PROFETI DAVUD (A.S.)

Kishte kaluar shumë kohë qyshprej vdekjes së profetit Musa (a.s.). Bijtë e Izraelit ishin larguar sërish prej urdhrave që u kishte sjellë Musai. Ndërmjet tyre kishin hyrë mosmarrëveshjet e ishin ndarë në grupe. Kjo gjë i kishte dobësuar së tepërmi. Armiqtë e tyre e përdorën shumë mirë këtë rast për të sulmuar qytetin me një ushtri të madhe. Izraelitët u hutuan së tepërmi kur panë ushtrinë armike në qytet. Nuk patën kohë as për organizim, as për mbrojtje, kështu që e humbën luftën. Bashkë me luftën humbën dhe qytetin e tyre të shenjtë. Kishin mbetur pa atdhe, pa shtëpi, pa asgjë. Më e dhimbshmja ishte se arka e shenjtë, ku ndodhej Teurati dhe sendet e profetit Musa (a.s.), kishte rënë në dorë të armikut.

Një ditë u mblodhën te profeti i tyre dhe i thanë:

–     A je ti një profet që na fton në rrugën e Zotit?

–     Po, – u përgjigj ai.

–     Po a nuk na nxorën me dhunë prej shtëpive tona?

–     Po.

–     A jemi copëtuar e shkatërruar si mos më keq?

–     Po.

–     Po atëherë pse nuk i lutesh Zotit të na dërgojë një mbret, i cili të na bashkojë nën një flamur të vetëm? Vërtet që ne duam të luftojmë në rrugë të Zotit dhe duam të fitojmë prapë tokat që humbëm.

Por profeti e njihte mirë karakterin e tyre, ndaj i pyeti:

–     A jeni të bindur se kur t’ju kërkohet të luftoni, ju do merrni pjesë në luftë pa ngurrim?

–     E pse të mos luftojmë ne për rrugën e Zotit? Na përzunë nga shtëpitë e nga tokat tona. Njerëzit e fëmijët tanë u shpërndanë në katër anët e botës. A ka më keq se kaq?

Pas pak ditësh, profeti i thirri sërish.

–     Zoti shpalli Talutin mbret për ju, – u tha.

Ata u shtangën.

–     E pse atë? Pse të jetë ai mbreti ynë? Ai është i varfër. Ne e meritojmë para tij të bëhemi mbretër. Pse pak të pasur ka mes nesh, që të bëhen mbretër?

Pas këtyre fjalëve, profeti u tha:

–     Vendimin për t’u bërë ai mbret, e dha Zoti. Ai i dha atij pushtet e dituri. Pastaj Zoti bën mbret atë që Ai do.

–     E si ta besojmë ne se ai vërtet është zgjedhur mbret? Na duhet të shohim ndonjë mrekulli, që ta besojmë këtë.

–     Arka e shenjtë që ka mbetur në dorë të armikut do kthehet sërish te ju. Engjëjt vetë do ua sjellin. Brenda saj, bashkë me Teuratin, do jenë edhe sendet e Musait e Harunit. Dhe kjo do jetë prova e mbretërisë së Talutit.

Të nesërmen, njerëzit u mblodhën në faltore për të dëshmuar mrekullinë. Nisën të prisnin. Dhe, mrekullia ndodhi, para syve të të gjithëve. Engjëjt po zbrisnin nga qielli arkën e shenjtë. Kur panë me sytë e vet Teuratin dhe amanetet e tjera të shenjta që ua sollën engjëjt në faltore, izraelitët e pranuan Talutin si mbret. Ai menjëherë nisi të formonte ushtrinë e vet. Shumë shpejt gjithçka ishte gati për luftë. Përballë do kishin Xhalutin me ushtrinë e vet. Xhaluti ishte një mbret shumë i fortë e luftëtar shumë i fuqishëm. As burrat më të fortë nuk guxonin të ndesheshin me të.

Taluti bashkë me ushtrinë e tij u nisën për rrugë. Kaluan shkretëtira pa fund, male të thepisur, lugina e gremina. Ushtarët ishin tharë nga etja. Por Taluti ishte i bindur të sprovonte vendosmërinë dhe besën e ushtarëve të vet, para se të niste atë betejë aq të rëndësishme. Ishte i detyruar t’i ndante ata që ishin trima e të vendosur nga frikacakët e burracakët.

–     Pas pak do ndeshim një lumë, – u tha ushtarëve. Ju nuk duhet të pini prej tij. Ata që do pinë ujë, nuk do vazhdojnë më rrugën me ne. Në ushtri do të mbesin vetëm ata që nuk pinë ujë, ose vetëm ata që lagin buzën, pa pirë.

Ishte një sprovë shumë e rëndë. Sapo arritën në lumë, shumica e ushtarëve u turrën dhe nisën të pinin sa mundnin. Po këta nuk do vazhdonin më rrugën me ushtrinë e Talutit. Taluti kishte zgjedhur një sprovë shumë të vështirë për ushtarët e vet. Atij i duhej të vërente se cilin e kishte ushtar të besës, e cili ishte i pazoti për kushtet e urdhrat e rënda të luftës. Shumë ushtarë e lanë në gjysmë të rrugës, por Taluti nuk u shqetësua dhe aq. “Sidoqoftë, tani jam i bindur se trimat e vërtetë janë me mua. Frikacakët e treguan veten.”

Vërtet që ushtarët ishin pakësuar, por në një ushtri, më i rëndësishëm se numri i ushtarëve, patjetër që ishte besimi dhe guximi i tyre.

Ushtritë e Talutit dhe Xhalutit ishin përballë njëra-tjetrës. Taluti kishte vetëm një grusht ushtarë, kurse burrat e Xhalutit ishin të shumtë, të fuqishëm e më të armatosur. Kur panë një armik aq të fuqishëm përballë vetes, disa ushtarë të Talutit u trembën.

–     Si do i mundim ne këta gjigantë?

Por të tjerët, të vendosur të luftonin e të fitonin, iu përgjigjën:

–     Ne jemi të bindur të luftojmë. Forcën na e jep besimi dhe vendosmëria që kemi.

Papritur, i veshur i tëri me mburojë, me topuz në krah, shpatë e heshtë në dorë, Xhaluti u hodh në shesh dhe kërkoi një trim nga ushtria e Talutit që të kishte guximin të ndeshej në duel me të. Të gjithë ushtarët u tutën kur panë Xhalutin gjigant përballë. Asnjëri nuk mori guximin të hidhej të luftonte i pari. Ndërsa ushtarët shihnin njëri-tjetrin, një djalosh doli një hap para dhe shkoi pranë Talutit t’i kërkonte leje për t’u ndeshur me Xhalutin. Ai djalë quhej Davud. Ditën e parë, Taluti e refuzoi kërkesën e tij. Ai ishte tepër i ri, pastaj nuk ishte ushtar i mirëfilltë, nuk dinte asnjë teknikë luftimi. Nuk kishte as armë. E vetmja gjë që kishte, ishte një shkop që mbante në dorë kur kulloste delet. Po Davudi kishte një zemër plot me besim të sinqertë te Zoti, që e bënte të besonte se ishte më i fortë se Xhaluti. A nuk ishte Zoti, burimi i mirëfilltë i çdo fuqie? Atëherë fare mirë, po të donte Ai, Davudi mund të fitonte mbi Xhalutin.

Ditën e dytë, Davudi shkoi sërish pranë mbretit dhe i kërkoi leje për t’u ndeshur me Xhalutin. Këtë herë mbreti u bind:

–     Në qoftë se e mund Xhalutin, atëherë do të të bëj komandant të ushtrisë time dhe do të të jap vajzën time për grua, – i tha Davudit.

Davudi (a.s.) doli në mejdan për t’u ndeshur me shkopin e vet në dorë, me pesë gurë dhe me një llastik. Kurse Xhaluti, që i ngjante një gjiganti prej hekuri, ishte i armatosur gjer në dhëmbë. Kur e pa Davudin ashtu pa armë e të veshur dosido, Xhaluti nisi të tallej e të qeshte. Por Davudi vuri një gur mu në llastik dhe mori shenjë fytyrën e armikut. Ai gur ra fiks në ballin e Xhalutit, duke e lënë atë top në vend. Trupi i stërmadh i Xhalutit ra në tokë pa jetë. Davudi iu afrua, mori shpatën e tij dhe nxori një britmë triumfi. Kuptimi i kësaj ishte fundi i luftës. Kishin fituar.

Pas asaj dite, Davudi (a.s.) u bë njeriu më i njohur i mbretërisë. Mbreti e mbajti fjalën dhe e bëri komandant të ushtrisë, gjithashtu e martoi me vajzën e vet. Por të gjitha këto mirësi dhe gjithë kjo famë, nuk e kishin lumturuar aspak Davudin. Atij as që i shkonte ndërmend të bëhej i famshëm, as që kishte ndonjë qëllim të udhëhiqte e të kishte pushtet. Dëshira e tij më e madhe ishte të përmendte Zotin (xh.sh.) me zërin e tij të mrekullueshëm, të lutej e të përgjërohej dhe t’i paraqiste Zotit si dhuratë falënderimet e mirënjohjen e vet të pafund të lara me lotët e përkushtimit.

Adhurimi i tij ishte pa fund, pa vend, pa kohë. Ditë e natë ai përkujtonte Zotin i magjepsur pas mrekullisë së krijimit. Zoti (xh.sh.) e zgjodhi këtë njeri të devotshëm si të Dërguarin e Vet dhe i dha Zeburin. Zeburi ishte një libër i shenjtë, si Teurati, të cilin Davudi e lexonte ditë e natë, duke përmendur Zotin pa ndërprerje.

Mirësia dhe dëlirësia e tij e brendshme ishin të pashoqe, ai ishte simbol i së drejtës e i përkushtimit.

Bashkë me këtë, Zoti i kishte dhuruar atij edhe plot aftësi të tjera të mrekullueshme. Ai arrinte të kuptonte gjuhën e zogjve dhe të kafshëve. Davudi i donte shumë të gjitha kafshët e zogjtë dhe sillej me ta me shumë dashuri. I ushqente kur ishin të uritur, i shëronte kur ishin të sëmurë.

Zoti i dhuroi Davudit edhe shumë dituri. Çdo çast mësonte diçka të re. Dhe çdo çast falënderonte Zotin për këto mirësi të pafund që i kishte dhuruar. Çdo çast e kalonte me përmendje e me adhurim, besimi i forcohej përherë e më shumë, dashuria e Zotit ishte gjithçka e tij. Kështu, për të falënderuar Zotin për mirësitë që i kishte dhënë, ai një ditë agjëronte, një ditë jo. Edhe sot e kësaj dite, ky lloj agjërimi quhet Saumi Davud, që do të thotë, agjërimi i Davudit.

Gjithashtu, Zoti i dha Davudit një mbretëri shumë të madhe. Atë kohë kishte shumë luftëra. Luftëtarët vishnin mburoja shumë të rënda për t’u mbrojtur, por këto i vështirësonin shumë lëvizjet e tyre. Një ditë, Davudi (a.s.) po mendonte t’i gjente zgjidhje kësaj çështjeje. Në dorë kishte një copë hekuri, të cilën e shihte me vëmendje për të vendosur se cila formë mund të ishte më e përshtatshme. Papritur pa se hekuri që mbante në dorë ishte zbutur. Zoti i kishte dhuruar dhe një aftësi të re, të zbuste hekurin.

U ngrit menjëherë, e ndau hekurin në copa të vogla, të cilat i bashkoi me njëra- tjetrën duke i përdredhur. Kur mbaroi punë, kishte në dorë një mburojë të mrekullueshme. Ushtari që do vishte atë mburojë të formuar prej hallkave të vogla të përshkuara me njëra-tjetrën, edhe do mbrohej nga goditjet e armikut, edhe do lëvizte shumë lehtësisht. Zoti e kishte mësuar të bënte mburojën më të mirë të kohës. Davudi (a.s.) menjëherë u përkul për falënderim.

Që nga ajo ditë, nisi të bënte me shumicë nga këto mburoja, të cilat ua jepte ushtarëve të vet, sapo i përfundonte. Ushtritë armike, sa herë përballeshin me ushtarët e Davudit, vinin re se shpatat e tyre ishin të paafta për të depërtuar këto mburoja të çuditshme, kurse mburojat e tyre, edhe pse të trasha e të rënda, nuk i mbronin dot, aq më tepër që i pengonin të manovronin dhe i merrnin frymën sapo rrëzoheshin.

Davudi (a.s.) dilte fitimtar në çdo luftë. Asnjëherë nuk ishte mundur. Por ai ishte i ndërgjegjshëm se të gjitha këto i vinin nga Zoti, ndaj e shtonte dhe më tepër adhurimin e falënderimin.

Një njeri që Zoti e do, bën që edhe njerëzit ta duan. Shumë shpejt, pas gjallesave e zogjve, edhe njerëzit nisën ta duan shumë Davudin. Për ta ai u bë njeriu më i dashur. Por mbreti nisi ta kishte zili këtë gjendje të Davudit. Vendosi ta dëmtonte atë me çdo kusht, madje edhe ta vriste. Më në fund përgatiti një ushtri të madhe dhe vendosi të luftonte kundër Davudit.

Davudi (a.s.) e kuptoi se mbreti e kishte inat dhe nuk e fshihte dot zilinë, por ai nuk donte të luftonte me të. Një natë, ndërsa mbreti flinte, Davudi hyri në dhomë, mori shpatën e mbretit që e mbante mbi kokë dhe preu një copë nga rroba e tij, pastaj e zgjoi mbretin nga gjumi dhe i tha:

–     Mbreti im i shtrenjtë! Ju keni vendosur të më vrisni, por unë nuk kam as ndonjë mëri dhe as urrejtje kundra jush. As kam për qëllim t’ju vras. Po të doja t’ju vrisja, mund ta bëja fort mirë kur ju ishit në gjumë. Shihni, sikur preva një copë nga rroba juaj, mund t’iu kisha prerë kokën. Por nuk e bëra. Sepse unë nuk dua të dëmtoj askënd. Mesazhi që kam unë për njerëzit është mesazhi i dashurisë, jo i urrejtjes.

Mbreti e kuptoi se ishte gabuar dhe iu lut Davudit ta falte. Davudi (a.s.) e fali menjëherë dhe doli nga dhoma. Pas pak kohësh mbreti vdiq gjatë një lufte, në të cilën Davudi nuk kishte marrë pjesë. Në fakt, mbreti nuk kishte hequr dorë nga inati që kishte me Davudin, ndaj dhe e kishte refuzuar ndihmën e tij në luftë.

Pas vdekjes së mbretit, në krye të vendit kaloi Davudi (a.s.). Tashmë mbreti ishte ai. Duke ditur aftësitë e tij, dashurinë e tij për njerëzit dhe sakrificat që kishte bërë ai për popullin e vet, njerëzit kishin këmbëngulur për ta bërë mbret atë. Davudi ishte njëkohësisht edhe profeti, edhe mbreti i tyre. Ai e kuptonte shumë mirë se kjo ishte një mirësi e Zotit për të, ndaj e shtonte dhe më fort adhurimin, ndihmonte edhe më shumë njerëzit, mbronte e u dilte zot të varfërve e të dobëtëve, dhe bëhej dera e mbështetjes për të gjithë ata që kishin nevojë.

Ndihma e Zotit (xh.sh.) ishte gjithmonë pranë Davudit, ai fitoi çdo betejë që bëri me armiqtë e tij, në çdo herë Zoti i hapi atij dyert e triumfit. Edhe në kohë paqeje, shtetet e tjera të botës nuk ngacmoheshin me shtetin e Davudit. Përveç këtyre, Zoti i kishte dhënë Davudit (a.s.) një oratori të mrekullueshme, një zë mahnitës e fjalë plot mend e logjikë. Gjithashtu, kishte aftësinë për të dalluar të drejtën nga e rrema dhe për të kuptuar se kush kishte të drejtë në çështjet që zgjidhte.

Kur i lindi një djalë, Davudi (a.s.) i vuri emrin Sulejman. Ky djalë kishte një zgjuarsi të mahnitshme. Ngjarja që do tregojmë tani, ka ndodhur kur ai ka qenë vetëm njëmbëdhjetë vjeç.

Ishte dita që profeti Davud, i ulur në fron, zgjidhte çështjet e ndryshme të njerëzve dhe gjykonte mbi mosmarrëveshjet e tyre. Pranë tij hynë dy burra. Njëri kishte një arë dhe ankohej prej tjetrit. I zoti i arës tha:

–     Zotëria ynë! Delet e këtij burri kanë hyrë natën në arën time dhe kanë ngrënë gjithë ç’ka pasur në arë. Kanë ngrënë edhe gjithë rrushin që ishin rritur. Unë erdha që ju të vendosni për dëmshpërblim.

Davudi iu kthye të zotit të deleve:

–     A është e vërtetë se delet e tua kanë ngrënë gjithë prodhimin e arës së këtij burri?

–     Po, zotëri!

Davudi u mendua pak dhe dha një zgjidhje që deri atëherë quhej shumë e saktë, tha:

–     Për të dëmshpërblyer këtë burrë për atë që i kanë bërë delet e tua, unë vendos që t’ia japësh delet të zotit të arës.

Pikërisht në këtë moment, u afrua Sulejmani. Ai ishte shumë i zgjuar, Zoti i kishte dhënë shumë dituri, sikur të atit. Po ashtu edhe nga i ati kishte mësuar shumë gjëra.

–     Baba, nëse më lejon, edhe unë kam një mendim, – i tha të atit në vesh.

–     Thuaje, bir. Çfarë mendon?

–     Baba, i zoti i deleve të marrë arën, ta mbjellë sërish. Ta punojë e të kujdeset për të. Kur të piqen prodhimet e kur të bëhet vreshta, ashtu siç ka qenë përpara, t’ia kthejë të zotit. Ndërkohë, i zoti i arës të marrë delet. Edhe t’i kullotë ata, edhe të përfitojë prej qumështit e prej leshit të tyre. Kur të marrë sërish arën e vet, t’ia kthejë delet të zotit.

Davudi (a.s.) e pëlqeu shumë këtë gjykim të të birit.

–     Është një zgjidhje e mrekullueshme, bir, – i tha. Lavdi Zotit që të ka dhënë kaq urtësi. Vërtet që t’i do bëhesh shumë i zgjuar.

Davudi (a.s.) ishte një njeri që e kishte fituar dashurinë e Zotit. Çdo ditë ai i mësonte diçka të re. Njëherë e mësoi që të mos jepte asnjëherë vendim pa i dëgjuar të dy palët. Atë ditë Davudi (a.s.) i kishte mbaruar të gjitha punët dhe kishte hyrë në dhomën e tij të veçantë për t’u falur e për të kryer adhurimet e tij. Në këtë kohë ai u thoshte rojeve që të mos e ndërprisnin për asnjë gjë. Nuk donte të shqetësohej gjatë faljes së tij.

Por atë ditë, kur hyri në dhomë, u ndesh me dy burra. Në fillim u çudit dhe u tremb paksa. Kush mund të ishin këta burra që kishin arritur të hynin brenda duke depërtuar rojet?

–     Kush jeni ju? – i pyeti.

–     Mos u tremb, zotëri. Ne kemi një hall mes nesh dhe kemi ardhur të na e zgjidhni ju.

–     Ashtu? Epo mirë, le t’ju dëgjojmë!

I pari nisi të fliste:

–     Ky është im vëlla. Ai ka nëntëdhjetë e nëntë dele. Unë kam veç një. Im vëlla ma mori edhe atë një që kisha e nuk ma jep më…

Profeti Davud, pa dëgjuar mbrojtjen e gjendjen e palës tjetër, vendosi menjëherë.

–     Është krim kjo që paske bërë! Duke pasur nëntëdhjetë e nëntë dele, të marrësh edhe delen e vetme të tjetrit, është padrejtësi. Shumë prej njerëzve që kanë ortakëri, i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit. Po të kenë njerëzit besim të fortë në Zot, do ruheshin nga këto mëkate!

Nuk e kishte mbaruar ende fjalën, kur dy burrat humbën nga sytë. Nga prapa ngeli vetëm një re… Davudi e kuptoi menjëherë se ata dy njerëz kishin qenë engjëj. Pa dyshim, Zoti ia kishte dërguar për t’i dhënë një mësim atij. Nuk duhet të vendoste asnjëherë në një çështje pa i dëgjuar të dy palët. Ku i dihej, ndoshta pronari i nëntëdhjetë e nëntë deleve kishte të drejtë! Pas kësaj, profeti Davud (a.s.) ra menjëherë në sexhde dhe nisi t’i kërkonte falje Zotit. Pas asaj dite, asnjëherë Davudi nuk u ngut në gjykimin e tij dhe gjithmonë i dëgjoi të dy palët me vëmendje, para se të jepte vendim.

Gjithë pjesën tjetër të jetës së tij, Davudi (a.s.) e kaloi me adhurim e mirësi. Asnjë çast nuk e kaloi pa e përmendur Zotin, asnjë moment nuk e hoqi emrin e Tij nga goja. Çdo herë mori frymë me dashurinë e Tij. Edhe në momentin e fundit të jetës, ai kishte lumturinë që po shkonte pranë Zotit të tij. Kur erdhi momenti të dorëzonte shpirtin e të shkonte pranë dashurisë së tij më të madhe, detyra për të vazhduar misionin e tij, i takonte Sulejmanit (a.s.).