PROFETI JUNUS (A.S.)

Profeti Ejub (a.s.) hyri në histori si profeti i durimit. Ai shpëtoi nga sëmundjet e tij të gjata vetëm në sajë të durimit me të cilin përballoi gjithë ç’i ndodhi. Kurse shpëtimi i profetit Junus (a.s.) nga fatkeqësitë që i ndodhën, ishte në sajë të lutjes së tij rrënqethëse e të sinqertë. Në Kuran, kur flitet për të, herë përmendet si Junus dhe herë si Dhen’nun, që do të thotë i zoti i peshkut.
Edhe Junusi (a.s.), si të gjithë profetët, ishte një njeri i zgjedhur i Zotit. Në një vend të quajtur Ninova, ditë e natë, ai këshillonte popullin e tij, duke i ftuar në rrugë të drejtë. Iu kujtonte atyre Ditën e Gjykimit, u tregonte sa vend i keq është xhehenemi për ata që nuk besojnë e bëjnë vepra të këqija, u shpjegonte mrekullitë e xhenetit që i prisnin besimtarët e të drejtët, i ftonte pa pushim për të bërë vepra të mira dhe ua përsëriste shumë e shumë herë se duhej t’i besonin një Zoti të vetëm, Zotit të gjithësisë. Po gjithë ky mund ishte i kotë. As edhe një person i vetëm nga populli i vet nuk e besonte.
Profeti Junus (a.s.) nuk hoqi dorë nga rruga e tij dhe as populli nuk ndryshoi mendje. Nuk kishte lënë gjë pa provuar për t’i bindur ata njerëz të besonin, por më kot. Më në fund u bind se as edhe një prej tyre nuk do të besonte ndonjëherë. Ishte lodhur e mërzitur tashmë. I vinte shumë rëndë për këtë parapëlqim të njerëzve për të shkuar drejt zjarrit me vullnetin e vet.
Junusi (a.s.) solli ndër mend të Dërguarit e tjerë para tij dhe popujt e tyre që nuk u bindeshin kurrsesi. Pas njëfarë kohe, Zoti (xh.sh.) i shkatërronte fare popujt e tillë. Profeti Nuh, Salih, Hud, popujt e tyre. Që të gjithë kishin këmbëngulur në inatin e tyre duke mohuar të drejtën. E që të gjithë e kishin pasur fundin e tmerrshëm. Mendoi se edhe popullin e vet mund ta priste i njëjti fund. Ndëshkimi hyjnor mund të vinte mbi çdo popull. Mendoi se tashmë detyra e tij kishte marrë fund, ky mision kaq ishte dhe vendosi të braktiste qytetin.
Ndërsa largohej prej qytetit pa e kthyer as kokën nga pas, Junusi (a.s.) jetonte në brendësi të një furtune të vërtetë. Ishte i zemëruar dhe i trishtuar. Zemra i ishte ndrydhur. Kur arriti në bregdet, vendosi të hipte në një anije dhe të shkonte diku tjetër. Ku i dihej, ndoshta atje mund të gjente zemra më të buta e njerëz më të mirë se këta që po linte pas. Junusi (a.s.) mendonte se edhe vullneti i Zotit ishte në këtë sens. Por Zoti nuk e kishte urdhëruar atë të largohej nga ai qytet. Ai duhej të priste gjersa ta merrte një urdhër të tillë. Ndoshta po vepronte pak herët.
Dielli rrëshqiste drejt horizontit të perëndimit. Anija ku do hipte Junusi ishte ankoruar pranë një limani të vogël. Ndërsa priste në breg të detit të afrohej ora e nisjes, pa një peshk të vogël që përplasej pa ditur nga të shkonte mes dallgëve që rrihnin bregun me gjithë fuqinë. Ai ikte herë majtas e herë djathtas, por nuk shpëtonte dot nga goditjet e dallgëve. Më në fund, trupi i brishtë i peshkut të vogël nuk i rezistoi përplasjes dhe mbeti pa jetë mbi shkëmbinjtë e bregut. “Ku i dihet, mendoi me dhimbje, po të kishte pasur pranë një peshk të madh, nuk do të pësonte këtë fund!”
Pastaj mendoi për veten. Si e kishte braktisur popullin e vet?! Aq më tepër që ata kishin aq nevojë për të. I erdhi në mend sjellja e tyre, inati dhe kokëfortësia me të cilën i ishin përgjigjur. Nisi të qante me një trishtim e dhimbje të thellë. I vinte shumë keq për ata që e kishin përgatitur fundin e tyre me duart e veta.
Kur erdhi ora e nisjes, hipi në anije. Velat u frynë nga era dhe nisën lëvizjen. Kur pa sjelljen e çuditshme e të tërhequr të Junusit, si dhe pikëllimin që i lexohej në sy, kapiteni mendoi për Junusin (a.s.) se mos ishte ndonjë kriminel që ikte pa lënë gjurmë dhe veç si e si të parandalonte hipjen e tij në anije, i tha një çmim disa herë më të lartë se normalin. Junusi e pranoi çmimin që i dhanë pa më të voglin kundërshtim. Çfarëdo të ishte çmimi, donte të ikte me çdo kusht nga vendi ku mbretëronte errësira e njerëzit shpirterrët.
Në një vend të mistershëm të detit, në pikë të errësirës së natës, ndërsa anija rrëshqiste mbi valë, nisi një furtunë e hatashme. Deti nisi të ulërinte e të shkrumbonte. Dallgë të larta sa një mal nisën të rrihnin anijen me gjithë fuqinë, duke e lëkundur sa majtas-djathtas. Anija e kishte humbur kontrollin fare dhe i ishte dorëzuar vullnetit të dallgëve, që luanin me të si të ishte një fije kashte. Pas pak, dallgët thyen direkun e anijes, ndërsa velat ishin bërë copë. Deti i tërbuar nuk kishte aspak mëshirë, dukej sikur gjithçka ishte përqendruar për të copëtuar atë anije të gjorë. Kapiteni bërtiti i shqetësuar:
– Kurrë më parë nuk kam parë të shpërthejë një furtunë e tillë, pa kohë. Është e qartë se mes nesh është një mëkatar, për faj të të cilit ka plasur furtuna. Tani do hedhim short për të gjetur se kush është ai. Kujt t’i bie shorti, do hidhet në det.
Kjo ishte një traditë e detarëve, që e zbatonin sa herë shpërthente ndonjë furtunë e paparashikuar në det. Sado që sot mund të duket e çuditshme, ato kohë ishte diçka normale. Natyrisht që mes atyre që do hidhej short ishte edhe emri i Junusit (a.s.).
Të gjithë ishin të stepur. Kujt do t’i dilte emri vallë? Tërhoqën një letër dhe e panë. Ishte Junusi. Do hidhej sërish short, se sipas rregullave, personit që do hidhej në det duhej t’i dilte emri tri herë rresht. Sërish emri i Junusit. Kur doli edhe për herë të tretë emri i tij, Junusit nisi t’i rrihte zemra fort. Gjithë vështrimet iu drejtuan atij. Po i digjte trupi e fytyra nga ata vështrime dyshuese që e shponin. Gjithçka kishte marrë fund. Tashmë ishte përcaktuar personi që do hidhej në det.
Kur e çuan te cepi i anijes për ta hedhur në det, Junusit (a.s.) iu qartësua gjithçka. Kishte bërë një gabim të madh duke braktisur popullin e tij. Nuk duhej të ndahej kurrsesi pa i dhënë Zoti një urdhër të qartë për këtë.
Nga dërrasa ku kishte hipur pa detin. Dallgët ishin të tmerrshme, errësira e detit dhe e natës ishin të padepërtueshme. Në qiellin e zi nuk dukej asnjë rreze hëne dhe as një yll. Terri kishte mbështjellë gjithçka. Vetëm një det pa anë e fund dhe një i ftohtë që të ngrinte palcën. Mes gjëmimeve të qiellit dhe oshtimës së dallgëve, u dëgjua zëri i kapitenit.
– Forca, i huaj! Jepi, hidhu në det!
Dhe Junusi (a.s.) u hodh.
Pikërisht, atë çast, Zoti (xh.sh.) urdhëroi peshqit e mëdhenj të dilnin mbi sipërfaqe. Një peshk i madh pa Junusin që kridhej mes dallgëve dhe iu afrua me shpejtësi. Ja ku e kishte ushqimin e darkës, Zoti kishte menduar edhe për të. Iu drejtua Junusit dhe e kapërdiu. I lumtur për darkën e zgjedhur, peshku u kthye dhe një herë në errësirën e fundit të detit.
Junusi i tmerruar, pa veten në barkun e një peshku. Ishte i shokuar. O Zot, në bark të një peshku, që ndodhet në fund të errësirës së detit, në mes të errësirës së botës. Tri botë të errëta që mbështillnin njëra-tjetrën.
Junusi (a.s.) mendoi se duhej të kishte vdekur. U mundua të lëvizte dhe i çuditur vuri re se dora i luante. I lëviznin dhe këmbët. Domethënë nuk kishte vdekur. Zoti (xh.sh.) ende nuk kishte vendosur për vdekjen e tij. Por në thellësi të tri botëve të errëta, do të preferonte më mirë të qe i vdekur. Ishte pa asnjë rrugëdalje, pa asnjë shpëtim. Veç të priste vdekjen duke u lutur të mos vononte.
Nisi t’i lutej Zotit. Zotit që kishte nën urdhra edhe peshkun, edhe detin, edhe natën… Lotët i rridhnin rrëke. Në mes të errësirës, zemra e gjuha e tij kishin vetëm një drejtim. T’i shprehte Zotit pendimin e t’i kërkonte falje. Në errësirën e barkut të delfinit, jehonte zëri i Junusit.
“O Zoti im! Nuk ka perëndi tjetër veç Teje. Ti je larg çdo të mete. Ti je më i Larti, më i Madhi, më i Bukuri… Unë u tregova i padrejtë me vetveten. Më fal…”
Për asnjë çast nuk e ndërpreu lutjen. Qante e rënkonte i penduar duke i kërkuar falje Zotit. As hante, as pinte, as lëvizte dot. Vetëm zemra që i rrihte e zëri që lutej. Agjëronte dhe ushqimi i vetëm për të ishte përmendja e Zotit, që e mbante gjallë.
Pas pak, çdo gjallesë e funddetit, dëgjoi zërin e Junusit që përmendte Krijuesin e Gjithëmëshirshëm. Nga vinte vallë ky zë? Nuk e besonin dot se zëri vinte nga barku i një peshku që po çlodhej në fund të detit.
Nuk dihet, nuk mund ta dimë se për sa kohë qëndroi Junusi (a.s.) në barkun e peshkut. Po për sa kohë qëndroi atje, ai asnjëherë nuk reshti së përmenduri Zotin e së luturi Atij. Me zërin, zemrën e lotët e vet, ai pa pushim thoshte:
“O Zoti im! Nuk ka perëndi tjetër veç Teje. Ti je larg çdo të mete. Ti je më i Larti, më i Madhi, më i Bukuri… Unë u tregova i padrejtë me vetveten. Më fal…”
Junusi (a.s.) e kishte treguar se ishte i sinqertë në pendimin e tij. Pendimi i Junusit i kishte treguar çdo krijese të qiellit, tokës e detit se si duhet të jetë pendimi i një robi të devotshëm. Së fundi, Allahu (xh.sh.) e urdhëroi peshkun të dilte mbi ujë dhe të shkonte në bregun e një ishulli të paracaktuar. Peshku iu bind pa një pa dy urdhrit hyjnor.
Kur hapi sytë dhe erdhi në vete, Junusi e pa veten të shtrirë në brigjet e një ishulli. I digjte i gjithë trupi nga acidet e barkut të peshkut. Ishte i sëmurë dhe i rraskapitur. Sapo rezet e diellit cikën trupin e regjur të Junusit, një djegie e thellë dhe e dhimbshme desh e bëri të bërtiste. Po ai vendosi të duronte e t’i shëronte plagët me lutje e me përgjërime. Pa kaluar shumë, Zoti bëri që një pemë e mrekullueshme, me gjethe të gjera e me hije të madhe, të mbinte mu te vendi ku ishte Junusi. Me kalimin e kohës, Junusi (a.s.) u përmirësua dhe rifitoi sërish gjendjen e mëparshme shëndetësore. Atëherë, Zoti e urdhëroi të kthehej sërish në vendin e vet.
Kur u kthye sërish në Ninova, Junusi (a.s.) u mahnit nga ajo që pa. Të trembur nga humbja e papritur e profetit, ata kishin vendosur të pendoheshin e të ktheheshin në rrugën e Zotit, në bazë të atyre që u kishte shpjeguar Junusi për vite me radhë. Mëse njëqind mijë vetë në Ninova, ishin bërë pasues të devotshëm të Junusit dhe të rrugës së tij.
Po ndikimi më i madh për këtë gjendje të papritur ishin lutjet e sinqerta të profetit.
Në Kuranin Famëlartë që do t’i zbriste njerëzimit shekuj më vonë, për Junusin do thuhej kështu:
“Sikur Junusi të mos kishte qenë një rob që përmendte e i lutej Zotit, ai do rrinte në barkun e peshkut deri në Ditën e Mbramë.”