PROFETI HUD (A.S.)

Vitet rrodhën shpejt njëri pas tjetrit. Baballarët vdiqën, ua lënë vendin bijve, pastaj ata nipave e kështu kaluan breza. Porosia e Nuhut (a.s.) u harrua, sërish nisën të adhuronin idhujt. Harruan rrugën e drejtë, urdhrat e Krijuesit, besimin. Në fillim mendimin e kishin ndryshe.

–     Nuk duhet t’i harrojmë të parët tanë. Ata njerëz të mirë që Zoti vetë i shpëtoi nga tufani.

Me këtë qëllim bënë përmendore për secilin prej tyre. Por me kalimin e kohës, u harrua arsyeja e vërtetë e ndërtimit të atyre përmendoreve. Respekti u konvertua në adhurim, përkujtimi në lutje. Aq më tepër kur edhe shejtani, ai armik i betuar i njeriut, përfitoi nga rasti, ato përmendore u bënë perëndi në sytë e njerëzve. Sërish bota u krodh në errësirë. Logjika e krijimit që ndriçonte kuptimin e çdo krijese, u fsheh, gjithësia, që përmendte Zotin çdo moment, sikur u mbush me trupa pa jetë.

Në një mjedis të tillë, Zoti (xh.sh.) zgjodhi Hudin si profet.

Profeti Hud (a.s.) banonte bashkë me popullin e tij të quajtur Ad, në qytetin Ahkaf. Kjo ishte një zonë, ku shkretëtira e mbushur me duna rëre, sa të hante syri, hasej me detin. Vendi ku jetonin ngrihej mbi kolona të larta. Populli Ad ishte më i fuqishmi, më i zhvilluari i asaj kohe. Edhe fizikisht ishin të bukur e të zhvilluar dhe kudo mburreshin me muskujt dhe fuqinë e tyre. “Në botë askush nuk është më i fortë nga ne”, thonin.

Po ç’e do që mendja e tyre ishte e kundërta e fizikut. Një errësirë e plotë kishte rrethuar logjikën e tyre. Adhuronin idhujt, bënin luftëra për ta, ndërsa me profetin Hud talleshin e shpifnin për të gjëra të paqena.

Profeti Hud u thoshte atyre vazhdimisht:

“O populli im, adhuroni Zotin, Ai është Krijuesi. Nuk ka perëndi tjetër veç Tij.”

Këto ishin fjalët që thoshte çdo profet. Pa u trembur, pa u tutur, i bindur në të vërtetën e madhe që shpjegonte. Të parët e vendit u mblodhën dhe e pyetën:

–     Ku do të arrish me këto që thua? Do pushtet? Do të jesh i pari? Apo do famë e pasuri? Kush të paguan për këto që thua, fjalët e kujt janë këto?

Profeti Hud (a.s.) u shpjegoi qartë se nuk priste shpërblim nga asnjeri, i vetmi qëllim i tij ishte rruga e Zotit. Nga ata kërkonte vetëm një gjë, të pastronin nga mendja mendimet e ndryshkura të injorancës dhe t’i zëvendësonin me dritën e së vërtetës. Ai iu përmendi mirësitë që Zoti i kishte dhënë këtij populli. Pas profetit Nuh ata ishin zotërinjtë e tokës. U kishte dhënë trupa të bukur e të fuqishëm, u kishte ofruar lloj-lloj mundësish. Dhe jo vetëm kaq, por edhe toka të begatshme e shira të bollshëm për të ringjallur edhe tokat e vdekura.

Njerëzit e Hudit hodhën sytë nga vendet përreth. Vërtet që ata ishin populli më i fuqishëm në botë. Vetëmse këtë fuqi nuk po e përdornin për mirë. Gjithë nervozizëm iu kthyen profetit:

–     E me ç’të drejtë ti na ndalon të adhurojmë idhujt e të parëve tanë?

–     Të parët tuaj u gabuan.

–     Na thuaj pak, vërtet pasi të vdesim e pasi kockat tona të jenë bërë dhé e pluhur që e merr era, do ringjallemi prapë?

–     Po, Ditën e Gjykimit do ngjallemi të gjithë dhe një nga një do japim llogari për çdo gjë që kemi bërë.

–     Mirë, po ty a s’të vjen e çuditshme që Zoti të zgjedhë për profet një njeri, njërin si ne?

–     E pse të më duket e çuditshme? Zoti na do të gjithëve. Juve ju do shumë, prandaj më zgjodhi mua, nga mesi juaj, t’ju tregoj ç’është e drejta dhe t’ju kujtoj ato që i keni harruar. Fatkeqësia që përjetoi populli i Nuhut nuk është dhe aq e largët, nuk ka se si t’i keni harruar. Ju e dini, ata që nuk besuan, u zhdukën. Se gjithmonë ata që mohojnë Zotin, do shkatërrohen, sado të fuqishëm të jenë.

–     Ti po tallesh. E kush mund të na mundë dot ne? A nuk e sheh sa të fuqishëm jemi?

–     Zoti!

–     Ehu, dhe ne do na mbrojnë zotat tanë.

Çfarë gabimi! Çfarë verbërie! Një tjetër pushtet në gjithësi, përveç atij të Zotit, që t’i mbrojë…

Profeti Hud (a.s.) u shpjegoi se vetëm Zoti posedon pushtetin e pafund dhe vetëm Ai mund të mbrojë. Se prej dënimit të Tij vetëm forca e Tij sërish, mund të të mbrojë. Por pa vlerë.

Diskutimet e profetit Hud (a.s.) me njerëzit e vet zgjatën me vite. Por ata çdo ditë e më shumë shisnin mend, u hynte vetja në qejf, talleshin me Hudin dhe përgënjeshtronin çdo fjalë që u thoshte ai. Më në fund, për të thanë se është i çmendur.

–     E kuptojmë tani. Ti je i çmendur! Ti poshtërove zotat tanë dhe ata për dënim të morën mendjen. E në qoftë se je kaq i zoti, ec matemi bashkë. Ne jemi populli më i fortë në botë. Nuk njohim asnjë forcë që të matet me ne. Në qoftë se janë të vërteta këto që thua, do ia dalësh mbanë të na shkatërrosh. Hajt, ç’pret!

Profeti Hud (a.s.) u mërzit shumë nga kjo pafytyrësi e tyre. Ai kishte bërë çmos t’i tërhiqte në rrugë të drejtë, të zgjonte mendjet dhe zemrat e tyre, të besonin. Por zemrat e tyre ishin si shkëmb, mendjet e tyre ishin si shkretëtirat përreth, nuk e pranonin në asnjë mënyrë mesazhin e shenjtë hyjnor. Atëherë profeti Hud ia drejtoi zemrën Zotit (xh.sh.) duke pritur me durim ato që do ndodhnin. Populli i Adit kërkonte patjetër të matej me forcën e Zotit.

Pa dyshim, shkalla pasardhëse ishte ajo e ndëshkimit. Kjo ishte procedura hyjnore. Gjithë ata që nuk besonin Zotin, mohonin gjithë krijimin, gjithë krijesat, gjithë të vërtetat. Dhe sado e madhe të ishte fuqia e tyre, sado rezistent të ishte pushteti i tyre, sado e pafund të ishte pasuria e tyre, nuk do t’u vlenin asgjë.

Të gjithë filluan të prisnin. Pas disa ditësh filloi një thatësirë e paparë. Nga qielli nuk binte as edhe një pikë shi. Dielli digjte, nxehtësia e tij mund të avullonte edhe trutë e njeriut. Rëra e zjarrtë e shkretëtirës ishte bërë edhe më e egër prej atij dielli. Njerëzit i zuri paniku. Vrapuan te profeti Hud.

–    Ç’është kjo gjendje kështu, o Hud?

–     Ju deshët të matnit forcën tuaj me forcën e Zotit. Këto janë shenjat e para të një ndëshkimi tragjik, që ju e kërkuat vetë. Por nuk është ende vonë. Pendohuni! Dhe Zoti do t’ju falë. Silluni në rrugë të mbarë. Dhe ky ndëshkim do largohet prej jush. Mbi tokat e thara do bjerë shi, do kthehet gjallëria, gjithçka do bëhet edhe më mirë se më parë. I kënaqur prej jush, Zoti do shtojë forcën e pushtetin tuaj. Mendohuni, logjikoni!

Por ata nisën të talleshin sërish. Këmbëngulën me inat në mohimin e tyre, as nuk morën mundimin të mendonin seriozisht atë që i priste, as nuk deshën të besonin ndopak. Sikur të ktheheshin! Sikur të besonin! Atëherë do e shihnin sa i mëshirshëm, sa falës do tregohej Zoti me ta.

Po atë ditë, profeti Hud (a.s.) bashkë me të afërmit e tij braktisën qytetin. Kur arriti në një majë, prej ku qyteti dukej nga larg, u ndal. Për herë të fundit pa atë qytet të bukur ku jetonte populli Ad, pa shtëpitë e bukura, kopshtet, kolonat… Nga goja i shpëtuan këto fjalë plot dhimbje:

–     Ah, populli im! Sa ju kam këshilluar, sa ju kam thirrur në rrugën e drejtë! Po ju asnjëherë nuk më dëgjuat!

Në horizont u duk një grumbull resh të zeza që errësuan qiellin. Njerëzit, që kishin ditë që prisnin për shi, u hodhën të gëzuar:

–     Ja, më në fund dhe shiu erdhi. Perënditë tona na ndihmuan. A nuk kishim thënë se Hudi fliste përçart?

Furtuna vazhdonte pa ndërprerje. Çdo natë ishte më e ftohtë se ajo më parë. Çdo ditë më e tmerrshme. Të lemerisur nga kjo ngjarje e paparë, njerëzit u strehuan në çadra të mëdha. Por kjo nuk ju vlejti asgjë. Furtuna, e egërsuar më fort, i shkuli çadrat dhe i hodhi tej. Këtë herë u fshehën nën mbulesa, por as kjo nuk u shërbeu. Nuk dinin më me çfarë të mbroheshin. Era kishte filluar t’u griste edhe rrobat e trupit. Sa vinte e egërsohej më fort. Gjithçka e kish mbuluar një pluhur rëre i paparë.

Furtuna zgjati për shtatë ditë e shtatë net. Njerëzimi gjatë historisë së tij për herë të parë përjetonte një lemeri të tillë.

…Mëngjesi i ditës së tetë.

Zoti urdhëroi të ndalej furtuna. Përnjëherë gjithë bota ra në qetësi. Kur ranë rrezet e para të diellit mbi malet përreth, mbi qytet kishte rënë qetësia e vdekjes. Asnjë gjë e gjallë nuk kishte mbetur. Qyteti ishte bërë njësh me tokën. Dukeshin ende vetëm disa degë hurmash të mbledhura andej-këndej nga era.

Profeti Hud (a.s.), bashkë me ata që e besonin Zotin (xh.sh.) dhe fjalën e Tij kishin shpëtuar, por nga prepotentët që mburreshin me forcën e tyre e që donin të mateshin me Zotin… nuk kishte më asnjë gjurmë.