KOHA PËR MËRGIM
Mosbesimtarët e Mekës filluan ta mundonin më shumë Profetin tonë të Dashur pas vdekjes së xhaxhait të Tij. Kudo që e shihnin e ofendonin dhe i pështynin. Teksa falej në Qabe, ata i hidhnin sipër plëndësa kafshësh. Me këdo që të fliste Mbreti i Profetëve, ata shkonin e i thoshin: “Mos e dëgjoni se ç’thotë ai. Ai është një i çmendur. Ne e kemi larguar atë prej vetes ngase është gënjeshtar.”
Në krye të torturuesve vinin Ebu Xhehli me xhaxhanë e vërtetë të Profetit tonë të Dashur, Ebu Lehebin. As gruaja e Ebu Lehebit, Umu Xhemilja nuk ngelej prapa nga kjo anë. Ajo mundohej që të vendoste gjemba në rrugën nëpër të cilën do të kalonte Profeti, si e si për t’i shkaktuar Atij dhimbje e për t’i përgjakur këmbët. Në fund të gjithë këtyre të këqijave, Allahu i Madh e bëri të ditur me ajet, se Ebu Lehebi, së bashku me gruan e tij do të shkojnë në Xhehenem.
Sikur të mos mjaftoheshin me kaq, mosbesimtarët u munduan që ta vrisnin Profetin e Nderuar Paqja qoftë mbi Të!. Megjithëse shumë herë e provuan, Allahu i Madh e mbrojti Profetin e Tij prej tyre. Këto tortura nuk bëheshin vetëm kundër Profetit Muhamed. Ato i bëheshin, madje më shumë, edhe besimtarëve të tjerë. Kur padrejtësia arriti kulmin, Allahu u dha leje myslimanëve që të mërgonin.
Një pjesë e myslimanëve kishte emigruar në Etiopi. Ndërsa tani vendi që do të shkonin ishte Medina. Në Medinë kishte mjaft njerëz që i kishin besuar Profetit tonë të Dashur. Ngaqë i dinin shumë mirë vuajtjet që po hiqte Profeti ynë Paqja qoftë mbi Të!, ata i thanë: “O i Dërguar i Allahut! Sikur të vije pranë nesh, në Medinë. Ne jemi të gatshëm të të ruajmë prej çdo lloj rreziku. Jemi të gjithë të nderuar sikur ta japim jetën për Ty.” Ata e kishin bërë disa herë këtë lloj kërkese.
Prandaj Profeti Muhamed i urdhëroi myslimanët që ndodheshin në Mekë të shkonin për në Medinë. Kur të shkonin të gjithë në Medinë, atëherë do të ikte edhe Ai vetë. Myslimanët u ndanë gjatë natës në grupe dyshe dhe treshe për të udhëtuar drejt Medinës. Në fund, në Mekë mbetën veç Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të!, Aliu, si edhe shoku më besnik i Profetit, Ebu Bekri.
Ky zhvillim i fundit i tërboi fare mosbesimtarët. Menjëherë ata organizuan një mbledhje mes tyre. Në mbledhje ishte edhe një burrë plak i shëmtuar, i dobët dhe me një mjekër të hollë. Kur e panë, e pyetën:
– Ti kush je?
– Unë jam prijësi i një familjeje në afërsi të Mekës. Dëgjova që këtu po bëhej një mbledhje për të ndalur Muhamedin, andaj desha të jepja edhe unë mendimet e mia, – ktheu përgjigje plaku i shëmtuar.
– Në rregull. Gjej edhe ti një vend për t’u ulur, – i thanë.
Filluan të flisnin se ç’duhet të bënin tani që kishin ndodhur këto zhvillime të fundit. Bisedat e tyre dëgjoheshin edhe nga jashtë. Dëgjoheshin të bërtitura me zëra të lartë dhe të nxehur. Njëri prej tyre shprehu këto fjalë:
– Tani besimtarët e rinj mund të mbledhin një sërë mbrojtësish në Medinë. Asnjë prej tyre nuk duhet të mbërrijë atje. Përndryshe do ta kemi punën pisk në të ardhmen.
– Ti me të vërtetë thua ashtu, por tashmë ata kanë mbërritur në Medinë. Këtu kanë mbetur vetëm Muhamedi me shokun e tij Ebu Bekrin, – tha një tjetër.
– Atëherë ne duhet të pengojmë vajtjen e këtyre të dyve në Medinë.
– Ç’do të bëjmë me ta, ta zëmë se i penguam? – pyeti njëri.
– I fusim në burg. Le të rrinë të mbyllur derisa të vdesin.
Ndërsa bisedat po vazhdonin me mendime të ndryshme, fjalën e mori Ebu Xhehli:
– Po ku e lënë në burg atë shokët e tij. Ata vijnë edhe për të luftuar madje, vetëm që ta shpëtojnë. Unë kam një mendim më të mirë.
– Cili është ai, pyetën të gjithë me një zë duke parë nga Ebu Xhehli.
– Ta vrasim Muhamedin. Kështu që Ai do të mbarojë bashkë me kauzën e Tij. Nëse vdes ai, shokët e tij do të përçahen, ngase do të ngelen pa një kokë që t’i drejtojë.
Ky mendim i pëlqeu të gjithëve. Ebu Xhehli shpjegoi edhe mënyrën se si do ta vrisnin. Në krye të grupit të vrasjes do të ishte ai vetë. Plaku i shëmtuar filloi të fliste pas mendimit të Ebu Xhehlit:
– Këto janë mendime të zgjuara. Të përgëzoj. Ti e dhe mendimin më të bukur. Të them të drejtën, as mua nuk më pati ardhur në mendje diçka e tillë.
Plaku që po ia thoshte këto fjalë Ebu Xhehlit të pafat, ishte shejtani, i cili kishte ndërruar pamjen duke ardhur në trajtën e një njeriu. Shejtani, i mallkuar që prej ditës kur u krijua njeriu i parë, po merrte pjesë personalisht në mbledhjen ku do të vendosej për vrasjen e Profetit Muhamed tonë të Dashur.
Allahu i Madh ia bëri të ditur Të Dërguarit të Tij ato çfarë ishin folur në atë mbledhje. Profeti ynë i Dashur Paqja qoftë mbi Të! vendosi që të nisej për në Medinë. E thirri Aliun për t’i treguar vendin e amaneteve që po i linte. I kërkoi atij që t’ia dorëzonte të gjithëve në kohë. Çfarë gjendjeje e habitshme! Mosbesimtarët këtej merrnin vendimin për ta vrarë Profetin Muhamed, ndërsa në anën tjetër ia çonin Atij sendet e tyre me vlerë që t’ua ruante, sepse e dinin që Ai ishte Më i Besueshmi. Aliu do të flinte në shtratin e të dërguarit të Allahut. Më në fund ra nata.
Çeta e mosbesimtarëve, me në krye Ebu Xhehlin, kishte rrethuar shtëpinë e Profetit tonë të Nderuar. Ishin rreth dyzet vetë. Dyzet luftëtarë të pazemër. Sipas planit të tyre, ata do t’i suleshin Profeti përsipër, sapo të dilte prej shtëpisë. Më pas, do t’i jepnin fund jetës së Profetit të Njerëzimit me hanxharët që mbanin në duar.
Profeti i Nderuar doli prej shtëpisë që e kishin rrethuar këta vrasës, të cilët nuk kishin asgjë njerëzore në shpirtrat e tyre. Mori një grusht dhè prej tokës, lexoi një pjesë prej sures Jasin dhe ia hodhi mosbesimtarëve grushtin e dheut që kishte në dorë, duke ecur mespërmes këtyre krijesave që u shfaqeshin në fytyrat e tyre të gjitha prapësitë që kishin bërë deri në atë çast. Me lejen e Allahut, asnjë prej tyre nuk e pa Të Dërguarin teksa kalonte.
Në rrugë Profetit Muhamed Paqja qoftë mbi Të! i doli përpara një burrë. Ai donte që t’i lajmëronte mekasit se njeriun që ata po prisnin e kishte parë ai me sytë e tij. Ai iu afrua shtëpisë së Profetit. Me të vërtetë që ishin një tufë e madhe njerëzish që ia kishin rrethuar shtëpinë. Iu drejtua Ebu Xhehlit, që gjendej në krye:
– Habitem me ju. Prisni të dalë dikush që nuk gjendet në shtëpi, – i tha.
Ebu Xhehli u nxi në fytyrë. Me zërin e tij të ashpër, e pyeti burrin e panjohur:
– Çfarë kërkon të thuash ti more kopuk?
– Ju jeni duke pritur për Muhamedin, por më kot! Sepse unë, pa ardhur këtu, e pashë atë në rrugë. Mbi të gjitha më tha edhe se ju ishit këtu duke e pritur për ta vrarë.
– Gënjen, more gënjeshtar! S’ka mundësi të ketë dalë, kur ne jemi kaq njerëz që po bëjmë roje. Do ta kishim parë me patjetër po të kishte dalë.
– Ai ka shkuar me kohë atje ku ka pasur për të shkuar. Ju ka hedhur dheun syve kur është larguar. Pa shihni njëherë si jeni tërë pluhur në rroba.
Në këtë çast, të gjithë mosbesimtarët zunë të shihnin nga njëri-tjetri. Me të vërtetë që të gjithë ishin të pluhurosur. Allahu i madh e kishte shpëtuar Profetin e Tij duke bërë një mrekulli. Ndonëse mosbesimtarët nuk donin ta besonin. Menjëherë thyen derën dhe hynë brenda në shtëpi.
– Ja shtrati! Edhe Muhamedi që është shtrirë brenda tij. Sulm! – thirri Ebu Xhehli.
Shkuan në anë të krevati e ngritën mbulesën. Sapo të gjithë do të godisnin me hanxharë, Ebu Xhehli bërtiti:
– Prisni! Ky është Aliu.
Më pas e pyeti:
– Ku është Muhamedi?
Aliu iu përgjigj:
– Nuk e di. Është atje ku ai dëshiron të jetë.
Mosbesimtarët u shpërndanë menjëherë për t’u mbledhur përsëri në Qabe. Vendosën që ta gjenin medoemos Profetin. Do ta pengonin që të largohej në drejtim të Medinës. Prandaj u nisën menjëherë për në shtëpinë e Ebu Bekrit. Atje gjetën vajzën e Ebu Bekrit, Esmanë.
– Ku është babai yt bashkë me shokun e tij? – e pyetën atë.
– Nuk janë këtu, – iu përgjigj ajo.
– Atëherë ku kanë shkuar?
– Nuk e di se ku kanë shkuar, por edhe sikur ta di, nuk jua them.
Kjo përgjigje i ktheu idhujtarët në të çmendur. E rrahën Esmanë dhe hynë me dhunë për të kontrolluar shtëpinë. Pasi nuk lanë cep pa kontrolluar në shtëpinë e Ebu Bekrit, ata u nisën përsëri për t’u mbledhur në Qabe. Në fund të mbledhjes ata erdhën të gjithë në një mendim. Vendimin që morën, ata e përhapën në të gjithë Mekën me anë të kasnecëve:
– “Atij që do të sjellë Muhamedin së bashku me shokun e tij Ebu Bekrin, do t’i jepen plot njëqind deve si shpërblim! Mos thoni pastaj që nuk dëgjuam! Atij që i sjell të dy, gjallë a vdekur do t’i jepen njëqind deve dhe shumë dhurata të tjera!”
RRUGË TJETËR, NDJEKJE E VËSHTIRË
Profeti ynë i Dashur Paqja qoftë mbi të! me shokun e Tij të mirë, Ebu Bekrin, ishin nisur për në Medinë. Por nuk do të shkonin nga rruga e zakonshme. Ata do të ndiqnin një tjetër rrugë. Të gjithë mendjeprishurit që donin të fitonin njëqind deve kishin dalë nga pas për t’i kërkuar këta dy Udhëtarë të Bekuar. Por në çdo rrugë që ndiqnin ktheheshin duarbosh. Sakaq, një grup prej tyre e kishte hamendësuar rrugën që mund të ndiqte Profeti Muhamed.
Një ekip i armatosur e me kuaj e kishin gjetur rrugën që mund të kishte ndjekur Profeti bashkë me Ebu Bekrin Besnik. Dy shokët e bekuar u fshehën në shpellën e Theurit. Mosbesimtarët që kishin mbërritur deri në hyrjen e shpellës, thanë:
– Ejani shpejt! Këtu përfundojnë gjurmët. Ata duhet të jenë këtu. S’ka mundësi të kenë vazhduar më tutje.
Të gjithë u mblodhën të gëzuar përpara shpellës. Mirëpo para se të vinin mosbesimtarët, një merimangë kishte thurur një rrjetë të stërmadhe në hyrjen e shpellës. Një rrjetë që ishte me shumë shtresa. Ndërsa në hyrjen tjetër ishte një pëllumb që kishte shtruar vezët e tij të sapolindura. Nga brenda shpellës dukeshin vetëm trupat mes e poshtë të mosbesimtarëve të armatosur. Nëse ata do të përkuleshin për të parë brenda shpellës, do ta vinin re Profetin e Allahut me shokun e Tij besnik.
Ndërkohë, Ebu Bekri po dridhej nga frika. Jo për veten, por kishte frikë se mos i ndodhte gjë Profetit. Ndërsa ata që ishin jashtë po bisedonin, ai iu drejtua Profetit me këto fjalë:
– Nëna dhe babai im të qofshin falë o i Dërguar i Allahut! Nuk dua t’ia di se ç’mund të më ndodhë mua, por kam frikë se këta njerëz të këqij mund të të bëjnë keq Ty.
Profeti ynë i Dashur Paqja qoftë mbi Të! ia ktheu me qetësi:
– Mos u tremb o Ebu Bekr! Allahu është me ne!
Saora, jashtë shpellës po bëheshin biseda të nxehta. Njëri prej mosbesimtarëve tha:
– Për mendimin tim, jemi duke humbur kohë së koti. Nëse Muhamedi do të ishte këtu, bashkë me shokun e tij, kjo rrjetë e merimangës do të ishte prishur.
– Po, ke të drejtë. Kjo rrjetë do të ishte prishur dhe ky pëllumb do të kishte fluturuar, – u hodh një tjetër. – Për mendimin tim, kjo rrjetë është thurur shumë kohë para se të lindte edhe vetë Muhamedi, andaj ejani të mos humbim më kohë.
Profeti ynë i Nderuar dhe shoku i tij pritën plot tri ditë në shpellën e Theurit. Në këto tri ditë mosbesimtarët nuk lanë cep pa kërkuar. Ditën e tretë në agim, njëri prej robërve të Ebu Bekrit i solli atyre dy deve. Kështu nisi udhëtimi që do të mbaronte në Medinë.
Mirëpo nuk kishte kaluar as gjysma e rrugës, kur Thuraka, një mosbesimtar nga Meka, ra në gjurmët e tyre. I kishte kapur ata duke e ngarë kalin me galop ditë e natë. Ebu Bekri besnik u shqetësua shumë kur pa se ishte dikush që po i ndiqte. Profeti ynë Paqja qoftë mbi Të! iu drejtua përsëri shokut të Tij me këto fjalë:
– Mos u tremb o Ebu Bekr! Allahu është bashkë me ne.
Pastaj u kthye për të parë nga Thuraka. Sapo e pa Profeti, këmbët e kalit të Thurakës filluan të zhyteshin në tokë duke e ndaluar kalin që të lëvizte. Kur Profeti ynë i Nderuar u kthye që të vazhdonte rrugën, kalit iu çliruan këmbët prej rërës. Sakaq Thuraka vazhdoi t’i ndiqte. Profeti u kthye për ta parë përsëri dhe këmbët e kalit filluan të zhyteshin sërish në tokë. Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, nga vendi ku ishin zhytur këmbët e kalit filloi të dilte tym. Thuraka e kuptoi se kjo ishte një mrekulli e Allahut dhe iu drejtua Profetit të Allahut:
– O Muhamed! Mos më lër këtu. Ti je më i mëshirshmi ndër të gjithë ne. E kuptova se këto që po më ndodhin vijnë ngase po të ndjek Ty.
Profeti ynë i Nderuar iu përgjigj:
– Të shpëtoj, por vetëm me një kusht.
– Thuaje o Muhamed! Jam gati ta pranoj.
– Tani do të reshtësh së na ndjekuri dhe do të kthehesh mbrapa. Nëse ka të tjerë që janë duke ardhur në këtë drejtim, do t’i ndalosh, në rregull?
– Në rregull o Muhamed! Do ta bëj atë që më thua. Vetëm më shpëto prej kësaj gjendjeje.
Teksa po zhvillohej kjo bisedë, kali i Thurakës u çlirua prej tokës, dhe ai e mbajti fjalën duke u kthyer për në shtëpi. Rrugës ai pa të tjerë që ishin duke ndjekur Të Dërguarin e Allahut. Duke i treguar atyre rrugën se nga kishte ecur Profeti, u tha:
– Këto anë i shëtita unë të tëra. Zaten prej andej po vij. Nuk ka asnjë njeri që të jetë duke udhëtuar në këto anë. Hajdeni ta kërkojmë Muhamedin nëpër drejtime të tjera.
Mekasit ndërruan rrugën duke falënderuar Thurakën për ndihmën i kishte dhënë. Kështu që tashmë nuk kishte më njeri që ta ndiqte Profetin tonë të Dashur nga pas. Nuk kishte ngelur askush që nuk e dinte se Profeti ynë i Nderuar Paqja qoftë mbi Të! kishte mërguar për në Medinë bashkë me shokun e tij besnik, Ebu Bekrin. Të gjithë ishin duke pritur me shumë emocion mbërritjen e tyre. Tashmë njerëzit vinin çdo ditë deri në të dalë të qytetit të Medinës, derisa dielli bëhej gati për të perënduar, për të pritur këta dy miq të bekuar. Profeti i Allahut nuk kishte mbërritur ende, megjithëse kohë e mjaftueshme për të mbërritur nga Meka kishte kaluar. Medinasit merakoseshin shumë se mos i kishte ndodhur ndonjë gjë rrugës. Ata dilnin të gjithë në rrugë, me fëmijë e pleq, gra e burra, për të pritur Mbretin e Profetëve. Gratë rrinin nëpër çatitë e shtëpive, djemtë e rinj hipnin mbi pemët e hurmave për të parë sa më larg prej andej nga pritej të vinte Profeti ynë i Nderuar Paqja qoftë mbi Të!. Më në fund kishte qenë njëri nga djelmoshët që qëndronin mbi pemët e hurmave që kishte bërtitur:
– Po vijnë! Po vijnë! Erdhën, ja ku janë.
Pas këtij sihariqi, i gjithë populli i Medinës u derdh nëpër rrugë. Edhe fëmijët e vegjël që gjendeshin në krahët e nënave të tyre, nisën të vraponin për të pritur Profetin e profetëve, Profetin Muhamed, bashkë me shokun e Tij besnik, Ebu Bekrin. Fëmijët vraponin duke lodruar. Të rinj e të vjetër qanin prej gëzimit. Në gojët e tyre kishte këngë, në fytyrat e tyre gëzim të papërshkrueshëm. Të gjitha gjallesat, frymorë, jo frymorë, të gjitha fluturonin prej gëzimit. Asnjëherë në rruzullin tokësor nuk ishte pritur ndonjë njeri në këtë lloj mënyre.
KU DO TË NDALOJË KASUAJA
Krenaria e Njerëzimit po ecte në rrugët e Medinës mbi devenë e Tij. Medinasit e kishin rrethuar nga të gjitha anët. Në gojë kishin këngë, ndërsa në sy kishin lot gëzimi. Në çdo shtëpi që kalonte, Profetin e ftonin që të bujtte në atë shtëpi, ndërsa Ai për të mos mërzitur askënd, u kërkonte që të mos ia prisnin rrugën devesë, pasi do të bujtte atje ku deveja e Tij, Kasuaja do të ndalonte.
Tashmë të gjithë sytë, të emocionuar po ndiqnin se ku do të qëndronte deveja e Profetit të Nderuar. Aty ishte mbledhur i gjithë populli i Medinës. Çdokush dëshironte që t’i takonte vetë atij nderi i bujtjes së Krenarisë së Njerëzimit. Madje edhe deveja e Profetit Muhamed Paqja qoftë mbi Të! dukej sikur po kërkonte për shtëpinë më të përshtatshme, duke parë sa majtas e sa djathtas. Më në fund i ngadalësoi hapat duke ndaluar më në fund. Vendi ku kishte ndaluar i takonte shtëpisë së Ejub el Ensarit të nderuar. Atë ditë e gjithë Medina ishte e gëzuar, por Ejubi i nderuar ishte akoma edhe më i gëzuar. E kishte ai nderin për ta pritur Mbretin e Profetëve në shtëpinë e tij. Profeti Muhamed ndenji plot shtatë muajt e parë në këtë shtëpi.
Në shtëpinë ku rrinte Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të! sa vinte e shtohej begatia. Një ditë Ejubi i përgatiti një ushqim të veçantë Profetit bashkë me shokun e Tij besnik, Ebu Bekrin. Profeti i Njerëzimit kërkoi, që për këtë ushqim të përgatitur për dy vetë, të thirreshin tridhjetë vetë. Aty erdhën plot tridhjetë vetë, që u ngopën dhe u larguan. Më pas erdhën gjashtëdhjetë vetë të tjerë. Edhe ata hëngrën sa u ngopën dhe ikën. Më pas, Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të! kërkoi të thirreshin edhe shtatëdhjetë vetë të tjerë. Të gjithë këta u ngopën duke ngrënë nga ushqimi i dy vetëve. Atyre që ishin aty iu shtua besimi që kishin në zemrat e tyre. Ndërsa ata që nuk besonin, besuan menjëherë aty, përballë kësaj mrekullie.
TRUNGU QË QAN
Kishte kaluar shumë kohë që prej ardhjes së Krenarisë së Njerëzimit. Myslimanët, ngase ishin shtuar shumë në numër, kishin nevojë për një vend të madh ku të kryenin adhurimet e tyre. Gjithashtu duhej edhe një vend i përshtatshëm për takimin e Profetit me njerëzit që vinin nga jashtë Medinës për të mësuar fenë. Aty filluan punimet për të ndërtuar Xhaminë e Profetit. Këtu punoi edhe vetë Profeti i Njerëzimit duke ngritur gurë. Shokët e Tij shpesh i thonin:
– Uluni o i Dërguari i Allahut! E ndërtojmë ne xhaminë, vetëm ju mos u lodhni.
Ndërsa Profeti i Nderuar i përgjigjej se puna është adhurim ndaj Allahut.
– Mos më pengoni, dua edhe Unë të marr pjesë prej shpërblimit të madh që ka kjo punë, – i thosh Ai dhe vazhdonte punën.
Edhe dhoma e Tij, së bashku me dhomat e grave të Tij, gjendeshin po në këtë ndërtesë. Pasi u ndërtua e gjithë xhamia, në të u ndërtua një minber i ri. Para se të ndërtohej ai, Profeti Muhamed, teksa mbante ligjërata, e mbështeste krahun e Tij pas një trungu të prerë. Tashmë ky trung i tharë rrinte poshtë tek këmbët e minberit.
Një ditë prej ditësh, teksa Krenaria e Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të! po fliste, ky trung filloi të nxirrte një zë si pëllitja e deveve duke qarë. Të gjithë sa ishin aty e dëgjuan këtë të qarë. Sakaq Profeti zbriti për ta pyetur trungun se përse qante. Arsyeja se përse qante trungu ishte se Profeti i Allahut ishte larguar prej tij. Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të!e qetësoi duke i dhënë sihariqin se do ta vazhdonte jetën e tij të përjetshme në Xhenet. Trungu nuk qau më. Profeti ynë iu drejtua shokëve të Tij për t’u shpjeguar këtë mrekulli:
– Nëse nuk do ta kisha qetësuar këtë trung, ai do ta vazhdonte vajin e tij deri në ditën e fundit.
Më pas, ky trung u gropos me urdhrin e Profetit tonë të Nderuar.
FILLOJNË LUFTËRAT
Në Medinë, tashmë kishin filluar ditë të lumtura. Profeti ynë i Dashur i shpalli vëllezër besimtarët e ardhur me ata vendas. Këtej e tutje vendasit do të quheshin “ensarë”, ndërsa të ardhurit “muhaxhirë”.
Ata që thonin “Allahu është një dhe Muhamedi është Robi dhe i Dërguar i Tij.”, nuk trembeshin më prej torturave të mekasve. Të gjithë myslimanët ishin bashkuar dhe po mësonin fenë e tyre prej Profetit të tyre të Dashur. Andaj numri i atyre që i besonin Allahut dhe Profetit të Tij shtohej nga dita në ditë. Edhe numri i atyre që vinin nga vendet pranë Medinës për të pranuar ftesën e Profetit Muhamed për të hyrë në Islam rritej çdo ditë e më shumë. Mirëpo mekasit kishin filluar të tërboheshin nga kjo gjendje. Ata po bënin ç’t’u vinte dorësh për ta ndaluar përparimin e Islamit.
Ndërsa Profeti Muhamed nuk reshtte kurrë së ftuari ata veç për mirë në rrugën e vetme që është rruga e Allahut, prapëseprapë ata nuk e dëgjonin. U kërkoi të hiqnin dorë prej imoralitetit, por ata nuk e dëgjuan. U tha se adhurimi tek idhujt nuk ka asnjë lloj vlere, por ata prapë nuk e dëgjuan. Ua ndaloi t’i varrosnin vajzat e vogla për së gjalli, nuk iu bindën. U tregoi se kamata, vjedhja dhe gënjeshtra janë tri vese të këqija, e ata sërish nuk e dëgjuan. Mirë që nuk bënë asnjë prej këtyre, por edhe e përzunë Profetin e Njerëzimit prej vendlindjes së Tij. Madje, tashmë duke mos i larguar dot me dhunë, tortura dhe kërcënime me jetë për t’i larguar prej rrugës së drejtë, ata vendosën t’u hapnin luftë myslimanëve.
Madje ata ia kishin grabitur të gjitha pasuritë që myslimanët kishin lënë në Mekë. Ua grabitën të gjitha, shtëpitë, bahçet, arat dhe dyqanet. Pasuritë që u morën prej aty do t’i çonin në Siri për t’i shitur. Karvani që do të nisej për në Siri me këto mallra përbëhej prej njëmijë deveve. Me pasurinë e përftuar prej aty do të ngrihej një ushtri për të shkatërruar myslimanët që jetonin në Medinë. Mosbesimtarët kishin frikë se mund t’u vinte fundi me këtë ritëm që po shtoheshin myslimanët. Prandaj më e mira e të mirave ishte t’i gjendej një zgjidhje përpara se myslimanët të vazhdonin ende të shtoheshin.
LUFTA E BEDRIT
Karvani i mosbesimtarëve mekas i kishte shitur pasuritë e myslimanëve në Siri e po ktheheshin. Në krye ishte Ebu Sufjani. Profeti i Allahut e mori vesh se ata po përgatiteshin për luftë. Bëri një mbledhje me shokët e Tij për të vlerësuar gjendjen. Në fund u vendos që karvani të ndalohej e t’i merreshin paratë e fituara, të cilat ishin të myslimanëve.
U përgatit një ushtri e vogël me në krye Profetin tonë të Nderuar. Kjo ushtri filloi të kërkonte gjurmët e karvanit që po kthehej nga Siria. Ata e panë të arsyeshme ta prisnin karvanin në një vend të quajtur Bedër. Mirëpo Ebu Sufjani, me të marrë vesh se myslimanët i kishin bërë pritë, ndërroi rrugë. Prandaj dërgoi një kasnec për në Mekë. Kasneci shkoi dhe i lajmëroi mekasit se myslimanët i kanë zënë rrugën karvanit. Kështu që mekasit përgatitën një ushtri prej shtatëqind vetësh dhe e dërguan në drejtim të Bedrit. Numri i tyre ishte sa trefishi i myslimanëve. Madje edhe armët ata i kishin shumë më të mira se ato të myslimanëve.
Gjatë rrugës, ushtria e idhujtarëve u ndesh me karvanin që po vinte nga Siria. Ebu Sufjani u kërkoi atyre që të ktheheshin pas duke u thënë se karvani nuk kishte pësuar asgjë, kështu që nuk kishte nevojë për luftë. Vetëm se Ebu Xhehli nuk pranonte.
– Gjallë nuk kthehem pa shkuar të përballem dhe ta zhduk Muhamedin bashkë me ushtrinë e Tij. Do të shkoj të përballem menjëherë me të në Bedër.
Çfarëdo që të thoshte, Ebu Sufjani nuk ia ndërroi dot mendjen. Në fund, të dyja ushtritë bënë një luftë të ashpër në afërsi të puseve të ujit në Bedër. Kur lufta përfundoi, besimtarët kishin dhënë gjithsej katërmbëdhjetë dëshmorë. Ndërsa nga mosbesimtarët kishin vdekur plot shtatëdhjetë vetë. Po aq ishin edhe robër lufte. Kjo kishte qenë një disfatë e vërtetë për mosbesimtarët. Kishte ngjarë ajo, prej së cilës mosbesimtarët kishin pasur frikë gjatë gjithë kësaj kohe. Myslimanët, të cilët ishin vetëm një grusht njerëz, u kishin dhënë atyre një mësim mjaft të mirë.
Myslimanët ranë pak në qetësi pas kësaj lufte. Tashmë kishte lindur mundësia për të shkuar nëpër vende të tjera të largëta për të shpjeguar të vërtetat e Islamit. Krenaria e Njerëzimit, Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të, kishte dërguar njerëz në vende të ndryshme për të treguar të vërtetat e Islamit. Kështu që më shumë njerëz e mësuan fenë tonë dhe numri i myslimanëve sa vinte e shtohej. Kjo vazhdonte t’i shqetësonte mosbesimtarët jashtëzakonisht shumë. Ata donin me ngulm që ta pengonin përhapjen e Islamit.
LUFTA E UHUDIT
Një pjesë e mirë e prijësve të Mekës patën vdekur në luftën e Bedrit. Mosbesimtarët vendosën të bënin një luftë tjetër, si për të marrë hakun e betejës së Bedrit, ashtu edhe për të penguar shtimin e numrit të myslimanëve.
Këtë herë lufta do të zhvillohej në rrëzë të malit të Uhudit, pranë Medinës. Ata kishin bërë plane për t’u nisur me një ushtri të stërmadhe për ta shkatërruar njëherë e mirë ushtrinë e myslimanëve. Mirëpo kishin diçka që nuk e kishin marrë parasysh. Përballë kishin Profetin Muhamed, Të Dërguarin e Allahut, bashkë me shokët e Tij që ishin si yjet. Ndihma e Allahut ishte gjithnjë në anën e besimtarëve. T’i besoje Allahut dhe Profetit të Tij ishte e mjaftueshme për të qenë mbi të tjerët.
Ushtria e mekasve përbëhej prej tri mijë ushtarësh, të cilët ishin të gjithë të armatosur gjer në dhëmbë. Dyqind kalorës, shtatëqind këmbësorë, tri mijë deve. Lajmi i nisjes së ushtrisë së mosbesimtarëve i kishte ardhur Të Dërguarit të Allahut nëpërmjet një letre. Profeti nisi menjëherë nga përgatitjet e luftës. Përgatitjet nuk zgjatën shumë. Ushtria e myslimanëve përbëhej nga shtatëqind vetë. Ata nuk ishin aspak në gjendje të mirë për të luftuar. Profeti Muhamed kishte vendosur shigjetarë në malin e Uhudit, që besimtarët të mos kishin mundësi që ta sulmonin nga prapa krahëve.
Dita e Uhudit. Në fillim u zhvilluan dyluftime. Të gjitha këto dyluftime i fituan myslimanët. Më pas të dy ushtritë iu turrën njëra-tjetrës. Po bëhej një luftë e fortë. Aliu, bashkë me xhaxhanë e Profetit Muhamed, Hamzain, e kishin çarë tej e tej ushtrinë e mosbesimtarëve. Edhe shokët e tjerë të Profetit po luftonin me gjithë shpirt, duke thirrur vazhdimisht tekbire me zë të lartë. Pa kaluar shumë kohë, ushtria e shpërndarë e idhujtarëve filloi të tërhiqej. Zërat e shpatave kishin pushuar. Tashmë kishte filluar përzënia e ushtrisë së besimtarëve nga pas.
Shigjetarët të kënaqur nga kjo fitore filluan të braktisnin vendet ku ishin vendosur. Me t’u larguar shigjetarët, ushtarët idhujtarë e rrethuan nga pas ushtrinë myslimane. Kështu që ushtria myslimane mbeti mes mosbesimtarëve. Ndërkaq, mosbesimtarët që kishin nisur të arratiseshin, u kthyen sërish për të sulmuar. Myslimanë kishin ngelur në një gjendje të vështirë, duke pasur një numër të madh martirësh. Dy prej tyre ishin edhe xhaxhai i Profetit tonë, Hamzai dhe Musab bin Umejri.
Në çastin më të nxehtë të luftës, mosbesimtarët u hodhën në sulm për të vrarë Të Dërguarin e Allahut, që shpirtrat tanë i qofshin falë. Ishin rreth pesëmbëdhjetë shokë që i rrinin pranë për ta mbrojtur nga çdo rrezik që mund t’i vinte. Ata i kishin kthyer trupat e tyre në mburoja vetëm e vetëm që të mos i ndodhte gjë Të Dërguarit të Allahut Paqja qoftë mbi Të!. Megjithëse mosbesimtarët ia kishin plagosur kokën dhe njërën prej faqeve të Tij të bekuara. I kishin thyer edhe një dhëmb duke e goditur me gur. Ia kishin gjakosur edhe kokën, ndërsa buzën ia kishin çarë.
Pesëmbëdhjetë trimat që gjendeshin rreth Profetit po mundoheshin që ta ngjisnin Atë në mal. Kështu ata nuk do të kishin mundësi ta sulmonin më Të Dërguarin e Allahut. Ndërkohë një nga shigjetarët më të mirë të mosbesimtarëve e mori Profetin në shenjë dhe e lëshoi shigjetën. Talha bin Ubejdullahu e pa këtë dhe zgjati dorën për ta ndaluar shigjetën që të binte mbi trupin e Profetit tonë të Dashur. Kjo shigjetë i çau krahun duke e lënë të gjymtuar për gjithë jetën. Profeti thoshte shpesh: “Nëse dikush dëshiron të shohë një banor të Xhenetit, le të shohë Talha bin Ubejdullahun.”
Ndërkohë që luftëtarët trima po mbronin Profetin e Nderuar, mosbesimtarët filluan të përhapnin një gënjeshtër. Filluan të bërtisnin duke thënë se Profeti kishte vdekur. Ky lajm i dërrmoi myslimanët. Tani, të gjithë filluan të tërhiqeshin. Saora njëri prej shokëve të Profetit e njohu Atë prej syve. Ai filloi të bërtiste me sa të kishte fuqi e duke treguar me gisht,
– Profeti nuk ka vdekur. Ai jeton. Ja tek e keni.
Profeti ynë i Nderuar Paqja qoftë mbi Të! i dha atij shenjë që të pushonte. Sahabët që e mësuan të vërtetën, filluan të tërhiqeshin drejt malit të Uhudit pa bërë zë. Mosbesimtarët gjithashtu, nga frika se mos myslimanët do t’i sulmojnë sërish, hoqën dorë prej sulmit edhe njëherë ndaj tyre.
Kështu që lufta e Uhudit mbaroi pa u kuptuar se kush ishte fituesi. Profeti ynë i Dashur nuk kishte fuqi as sa për të ecur në fund të kësaj lufte. Talha bin Ubejdullahu, iu drejtua të Dërguarit të Allahut:
– Eja o I Dërguar i Allahut, unë jam mjaftueshëm i fuqishëm, – dhe e mori Profetin mbi shpinë.
Teksa po pushonte, Profeti i Mëshirës, u lut:
– O Zot! Populli im nuk di gjë për mua. Nuk e dinë se ç’janë duke bërë. Fali ata!”
Ai të lutej për ata që i kishin shkaktuar gjithë këto të këqija. I Dërguari i Allahut ishte kaq shumë i dhembshur e i mëshirshëm edhe me ata që përpiqeshin ta vrisnin.
Një ditë më vonë, Profeti ynë i Nderuar kërkoi që të ndiqej ushtria e mosbesimtarëve. Në të vërtetë, asnjë nuk kishte fuqi as për të ecur. Sakaq mosbesimtarët që mendonin se myslimanët kishin marrë një goditje tepër të rëndë, ishin shastisur nga kjo ndjekje. Ata u kthyen menjëherë në Mekë, të trembur nga frika se mos do t’u duhet të luftojnë përsëri me myslimanët. Kështu, fitorja e Uhudit, përfundimisht, i takonte myslimanëve.
LUFTA E HENDEKUT
Myslimanët kishin marrë një goditje të rëndë prej luftës së Uhudit. Mosbesimtarët, të cilët nuk donin ta humbnin këtë mundësi, vendosën të bënin diçka. Ata bënë një mbledhje ku u vendos të ngrihej një ushtri e stërmadhe. Këtë herë qëllim ishte të zhdukeshin tërësisht myslimanët. Do të sulmonin Medinën e do të kalonin çdo mysliman në tehet e shpatave të tyre. Këta njerëz, që i kishin sytë të veshur dhe zemrat sterrë të zeza, u drejtuan drejt Medinës me një ushtri prej dhjetëmijë vetësh.
Profeti i profetëve, e mori vesh se ç’kishin vendosur të bënin mosbesimtarët, prandaj u mblodh me të gjithë sahabët e Tij për të vendosur se çfarë taktike do të ndiqnin përballë këtij kërcënimi. Medina e shndritshme do të mbrohej duke hapur një hendek rreth saj, i cili do të pengonte hyrjen e mosbesimtarëve në qytet. Ata i bënë të gjitha përgatitjet e nevojshme përpara se armiqtë të vinin. Ata hapën një hendek shumë të gjerë. Prandaj kjo luftë u quajt “Lufta e Hendekut”.
Armiku u habit kur pa hendekun. Ata nuk kishin parë kurrë më parë një mbrojtje të atillë. E rrethuan qytetin në anën e tyre të hendekut. Ky rrethim zgjati gati një muaj. Përveç ndonjë dyluftimi të rrallë e disa shigjetave, nuk u bë ndonjë luftë e madhe. Megjithatë, ngaqë ishin të rrethuar, ata do të vuanin për ujë dhe ushqim. Por as mekasit nuk donin të largoheshin pa e bërë Medinën të tyren. Krahas luftës, moti i ftohtë e kishte vështirësuar edhe më jetesën.
Profeti ynë i Nderuar nga njëra anë mendonte për fëmijët jetimë që qanin, nënat që i kishin sytë me lotë dhe pleqtë, ndërsa nga ana tjetër mendonte për shokët e tij, që ishin të vendosur të mos linin askënd prej mosbesimtarëve që të hynte brenda qytetit të Medinës. Atë e mërzisnin shumë vuajtjet që hiqnin këta njerëz që nuk mendonin asgjë tjetër veç adhurimit të Zotit dhe të jetuarit të fesë së tyre. Në fund i ngriti duart e Tija të bekuara për t’u lutur që Allahu t’i shpëtonte këta njerëz prej gjithë këtyre vuajtjeve.
Lutja e Tij u pranua. Atë mbrëmje erdhi Xhebraili alejhiselam, i Cili dha sihariqin se një erë e fuqishme do ta thyente armikun. Profeti ynë, sapo dëgjoi këtë lajm të mirë, e falënderoi menjëherë Allahun. Në ditët që vijuan filloi të frynte një erë shumë e ftohtë. Devetë filluan të ngatërroheshin me kuajt. Nuk dallohej asgjë. Një furtunë e mjegullt dheu filloi të frynte mbi mosbesimtarët. Çadrat filluan të ngriheshin në qiell dhe ngjanin sikur të ishin shami. Kështu, ushtria e robtuar e mekasve u detyrua të kthehej për andej nga kishte ardhur.
Me të përfunduar lufta, Profeti i Njerëzimit u dha një lajm të mirë:
– Që këtej e tutje mosbesimtarët nuk do të na bien më në qafë. Tashmë do të jemi ne ata që do të ngrihemi kundër tyre.
Të gjithë sahabët u gëzuan pa masë kur dëgjuan këtë myzhde. Pas kësaj lufte mosbesimtarët kishin vendosur që të bënin një marrëveshje me myslimanët.
DITË PA LUFTË
Pas luftës së Hendekut, mosbesimtarët u thyen keqazi përherë, duke mos e marrë edhe një herë guximin për t’i sulmuar besimtarët. Deshën të bënin një marrëveshje që të ruanin sigurinë dhe të mund të qetësoheshin. Me këtë qëllim u mbajt “Marrëveshja e Hudejbijes”. Sipas marrëveshjes, këto dy palë nuk do të luftonin përgjatë dhjetë viteve.
Gjatë periudhës së marrëveshjes, Profeti ynë i Dashur dërgoi fjalësa thuajse në të gjitha shtetet e botës. I lajmëroi ata se Ai ishte profeti i fundit, të cilin Njerëzimi po e priste. Ai u kërkonte atyre që t’i besonin fesë dhe Librit të shenjtë që ai kishte prurë. Kishte nga ata që i besuan thirrjeve të Krenarisë së Njerëzimit, ndërsa ata që nuk pranonin u zhdukën pa kaluar shumë kohë.
Sa keq që mosbesimtarët nuk e mbajtën fjalën e dhënë as në Hudejbije, ashtu siç nuk e kishin mbajtur asnjëherë më parë. E prishën marrëveshjen e bërë. Prandaj Profeti ynë i Dashur ngriti një ushtri të madhe. Me këtë ushtri Ai do të shkonte në Mekë, në vendlindjen e Tij; në qytetin ku ishin rritur dhe larguar para shumë kohësh. Në qytetin e bekuar ku gjendej Qabeja e shenjtë. Në qytetin e dashur, që kishin qenë të detyruar ta braktisnin, qytetin për të cilin u mbusheshin sytë me lotë.
MEKA, QYTETI I BEKUAR
Dita që kishte vendosur Mbreti i Profetëve kishte ardhur. Ushtria u nis prej Medinës. Pas disa ditësh ata ishin në Mekë. Çadrat i ngritën në një vend të lartë prej nga dukej Qabeja.
Mosbesimtarët e Mekës e shihnin të frikësuar zjarrin e ndezur atje sipër prej besimtarëve. Zaten nuk kishin fuqi të përballeshin me ushtrinë e madhe dhe të fuqishme të tyre. Ata kishin frikë vetëm prej diçkaje. Vallë ç’do t’u bënte atyre Muhamed i Drejti, Të Cilit ata nuk kishin lënë të keqe pa i bërë, madje edhe kishin tentuar disa herë që ta vrisnin. Madje e kishin përzënë edhe prej vendlindjes. Kishin dashur ta vrisnin Atë bashkë me shokët e Tij duke organizuar luftëra nga më të egrat. Tashmë fuqinë dhe forcën i kishte Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të!. Çfarëdo që t’i bënte, do të ishte e drejtë.
Mund t’i përzinte dhe t’i internonte nëpër vende të largëta. Mund t’i nxirrte në treg për t’i shitur si skllevër. Mund t’i lidhte ashtu siç, kohë më parë ata kishin bërë me myslimanët. Mund t’i groposte në rërë të nxehtë e t’i linte ashtu pa ujë dhe pa bukë deri sa të vdisnin. Mund të urdhëronte që të vendoseshin mbi zjarr, si Hababi, e të duronin deri sa zjarri të fikej. Mund të thoshte: “T’u nxirren sytë me masha të nxehta të gjithë atyre që na bënë keq sa ishim këtu, atyre që mua më vendosën plëndësin e devesë mbi krye teksa i falesha Allahut.”
Shpirti ynë i qoftë falë rrugës Sate o Profeti Muhamed! Profeti ynë i Nderuar Paqja qoftë mbi Të! nuk bëri asnjërën prej tyre. Ai i fali të gjithë këta njerëz që ishin përpjekur kaq e kaq herë ta vrisnin. Zaten, Ai ishte dërguar për shpëtimin e gjithë Njerëzimit. Ai i ishte përgjigjur me shpatë vetëm atëherë kur ata e kishin penguar të shpjegonte Allahun ose kur mosbesimtarët kishin dashur ta vrisnin bashkë me vëllezërit e Tij, besimtarët. Përveç këtyre rasteve Ai i kishte zgjatur njerëzve vetëm dorën e Tij të miqësisë dhe të dashurisë.
Nëse donte, Ai, atë ditë, mund të mos linte askënd të gjallë në Mekë. Por mekasit e njihnin mirë moralin dhe virtytin e Krenarisë së Njerëzimit:
“Ti patjetër që duhet të jesh profeti i Allahut. Gjithë këtë mirësi dhe mëshirë mund ta gjesh vetëm tek profetët e Allahut. Zaten, Ti me mirësinë dhe besnikërinë tënde njihesh ndër ne.”
Kështu, Meka kaloi pa luftuar në duart e besimtarëve. Në Mekë asnjë mysliman nuk do të shqetësohej prej mosbesimtarëve.
VDEKJA E PROFETIT TONË TË NDERUAR
I Dërguari i Allahut filloi të dërgonte fjalësa nëpër shtetet e tjera edhe pas marrjes së Mekës. Numri i besimtarëve po shtohej nga dita në ditë. Pak kohë pas çlirimit të Mekës, Profeti ynë i Nderuar u kthye në Medinë. Pas kësaj Medina u kthye në një vend vizitash. Njerëzit vinin në grupe për të vizituar Të Dërguarin e Allahut Paqja qoftë mbi Të! dhe për të pranuar fenë islame.
Vitet kishin kaluar shumë shpejt, e Profeti ynë tashmë ishte gjashtëdhjetë e tre vjeç. Kishte dhjetë vjet që kishte mërguar për në Medinë. Allahu e kishte zgjeruar këtë fe brenda këtyre dhjetë viteve. Ishte përulur çdo gjë që nuk i përkiste fesë.
Atë vit Profeti tha se dëshironte të kryente e haxhit. Atyre që donin ta bënin haxhin me Të, u kërkoi që të vinin në Medinë. Sakaq në Medinë ishin mbledhur më shumë se njëqind mijë myslimanë. Profeti ynë i Nderuar u nis tok me ta drejt Mekës. Në haxh Ai u kumtoi atyre hutben e famshme, që sot njihet me emrin “Hutbeja e lamtumirës”. Ai me të u mundua të përmblidhte gjithë bukuritë e Islamit. Ai u kërkoi besimtarëve që të ishin dëshmitarë se ai e kishte kryer detyrën e Tij pas asnjë lloj mangësie. Ky ishte haxhi i parë dhe i fundit që i Dërguari i Allahut bënte.
Pas haxhit, Profeti ynë i Nderuar u kthye në Medinë. Aty u përpoq me mish e me shpirt që feja e Islamit të përhapej sa më shumë. Ai vazhdoi të dërgonte fjalësa në sa më shumë prej shteteve dhe qendrave të banuara përreth. Sakaq kishte kaluar një vit dhe i Dërguari i Allahut u sëmur.
Sëmundja sa vinte e rëndohej. Kishte aq shumë temperaturë sa ata që e kontrollonin shtangnin. Ditët po kalonin me këtë sëmundje që sa vinte e përkeqësohej. Profeti kërkoi që besimtarëve në namaz t’i printe Ebu Bekri. Vetë ishte në shtëpinë e nënës sonë, Aishes. Kokën e mbante në prehrin e saj. Ishte ditë e hënë. Erdhi Xhebraili alejhiselam, engjëlli i fjalës së Allahut.
– O i Dërguar i Allahut! Ke përshëndetje prej Allahut. Të pyet se si je? – e
Profeti ynë i Nderuar i tha se donte të shkonte sa më parë pranë Allahut, por Xhebraili alejhiselam kishte akoma për t’i thënë:
– O i Dërguar i Allahut! Me mua ka ardhur edhe Azraili alejhiselam, engjëlli i vdekjes. Po të kërkon leje që të hyjë.
Sapo Profeti ynë i Dashur i dha leje për të hyrë, Azraili alejhiselam, tha:
– O I Dërguari i Allahut! Allahu më kërkoi që t’i bindem plotësisht fjalës sate. Nëse do, do të ta marr tani jetën, nëse jo, atëherë do të të lë të vazhdosh të jetosh.
Tani Profeti ynë i Dashur po shihte nga Xhebraili alejhiselam, i Cili i kishte sjellë Fjalën e Allahut për vite me radhë. Sapo Xhebraili i tha: “O i Dërguari i Allahut! Bota e engjëjve është duke të pritur.”, Profeti ynë i dashur i kërkoi Azrailit që të kryente detyrën.
Shpirti, jeta dhe çdo gjë që kemi të shtrenjtë i qoftë falë Atij! Mbreti i profetëve e zhyti dorën në enën e ujit që kishte pranë. Gishtat e lagur i kaloi nëpër fytyrë dhe ia dorëzoi shpirtin e Tij Allahut Mëshirëplotë me sytë e hedhur nga tavani i shtëpisë.
O Allah, mos na ndaj ne nga rruga e Profetit Muhamed! Na i bëj të mundur ta jetojmë ashtu siç duhet fenë që Ai na i solli! Na e jep, O Allah, mundësinë që të shkojmë pranë Tij në Xhenet! Që t’i ngjajmë veç Atij dhe veç Atë të marrim si shembull në jetën tonë! Amin. Amin. Amin.
“Allahumme sal’li ala sejjidina Muhammedin
ue ala ali sejjidina Muhammed!”