Pesë kohë namaz janë farz, detyrim. Mirëpo, si do të falet namazi në pole, kur atje ka gjashtë muaj natë e gjashtë muaj ditë?

0

Nuk e dimë nëse ata që e bëjnë këtë pyetje, janë të sinqertë apo jo. Sepse deri më tani ka ndodhur që këtë pyetje ta bëjnë vazhdimisht ateistë që mohojnë se feja Islame është një fe universale. Në të tilla raste është dashur të thuhet: “Ju thoni se Islami është një fe universale, mirëpo a është e mundur që kjo fe të jetohet në çdo vend, me të gjitha kërkesat e saj, si, agjërimi dhe namazi?”

Le të deklaroj pa humbur kohë se asnjë sistem në botë, madje edhe sikur të jetë vetëm një sistem ekonomik, në asnjë mënyrë nuk mund t’i afrohet nivelit të universalitetit që ka arritur Islami. Ja ku i keni sistemet me një mijë të meta të ditëve tona, të cilave njeriu e ka të vështirë t’i quajë me plot gojën “sisteme”. Mes tyre ka edhe të tillë që janë revizionuar disa herë qysh në të gjallë të teoricienit të vet. Për shembull, sistemi ekonomik i Marksit, megjithëse qe rishikuar disa herë prej vetë atij në bashkëpunim me Engelsin, duke bërë ndreqje në të, prapëseprapë, në të gjitha internacionalet pasuese, çdo radhë, iu bënë retushe, rregullime, duke e futur sakaq në një kallëp të ri.

Kjo specifikë, ashtu siç paraqitet e tillë në ditët tona në çdo sistem ekonomik, bie në sy edhe në të gjitha llojet e sistemeve të të gjitha kohërave si një e metë e natyrshme dhe defekt njerëzor.

Le të shtoj menjëherë edhe këtë, se unë s’kam ndërmend ta nënvleftësoj këtë çështje duke e rrumbullakosur përgjigjen vetëm me një përqasje të tillë. Mirëpo ç’e do se, për shkak se aftësia dhe rruga arsyetimore e kundërshtarëve tanë është dialektika, domethënë grindja, edhe neve na duhet ta ulim veten përkohësisht e të bëhemi si fëmijët…

E dyta, sa përqind e popullsisë së botës jeton në vende të tilla që dikush zë të kapet pas situatave të posaçme të tyre, e kritikon një fe universale? Po, sa përqind e njerëzimit jeton në ato vende të akujve e të errësirës? Ndoshta as një në një milion. Vallë si mund të konsiderohet e sinqertë dhe me karakter shkencor përpjekja për të prodhuar lëkundje e dyshime duke lënë mënjanë gjithë globin e njerëzimin e duke i treguar si argument përjashtues të ligjeve në fuqi, situatat e katër-pesë vetëve të mjerë, të paqytetëruar?

E treta, a mos vallë ka myslimanë në pole që tregohet kaq shqetësim për çështjen e namazit të tyre dhe pyetet se si do t’i falin namazet njerëzit që jetojnë në pole? Nëse një ditë njerëzimi vendoset në polet dhe njerëzit vijnë e pyesin se si do të kryhen adhurimet, atëherë edhe merr kuptim parashtrimi i një pyetjeje të tillë. Përndryshe, tani për tani, një pyetje të tillë do ta quajmë thjesht qëllim për të hedhur dyshim mbi zemrat e njerëzve të pafajshëm. Kur bisedohet me materialistët, gjuha nis të bëjë dialektikë edhe nëse zemra s’e do një gjë të tillë. Qofshin të falur!

Dhe tani le të parashtrojmë shkurt se ç’thotë Islami për këtë çështje. Është e padyshimtë që Islami, i cili nuk ka lënë asnjë pikë të zbuluar, as këtë specifikë s’e ka nënvleftësuar. Po, kjo specifikë është sqaruar qysh në shekullin e parë të Islamit me rastin e një ngjarjeje. Në veprën “Sahih” të Buhariut e në “Musned” të Ahmed b. Hanbelit, përshkruhet një bisedë e zhvilluar mes Profetit (a.s.) dhe sahabëve të Tij. Profeti thotë: “Kur braktiset feja, del në pah Dexhali.” Mandej vazhdon: “Ai do të dalë nga lindja dhe do ta përshkojë botën nga kreu në fund për dyzet ditë. Një ditë e tij është sa një vit i juaji. Ka edhe një lloj dite sa një muaj i juaji. Një ditë tjetër e tij është sa një javë e juaja, kurse ditët e tjera i ka si ditët tuaja.” Pasuesit e pyesin: “Në atë ditën e tij që është sa një vit, a mjafton namazi i një dite? ” Dhe Profeti u përgjigjet: “Llogariteni dhe gjejeni!”[1] Domethënë kërkon t’u thotë që muajt dhe javët që janë një ditë e natë e plotë, t’i pjesëtojnë për ditët njëzetekatërorëshe dhe ashtu t’i kryejnë adhurimet.

Pasi çështja ka kaluar në dorë të juristëve, është trajtuar shkencërisht, gjë që e gjejmë të plotë në librat e juristëve shafi dhe hanefi duke u sjellë në një nivel të kuptueshëm për këdo.

Kjo çështje trajtohet në kuadrin e kohës si shkak të namazeve. Ne do të prekim vetëm pjesën që ka lidhje me çështjen tonë.

Koha bëhet shkak për namaz. Kur nuk ekziston koha, edhe namazi nuk bëhet farz, detyrim. Për shembull, nëse në një vend të caktuar nuk kemi kohë të vaktit të jacisë, edhe namazi përkatës i jacisë nuk bëhet detyrim. Kurse në ato vende ku bëhet natë ose ditë e vazhdueshme përgjatë një pjese të madhe të vitit, siç tregohet edhe në tregimin mbi Dexhalin, nata apo dita e gjatë pjesëtohet për gjatësinë e ditëve dhe netëve dhe faljet apo adhurimet e tjera përshtaten sipas tyre. Me fjalë të tjera, duke i përpjesëtuar natën apo ditën ekzistuese duke përdorur edhe kalendarin e zonës më të afërt, ditën kryejmë adhurimet e ditës, kurse natën, adhurimet e natës. Krejt ashtu siç do të përpjesëtonim në mënyrë të natyrshme veprimet tona jetësore si gjumin dhe të ngrënët.

Po, ashtu siç do të përuleshim para ligjeve natyrore në vendet ku dielli nuk lind ose nuk perëndon për muaj të tërë, edhe në adhurimet si namazi, agjërimi dhe haxhi, jemi të detyruar të respektojmë të njëjtin ritëm e të ruajmë të njëjtën harmoni si të jetës së përditshme.

Shkurtimisht mund të themi se Islami nuk e ka lënë pas dore as këtë specifikë dhe ka vënë parimin që në polet të përdoret kalendari kohor i pesë kohëve të zonës më të afërt.

Në këtë rast do të ishte me vend të sqarohej edhe diçka që duket si kontradiktë. Thamë më lart se koha bëhet shkak për namaz, ose ardhja e një kohe astronomike të caktuar lind detyrimin për një adhurim të caktuar. E thënë ndryshe, po s’u realizua koha përkatëse, nuk do të vërtetohet as domosdoshmëria e adhurimit përkatës. Por, ç’është e vërteta, edhe nëse koha është treguar si shkak për namaz nga pikëpamja astronomike, shkaku i vërtetë dhe esencial i namazit është urdhri i Allahut. Për rrjedhojë, edhe në vendet ku nuk realizohet koha astronomike përkatëse, falja si “kaza” brenda kohës së një namazi tjetër, i namazit përkatës, është një veprim logjik dhe i matur.

Padyshim që Ai e di më të drejtën e kësaj pune!


[1] Muslim, fiten 110; Tirmidhi, fiten 59; Ebu Davud, melahim 14; ibn Maxhe, fiten 33.

Ndajeni me miqtë tuaj...

Leave A Reply