Një botë sterrë e zezë e mbarsur me dritë… Në horizont, jehona mbushur plot sihariqe për kohën e shkurtër të mbetur gjer në shfaqjen e Profetit… Aq i madh është ndikimi i tij nëpër ndërgjegje, sa shumë mekas tregojnë vazhdimisht për Profetin e Fundit që do të vijë. Dhe porosi: “Sapo të shfaqet, vraponi për tek ai dhe bëhuni një me shpirtin e tij!”

Një popull i tërë me shpirtin në të dalë dhe shpresa e çdokujt te shpëtimtari që do të vijë. Nënat dhe baballarët duan që ky shpëtimtar të jetë nga brezi i tyre dhe disa ua vënë emrin Muhammed fëmijëve të porsalindur…

Por ai e kishte të përcaktuar rrugën e tij: do të kalonte nëpër brezin e artë që përçohej nga Hz. Ibrahimi te Ismaili dhe, pastaj, nga Abdylmuttalibi te Abdullahu dhe zemrat prisnin dritën që do të vinte përmes këtij drejtimi.

Ngjarjet që kishin ndodhur e ndodhnin, për ardhjen e tij lajmëronin, kurse dendësimi i errësirës fliste për afrimin e agimit që do ta griste errësirën.

Njerëzimi i asaj dite ishte i privuar nga ideali dhe qëllimi që i japin kuptim jetës. E gjithë vepra njerëzore ishte “si ndjekja e një iluzioni optik në shkretëtirë. I eturi e pandeh për ujë atë, por, kur arrin në vend, nuk gjen gjë...” (Kur’ani, Nur: 39)

Edhe ndjenjat, mendimet dhe sjelljet e njerëzve nuk ndryshonin shumë nga kjo. Ato ishin “si errësira e dendur në një det të gjerë ku njerëzimin e kishin mbuluar dallgë mbi dallgë e sipër tyre re aq sa, po të nxirrte dorën jashtë, edhe atë nuk do ta shihte dot!” (Kur’ani, Nur: 40)

Emri i asaj periudhe është Injorancë. Por jo një injorancë si antonim i dijes; ajo ishte një injorancë – sinonim i mohimit, herezisë dhe blasfemisë që janë antonime dhe antagonistë të besimit.

Ardhja e tij është për çdo njeri favori më i madh dhe mirësia më e gjerë e Zotit. Që kjo është kështu, na e thotë vetë Zoti ynë: “Allahu u ka bërë një favor të madh besimtarëve duke u dërguar nga mesi i tyre një pejgamber që t’u lexojë argumentet e Tij, t’i pastrojë (nga të këqijat, nga mëkatet) dhe t’ua mësojë Librin dhe urtësitë” (Kur’ani, Al-i Imran: 164).

Vini re bujarinë, ndihmën dhe favorin e Allahut që u dërgon njerëzve për profet njërin nga mesi i tyre, nga origjina e tyre, i cili ndan me ta të njëjtat ndjenja e mendime, i cili është udhëzues e prijës i tyre në rrugën që shkon te e Vërteta, i cili mund të dalë në krye të tyre nëse është nevoja për imam, i cili mund të hipë në minber nëse është nevoja për hatib, i cili mund të vejë vulën e të presë monedha nëse është nevoja për një drejtues shteti, i cili mund t’i komandojë ata në mënyrën më të përkryer sesa komandantët ushtarakë më të shkëlqyer nëse është nevoja për t’i komanduar.

Lexo  HAXHI

Në kristianizëm ka një besim të gabuar. Kristianët bartin një besim të gabuar, sipas të cilit Zoti e sakrifikoi Hz.Isanë, birin e Vet (mos qoftë e thënë!), për të falur mëkatin e parë të njerëzimit. Hz. Isai u gozhdua në kryq dhe kështu u fal mëkati i parë i trashëguar nga njeriu i parë, Ademi, tek secili njeri tjetër që e ka sjellë me vete në mënyrë të bashkëlindur. Ky është i gabuar si besim dhe, sipas disa interpretimeve, në aspektet e dukshme të tij është një deviacion. Megjithatë, ekziston një nënkuptim i drejtë në këtë konsideratë që është dëshira e Zotit për t’ua falur mëkatet njerëzve e për t’i futur në rrugë të drejtë. Dhe ja, për këtë, Zoti e ka dërguar robin e Tij më të dashur, Hz. Muhammedin (s.a.v.), si profet për t’ua falur mëkatet njerëzve, për të mos i lënë ata të vetëm e pa mbështetje që të hutohen e të humbasin, por që të ngjiten në nivelin e njeriut të vërtetë e të bëhen të përsosur, që ta thellojnë në shpirtra besimin te Allahu e ta ndjejnë për çdo çast Atë dhe, siç thotë Ibrahim Hakiu, ta njohin Zotin e tyre duke e zbuluar në ndjesitë e tyre:

“Nuk më nxënë – tha Zoti – tokë e qiej”;
Në minierën e ndjesive i fshehur u zbulua…

Ndjesitë janë një burim i tillë thesaresh ku Zoti, të cilin nuk e nxënë botët, në çdo çast bën të ndihet prania e Tij si margaritari më i vyer.

Librat, mendjet, mendimet, filozofitë, shprehjet, qielli, toka dhe tërë qenia nuk mund ta përfshijnë Allahun brenda kufijve të tyre dhe asnjërës prej këtyre nuk i mjafton fuqia për ta shprehur Atë. Janë vetëm ndjesitë, është vetëm zemra ajo që, qoftë edhe pjesërisht, mund të bëhet interpretues i Tij. Po, zemra është një gjuhë e tillë që veshët nuk kanë dëgjuar gjer më sot një shprehje aq të shkëlqyer e të qartë sa shprehja e saj!

Lexo  TË FOLURIT DHE BUZËQESHJA E PROFETIT

E nëse është kështu, njeriu duhet të përpiqet për të marrë udhë në zemrën e vet, për ta kërkuar pikërisht te ajo atë që kërkon dhe, duke arritur te Zoti, për të përfunduar tek Ai! Prandaj edhe e dërgoi Zoti mes nesh Hz. Muhammedin (s.a.v.)!

Po, pati ardhur ai mes njerëzve për t’u lexuar atyre ajetet e Allahut, për t’u shpalosur atyre pjesë-pjesë mrekullitë e Tij dhe për t’i mësuar njeriut vlerën e vet. Sigurisht, në sajë të tij njerëzimi, duke u pastruar nga fëlliqësitë e natyrës, do të purifikohej, duke shpëtuar nga vulgaritetet trupore, do të lartësohej në nivelin e formës së jetës së zemrës e të shpirtit dhe u lartësua… Sigurisht, ai do t’u mësonte dhe praktikonte njerëzve Librin dhe urtësitë, kurse njerëzit, duke gjetur veten në botën dritësore të Librit dhe urtësive, do të zgjoheshin në përjetësi dhe do të hynin në rrugën e përjetësimit, gjë që, në përfundim, ashtu ngjau…

Për ne ka ditë shumë të rëndësishme, prodhimtare e të mbushura plot begati. Disa nga këto konsiderohen edhe festa të besimtarëve. Këtë gëzim feste të përjetuar çdo javë ditën e xhuma (të premte), e përjetojmë në një dimension më të madh në festat e bajrameve të Ramazanit e të Kurbanit. Bajrami i Kurbanit është dita kur Hz. Ibrahimi bëri një sakrificë konkrete, ndërsa për muslimanët, dita kur, me plot sinqeritet, kërkojnë rrugë për faljen e mëkateve të tyre dhe, kushtuar këtij qëllimi, një pjesë shkojnë e vizitojnë Shtëpinë e Allahut, qëndrojnë në Arafat dhe luten e përgjërohen me shpirt Muhammedian. Kurse Ramazani është një festë e pasur, e gjatë dhe e begatshme, shprehje e afrimit te Zoti me anë të një muaji agjërimi, shprehje e ndarjes me të tjerët të gëzimit të jetës. Por është edhe një festë tjetër që konsiderohet festa e të gjithë njerëzimit, madje e të gjithë qenies, dita kur i Dërguari i Allahut na nderoi duke denjuar të vijë mes tonë, është Ditëlindja Muhammediane. Me fjalë të tjera, është dita kur Zoti, Dritën që e krijoi në cilësinë e një dielli, e zbriti si një kandil në qiellin e njerëzimit. Po, në saje të asaj Drite, të gjitha errësirat e injorancës u grisën dhe gjithësia u përfshi nga ndriçimi. Dhe kjo është ndihma më e madhe dhe favori më i madh i Zotit për xhindët e për njerëzit!

Ndajeni me miqtë tuaj...