ilmihali

Çdo njeri është përgjegjës për fushën e vet të përgje­gjë­sisë dhe për ata që ka nën vete. Të gjitha sukseset në vë­zhgimin dhe kujdesin përkatës do të shkruhen në shtyllën e mirësive dhe bu­kurive tuaja, kurse të gjitha negativitetet, në shtyllën e të këqia­ve dhe shëmtive.

Në një hadith të tij që përmbahet te Buhariu dhe Muslimi, Kryeprofeti (s.a.s.) porosit kështu: “Secili nga ju jeni çoban dhe përgjegjës për ata që keni nën vete. Kryetari i shtetit është ço­ban dhe përgjegjës për nënshtetasit. Çdo person është çoban dhe përgjigjet për tufën e vet. Gruaja është çobaneshë e shtë­pisë së burrit dhe përgjigjet për gjërat që ka nën kujdes. Shë­r­bëtori është çobani i mallit dhe pasurisë së të zot dhe përgjigjet për t’i ruajtur ato. Secili prej jush është çoban dhe secili prej jush përgjigjet për tufën e vet!”

Meqë tema ka lidhje me pranimin e faktit që fëmijët janë nga një amanet më vete, mund të thuhet edhe se ky hadith ka lidhje me çështjen tonë: “Çdo fëmijë që lind, lind me natyrë islame, pastaj prindërit e bëjnë atë krishter, çifut ose zoroastrian.”

Po, çdo fëmijë që lind, lind me një natyrë të pastër e të për­shtatshme për t’u bërë gjithçka, pastaj ju dorëzohet juve për t’i zhvilluar dhuntitë dhe aftësitë, pra, puna për edukimin e tyre ju lihet juve. Kështu, fëmijët, në përputhje me atë ç’ja­në prindërit e tij, bëhen ose krishterë, ose çifutë, ose adhu­rues të zjarrit, zo­roastrianë. Natyrisht, këtu mund të shtohet kjo specifikë: përsëri në përputhje me mjedisin e prindërve, fëmijët bëhen ose rene­gatë, ose ateistë. Në këto kushte, the­mi se sa ç’është i rëndësi­shëm besimi dhe individualiteti i pri­ndërve në rritjen e fëmijëve, është i rëndësishëm edhe për t’u marrë për bazë në edukimin e tyre.

Eshtë një e vërtetë kjo që, po qe se fëmijët e përshtat­shëm për çdo gjë që i prumë në këtë botë të përshtatshme për çdo gjë, nuk i formësojmë sipas rrënjëve tona shpirtërore e kuptimo­re, është e pamënjanueshme që të rriten e for­mohen si njerëz të një kallëpi të veçantë. Për rrjedhojë, mund të bëhen babai i një renegati pa i rënë aspak në të kësaj. Atëherë themi se, kur të jetë stina, duke ua shartuar atyre esencën e shpirtit tonë, ta pa­randalojmë tjetërsimin e tyre. Ne u bëjmë shërbimet e duhura pemëve duke shfry­tëzuar të gjitha mundësitë e shkencës dhe te­knikës duke u përpjekur të marrim sa më shumë prodhime. Po a nuk du­het që të kujdesemi po kaq për fëmijët tanë që s’vlejnë më pak se druri, guri, pema dhe dheu? Përkundër dy dezavan­tazheve të tilla si tkurrja e mosinteresimit dhe harbimi i për­pje­kjeve destruktive, fëmijët zotërojnë avantazhin e vetëm të gjë­rave të mira që do t’u japin prindërit. Sigurisht, po të mos u bë­het një ndërhyrje pozitive, marrin erë dhe prishen në duar të të tjerëve. Në të dy situatat ndjekin një vijë pa­varësisht prej nesh ose në kundërshtim me ne. Në mënyrë të veçantë në ditët tona, meqë prindërit janë kredhur me gjithçka në punët e kësaj bote, i kanë braktisur fëmijët plo­tësisht. Madje është e pamundur të tregohet një shekull tje­tër kur fëmijët të jenë lënë pas dore sa në këtë shekull.

Përsëri në një hadith me burim imamít, i Dërguari i Alla­hut (s.a.s.) jep një ferman me këto fjalë: “Në Kohën e Fund­me, mjerë për fëmijët për shkak të baballarëve!” Sahabet e pyesin të habitur:

– U goditën për shkak të baballarëve politeistë dhe hu­mbën?
– Jo, baballarët besimtarë i vranë ata!
– Si ndodhi, o i Dërguari i Allahut?
– Baballarët s’ua mësuan atyre shtyllat e fesë!

Këtë hadith, porosi profetike, mund ta shtjellojmë shkur­ti­misht kështu:

Shtyllat e fesë u braktisën për këtë botë të vogël. Ata që e patën për detyrë, e nënvleftësuan krejtësisht edukimin fetar du­ke i përqëndruar të gjitha përpjekjet vetëm për jetën ma­teriale. Ata e lanë mënjanë jetën ndjesore e shpirtërore për interesa të një bote të vogël.

Ata nuk i dhanë rëndësi mësimit të njohurive fetare duke menduar se këndimi i Kur’anit, mësimi dhe njohja e frymës së tij, mësimi dhe praktikimi i fesë na marrin kohë.

Kuptimi i hadithit të mësipërm paraqet një përputhje të plotë me këtë ajet:

“Jo, jo, ju e pëlqeni shumë atë që e ka shpërblimin dhe kë­naqësinë të çastit, kurse ahiretin (përfundimin e kësaj) e nën­vleftësoni!”(Kijame, 75/25)

I Dërguari i Allahut e vazhdon fjalën e tij kështu: “Unë s’kam të bëj me ta, as ata mos paçin të bëjnë me mua!”

Me fjalë të tjera, ai do të thotë: “Unë s’kam të bëj me ata pri­ndër që e lënë pas dore fëmijën, që i mbyllin sytë para hu­mbjes së fëmijës, për më tepër, që nuk dridhen përballë shka­tërrimit të një brezi; edhe ata mos paçin të bëjnë me mua!” Pandeh se të gjithë baballarët që nuk kanë vdekur shpirtë­risht, rrëqethen dhe dridhen para këtij paralajmërimi të ash­për dhe duhet të dri­dhen! Kur kalifit Omer bin Abdylazizi iu tregua për një përgje­gjësi të tillë të rëndësishme e jetësore, i ra të fikët dhe nuk u përmend dot për njëzet e katër orë. Madje nisën t’i rrijnë mbi krye e t’i këndojnë Kur’an me men­dimin se po vdes. Pastaj, kur u përmend, nisi të qante e të thoshte se kishte frikë nga Allahu. Po, ai e ndjente mbi supe përgjegjësinë e atyre që kishte nën vete dhe tronditej me frikën se mos po ua shkelte të drejtat.

Po ne? Ne, të pamëshirshmit në trajtën e nënës dhe ba­bait që nënvleftësojmë ndjenjat dhe shpirtin e fëmijëve që i sollëm në këtë jetë në atë folenë familjare të ngritur duke marrë për bazë kënaqësitë personale, sa herë duhet të hu­mbim ndjenjat dhe sa duhet të dridhemi?

Lexo  TË KUPTUARIT E MESAZHIT TË PROFETIT NË DITËT TONA

Ç’është e vërteta, të gjitha hadithet rreth kësaj teme janë të tilla që afrojnë ose frikësojnë. Edhe ne, nga ky kënd­vështrim e trajtojmë çështjen. Por, natyrisht, kemi edhe shu­më gjëra për të bërë, janë përgjegjësitë që na kanë ngarkuar islami dhe Kur’ani për rritjen dhe formimin e fëmijëve tanë. Janë çështjet që i ra­dhitëm më parë në formë parimesh e që mendojmë t’i shtje­llojmë më tej, çështje, këto, shumë të rëndësishme, si edukimi i fëmijëve tanë si njerëz të ndje­shëm, të thellë, të moralshëm e fetarë dhe edukimi edhe i vetes sonë si një baba i vyer e si një nënë e vyer në atë familje.

Ruajtja e drejtësisë mes fëmijëve

Në krye të këtyre çështjeve vjen parimi i trajtimit të ba­rabartë të fëmijëve, pra, i mosparapëlqimit të dikujt ndaj di­kujt tjetër. Edhe gabimi ose e meta më e vogël në këtë çë­shtje mjafton që të na bëjë ne të paaftë për të ndikuar mbi fëmijët tanë. Sa kup­timplote janë orientimet e Profetit tonë (s.a.s.) në këtë çështje.

I ati i Numan ibn Beshirit (r.a.), Hz. Beshiri (atë e bir qe­në muslimanë dhe nga shokët e Profetit që morën pjesë në luftën e Bedrit), shkoi te Profeti dhe i tha:

– O i Dërguari i Allahut, kam edhe fëmijë të tjerë, por Nu­ma­ni është tjetër. Po të më lejosh, dëshiroj t’ia jap Nu­manit kaq përqind të pasurisë!
Profeti (s.a.s.) e pyeti:
– A do t’u japësh edhe të tjerëve nga kaq?
– Jo, i tha Beshiri.

Duke ia drejtuar fjalën të gjithë të pranishmëve, i Dër­guari i Allahut tha kështu:

– Kini frikë Allahun dhe trajtojini fëmijët me drejtësi!
Pastaj, duke iu drejtuar Beshirit, i tha:
– A dëshiron që të gjithë fëmijët të të respektojnë njëlloj?
– Po, – iu përgjigj Beshiri.
– Atëherë, mos vepro kështu!

I Dërguari i Allahut propozon një zgjidhje parimore të çë­sh­tjes dhe e ezauron nga themeli një problem të mund­shëm. Si­gu­risht, brenda një shtëpie, parapëlqimi i njërit fë­mijë ndaj të tjerëve së pari nxit te fëmijët e tjerë ndjenjën e zilisë ndaj vëllait apo motrës së zgjedhur duke i bërë dalnga­dalë fëmijët, vëllezër e motra, armiq të njëri-tjetrit. Mos me­ndoni se këto çështje për­piqemi t’i shpjegojmë duke u mbë­shtetur në parimet e ngushta të psikologjisë. Ne këtu përqë­ndrohemi mbi universalitetin e të vërtetave që Kur’ani kër­kon të na i bëjë të njohura për shpirtrat, mbi përshtat­shmë­rinë e atyre të vërtetave ndaj natyrës së njeri­ut, mbi objekti­vitetin, logjikshmërinë dhe karakterin njerëzor të tyre.

Siç dihet, Jusufi (a.s.) pati parë në ëndërr yjet, hënën dhe di­e­llin të binin në sexhde para tij. Kur ia pati hapur të atit këtë si­tuatë të gëzueshme dhe krenaridhënëse, ai i pati thënë: “O bir, mos ua trego vëllezërve këtë!” (Ju­suf, 12/5) Ai njeri i madh që e njihte natyrën njerëzore me një thellësi profetike, e pati parashikuar se një çështje e tillë do të zgjonte ndjenjën e zilisë tek të vëllezërit dhe pati men­duar se tregimi i një ëndrre të tillë njerëzve që s’e kishin arri­tur ende purifikimin e vetvetes (ne­fsit, egos), do të shkak­to­nte tek ta zili. Për fat të keq, gjërat që pati frikë ai, ndo­dhën, të vëllezërit e hodhën Jusufin në pus për të vdekur aty, duke nxjerrë në shesh me këtë ngjarje faktin se ku mund ta çojë mosdurimi njeriun qoftë edhe në një familje profetike!

Sigurisht, është krejt e qartë se parapëlqimi në dashuri dhe çështje të tjera i njërit fëmijë ndaj të tjerëve do të nxisë ndjenjën e zilisë të fëmijëve të tjerë dhe, pa u kuptuar fare, si rrjedhojë e trajtimit të diferencuar të prindërve, do të ushqejë tek ta një ndje­një urrejtjeje të nënvetëdijshme.

Këto konsiderata i kuptojmë më mirë kur i mendojmë së ba­shku me shkaqet, faktorët dhe burimet e tyre të nënvetë­dij­sh­me. Ju keni një shok shumë të sinqertë e aq të afërt saqë s’bëni asgjë pa njëri-tjetrin. Mirëpo, gjithsesi, një herë nuk është tre­guar dot bujar ndaj jush dhe, në një moment, me egoizmin e tij, ka shfaqur një sjellje që nuk e keni pritur aspak prej tij. Dhe ju, dashje pa dashje, e keni shtresuar këtë në një skaj të kujtesës. Pothuajse çdo ngjarje kalon duke lënë një gjurmë në trurin e njeriut për t’u ringjallur me fuqi, pastaj, me anë të një ngjarjeje tjetër. Kështu edhe ju, më vonë, para një ngjarjeje që jua kujton dhe jua ndez ato ndjenja të pakëndshme që flejnë në heshtje në nënvetëdijen tuaj, zemëroheni menjëherë dhe i thoni atij: “Fun­dja unë e pata kuptuar qysh në fillim se i tillë je ti!”

Dhe tani mendoni grumbullimin një mbi një të këtyre ngjar­je­ve negative dhe ringjalljen me forcë të disave prej tyre. Dhe ç’bëni atëherë ju? Pothuajse të gjitha këto turbu­llira të ardhura nga një e kaluar e gjatë ia përplasni atij nje­riu në fytyrë dhe pa­staj përpiqeni t’i dilni në mbrojtje vet­vetes (nefsit, egos) tuaj. Ja, pra, kështu do të ndodhë edhe me fëmijën tuaj, mendimet e të cilit, të shtresuara në kujtesë apo nënvetëdijë, do të ringjallen me forcë dhe një qëndrim çfarëdo i juaj negativ mes fëmijëve do ta zemërojë dhe nxi­së atë kundër jush duke dhënë si rezultat që ai të mos ju dëgjojë dhe të mos ju bindet fare!

Në fakt, kjo përbën vetëm një aspekt të çështjes. Po qe se do ta trajtonim çështjen duke përfshirë në të gjithë jetën e fëmijës, puna ndërlikohet edhe më shumë. Sidomos po qe se ju ia lini çdo gjë fëmijërisë së tij dhe nuk futni në llogari ndryshimet që mund të pësojnë ndjenjat e tij në të ardh­men, do të vijë pa u kuptuar një ditë që të shembeni nën peshën e gabimeve tuaja. Ju mendoni se sjelljet kontradik­tore, fjalët, veprimet negative brenda shtëpisë, për të cilat fëmija bëhet dëshmitar, ai në të shumtën e rasteve nuk i ku­pton, u kalon anash dhe i harron, kurse të gjitha ato regjis­trohen ndoshta për të mos u fshirë kurrë në një skaj të kuj­tesës së tij sikur të regjistroheshin në një fle­tore. Pastaj vjen koha dhe ato dalin në shesh të tëra menjëherë dhe kjo dal­je, ky shpërthim jashtë, disa herë bëhet i tillë që ta marrë para duke e zvarritur tërë familjen bashkë me nënën dhe babanë!

Lexo  PROFETI LUT a.s.

Prandaj çdo njeri që kërkon të bëhet nënë e baba, duhet të dijë, në një nivel të caktuar, pedagogji e psikologji ose, më e pakta, t’i njohë parimet përkatëse të Kur’anit dhe pa­staj t’i thotë “Bismil’lah” një jete të re!

Rritja e fëmijëve nuk është një çështje e thjeshtë. Dikur qe­shë bërë kureshtar pas bletëve dhe pata ndjekur një kurs për bletërritës. Dhe atëherë e pashë se sa e vështirë qe të merresh me bletë! Po si kjo, duhet mësuar patjetër rruga e rritjes dhe përgatitjes së brezave të mirë për t’i dhënë sho­qërisë individë të mirë. Askush s’duhet ta harrojë se sa i rëndësishëm është edu­kimi i një qenieje me potencial të madh që përjeton sa e sa vaj­tje-ardhje mes nivelit më të lartë dhe nivelit më të ulët të vlerave të ekzistencës së vet, për ta ngjitur atë në nivelin më të lartë të të qenit njeri!

Fëmijët duhen trajtuar me seriozitet

Profeti (s.a.s.) i trajtonte fëmijët me shumë seriozitet. Kur i vinin pranë fëmijët, ai, si të ishin të mëdhenj, u drejtohej me politesë, pastaj i merrte ata dikë mbi shpinë, dikë në prehër dhe, duke i trajtuar barazisht, i linte të kënaqur të gji­thë.

Disa herë, kur takonte në rrugë fëmijë që luanin, u drej­tohej si të mëdhenjve duke i përshëndetur: “Es-selamu alej­kum, paqe ju!” Atëherë edhe ata i përgjigjeshin po aq serio­zisht: “Ve alej­kum selam, paqe edhe ty, o i Dërguari i Alla­hut!” Ai u jepte shumë vlerë fëmijëve. Po qe se i kishte dhënë fjalën një fëmije për t’i dhënë diçka në një ditë dhe orë të caktuar, patjetër do ta çonte në vend fjalën sikur të kishte bërë marrëveshje me një të rritur!

Përftimi i ndjenjës së bindjes

Njëri nga mendimet e turpshme për njerëzimin është edhe ky: “As tyt eti nuk duhet t’i bindesh!” Eshtë një mendim filozofik dhe i gabuar. Profeti (s.a.s.) u sugjeronte të tjerëve gjithmonë idenë e bindjes dhe fëmijët që e njihnin nga afër, nuk dinin gjë tjetër për të veç bindjes. Në sy të çdokujt ai ishte emin, i besue­shëm, i bindur. Gjithsesi, edhe shoqëria e përbërë prej indivi­dësh të tillë, do të ishte e besueshme dhe e bindur.

Veçanërisht, Profeti (s.a.s.) ia tërhiqte vëmendjen ummetit, bashkësisë së tij, se “Allahu nuk e mëshiron atë që nuk tregon mëshirë për fëmijën e vet” dhe u bënte thirrje besimtarëve që të bëheshin njerëz të ndjeshëm e me zemër të madhe. Ai e porosiste bashkësinë e tij në lidhje me fëmijët: Duajini ata! Kur t’u jepni fjalën, ta çoni në vend patjetër! Ata s’duhet të shohin kundërshti mes fjalëve dhe veprimeve tuaja, ata s’duhet të bë­hen dëshmitarë të një gjëje të tillë!

Përsëri sipas një hadithi me burim imamít, Profeti poro­sit: “Po qe se dikush prej jush i premton fëmijës një gjë, ta mbajë premtimin sido që të bëhet!” Kjo na e bën krejt të qartë se sa i gabuar është mendimi, “fëmijë është, edhe si­kur ta gënjej, s’bë­het gjë”!

Pa dyshim, çdo gënjeshtër dhe çdo thënie kontradiktore, si një farë e mbjellë në kokën e tij, në mos sot, nesër do të mbijë si një bimë helmuese dhe do t’i paralizojë përpjekjet tuaja edu­kative. Prindërit duhet të jenë gjithmonë të drejtë e në rrugë të drejtë. Fundja prej jush që jeni njerëz të rrugës së drejtë, s’pritet tjetër veçse drejtësi!

Në asnjë mënyrë s’duhet t’u lini shteg fëmijëve që të tho­në për ju: “gënjeu”, “s’e mbajti fjalën”, “u tregua i pango­pur”, etj. Ata duhet t’ju shohin dhe t’ju dinë juve gjithmonë si vetëmo­hues, besnikë, të fjalës, besimtarë, të durueshëm, të ndershëm, të virtytshëm!

Shkallëzimi në edukim

Fëmija duhet të dijë ato gjëra që duhet të dijë e s’duhet t’i mësojë ato gjëra që s’duhet t’i dijë. Ai duhet të mësohet dhe edukohet në mënyrë të shkallëzuar sipas moshës. Këtë çështje mendojmë ta trajtojmë më gjerësisht në pjesët më tej.

Ashtu siç e ushqejmë fëmijën e porsalindur duke u mbë­sh­tetur në porositë e specialistëve përkatës, ashtu dhe duhet ta mësojmë dhe edukojmë atë sipas porosive të specia­li­s­tëve për­katës.

Po qe se fëmijës që ka ardhur në moshën e shkollës së me­sme, i thoni kategorikisht, pa asnjë argument, “Zoti ekzis­ton”, kjo mund të mos vlejë për gjë tjetër veçse që ai ta mohojë Zo­tin. Ndoshta në atë moshë duhen dhënë njohuri të kombinuara shkencore-filozofike që të ndikojnë anasjell­tas mbi formimin tek ai të opinionit mbi ekzistencën e Zotit. Por po qe se ngriheni për t’i mësuar fëmijës filozofi qysh në vitet e para të shkollës, do t’ia turbulloni mendjen krejt. Atë­herë, pra, ashtu si një mjek, jemi të detyruar që t’i japim di­sa gjëra fëmijës duke pasur parasysh nivelin e tij, moshën, mjedisin kulturor, etj.

Ndajeni me miqtë tuaj...