PROFETI EJUB (A.S.)

Nga fillimi i saj gjer në fund, jeta është një zinxhir sprovash për njeriun. Që në fëmijëri, e pastaj gjatë gjithë jetës së tij, njeriun e presin një sërë sprovash e vështirësish dhe pikërisht këta janë ato që e pjekin njeriun, e rrisin atë, e bëjnë më të mirë e më të aftë për të përballur gjëra me rëndësi. Pa sprovë, nuk mund të dallohet metali nga ari.
Vështirësia e sprovës padyshim që është sipas forcës e personalitetit që provohet. Më të vështirat janë sprovat e profetëve. Edhe profeti Ejub (a.s.) u sprovua me një sëmundje shumë të rëndë, që i mori gjithë trupin.
Ejubi (a.s.) ishte një njeri shumë i mirë e i devotshëm. Zoti (xh.sh.) i dha atij një provë edhe me pasurinë, edhe me familjen, edhe me shëndetin. Njëherë e një kohë, ai ishte njëri prej më të pasurve të vendit, pastaj nuk i mbeti asgjë. Pa kaluar shumë, humbi edhe familjen e ngeli vetëm. Aq më tepër që një sëmundje shumë e rëndë dhe e pashpresë i kishte mbuluar gjithë trupin dhe ai copëtohej mes dhembjeve. Megjithatë, profeti Ejub (a.s.) për asnjë moment nuk e humbi durimin, asnjëherë nuk e la mangët adhurimin e lutjet për Zotin, çdo çast falënderoi. Fatkeqësia që i kishte ndodhur ia kishte forcuar edhe më tepër besimin e lidhjen me të Adhuruarin.
Patjetër që edhe pasuria kishte përgjegjësitë e vështirësitë e veta, të cilat profeti Ejub (a.s.) i kishte përballuar më së miri, e kishte treguar veten sa i devotshëm ishte dhe pasurinë e kishte përdorur më së miri në rrugën e Zotit (xh.sh.). Më pas i kishte ardhur radha provimit me varfërinë. Me gjithë mundimet e vështirësitë e varfërisë, Ejubi (a.s.) ia kishte dalë mbanë me sukses edhe asaj. Më parë kishte një familje të madhe e të lumtur, të cilën e drejtonte me dashuri e ndershmëri. Edhe me të ia doli mbanë, me vështirësitë e përgjegjësitë e saj. Kurse tani ishte vetëm. Ishte radha për t’u përballur edhe me vetminë.
Atë kohë ishte i fortë e i shëndetshëm. Edhe me shëndetin ishte provuar. Çdo çast kishte falënderuar Zotin për këtë gjë të mirë. Pastaj i gjithë trupi i ishte mbushur me plagë. Atëherë kishte bërë durim, asnjëherë nuk kishte rebeluar, bile kishte qenë mirënjohës. Shkurt, ai, në çdo çast e në çdo situatë që ishte ndodhur, i ishte drejtuar Zotit (xh.sh.). Sëmundja nuk po i përmirësohej aspak, varfëria kishte arritur kulmin; mosmirënjohja dhe harresa e njerëzve ia copëtonin më fort shpirtin. Gjithë ç’kishte ishin këta tre miq; varfëria, vetmia dhe sëmundja e tij. Por Ejubi (a.s.), me vullnet të çeliktë e me besim të palëkundur kishte arritur t’i kthente në një trekëndësh alternativ: durim, mirënjohje dhe lutje.
Një ditë, shejtani i doli përballë dhe deshi t’ia prishte mendjen:
– O Ejub, shkaku i çdo vuajtje tënde jam unë. Sikur një ditë të rebelosh e të mos bësh më këtë durim që bën, dije se ke për t’u shëruar. Braktise këtë rrugë, nuk të vlen!
– Zhduku, o i poshtër! – thirri Ejubi duke e përzënë shejtanin nga dhoma. As edhe një moment të vetëm nuk do heq dorë nga rruga ime, as nga mirënjohja dhe as nga adhurimi.
Shejtani doli i mundur dhe me shpresa të humbura nga dhoma e Ejubit. Kurse Ejubi (a.s.) ishte mërzitur. Me çfarë guximi vinte shejtani para tij e i thoshte të hiqte dorë nga rruga e Zotit (xh.sh.)? Shejtani nuk donte të hiqte dorë aq shpejt dhe vendosi të shkonte te e shoqja e Ejubit. Ajo ishte një grua e mrekullueshme, megjithëse i shoqi ishte i sëmurë dhe kishte humbur gjithë pasurinë, ajo për asnjë çast nuk e kishte lënë vetëm. Por, në fund të fundit, dhe ajo njeri ishte, kishte momentet e saj delikate e të dobëta. Aq më tepër që shejtani po ia fuste aq shumë në mendje pesimizmin e inatin. Iu duk se kishte njëfarë të drejte. Shkoi një ditë pranë Ejubit (a.s.) dhe i tha:
– Deri kur do të të torturojë Allahu kështu? I humbe të gjitha, pasurinë, familjen, shëndetin. Pse nuk i lutesh Zotit të të shërojë nga kjo lëngatë e lodhshme?
Ejubi (a.s.), ai hero i durimit e i qëndresës, u prek shumë kur dëgjoi këto fjalë.
– Sa vite kemi jetuar mes të mirave e begatisë? – pyeti të shoqen.
– Tetëdhjetë vjet.
– Po mes vuajtjesh e sëmundjesh?
– Shtatë vjet…
– Tetëdhjetë vjet kam jetuar mes të mirave. Shtatë vjet mes vështirësish. Në këtë gjendje mua më vjen zor t’i kërkoj Zotit diçka. Nuk e kuptoj çka ndodhur me ty? Apo ta ka gënjyer mendjen shejtani? Po të shërohem një ditë, betohem në emër të Zotit, se kam për të të goditur me njëqind thupra për këtë që më the.
Zemërimi i momentit dhe fryrja e shejtanit e kishin bërë të nxirrnin një fjalë të tillë prej goje. Ai kishte një durim të pashembullt, po ja, edhe ai ishte bërë pre e një çasti të tillë, duke u betuar në emër të Zotit për një veprim aspak të dëshiruar prej tij. U mërzit së tepërmi, iu copëtua zemra. I kishte thënë të shoqes gjëra që as i kishte menduar ndonjëherë. Në atë gjendje vendosi të ikte dhe mori rrugën drejt një mali. Sado që ishte tepër i sëmurë, nuk u ndie dhe vendosi të duronte. Por pas pak, gjendja e tij u rëndua aq tepër, sa nuk ishte në gjendje as të lutej, as të përkujtonte Zotin. Vetëm atë çast rënkoi.
“O Zoti im! Kjo sëmundje ka hyrë mes meje e Teje. Është vuajtja më e madhe për mua të mos mundem të të kujtoj Ty me gjuhën e me zemrën time. O Zoti im! Ti je Mëshirëbërësi pa fund! Të lutem, më shpëto mua nga çdo gjë që më largon prej Teje.”
Ejubi lutej dhe derdhte lotë. Kur papritur, një zë çau errësirën e natës dhe ushtoi ngado:
– O Ejub! Përplase këmbën në tokë. Me ujin e freskët që do burojë që aty, laje trupin dhe pi!
Profeti goditi tokën me thembër. Menjëherë nga toka vërshoi uji. Një ujë i kthjellët, i freskët, i pastër. Kishte një shije që s’mund të ngopeshe me të, si uji i xhenetit. Profeti Ejub (a.s.) njëherë pinte nga ai burim, pastaj lante trupin. Pas pak, vuri re se plagët e trupit po i shëroheshin, në trup po i kthehej gjallëria. Lodhja dhe pafuqia ia kishte lënë vendin një gjallërie të pashpjegueshme. As zjarrmi nuk kishte më, as dhembje. Ai ujë i lumturuar i kishte shëruar edhe plagët e jashtme, edhe plagët e brendshme.
Pa kaluar shumë kohë, e gjithë familja e tij u kthye sërish. Mëshira hyjnore i kishte sjellë ata sërish së bashku. Shtëpia e profetit të durueshëm u mbush sërish. Ai nuk ishte më vetëm. Lëngata e tij shumëvjeçare kishte marrë fund, të afërmit i ishin kthyer sërish. Dhe profeti i madh i kishte shtuar më shumë adhurimin e lutjet, përkushtimi i tij ishte total, edhe më i thellë.
Vetëm se ai ishte betuar në emër të Zotit se do të godiste të shoqen me njëqind thupra sa të shërohej dhe tani që ishte shëruar, i duhej ta çonte në vend betimin. Po Zoti (xh,sh,) e kuptonte zemrën dhe qëllimin e Ejubit, ndaj i mësoi atij një zgjidhje për këtë problem. Bëri një tufë me njëqind thupra rozmarinë, të cilat ishin shumë të brishta dhe e qëlloi të shoqen një herë të vetme me ta. Kështu do e sillte në vend betimin në mënyrën më të lehtë.
Për të shpërblyer durimin e profetit Ejub, Zoti (xh.sh.) e përmend atë në Kuran me këto fjalë:
“Ne dëshmuam se ai ishte shumë i duruar. Sa rob i mirë! Në pasuri dhe në varfëri, në sëmundje dhe në shëndet, në çdo moment, fytyra dhe zemra e tij ishin nga Zoti.”
Kurani e përmend atë me fjalën “evvab”, që sinjifikon dikë që i drejtohet gjithnjë Zotit me përkushtim e me durim. Ishte pikërisht durimi, ai që e bëri profetin Ejub (a.s.) ta kalonte me sukses provën e vet. Që nga ajo ditë, fjalët e lutjes së tij u bënë shpresë e shpëtim për gjithë të sëmurët e hallexhinjtë, që duke thënë lutjen e tij, kujtuan, nderuan dhe morën shembull durimin e përkushtimin e tij. Dhe kushdo që desh të lehtësonte pak dhembjet e vuajtjet e veta, rënkoi me gjuhën e tij.
Ky profet i madh na ka mësuar të gjithëve me jetën e vet sa gjë e vyer është durimi. Gjithashtu shembulli i tij na kujton se në të vërtetë plagët e brendshme shpirtërore e morale janë shumë më të rrezikshme nga plagët e dukshme trupore. Nëse plagët trupore dëmtojnë kurmin tonë dhe rrezikojnë jetën kalimtare të kësaj bote, plagët morale e shpirtërore janë ato që shkatërrojnë shpirtin e përjetësinë tonë. Dhe ilaçi më i mirë për këto është, t’i lutemi Zotit me durim e përkushtim dhe të plotësojmë gjithmonë urdhrat e këshillat e tij, duke qenë pasues të devotshëm të rrugës së tij.