SHPELLA HIRA

Mosha e Profetit po i afrohej të dyzetave. Ndonjëherë shihte një dritë të bardhë përpara vetes, ndonjëherë dëgjonte një zë tek i drejtohej Atij. Nuk kishte shumë që kishte mbaruar përsëritja e këtyre ngjarjeve të pazakonta, kur Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të! filloi të shihte shpesh ëndrra. Natën, në një gjendje as zgjuar dhe as në gjumë, Atij i tregoheshin punët që do të bënte gjatë ditës. Ai shihte se si të gjitha ato çfarë kishte parë në ëndërr i ndodhnin me të vërtetë gjatë ditës.

Këto ëndrra zgjatën plot gjashtë muaj. Ndërkohë, Profeti Muhamed po mundohej të kuptonte sekretin e këtyre dukurive të pazakonta që po përjetonte. Sakaq Ai nuk reshtte kurrë së menduari dhe për Krijuesin e Universit dhe qëllimin e krijimit të njerëzve. Për të menduar më qetazi për këto tema, Ai vendosi të largohej nga njerëzit drejt një vendi të vetmuar.

Ai kishte një zakon të vjetër, të cilin kishte vite të tëra që e ndiqte. Ai e kalonte muajin e Ramazanit çdo vit në shpellën Hira, që gjendet në majën e Malit të Dritës. Aty mendonte për Allahun e Madh duke i bërë Atij adhurimet e nevojshme sipas fesë së Profet Ibrahimit.

Edhe tani që mbushi dyzet vjeç, Ai do të shkonte përsëri në shpellën Hira për ta kaluar atje muajin e bekuar të Ramazanit. Nëna jonë, Hatixheja, i kishte përgatitur ushqime dhe rroba që Ai t’i kishte me vete. Hira, prej Mekës ishte dy orë larg në këmbë. Koha ishte e nxehtë dhe rruga e vështirë. Mirëpo Profeti ynë as që trembej fare prej tyre. Ai mendonte veç për Allahun. Më në fund mbërriti në shpellë.

Hyrja e shpellës shikonte për nga Qabeja. Ishte e një gjatësie dhe madhësie sa për të hyrë një njeri pa u përkulur. Profeti ynë kryente papushim veç adhurime në atë shpellë. Nënë Hatixheja e vizitonte Atë përditë, i sillte për të ngrënë dhe e pyeste në kishte qenë mirë.

Ishte agimi i ditës së shtatëmbëdhjetë të muajit të Ramazanit. Ishte ditë e hënë. Përreth mbizotëronte një qetësi. Thua se çdo gjë po priste atë çfarë do t’i thuhej Mbretit të Profetëve. Në shpellë erdhi engjëlli i kumtit të Allahut, Xhebraili, në trajtën e një njeriu të bukur. Çdo cep ishte mbushur me një shkëlqim dhe aroma të mrekullueshme. Pasi e përshëndeti Profetin tonë, Xhebraili e përqafoi Atë shumë fort dhe e lëshoi. Me një zë të fortë dhe duke buzëqeshur, i tha Profetit:

–  Lexo!

Profeti ynë ishte emocionuar shumë prej kësaj gjendjeje.

–  Unë nuk di të lexoj, iu përgjigj Krenaria e Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të!, i zhytur i tëri në habi dhe frikë.

Xhebraili alejhiselam buzëqeshi, e përqafoi Atë sërish fort dhe i tha përsëri:

–  Lexo!

Pasi ia përsëriti të njëjtën përgjigje për herë të dytë, engjëlli e përsëriti veprimin e tij edhe njëherë, derisa Profeti e pyeti se çfarë të lexonte.

Mandej, engjëlli Xhebrail i lexoi Të Dërguarit të Allahut ajetet e para të sures Alak:

– Lexo! Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka)! E krijoi njeriun nga një droçkë gjaku. Lexo! Se Zoti yt është më Bujari, i Cili me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.

Profeti ynë i Nderuar i përsëriti me emocion këto ajete. Ajetet sapo i ishin ngulitur thellë në zemër dhe gjuhë, tek Xhebraili u zhduk.

Krenaria e Njerëzimit po mundohej të kuptonte se ç’ishte ajo që i kishte ngjarë. Zemra sak do t’i ndalte fare prej emocionit. Doli menjëherë prej shpellës duke vrapuar drejt shtëpisë. Çdo gjë në rrugë e përshëndeste atë, “Përshëndetje të paqta Ty, o i Dërguar i Allahut!”. Më në fund, i kapluar kokë e këmbë prej emocionesh të papërshkrueshme, Profeti mbërriti në shtëpi.

Me të hyrë brenda Ai i kërkoi nënë Hatixhesë që ta mbulonte. Nëna jonë, Hatixheja e pati përkapur menjëherë se kishte diç të pazakontë. Megjithatë e shtriu dhe e mbuloi të Tërin pa i bërë asnjë pyetje. Priti gjithë merak derisa i Shoqi të çohej. Profeti Muhamed, i cili u ngrit pas pak, zuri t’ia tregonte një për një gruas së Tij të gjitha ato që i kishin ngjarë në shpellë. E më pas i kishte thënë:

– Kam frikë o Hatixhe.

Nënë Hatixheja u ul pranë të Dërguarit me një buzëqeshje të ëmbël në fytyrë duke i thënë këto fjalë:

– Aspak mos u tremb dhe mos u shqetëso. Mos u mërzit. Allahu kurrë nuk e turpëron një rob si Ti. Unë e di që Ti thua veç të drejtën. Tregon një kujdes të veçantë për të afërmit dhe e përmbush pa asnjë mangësi çdo lloj amaneti që të lënë të tjerët. I ndihmon të varfrit dhe i bën mirë familjes tënde. Unë kam besimin se Ti do të bëhesh Profeti i këtij populli.

Saora vendosën që t’ia pyesnin dikujt tjetër kuptimin e këtyre ndodhíve të pazakonta. Me këtë mendim ata shkuan fillimisht tek Uarakaja, kushëriri i nënë Hatixhesë. Sepse Uarakaja ishte një nga njohësit më të mirë të fesë atë kohë. Ishte nga njerëzit e ditur, të cilët e kishin lexuar Teuratin, por edhe Ungjillin. Uarakaja ishte plakur shumë. Tashmë e kishte humbur shikimin. Ai e dëgjoi Krenarinë e Njerëzimit nga fillimi deri në fund pa e ndërprerë. Teksa e dëgjonte, fytyra i ndërronte ngjyrë prej ndikimit. Kur Profeti ynë mbaroi së foluri, ai hapi duart dhe tha:

– Ai që ke parë Ti është engjëlli që Allahu i dërgoi Profetit Musa. Ai është engjëlli që zbret fjalën e Allahut në tokë. Ai është Xhebraili alejhiselam. Ndërsa Ti, Ti je Profeti i këtij populli. Ah, sikur të jetoja edhe unë në ato ditë që Ti do ta thërrasësh këtë popull në fenë Tënde e të të ndihmoja me gjithë përkushtimin tim.

Uarakaja, njohës i mirë i Librave të shenjtë, e dinte se në atë periudhë kohe do të vinte një profet. Pas atyre që i ishin rrëfyer, ai e pati kuptuar se ky profet ishte Muhamedi Paqja qoftë mbi të!, të cilin tashmë e kishte përballë.

Dyzet ditë pas zbritjes së parë të fjalës së shenjtë, teksa po kthehej për në shtëpi, Profeti dëgjoi një zë që vinte prej qiellit. Ngriti kokën e Tij të bekuar për të parë drejt qiellit. Atje pa Xhebrailin alejhiselam, i cili ishte ulur në një fron. Nga frika iu prenë këmbët. Ishte frikësuar jashtëzakonisht shumë. Shkoi menjëherë në shtëpi dhe kërkoi që ta mbulonin menjëherë.

Teksa Profeti ishte mbështjellë me mblojë, Allahu iu drejtua:

– “O Profet i mbuluar në mblojën e vet! Çohu dhe paralajmëroji njerëzit! Dhe madhëroje Zotin tënd! Rrobat mbaji të pastra! Vazhdo pa adhuruar asnjë idhull!”

Pas kësaj ndodhie, ajetet vazhduan të zbrisnin derisa Kurani të plotësohej.

 

BESIMTARËT E PARË

Profeti i Dy Botëve pas këtyre ajeteve ishte ngarkuar me detyrën për të paralajmëruar të gjithë njerëzit që jetonin në botë. Allahu i Madh kishte zgjedhur si fe Islamin, si profet Muhamedin e Nderuar Paqja qoftë mbi Të!.

Profeti ynë i Dashur ia tregoi fillimisht nënë Hatixhesë urdhrat që i kishin ardhur prej Allahut. Ai i kërkoi asaj që të besonte në profetësinë e Tij. Nëna jonë Hatixheja e pranoi këtë kërkesë pa pasur as lëkundjen më të vogël. Kështu ajo kishte nderin të ishte njeriu i parë që i besoi Profetit Muhamed.

Profeti Muhamed u gëzua jashtëzakonisht shumë që gruaja e Tij kishte besuar. Një ditë tjetër, teksa po kthehej nga Hira, Profeti Muhamed pa sërish Xhebrailin alejhiselam, në trajtën e një njeriu të veshur bukur. Xhebraili alejhiselam goditi tokën me thembër, e nga vendi ku ai goditi filloi të dilte ujë. Xhebraili me këtë ujë mori abdes. Pas Tij, prej të njëjtit ujë mori abdes edhe Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të!. Mandej Xhebraili alejhiselam i priu Profetit tonë të Nderuar dy rekate namaz. Pasi u ndanë, Ai i tha Profetit këto fjalë:

– O Muhamed! Këtej e tutje merr abdes siç ta mësova unë. Edhe namazin fale ashtu siç ta mësova unë.

Profeti ynë i Nderuar kur shkoi në shtëpi, ia mësoi nënës sonë Hatixhesë abdesin dhe namazin. Paskëtaj ata falën dy rekate namaz. Kështu që njeriu i parë që do të falte namaz pas Profetit Muhamed do të ishte nëna jonë Hatixheja.

Ky abdes dhe namaz ishte i njëjtë me abdesin që marrim dhe namazin që falim ne. Një ditë, ata i pa Aliu tek faleshin. I ndoqi ata me kureshtje derisa mbaruan. Kur mbaruan, ai iu drejtua Profetit të Njerëzimit me këto fjalë:

– Ç’është kjo që bëtë ju?

– O Ali! Kjo është feja që ka zgjedhur e që pëlqen Allahu. Unë të ftoj ty të besosh në Allahun që është një. Si edhe të ndaloj të adhurosh idhujt, të cilët nuk përbëjnë asnjë lloj vlere apo dëmi për ty.

Aliu i vogël ishte habitur prej këtij këshillimi. Kërkoi pak kohë për t’u menduar. Ditën tjetër në mëngjes ai shkoi te Profeti për t’i treguar se ai i kishte besuar. Besimi i Aliut, i cili ishte vetëm dhjetë vjeç atëherë, e gëzoi pa masë Profetin tonë të Nderuar. Tanimë ata ishin tre. Profeti Muhamed, gruaja e tij e dashur dhe i biri i xhaxhait.

Në atë kohë ishte e pamundur të flisje për një fe të re. Sepse njerëzit u besonin idhujve dhe zjarrit. Të thoshe në atë kohë se Allahu ishte një dhe se Ai kishte fenë e Tij, do të thoshte të merrje parasysh edhe vdekjen madje. Prandaj i Dërguari i Allahut filloi ta shpjegonte fshehtazi fenë e Islamit. Megjithë përpjekjen e madhe të besimtarëve për t’u ruajtur, idhujtarët e mësuan se Muhamedi ishte ngarkuar me detyrën e profetësisë.

Reagimi i idhujtarëve ndaj këtij lajmi ishte shumë i ashpër. Kjo ishte diçka krejt e pamundur për ta. Mos vallë njerëzit do ta linin adhurimin ndaj idhujve e do t’i besonin veç një Zoti të vetëm? Andaj ata filluan të flisnin gjëra të paqena për Profetin Muhamed Paqja qoftë mbi Të!. Ata nuk i besonin Atij.

Mosbesimi i vetë popullit të Tij e mërziste jashtë mase Profetin tonë të Dashur. Ç’është më e tmerrshmja, disa prej tyre thonin se Ai ishte çmendur, ose se Ai ishte një poet. Megjithëse askush nuk kishte qenë dëshmitar i ndonjë fjale të rreme të dalë nga goja e Profetit Muhamed.

 

EBU BEKRI BESON

Ebu Bekri ishte shoku më i ngushtë i Profetit Muhamed. Ata kishin shkuar shumë herë bashkë si shoqërues të karvanëve që shkonin jashtë Mekës për të bërë tregti. Në vitet e rinisë ata kishin shkuar bashkë në Siri. Në atë kohë ai kishte qenë veç një djalosh tetëmbëdhjetë vjeçar. Në një prej netëve që gjendej në Siri, ai pa një ëndërr.

Në ëndërr ai pa një hënë që zbriste drejt Mekës. Kjo hënë copëtohej dhe copat e saj shpërndaheshin nëpër shtëpitë e mekasve. Mandej copëzat bashkoheshin dhe shkonin në shtëpinë e tij. Ebu Bekri, i emocionuar shumë prej kësaj ëndrre, ia tregoi atë murgut Bahira, i cili ishte një dijetar i krishterë. Bahira ia ktheu:

–  Nga cili qytet ke ardhur? – e pyeti ai.

–  Vij prej Mekës, – ia ktheu Ebu Bekri.

–  Nga çfarë fisi je në Mekë? Nga cila familje?

–  Nga fisi i kurejshëve.

–  Mirë. Me ç’punë merresh.

–  Jam tregtar.

–  Nëse Allahu e nxjerr të vërtetë ëndrrën tënde, nga fisi yt do të dalë një profet. Sa të jetë gjallë Ai, ti do t’i shërbesh shumë Atij. Kur të vdesë, ti do të bëhesh mëkëmbësi i Tij.

Ebu Bekri nuk i tregoi askujt këto që dëgjoi duke i ruajtur si një sekret tepër të fshehtë. Sapo mbaroi punët që kishte, u kthye për në Mekë.

Kishin kaluar plot njëzet vjet që prej asaj ëndrre. Ndërkohë Ebu Bekri nuk ia kishte treguar askujt ëndrrën që kishte parë dhe fjalët e murgut Bahira.

Sapo ishte kthyer nga Siria, ku kishte qenë për të bërë tregti. Iku pranë shokëve të tij për t’i pyetur:

–  A ka ndodhur ndonjë gjë e re në Mekë gjatë kohës që unë nuk kam qenë?

–  Po, Ebu Bekr! Ka ndodhur diçka e re. Një e re shumë e tmerrshme. Muhamedi, shoku yt i ngushtë, thotë se është profet. Sipas tij, këtej e tutje do të hiqkemi dorë prej adhurimit të idhujve për t’i kryer adhurime veç një Zoti të vetëm. Nëse nuk do të kishte qenë për ty, do ta kishim zgjidhur që me kohë këtë problem. Të pritëm ty, se menduam se ti mund t’ia ndryshosh mendimin, – i thanë ata.

Ebu Bekri kishte qenë gjithnjë një shok i sinqertë me Profetin tonë të Dashur që prej fëmijërisë së tij. Nuk e kishte dëgjuar kurrë Atë të gënjente. Si edhe e dinte mirë se sa i besueshëm dhe fjalëdrejtë që ishte Ai. Vendosi të shkonte e ta takonte Profetin duke menduar se “Një njeri që nuk ka gënjyer kurrë gjatë jetës, nuk ka mundësi të gënjejë në emër të Allahut.”. Mbi të gjitha, ngaqë kishte shumë kohë që nuk e kishte takuar, atë e kishte marrë shumë malli. Teksa po ecte, në rrugë u ndesh me Profetin Muhamed. Ishte Profeti ynë ai që foli i pari:

–  Për ku je nisur kështu o Ebu Bekr?

–  Po vija për tek ty o Muhamed. Po ti, për ku je nisur?

–  Edhe unë për te ty po vija.

–  O miku im. Të afërmit e mi më lajmëruan për diçka të re që kishte të bënte me Ty. A janë ato të vërteta?

–  Ç’të thanë ata, o Ebu Bekr?

–  O Muhamed! Thonë që ke dalë nga feja e të parëve tanë. Nuk iu përulesh idhujve. Thonë se ke prurë një fe të re, e se je shpallur profet i kësaj feje. A janë të gjitha këto, të vërteta? – e pyeti ai.

Profeti ynë i Dashur buzëqeshi. Mandej iu përgjigj:

–  O Ebu Bekr! Unë jam i Dërguari i Allahut, që është dërguar për ty dhe për tërë Njerëzimin. Po i thërras njerëzit që të besojnë në Zotin, që është një. Edhe ti duhet të besosh.

–  Patjetër, por a ke Ti prova për këto që je duke folur?

–  Po. Kam ëndrrën që ke parë ti kur ishe në Siri, për të cilën shkove të merrje komentimin e murgut Bahira, – ia ktheu përgjigjen Profeti ynë i Nderuar.

Në atë kohë, Ebu Bekrit iu bë sikur t’i kishte rënë një rrufe mbi krye. Iu kujtua ëndrra që kishte parë para shumë vitesh bashkë me komentin e saj. Para së gjithash ai nuk e kishte folur atë me askënd. Zaten ai e njihte Mbretin e Universit që prej fëmijërisë, andaj i besonte Atij për çfarëdolloj gjëje. Besoi menjëherë pa kurrfarë lëkundjeje. Ky ishte një nga çastet më të lumtura të jetës së Profetit Muhamed Paqja qoftë mbi Të!.

Numri i besimtarëve sa vinte e shtohej falë vullnetit të paepur të Ebu Bekrit. Tashmë, në Mekë nuk kishte ngelur askush pa dëgjuar mbi të rejat. Kjo gjendje filloi t’i shqetësonte mjaft mosbesimtarët. Më në fund, ata morën vendimin për ta vrarë Të Dërguarin e Allahut. Mirëpo kush do ta merrte përsipër? Si do ta bënte?

 

PLANET PËR TA VRARË PROFETIN MUHAMED

Dikush që rrinte urtë në një qoshe nuk kishte folur fare gjatë gjithë mbledhjes. Ky ishte një njeri që bënte mundje me devetë dhe dilte për të gjuajtur luanë. Ishte një hero i vërtetë. Askush nuk mund të guxonte të përballej me shpatë kundër tij. Ai ishte i gjatë, i fortë dhe një luftëtar i vërtetë. Ai, me zërin e tij të trashë, tha:

–  Unë. E bëj unë këtë punë. Ia tregoj unë Atij fenë e re dhe të folurin si të dojë për idhujt tanë.

–  Po, me të vërtetë që më trimi ndër ne ti je, – i thanë atij gjithë mosbesimtarët me një gojë. – Vetëm ti mund ta kryesh këtë punë.

Ky njeri që vendosi për të vrarë Profetin Muhamed ishte Omer bin Hatabi. Përgatiti shpatën dhe u drejtua për nga shtëpia e Profetit. Mirëpo në rrugë ai u takua me Nuajm bin Abdullahun, i cili ishte besimtar, por që nuk e kishte shpallur haptazi besimin e tij. Nuajmi e pyeti:

–  O Omer, për ku je nisur me këta hapa kaq të rëndë?

–  Për të vrarë atë Muhamedin që thotë se ka sjellë një fe të re. Lëre që edhe na ka sharë zotat tanë. Thënka se ata nuk paskan asnjë lloj vlere.

–  Për mendimin tim bën mirë sikur të rregullosh njëherë tët motër. Me sa kam dëgjuar, edhe jot motër, Fatimeja, bashkë me të shoqin, janë nga besimtarët e Tij.

–  Me të vërtetë e ke ti? Ta dish se, po më pate gënjyer, do të të vras!

Ky sahab, që ishe takuar me Omerin, si fillim kishte dashur që të fitonte pakëz kohë për të lajmëruar Profetin për rrezikun që i kanosej. Ndërsa Omeri ndërroi rrugë për të shkuar njëherë në shtëpinë e së motrës, Nuajmi shkoi për t’i treguar Profetit ato çfarë i kishin parë sytë.

Omeri shkoi në shtëpinë e së motrës me një frymë. Filloi të dëgjonte një zë të veçantë. Këta zëra nuk ngjanin aspak, as me poezi e as me ndonjë gjë tjetër. Duke mos duruar më, Omeri e shpërtheu derën dhe hyri brenda:

–  Domethënë, ju jeni kthyer në fenë që ka sjellë Muhamedi? – i pyeti ai i nevrikosur.

Ai e mori përsëri fjalën sepse nga Fatimeja dhe i shoqi nuk dëgjohej asnjë zë:

–  Di unë si t’ju sjell ju në vijë! – bërtiti ai me zë të lartë.

Mandej i rrahu të dy shumë keq. Fatimeja, e cila kishte ngelur pa fuqi përtokë, bërtiti prej besimit që buronte prej zemre:

–  Po, ne i besuam fesë së re. Besuam se njeriut nuk mund t’i vijë asnjë e mirë prej idhujve që i ka bërë me duart e veta. I besuam Allahut që është një. Besojmë gjithashtu se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Tashmë edhe sikur të na vrasësh, ne prapë nuk do të ndërrojmë rrugë.

Ky qëndrim këmbëngulës i së motrës dhe kunatit e kishte prekur shumë Omerin. Seç ndjeu një si zbutje në zemrën e tij. Prandaj i pyeti ata me një zë të butë:

–  Çfarë ishte ajo që po lexonit pak më parë?

Ato që lexoheshin ishin ajetet e Kuranit. Ajo që i lexonte ishte Fatimeja bashkë me Hababin, i cili kishte ardhur për t’i shpjeguar burrit të saj Islamin. Hababi po rrinte i fshehur në një qoshe që prej çastit që Omeri kishte shpërthyer derën. Ai e kuptoi prej zërit të Omerit, që ai dëshironte me të vërtetë t’i dëgjonte ato ajete. Hababi doli menjëherë prej qoshes ku ishte strukur dhe tha:

–  Ato janë ajetet e Kuranit që i kanë zbritur Të Dërguarit të Allahut, o Omer.

Omeri po e shikonte i habitur Hababin.

–  Po ti kush je?

–  Unë jam Hababi. Kam ardhur për t’i mësuar motrës dhe kunatit tënd Kuranin.

–  A m’i jep edhe mua ato ajetet, se dua t’i lexoj? – e pyeti Omeri.

–  Mirë, por ti nuk ke abdes. Kuranin nuk mund ta lexojnë ata që nuk kanë abdes.

Omeri mori abdes për të lexuar Kuran. Ai filloi t’i lexonte ajetet një e nga një e me një kujdes të madh. Pas çdo ajeti që mbaronte së lexuari ai fillonte të mendohej. Mandej Omerit iu zbut zemra dhe deshi që të ishte edhe ai një besimtar. Pastaj iu kthye Hababit:

–  A do të më çosh tek Ai?

Kështu, të dy tok, ata u nisën për të shkuar pranë Profetit tonë të Nderuar. Por këtë herë jo për ta vrarë, por për t’i shpallur Atij besim.

Hababi ishte bërë me krahë prej gëzimit, ngaqë po shkonin bashkë me Omerin për tek Profeti. Ktheu edhe njëherë kokën për t’i buzëqeshur Fatimesë me të shoqin, pastaj nxitoi për të arritur Omerin. Profeti ynë i Dashur Paqja qoftë mbi Të! donte shumë që Omeri të besonte. Sepse ai ishte një njeri i fortë, që i dëgjohej fjala në të gjithë Mekën. Nëse do të besonte, vetëbesimi i myslimanëve do të forcohej mjaft, kështu që edhe vuajtjet që i shkaktoheshin myslimanëve do të pakësoheshin. Më në fund mbërritën tek Profeti dhe Omeri i shpalli besimin e tij. Me t’u ndarë prej Profetit ai shkoi për të bërë një shëtitje rreth Qabes. Mosbesimtarët u habitën shumë kur e panë. “Tani e kemi akoma më të vështirë. Omeri paska kaluar në anën e tyre.”, thanë ata të pikëlluar.

Pas shpalljes së besimit prej Omerit të nderuar, numri i myslimanëve kishte arritur dyzetën. Pas kësaj, Islami nuk do të ishte më i fshehtë, por do të shpjegohej hapur. Kjo ishte një përpjekje e ngjashme me hapjen e një pusi me majën e një gjilpëre. Profeti ynë i Nderuar Paqja qoftë mbi Të! bashkë me këta njerëz do të punonin me durim ditë e natë për shpëtimin e gjithë njerëzimit.

 

QËNDRIMI NË MEKË PO BËHEJ I VËSHTIRË

Myslimanët ishin në një gjendje shumë të vështirë. Kishin rrezikun që të dilnin shëndoshë e mirë në mëngjes e të mos ktheheshin dot gjallë në mbrëmje në shtëpitë e tyre. Tashmë ishte diçka e zakonshme që myslimanët të ofendoheshin gjithandej. Torturat më të ashpra ishin për ta. Disa do të torturoheshin madje edhe prej nënës dhe babait të vet.

Deri më tani kushedi sa vetëve u ishin thyer kërbaçët në kurriz. Sa prej tyre ishin groposur në rërën e nxehtë për t’u lënë pa ujë e pa bukë më pas. Madje edhe duke iu hedhur shkëmbinj të mëdhenj mbi trupat e tyre. Disa vendoseshin me shpinë ndaj zjarrit duke u lënë ashtu derisa të shuhej zjarri. Sa e sa veta ishin lidhur nga të afërmit për t’u rrahur me shufra derisa ato të thyheshin. Megjithëkëtë, askush nuk ishte kthyer prej besimit të tij.

Kur gjendja u përkeqësua akoma edhe shumë, Profeti i Nderuar Paqja qoftë mbi Të! deshi që një pjesë e myslimanëve të mërgonin për në Etiopi. Mirëpo mekasit nuk do t’i linin të qetë as këta mërgimtarë. I ndoqën nga pas për t’i penguar. Mirëpo kur mbërritën në breg të detit, panë se myslimanët tashmë ishin larguar. Atëherë u kthyen duarbosh për në Mekë. Filluan të shqetësoheshin se ata që kishin ikur për në Etiopi mund të fillonin të shpjegonin Islamin edhe atje. Prandaj filluan të thurnin plane për t’i kthyer pas myslimanët e larguar.

Myslimanët që shkuan në Etiopi filluan ta jetonin Islamin lirshëm. Mirëpo vuajtjet për ata që kishin lënë pas do të ishin akoma edhe më të rënda. Myslimanëve të mbetur në Mekë iu vendos një bojkot, andaj myslimanët e mbetur në Mekë u detyruan të jetojnë me çadra në vende të hapura, diku jashtë Mekës. Askush nuk bënte tregti me ta. As vajza nuk merrnin e jepnin. E gjithë pasuria e nënë Hatixhesë u harxhua pikërisht në kohën e këtij bojkoti. Ajo e pati harxhuar të tërë pasurinë e saj në rrugën e Profetit.

Sapo kishte mbaruar bojkoti ndaj myslimanëve, kur një tjetër fatkeqësi ndodhi. Xhaxhai i Profetit Muhamed, Ebu Talibi vdiq. Krenaria e Njerëzimit u mërzit jashtëzakonisht shumë. Ai kishte ngelur i vetëm e pa njeri në Mekë. Xhaxhai i dhembshur që e shpëtonte nipin prej mosbesimtarëve nuk do të ishte më. Kishin kaluar vetëm tri ditë prej kësaj mërzie kur një tjetër njeri shumë i dashur për Profetin vdiq. Këtë herë ishte nënë Hatixheja ajo që do të largohej nga jeta.

Këto vdekje të njëpasnjëshme e patën pikëlluar Profetin tonë të Dashur. Njëra ishte nënë Hatixheja, e cila ia kishte dedikuar veten Allahut dhe Të Dërguarit të Tij, me gjithë pasurinë dhe shpirtin e saj. Ndërsa tjetri ishte xhaxhai i Profetit, i cili e kishte mbrojtur atë që kur ishte fëmijë, dhe së fundmi prej mosbesimtarëve të Mekës. Njëra ishte një grua shumë e dashur, tjetri ishte një xhaxha më shumë se i dashur.

Pas pak kohësh, Profeti ynë vendosi të shkonte në Taif, pasi nuk kishte ngelur më askush që ta dëgjonte në Mekë. Ku i dihet, atje mund të kishte njerëz që do ta dëgjonin dhe besonin. Mirëpo Profeti i Mëshirës kishte gjetur të kundërtën e asaj që kishte shpresuar. Në Taif e goditën me gurë dhe e pështynë. E vunë në lojë duke e përgënjeshtruar. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, rrugaçët e Taifit zunë ta godisnin edhe me gurë.

Zejdi, i cili ishte bashkë me Profetin, dilte njëherë para e njëherë mbrapa për të mos lejuar asnjë gur që të godiste Mbretin e Profetëve. Megjithatë këmbët e Profetit Muhamed Paqja qoftë mbi Të! u mbuluan krejtësisht në gjak. Madje i dhimbnin aq shumë sa nuk ecte dot. Kjo tufë injorantësh që nuk dinin se ç’bënin, e detyruan Profetin që të largohej menjëherë prej andej. Pastaj, pa pikën e keqardhjes, vazhdonin t qëllonin me rrebesh gurësh. Por sa mirë që kur dolën prej Taifit, tufa e rrugaçëve reshti së përndjekuri. Kjo ndodhí e kobshme dhe e dhimbshme zgjati thuajse tri kilometra, derisa ata dolën prej Mekës.

Profeti ynë i Dashur Paqja qoftë mbi Të!, s’kishte shumë që kishte humbur të shoqen dhe xhaxhain e Tij. Ai kishte ardhur në Taif sepse në Mekë nuk kishte asnjë njeri që ta dëgjonte. Do t’u fliste atyre për Allahun. Profeti ynë, Muhamedi Paqja qoftë mbi Të! ishte njeriu më i dashur për Allahun e Madh. Ai ishte burim mëshire për të gjithë Universin.

Ai nuk i përmbante dot lotët përballë ngjarjeve që po i ndodhnin njëra pas tjetrës. Teksa po ecte i lodhur dhe tejet i mërzitur, aty erdhi Xhebraili me engjëllin e maleve. Të dy ishin në trajtën e njerëzve.

Xhebraili i tha Profetit tonë këto fjalë duke treguar malet që ishin pranë:

–  O Muhamed! Allahu të përshëndet, prandaj mos u mërzit. Ky që qëndron pranë meje është engjëlli i maleve. Allahu i pa të gjitha ato që t’u bënë Ty. Nëse do, engjëlli i maleve mund ta përmbysë këtë malin këtu mbi taifasit. Kështu, atje nuk do të ngelet asnjë i gjallë.

Ndërkohë Zejdi, i cili ishte pak më larg, kishte ngelur duke parë nga Taifi. Ai ishte shumë i mërzitur dhe i nxehur. Nuk arrinte t’i pranonte dot ato që i kishin ndodhur Profetit. Mirëpo, Profeti i Mëshirës, megjithëse ata i kishin bërë shumë keq, i fali ata njerëz. Fjalëve të Xhebrailit i ktheu këtë përgjigje:

–  Jo, nuk dua të ndodhë diçka e atillë. Ata nuk e dinë se ç’kanë bërë. Ku i dihet, prej këtyre njerëzve nesër mund të dalë dikush, i cili do të besojë.

Profeti ynë i Nderuar, i cili ishte më i mëshirshmi i njerëzve, nuk ia donte të keqen as atyre që i silleshin si armiq. Zaten, Ai ishte Profeti i Mëshirës. Kështu që Ai po i tregonte botës edhe një herë dhembshurinë e Tij.

Kur ndodhi ndodhía e Miraxhit, kishte kaluar veç një kohë e shkurtër prej asaj të Taifit. Një natë, Profeti ynë i Shumëdashur u mor prej Mekës nga engjëlli i profetësisë dhe nga një kafshë me emrin Burak. Prej aty e çuan në Jerusalem, në Xhaminë Aksa. Prej andej e ngritën në qiell, ku u takua me të gjithë profetët. Aty Ai i priu të gjithë profetëve në namaz. Ndërsa në fund u takua drejtpërsëdrejti me Allahun xhel’le shanuhu.

Zoti ynë i Madhërishëm, Zotëruesi i gjithçkaje, po e qetësonte Profetin e Tij me anë të këtij takimi. Sepse Profeti ynë, para shumë pak kohësh kishte humbur xhaxhanë e Tij, e pak më pas kishte humbur edhe gruan e tij, nënë Hatixhenë. E megjithatë Ai ishte nisur për në Taif për të shpjeguar Islamin, por edhe aty e kishin përzënë me gurë. Allahu i Madh me anë të Miraxhit dukej sikur i thoshte: “Mos u mërzit aspak, o Muhamed! Asnjë prej shqetësimeve të kësaj bote mos të të mërzisë. Shih, Unë jam me Ty!”.

Ndajeni me miqtë tuaj...