Kurse njeriu që e njeh çështjen e kaderit dhe që i zgjidh të fshehtat e kaderit etapë pas etape sikur të zgjidhte nyje, si përfundim, çdo gjë ia atribuon Zotit dhe arrin te e vërteta e shprehur nga ajeti kur’anor që thotë: “Allahu ju krijon ju dhe bëmat tuaja!”

Eshtë Allahu që i krijon të gjitha llojet e akteve tona. Ngrënia, pirja, ulja, ngritja, mendimi dhe të folurit tonë krijohen nga Allahu. Në të vërtetë, çdo gjë që ekziston si e krijuar, është krijesë e Allahut. Ja pra, ai që mendon si finalist e sheh këtë të vërtetë krejt lakuriq. Kthjelltësia e pikëpamjes së përftuar prej finalistit me rrugën e ndërgjegjes është si kthjelltësia e shikimit të diellit nga dikush në mes të ditës. Për pasojë, është mjaft e vështirë që finalisti të mos bjerë në determinizëm.

Ndërkaq që propozimi dhe përgjegjësia e njeriut të mos zhduken duke ia kushtuar çdo punë, çdo akt Allahut, hyn në veprim vullneti (dëshira dhe vullneti)

i njeriut që i thotë “ti je përgjegjës”, që ia kujton njeriut se është përgjegjës. Kurse që njeriu të mos bëhet krenar në rastin e punëve dhe akteve të mira e të bukura, hyn në veprim kaderi që e shpëton njeriun nga rënia në krenari, duke i thënë: “Mos u bëj krenar, nuk je ti që e ke bërë këtë!” Kështu, njeriu ngre ekuilibrin dhe për sa kohë të jetojë duke menduar kështu, mundet të mbetet gjithmonë i ekuilibruar.

Njeriu nuk mund t’ia kushtojë vetes bukuritë e dala prej tij, të krijuara tek ai dhe prej tij, sepse të gjitha ato bukuri janë plani i Zotit. Në të kundërt, njeriu hyn në politeizëm ose herezi të fshehtë.

Eshtë drejtpërdrejt Allahu që i jep bukuritë. Unit të njeriut kurrë nuk i pëlqejnë bukuritë. Sigurisht që, këtu, me “bukuri”, ne e kemi fjalën për bukuritë në vetvete; gjërat që i pëlqejnë unit ne nuk i pranojmë për bukuri. Po, egoja ka qenë vazhdimisht armiku i të bukurës dhe i bukurisë së vërtetë dhe gjithmonë ka për të qenë armiku i tyre, sepse e tillë është përbërja e unit.

Lexo  Roli i prindit në procesin e edukimit dhe arsimimit

Eshtë uni ai që e kërkon të keqen. Prandaj, përgjegjësia për të keqen i përket plotësisht egos. Ajeti kur’anor i bashkon këto dy parime kryesore dhe thotë kështu:

“Çdo e mirë që të vjen ty, është nga Allahu, kurse çdo e keqe, nga egoja jote!”

Ti nuk mund të krenohesh me bukurinë tënde, sepse ajo bukuri nuk është personalisht e jotja, nuk vjen prej teje. Të gjitha bukuritë që ke ti, janë dhuratë dhe mirësi e Zotit për ty. Ndërkaq, dhurata dhe mirësia kërkojnë falenderim dhe thjeshtësi (modesti). Sa për mëkatet e tua, zgjedhshmëria dhe dëshira e jote e vullnetshme janë kusht bazë për krijimin e tyre. Atëherë, edhe përgjegjësia i takon egos tënde, sepse Zoti ka krijuar atë gjë ndaj të cilës je prirë ti, atë që ke menduar ti për të bërë si dhe atë që ke kërkuar të bësh, me një fjalë, Zoti ka krijuar atë që ke zgjedhur ti, dëshirën tënde volitive (të vullnetshme, vepruese). Ndërkaq, të gjitha këto që po themi, e po tregojmë, janë përsëri specifika të konstitucionit shpirtëror dhe ndërgjegjjes, për rrjedhojë, të kuptueshme në këtë kuadër. E thënë ndryshe, është vetëm një dëshmitar që mund të dëshmojë për prirjen tënde të brendshme dhe veprimin për ta zbatuar atë prirje: ndërgjegjja jote! Zoti e ka bërë ndërgjegjen tënde dëshmitare të diturisë dhe të dijes së Tij.

Njeriu fillestar (në besimin mbi kaderin) i beson kaderit duke i parë të kaluarën dhe të tashmen në kuadrin e kaderit dhe, në kushtet kur është i rrethuar nga të katër anët prej mijëra ngatërresash, shqetësimesh e fatkeqësish, thotë “ky është vlerësimi i Zotit për mua” dhe shpëton nga rënia në pesimizëm. Ndërkaq, të ardhmen dhe mëkatet i sheh edhe nga këndvështrimi i vullnetit të vet dhe nuk bie në dembelizëm duke menduar se, “sido që të jetë, do të ndodhë ajo që është shkruar”, si dhe nuk e bën përgjegjës “të shkruarën”, kaderin për mëkatin që vë për qëllim të bëjë ose e bën, duke e përdorur, kështu, kaderin, si mjet justifikimi e ngushëllimi për veten. Zoti thotë në Kur’an: “Pa dyshim, njeriut i takon vetëm ajo që ka bërë!” Po, Allahu e krijon edhe të mirën, edhe të keqen, sepse krijimi është i posaçëm vetëm për Të, por kush e kërkon të keqen, do ta heqë edhe ndëshkimin përkatës! Besimi në këtë mënyrë është parim për fillestarët. Nuk mund të lejohet që një fillestar të shkojë më tutje, ta trajtojë fund e krye çështjen e kaderit duke u marrë me hollësitë e tij, sepse kaderi është një çështje shumë delikate dhe një terren i rrëshqitshëm ku njeriu e humb ekuilibrin, i rrëshqasin këmbët dhe rrëzohet. Imam Adhami i ndalonte nxënësit e vet të debatonin për çështje të tilla. Dhe, kur e pyesnin se pse ai vetë debatonte për to, përgjigjej: “Unë flas sikur të kisha mbi krye një zog, duke u dridhur se mos e tremb e ikën!” Me fjalë të tjera, ai donte t’u thoshte nxënësve kështu: “Kur flisni, ju flisni (debatoni) për të dalë fitues mbi kundërshtarin. Gabimet e kundërshtarit ju gëzojnë. Prandaj unë ju ndaloj të flisni e të debatoni për çështje të tilla!”

Lexo  DOBITE E AGJËRIMIT

Ndjeshmëria dhe delikatesa e kësaj teme nuk hedh hije mbi logjicitetin e çështjes që parashtrohet. Ndërkaq, kur parashtrohen dhe trajtohen disa çështje, nuk është e drejtë që njeriu të flasë spontanisht ose si t’i vijë për mbarë. Veçanërisht tema e kaderit kërkon përpikmërinë dhe pedantizmin e një mjeshtri argjendar ose kimist.

Ndajeni me miqtë tuaj...