “Ju, o besimtarë, kur sapo i dëgjuat këto thashetheme, a nuk do të ishte më mirë që, si besimtarë e besimtare, të ushqenit mendim të mirë për njëri-tjetrin e të thoshit: ‘Kurrsesi! Kjo s’është tjetër gjë veçse një shpifje e qartë!’?” (Nur, 12)

Në një tjetër hadith, Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) ka thënë kështu: “Allahu e ka bërë haram paragjykimin mbi gjakun, dëlirësinë dhe nderin e myslimanit.”[2]

Paramendimi i mirë për njerëzit duhet të kthehet në një çështje thelbësore dhe të pëlqehet si një disiplinë, sepse, si pasojë e ashpërsisë sonë, mund të mos jemi në gjendje të ushqejmë mendim të mirë për gjithsecilin. Mirëpo si në shumicën e çështjeve që i përkasin Islamit, veprimi i vazhdueshëm me një mënyrë të tillë të menduari mund ta kthejë atë në pjesë të karakterit të njeriut.

Në lidhje me individët, me aq sa është e mundur, duhet ushqyer paramendim pozitiv. Ndërsa paragjykimi është burim i shumë e shumë të ligave. Sipas këtij parimi, gjersa t’i dalin në shesh të këqijat me shenjat dhe argumentet e veta, njeriu duhet konsideruar i mirë e i pafajshëm. Edhe ne duhet të tregojmë respekt ndaj kësaj pafajshmërie. Pohimi, sipas të cilit “gjersa të mos ketë prova për të kundërtën, njeriu mbetet në thelb i pafajshëm”, është një ndër parimet themelore e universale të drejtësisë.

Mosteprimi në lëvdata.

Mendimi pozitiv paraprak dhe dëshmia e mirë në lidhje me njerëzit ka përmasa të caktuara. Për shembull, nëse themi fjalë lëvduese për një njeri, ai mund të mos jetë i pjekur sa ç’duhet për t’i asimiluar ato, ndaj edhe mund të rrezikojë të bëhet arrogant ose të mashtrohet prej të tjerëve. Dhe kjo, sipas shprehjes së Profetit, do të thotë që ta dëmtosh rëndë atë njeri.[3] Atëherë, ajo që kemi për detyrë është që, krahas mendimit të mirë që duhet të ushqejmë për gjithkënd, të mos i ngarkojmë të tjerët me më shumë lëvdata nga ç’u takojnë dhe të mos japim garanci të plota karshi Allahut (xh.xh.) për ta. Po, nganjëherë, duke ushqyer mendim të mirë në përmasa më të mëdha nga sa është e drejtë, japim garanci përpara Allahut (xh.xh.) për njerëzit; ndërsa nganjëherë, duke u thurur lavde të tepërta, i bëjmë arrogantë e mendjemëdhenj. Në këtë mënyrë, mendimi i mirë paraprak ndonjëherë mund të jetë i dëmshëm për individin përkatës, sidomos nëse ai nuk ka mbërritur një pjekuri të caktuar që do ta ndihmonte ta përvetësonte siç duhet këtë mendim të mirë…

Paragjykimi është edhe një çështje psikologjike. Pra, dikush që i pëlqen vetja dhe është mësuar të jetë vazhdimisht i suksesshëm, asnjëherë nuk i pëlqen dhe nuk i lëvdon të tjerët. Kjo gjendje është një sëmundje e vërtetë. Për shpëtimin e shoqërisë, të tillë tipa duhen kuruar pranë psikoterapistëve shumë të mirë, sepse psikologët dhe pedagogët, edhe për karakterin më të keq, pohojnë se ndjenjat e këqija mund të vihen nën trysni.

Kështu, kundrejt të tjerëve kemi detyrimin e paramendimit të mirë. Njeriu, sado i pamëshirshëm që të tregohet ndaj egos së vet, kundrejt të tjerëve është i detyruar të ushqejë mendim të mirë. Nëse, për shembull, duke parë mënyrën se si disa ecin në rrugë, e gjykojmë me mendimin: “Sikur të ishin myslimanë, do t’i ndalnin sytë prej të ndaluarës, apo kur të shihnin të ndaluarën, do të lanin sytë”, atëherë vjen një ditë që kjo na çon në gjykimin: “Atëherë ata nuk janë myslimanë”, gjykim që është e qartë se sa i rrezikshëm është.

Paragjykimi i ushqyer për profetët, sipas shumicës së dijetarëve, është kufër. Ndërsa paragjykimi për evlijatë dhe shehët është një gabim që mund të bëhet shkak për rënie e shkatërrim. Fjalët që themi, stili i sjelljes, gjestet dhe mimika jonë nuk duhet të shërbejnë për të shtyrë të tjerët në gabime.

Po, një njeri që është joshës për sytë e shoqërisë, që, për ta shprehur ndryshe, shndërrohet në qendrën e vëmendjes së njerëzve, është i detyruar ta braktisë të qenit si gjithkush. Ai, edhe nëse në jetën vetjake ose në marrëdhënien me Allahun, sipas urdhrit “të jesh një njeri mes njerëzish”, ta pranojë veten si një njeri të zakonshëm, në pozitën që gëzon në shoqëri nuk mund të sillet kurrsesi si një njeri i zakonshëm.

Lexo  Optimizmi

Për këto çështje që trajtuam, sa i bukur është shembulli i Kreut të Profetëve (paqja qoftë mbi të!)! Kur Profeti ynë ishte duke bërë itikaf në xhami, nëna jonë, Safija, vjen që ta vizitojë. Pas vizitës, kur nëna jonë, Safija (r.a.) u kthye të ikte, Profeti ynë i dashur (ai Profet i Lartë që e gjithë bota duhej t’i ngrihej në këmbë) ngrihet dhe del gjer jashtë xhamie për të përcjellë bashkëshorten e vet. Po, Ai (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ushqente një mirësi, besnikëri e madje plot ndjenja respekti për bashkëshortet e tij, në një masë që në mendjet e feministëve të sotëm nuk ka feksur ende.

I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) sillej në një mënyrë që u jep mësim disa myslimanëve të sotëm që, me një koncept që s’dihet nga e kanë marrë, i vënë bashkëshortet e tyre të ecin tri-katër hapa prapa. Ai e merrte bashkëshorten pranë vetes, ecte bashkë me të. Në një rast, ndërsa ai dhe e shoqja ecnin së bashku kështu, dy sahabë u shkuan pranë me shpejtësi dhe i kaluan. Njëri prej tyre ishte një personalitet shumë i rëndësishëm i fisit Evs, i quajtur Usejd bin Hudajr, ndërsa tjetri ishte Abbad bin Bishri. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) u urdhëroi: “Qëndroni aty ku jeni!” Pastaj i largoi perçen nga fytyra nënës sonë, Safijes dhe tha: “Shikojeni, është bashkëshortja ime, Safija!” Sahabët e nderuar u përgjigjën duke thënë: “Zoti na faltë, o i Dërguar i Allahut! E si mund të të paragjykonim ty?” I Dërguari i Allahut u tha: “Shejtani qarkullon aty ku qarkullon gjaku i njerëzve.”[4]

Imam Shafiu, në lidhje me këtë hadith ka dhënë hukmin që vijon: “Sikur në mendjen e atyre sahabëve të lindte për një çast mendimi: ‘Mos vallë Profeti ynë po bredh me një grua të huaj’, ata do të bëheshin në vend jobesimtarë.” Çka do të thotë se për Profetët nuk duhet të çojmë nëpër mend asnjëherë asnjë paragjykim. Kjo nuk interpretohet duke pohuar se “për të tjerët mund të mendohet me paragjykim.” Në lidhje me këtë çështje mund të thuhet se Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!), duke çelur fytyrën e Hz. Safijes dhe duke u treguar atyre se ajo ishte e shoqja, e ka mbyllur derën e paragjykimit. Edhe ne, duke u nisur nga ky konceptim, duhet të nxjerrim përfundimin se me veprimet, fjalët dhe sjelljet tona nuk duhet të bëhemi shkak që të tjerët të bien në paragjykime, pasi edhe ne kemi përgjegjësi për këtë. Ne vetë, sa ç’kemi përgjegjësi për të mos rënë vetë në mëkate, jemi përgjegjës që edhe të tjerët të mos bëjnë mëkate.[5]

Përgojimi

Përgojimi, apo gijbeti, është dukuria e të folurit për dikë kur ai nuk është i pranishëm. Si term, gijbeti ka kuptimin e të përmendurit të turpit, të dobësive e të mangësive të dikujt pas krahëve të tij. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!), pasi është pyetur për këtë, i ka përshkruar kështu gijbetin dhe përmasat e tij: “Përgojimi është përmendja e dikujt me diçka që, nëse ai do ta dëgjonte, nuk do t’i pëlqente. Nëse ajo e metë që ti i vesh atij gjendet vërtet tek ai, thënia përbën përgojim; nëse e meta nuk gjendet tek ai, atëherë thënia është shpifje.”[6]

Surja “Huxhurat”, në ajetin 12, ndalet drejtpërdrejt te përgojimi duke thënë: “Mos përgojoni njëri-tjetrin. Mos vallë ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Nga kjo të keni neveri! E pra, t’ia kini frikën Allahut!” Ky ajet përmend shkatërrimin që sjell përgojimi në shpirtin e njeriut dhe në trupin e shoqërisë. Ai tregon se përgojimi është lëndim i nderit dhe i personalitetit të njeriut, që është si mishi dhe gjaku i tij.

Bediuzzaman Said Nursi e komenton kështu ajetin e lartpërmendur: “Një ajet i vetëm, që në gjashtë mënyra të mrekullueshme, na tregon se sa i urryer është përgojimi; që na sqaron plotësisht se sa i dëmshëm është gijbeti në këndvështrimin e Kuranit, nuk i lë vend nevojës për kurrfarë sqarimi tjetër. E në të vërtetë, pas sqarimit të Kuranit, nuk është i nevojshëm asnjë sqarim tjetër.

Në ajetin “Mos ndonjëri nga ju dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?” (Huxhurat, 12) shfaqen gjashtë shkallë të turpërimit, të të koriturit. Prej përgojimit, gjashtë shkallë përmenden me forcë. Ky ajet, kur u drejtohet atyre që e ushtrojnë personalisht përgojimin, merr kuptim në një formë të ardhme. Kështu, është e ditur: shenja e hemzes në krye të ajetit mbart kuptimin e formës pyetëse (vallë). Ky kuptim i të pyeturit hyn si ujë në të gjitha fjalët e ajetit. Çdo fjalë ka një hukëm të tërthortë.

E pra, së pari, nëpërmjet shenjës së hemzes thotë: vallë, a nuk e keni mendjen, që është vendndodhja e pyetjes dhe e përgjigjes, teksa nuk e kuptoni diçka kaq të shëmtuar? Së dyti, me fjalën “dëshiron”, thotë: vallë, mos ju është prishur zemra, që është vendndodhja e dashurisë dhe e urrejtjes, e dëshirës dhe e neverisë, teksa e dëshironi dhe pëlqeni gjënë më të fëlliqur? Së treti, me fjalën “ndonjëri prej jush” thotë: ç’ka ndodhur me jetën tuaj shoqërore dhe me qytetërimin tuaj, që marrin jetë prej shoqërisë, që arrini të pranoni një vepër të tillë helmuese? Së katërti, me fjalët “të hajë mishin e vëllait të vet…” thotë: ç’u bë me aspektin tuaj njerëzor, që i ngulni kaq përbindshëm dhëmbët shokut tuaj? Së pesti, me fjalën “vëllait”, thotë: a nuk ju ka mbetur asnjë pikë mëshire për njerëzit tuaj, për farefisninë tuaj, që e lëndoni kaq dhunshëm e me tepri përmasën shpirtërore të një të dhunuari që në kaq shumë drejtime është vëllai juaj? Dhe a nuk ju kanë mbetur mend në kokë që një gjymtyrë të trupit tuaj e kafshoni si të luajtur mendsh? Së gjashti, me fjalën “të vdekur” thotë: Ku e keni zemrën? A mos ju është prishur krejt natyrshmëria që, ndaj një vëllait tuaj në gjendjen më të respektueshme e të pacenueshme, bëni një punë kaq të urryer dhe i hani mishin?

Lexo  MËSHIRË PËR NJERËZIMIN

Kjo do të thotë se, me shprehjet e këtij ajeti dhe me argumentimet e nxjerra veç e veç prej fjalëve të tij, të folurit keq dhe të përgojuarit e të tjerëve është diçka shumë e ligë në plan të mendjes e të zemrës, të njerëzores e të shpirtërores, të natyrshmërisë e të përkatësisë. E pra, shih se si ky ajet, duke përmendur gjashtë shkallë të paarritshme, ia del të turpërojë më të turpshmen dhe me gjashtë nivele të paarritshme të pengojë rënien në atë hon të tmerrshëm.

Përgojimi është një armë e ulët që shfrytëzohet më së shumti prej atyre që kërkojnë e ushqejnë armiqësi, smirë e urrejtje. Njerëzit shpirtmëdhenj e me vlera nuk bien kurrë aq poshtë sa të kapen pas kësaj arme të fëlliqur e ta vënë në shfrytëzim. Sikurse ka thënë një personalitet i famshëm, “Në vend që ta ndëshkoj armikun tim nëpërmjet përgojimit, më mirë e mbaj lart shpirtin tim dhe nuk e ul veten aq poshtë, sepse përgojimi është armë e të poshtërve dhe e të ulëtëve.”

Përgojimi është ajo që, nëse njeriu që përgojohet do të ishte i pranishëm dhe do të dëgjonte, do të fyhej e do të zemërohej. Nëse thuhet e vërteta, ajo është përgojim. Nëse thuhen gënjeshtra, kjo është edhe përgojim, edhe shpifje. Ky mëkat i shëmtuar bëhet, në këtë mënyrë, i dyfishtë.

Përgojimi, në disa çështje të veçanta, mund të jetë i lejuar (xhaiz):

1. Nëse dikush paraqet përshkrimin e një ankese te një zyrtar, me qëllimin që të përfitojë ndihmë për të shpëtuar nga e keqja e një njeriu të lig dhe të marrë prej tij të drejtën që i takon.

2. Nëse dikush dëshiron të kryejë një punë të përbashkët me dikë dhe për këtë vjen të këshillohet me ty. Në këto rrethana, vetëm për punë, pa qëllim të keq, në mënyrë që t’i japësh hakun këshillimit, mund të thuash: “Mos bëj puno me të, sepse do të dëmtohesh.”

3. Nëse qëllimi nuk është që të poshtërohet e të turpërohet dikush, por thjesht që ai të përshkruhet apo të dallohet, mund të thuhet, për shembull: “Ai burri lypës e i çalë shkoi në filan vend.”

4. Nëse njeriu që përgojohet është një mëkatar i hapur. Pra, dikush që nuk i vjen aspak turp e nuk i skuqet faqja nga ligësia e vet, apo që madje ndihet krenar prej së keqes, që i shijojnë dhuna e mizoria dhe që të gjitha këto i kryen hapur e pa kurrfarë ndrojtjeje. Pikërisht për këto çështje, pa ndonjë qëllim tjetër përveç të drejtës dhe çështjeve të punës, përgojimi mund të jetë i lejuar. Përndryshe, siç e konsumon zjarri drurin, ashtu edhe gijbeti i konsumon e i zhduk të gjitha veprat e mira.

Nëse dikush ka përgojuar dikë apo ka dëgjuar se si përgojohet dikush, duhet të lutet duke thënë: “O Allahu im, më fal mua dhe njeriun që unë kam përgojuar!” Pastaj, kur t’i jepet rasti, duhet t’i thotë atij që ka përgojuar: “Ma bëj hallall!”[7]

“Pjesa më e keqe, më e rëndë dhe më mizore e gijbetit është përgojimi apo shpifja për nderin e njerëzve të dëlirë. Pra, nëse një njeri që ka parë me sytë e tij, por që nuk sjell katër dëshmitarë për të dëshmuar, se një burrë apo një grua ka kryer zina. Kjo është një ndër mëkatet e mëdha më të liga, porsi vrasja më mizore, që e helmon jetën shoqërore të besimtarëve, që i shkatërron jetën dhe lumturinë një vatre familjare.”[8]

Ndërsa fakti se përgojimi bëhet shkak për prishjen e personalitetit, shpjegohet kështu:

“Ti, gjatë ditës, duke qenë zgjuar e syçelë, thua një fjalë të bukur; ndonjëherë në ëndërr ushqehesh me diçka në formën e një molle të bukur e të shijshme. Gjatë ditës thua një fjalë të shëmtuar, gjatë natës gëlltit diçka të hidhur. Nëse përgojon, të ushqejnë me një mish të fëlliqur. Atëherë, fjalët e bukura e të shëmtuara që thua në gjumin e kësaj bote do t’i shijosh si fruta në botën e të zgjuarve, që është bota e Ahiretit. Dhe nuk duhet të mendosh se do të jetë e largët dita që do të ushqehesh me frutat e fjalëve të tua.”[9]

Zakone e sjellje të tjera të këqija, që kanë kuptime të përafërta me gijbetin, shprehen me termat “hemz”, “nemime” dhe “lemz”. I pari i këtyre është hemzi, që gjen vend në titullin e sures 104 të Kuranit (Humeze). Hemzi ka kuptimin e të thumbuarit të dikujt pas krahëve, e të tallurit, të fyerit, të lëndimit të tij. Lemzi është kryerja e të gjitha këtyre në sy të individit në fjalë, në prani të një publiku të gjerë. Ndërsa me nemime kemi të bëjmë kur tjetri ngacmohet e thumbohet me shprehje të tërthorta. Kurani urdhëron që sjellje të tilla të mos ndiqen dhe ata që i kryejnë të mos dëgjohen (Kalem, 10-12). Duhet shtuar, gjithashtu, se përgojimi është një ndër shkeljet e të drejtave të robit.



[1] Ahmed b. Hanbel, 2/297

[2] Bejhaki, Shuabu’l-Iman, 5/297; Ebu Nuajm, Hilje, 9/292.

[3] Buhari, Shehadât, 16, Edeb, 54; Muslim, Zuhd, 65; Ebu Davud, Edeb, 9.

[4] Ibn-i Huzejme, Sahih, 3/349

[5] M. F. Gülen, Fasıldan Fasdıla, IV, 111.

[6] Muslim, Birr, 70; Tirmidhi, Birr, 23; Darimi, Rikak, 6.

[7] B. S. Nursî, Mektubât, 273-74.

[8] B. S. Nursî, Barla Lâhikası, 267.

[9] B. S. Nursî, Sözler, 581.

Ndajeni me miqtë tuaj...