Ndërsa dielli i vakur i pasdites rrëshqiste i lodhur drejt perëndimit, në bedenat e hyrjes së qytetit Sodom, u dukën tre djem të rinj, që ecnin me hap të vendosur dhe të ndërgjegjshëm për rëndësinë e misionit që mbanin. Nuk ishin veçse engjëjt Mikail, Xhebrail e Israfil, të dërguar nga Zoti për të përmbushur një fjalë të dhënë…
Të rinjtë ecën me hapa të qetë mes barit e pemëve dhe iu afruan hyrjes së qytetit.
Detyrën e parë e kishin përmbushur, kishin vizituar profetin Ibrahim (a.s.) dhe i kishin dhënë atij lajmin e shumëpritur të lindjes së një djali. Tani ishte radha e detyrës së dytë.
Duke ecur mes gjelbërimit të pemëve të mëdha e barit të gjelbër, arritën pranë një lumi të kthjellët që rridhte i qetë drejt qytetit. Një vajzë e re, që ishte vajza e profetit Lut (a.s.), po mbushte ujë në lumë. Iu afruan dhe e përshëndetën. Vajza e bukur çoi kokën, por kur pa tre djem të bukur përballë saj, i shkuan mornica. “O Zot, tha me vete, çfarë duan këta djem këtu? A nuk e dinë se ç’i pret?
Engjëlli Xhebrail iu drejtua vajzës:
– Zonjushë e nderuar, a mund të na e tregosh shtëpinë e profetit Lut?
Vajza e profetit ishte aq e shqetësuar, sa nuk e la të mbaronte. Duke e ditur sa të këqij dhe të pamoralshëm ishin banorët e Sodomit, ajo çoi nëpërmend rrezikun që i kanosej këtyre të rinjve, ndaj u hodh:
– Prisni! Mos lëvizni që këtu! Unë do shkoj të lajmëroj babain, ai do vijë vetë të takohet me ju!
La shtambën në breg të lumit dhe vrapoi pranë të atit.
– Baba, baba! Në hyrje të qytetit, te lumi, janë tre djem të rinj. Duhet të jenë të huaj, nuk i kam parë asnjëherë! Pyesnin për ty! Janë të tre aq të bukur, kam frikë se mos u ndodh diçka e keqe. Ti e di si janë njerëzit këtu! Duhet të shkosh menjëherë, pa e marrë vesh njeri se kanë ardhur.
I bekuari Lut, la menjëherë punën që kishte në dorë dhe vrapoi drejt lumit.
“Sot do e kem punën pisk”, – tha me vete.
Kur arriti në breg të lumit dhe pa tre djemtë që e prisnin, ndjeu zemrën t’i therte. “Vërtet që do e kem punën pisk!” Harroi dhe t’u uronte mirëseardhjen dhe menjëherë iu drejtua:
– Nga vini djema, për ku e keni rrugën?
Ata heshtën, nuk i thanë asgjë, as kush ishin, as ku po shkonin. Vetëm pas pak, i kërkuan profetit t’i merrte miq në shtëpinë e vet për atë natë.
Profeti Lut (a.s.) u turpërua. U zu aq ngushtë, nuk gjeti fjalë të thoshte. Ende nuk u kishte uruar mirëseardhjen nga tmerri. E kush, ai burrë që njihej nga anë e anës për mikpritjen e bujarinë e tij. Luti (a.s.) ishte një burrë i urtë, i shquar për moralin e përsosur e për vetitë e tij të rralla. Këto veti, bashkë me bukurinë shpirtërore, pastërtinë e zemrës, logjikën, dijen e zgjuarsinë e mahnitshme, janë të përbashkëta te çdo profet i zgjedhur nga Zoti për të qenë yje udhërrëfyese në qiellin e njerëzimit.
Pastaj Lutin (a.s.) e kishte rritur profeti i madh Ibrahim. Luti ishte ende fëmijë, kur ishte magjepsur pas djaloshit që nëpër rrugët e Babilonisë thërriste njerëzit të linin idhujt e bestytnitë e kota e të besonin një Zot të vetëm. Ai e kishte të gjallë në kujtesë ditën kur Ibrahimi kishte thyer idhujt në faltore, e pastaj kishte dialoguar me fallxhorët e orakujt. Kur ishte bërë gjyqi i Ibrahimit në mes të qytetit, e ai me gjakftohtësi kishte hedhur poshtë gjithë pretendimet e Nemrudit, Luti kishte vrapuar te Ibrahimi e i kishte premtuar besnikërinë e tij të përjetshme. Po në luftën që bënte e keqja kundër të mirës, vështirësitë nuk mbaronin. Ibrahimin e kishin gjuajtur me katapultë në zjarrin vigan, të ndezur enkas. Ndërsa ai kishte veç një shprehje në gojë: “Mua më mjafton Zoti!”
Luti ishte nxënësi e pasuesi i parë i Ibrahimit (a.s.). Së bashku kishin gjezdisur qytet më qytet duke iu shpallur njerëzve fjalën e Zotit e duke i ftuar në rrugë të drejtë. Së fundi kishin arritur në Sodom e Gomorrë, ku Luti kishte marrë edhe misionin si profet i kësaj mbretërie. Po banorët e këtij vendi ishin në moçalin e një imoraliteti të jashtëzakonshëm. Vrisnin njerëz, grabisnin, vidhnin njëri-tjetrin. As edhe një normë morale nuk ishte e zbatuar në atë vend. Ata posedonin një pasuri të rrallë. Qyteti i tyre ishte si një vend përrallash, mirësia e Zotit i furnizonte me gjithçka, por atyre nuk u bënin përshtypje këto gjëra. Ishin të pangopur dhe në kërkim të dëfrimeve e të kënaqësive nga më të çuditshmet. Sidomos një ves i tyre, që kishte pushtuar gjithë vendin, ishte i paparë gjer atëherë nga njerëzimi. Imoraliteti mes meshkujve dhe lidhjet fizike mes tyre, aq më tepër që këtë vepër e kryenin kudo, pa u turpëruar, pa u fshehur! Në mes të rrugës, në treg, në shtëpi, mes miqve e kujtdo! Kur dikush nuk pranonte, bëhej pa një pa dy pre e dhunës së tyre. As miqtë në qytet dhe as kalimtarët e rastit nuk mundnin t’i shpëtonin kësaj gjëme. Kjo ishte arsyeja që profeti Lut (a.s.) ishte shtangur e nuk dinte si të bënte. Pa rrugëdalje, ai vetë nga para, miqtë nga pas, morën rrugën drejt qytetit. Ndërsa ecnin, profeti u tha:
– Nuk kam parë e as dëgjuar një popull më të tmerrshëm e më të pamoralshëm se këtë të Sodomit e Gomorrës.
Donte t’ua hidhte larg e larg, që t’u ndërronte mendjen e të ktheheshin. Ah, sikur ta dinin ç’i priste!
Tre djemtë preferonin të heshtnin. Profeti Lut (a.s.) vazhdoi të fliste me ta gjatë gjithë rrugës. U tregoi për paturpësinë e banorëve, për sjelljen e tyre mizore, për veprat e këqija që u bënin miqve e kalimtarëve. Ajo parajsë e bukur mbi tokë, ishte kthyer në një ferr të vërtetë. Nga njëra anë, profeti shprehte bujarinë e mikpritjen e tij, nga ana tjetër donte t’u bënte të ditur miqve rrezikun që i kanosej, donte t’i largonte nga ai qytet pa i fyer. Prej të rinjve nuk dilte zë. Ata vazhdonin rrugën me një heshtje të çuditshme e me pamje misterioze.
Ishte hera e parë që Luti takonte njerëz të tillë. Me gjithë arsyet që u kishte rreshtuar, ata prapëseprapë këmbëngulnin të shkonin pas tij. Zemrën e profetit e kishte kapluar ankthi.
– Derisa të erret më prisni këtu, të fshehur mes pemëve të këtij kopshti. Mos bëni gabim të dilni! Kur të erret, do vij t’ju marr vetë e t’ju shpie në shtëpi, – u tha atyre.
Do ishte më mirë të priste natën për t’i çuar në shtëpi, se nuk do t’i shihte njeri. Në mëngjes, pastaj, sidoqoftë, do niseshin. Shpresonte kështu t’i shpëtonte miqtë e tij të panjohur nga kriminelët.
Luti (a.s.) u kthye në shtëpi pikë e vrer. Prej hutimit, as ushqim nuk u kishte çuar miqve!
Mes errësirës së zezë, Luti përshkoi pemët e kopshtit dhe shkoi te vendi ku kishte fshehur miqtë. Duke ecur lehtë, në një heshtje të plotë, i futi në shtëpi. Rrugët ishin bosh, nuk i pa askush! Por… Luti e kishte gjarprin brenda në shtëpi, gruan e tij! Sapo pa tre djemtë në derë, ajo doli jashtë dhe i tregoi fqinjëve e të tjerëve për sekretin e të shoqit. Aq duhej, lajmi mori dhenë! Orët e vështira të Lutit (a.s.) do fillonin pikërisht tani!
Qindra njerëz morën vrapin drejt shtëpisë së Lutit. Sytë nuk u shihnin më, kurse mendja u ishte bërë tym. Të gjithë ishin të dehur. Britmat e tyre mbuluan rrugët.
Luti i tmerruar doli në dritare. Hodhi sytë përreth. Kërkoi të shihte të shoqen, por ajo nuk ishte! Ngatërresat e ligësitë kishin bërë fole edhe brenda shtëpisë së profetit! Ishte një natë e ngarkuar me ngjarje të llahtarshme.
Si mund ta bindte atë turmë të tmerrshme e të çmendur, që ulërinte përjashta, t’i linin të qetë miqtë e tij? I duhej ta provonte. Me forcë ishte e pamundur. Ndoshta me fjalë mund t’i ndikonte sadopak e t’i shpëtonte miqtë. Ndoshta kishte mbetur ndonjë fjalë a ndonjë gjest që t’i sillte në vete. Mblodhi gjithë forcat që i buronin nga besimi që kishte në zemër dhe doli përballë turmës:
“O njerëz! Thirrini mendjes! A e kuptoni sa gjë e shëmtuar është kjo që doni të bëni? Ky është turp! Kjo punë është kundër natyrës së njeriut! Kthehuni te gratë tuaja! Vendi është plot me vajza të bukura e të pastra. Martohuni me to, krijoni familjet tuaja e gjejeni lumturinë e kënaqësinë tuaj si njerëz për të qenë!”
Po aq shumë e kishin humbur arsyen ata njerëz, sa fjalët e Lutit i pritën me tallje e me gajasje.
“Ti e di shumë mirë që ne kemi hequr dorë nga femrat, o Lut! Nuk na pëlqejnë ato! Ti e di se pse kemi ardhur. Na dorëzo ata bukuroshët që ke brenda e ne do ikim pa bërë dëme!”
Vërtet që kjo shoqëri ishte e shthurur, e marrë fund! Asgjë nuk pritej më prej këtyre njerëzve që nuk njihnin as normat primordiale të moralit! Luti (a.s.) u mundua sërish të zgjonte ndërgjegjet e tyre.
”Frikësohuni prej Zotit! Kjo punë që bëni ka një ndëshkim të llahtarshëm… mos e merrni veten në qafë!”
Por asnjë fjalë nuk i ndikonte më ata njerëz. Iu përgjigjën sërish me britma:
“Hiç mos e mbaj veten, o Lut! Ç’të të vijë përdore, bëje! Aq na bën për ndëshkimet tuaja, që ke vite që na i shpjegon. Se mos të kemi besuar ndonjëherë ty, që të të besojmë tani!”
Luti vazhdoi të fliste me ta me urtësi:
“Ata djem janë miqtë e mi. A nuk keni pak respekt për mikun? Mos më turpëroni me ta. Ata kanë ardhur miq në këtë vend, janë në besën time, në besën tonë. Duhet të ketë ngelur një grimë fisnikëri në shpirtin tuaj, sa të mos e bëni këtë gjëmë!”
Por ajo turmë sikur nuk përbëhej nga njerëz, por nga kafshë. As fisnikëri, as turp dhe as nder nuk kishte mbetur më tek ta! Për të fundit herë, Luti u thirri:
“Heeeej! A ka mbetur ndonjë njeri me mend a me ndërgjegje mes jush?”
Zëri i tij humbi e u shua mes turmës që ulërinte. Disa vetë dolën përpara dhe u munduan të shtynin derën e shtëpisë së Lutit, por ai e kishte mbyllur me lloz të rëndë hekuri, kështu që nuk e hapën dot. Vajzat ishin llahtarisur, kurse miqtë, çuditërisht ishin mëse gjakftohtë. Sikur nuk u bënte aspak përshtypje fakti që ajo turmë e çmendur e kishte me ta, kurse Luti po provonte çdo mënyrë t’i mbronte. Kjo qetësi e tyre sikur e trembi edhe më tepër Lutin. Ç’të ishin këta njerëz të çuditshëm?!
Duart mëkatare të turmës godisnin derën e shtëpisë së Lutit me gjithë fuqinë. Shtëpia jehonte nga gjëmimet e britmat, muret dridheshin nga forca e goditjeve. Dera sa vinte e dobësohej. Nuk do rezistonte më! Profeti Lut ishte i nervozuar, i mërzitur, i turpëruar… Ndihej fajtor, do të kishte dashur më mirë të vdiste sesa ta përjetonte këtë ngjarje. E kuptoi se ishte e pamundur t’i shpëtonte miqtë, por prapë vazhdoi t’i lutej Zotit me gjithë shpirt.
“Po të kisha pasur një familje të madhe me djem, e të mos isha i huaj në këtë vend, ndoshta, nuk do ndodhte kështu!”, mendonte me vete.
Luti (a.s.) kishte ardhur në Sodom vite më parë me misionin e ngarkuar nga Zoti, për të thirrur në rrugë të drejtë këtë popull të shfrenuar. Fëmijët e tij ishin të gjitha vajza.
Pikërisht atë moment engjëlli Xhebrail u ngrit në këmbë dhe iu afrua profetit sylotuar.
“O i nderuar Lut! Mos u shqetëso, as mos u tremb. Ne na ka dërguar Zoti posaçërisht me një mision shumë të rëndësishëm. Ata njerëz as ty dhe as neve nuk do arrijnë të na bëjnë as më të voglën gjë!”
Sapo engjëlli mbaroi këto fjalë, turma shpërtheu derën dhe shtëpia u mbush me njerëz të tërbuar, të egërsuar, që bërtitnin e ulërinin…
Pa e humbur aspak qetësinë, Xhebraili doli para turmës dhe ngriti dorën drejt tyre. Një dorë e bardhë, e ndritshme. Mjaftoi veç ajo ngritje e asaj dore të ndritshme dhe turma u verbua. I mbuloi kaosi, asnjëri nuk shikonte më. Të tmerruar, pa e kuptuar se ç’i kish gjetur, fërkonin sytë, përplaseshin me njëri-tjetrin, klithnin, ulërinin… Me zhurmë e me përplasje, kërkonin derën të largoheshin që andej.
Tmerri i Lutit kishte marrë fund këtu. Shtëpia kishte rënë në qetësi, frika për miqtë i kishte kaluar, por tmerri i vërtetë për atë vend, që do shënonte edhe fundin e huliganëve, ende nuk kishte filluar.
Engjëjt i thane Lutit të mblidhte familjen e të largohej nga qyteti. Vendimi hyjnor kishte marrë formë të prerë tashmë. Ai popull do zhdukej. Ndëshkimi i Zotit për imoralitetin, dhunën e mohimin e tyre nuk do të vononte më.
– Kur? – i pyeti Luti engjëjt, duke nënkuptuar ndëshkimin.
– Në mëngjes, sa të lindë dielli.
Për herë të fundit Xhebraili këshilloi familjen e Lutit si të dilnin nga qyteti
– Dhe çfarëdo që të ndodhë, çfarëdo që të shihni e të dëgjoni, mos e ktheni kokën pas. Përndryshe… – dhe bëri një shenjë që nënkuptonte fundin…
Pak orë pas mesnatës, Profeti Lut bashkë me të bijat, vazhdonin rrugën mes shkëmbinjve nëpër mal. Ishin larguar goxha nga qyteti tashmë. Larg në horizont po dukeshin shkëlqimet e para të agimit. Ora po vinte.
Engjëlli Xhebrail vetëm sa kishte tundur krahët. Shtatë qytetet e Sodomit e Gomorrës, të shkulur nga toka, ishin ngritur lart në hapësirë. Pastaj forca e Xhebrailit i kishte përplasur në tokë me gjithë fuqinë. As e kishin kuptuar ç’po ndodhte!
Qiell e tokë ishin përzier me njëri-tjetrin, malet ishin bërë copë-copë, shtëpitë pluhur. Ngado ishte veç jehona e ulërimave të dhimbshme.
“Po të jesh një profet i vërtetë, thuaji pra atij Zotit tënd të na dënojë!”, i kishin shitur mend Lutit për vite me radhë, sa herë që ai u kishte tërhequr vëmendjen. Kurse atë ditë nuk kishin pasur kohë as të merrnin frymë! As të iknin, as të largoheshin… Askush nuk kishte mundur të shpëtonte dot nga zemërimi i qiellit e i tokës!
Kushedi sa herë, për vite me radhë, profeti Lut i kishte këshilluar ata njerëz, i ishte përgjëruar të hiqnin dorë nga imoraliteti e nga mbrapshtitë. Atëherë ata kishin vendosur ta përzinin Lutin dhe familjen e tij nga ai vend. Arsyeja ishte shumë e paparë. Ishin të ndershëm!
O Zot, një shoqëri e tillë ku i ndershmi nuk duhet dhe nënçmohet, quhet fajtor dhe i padëshiruar. Në fakt ia kishin arritur qëllimit! Por nuk do i gëzoheshin dot këtij largimi! Kishte ardhur tashmë çasti që toka do pastrohej nga këta fëlliqësira! Qielli lëshonte rrufe, në vend të shiut binte zjarr.
Profeti Lut dhe familja e tij ecnin, pa e kthyer kokën pas. Por e shoqja, gruaja e tij ishte tradhtare dhe e pabesë. Ajo nuk i besonte asaj që do ndodhte. Deshi ta shihte me sytë e vet. Papritur, pjesëtarët e tjerë të familjes panë se si ajo u gurëzua brenda një çasti të vetëm.
Në fakt, ajo e kishte merituar ndëshkimin me kohë. Me gjithë burimin e urtësisë e të mirësisë që kishte aq pranë, ajo e kishte tradhtuar dhe kurrë nuk i kishte besuar atyre që thoshte Luti.
Udhëtarët që shkojnë në Jordani, shohin një liqen, të quajtur Deti i Vdekur. Ai ka ujë të hidhur e të rëndë. Ndodhet mes maleve, në një luginë që është shumë nën nivelin e detit. Format e shkëmbinjve të shkrirë dhe gurët e shuar dallohen edhe sot e kësaj dite. Në shtrat të atij liqeni ndodhen rrënojat e qytetit që folëm, të shkatërruar nga ndëshkimi hyjnor e nga zemërimi i qiellit dhe i tokës. Ai liqen është krijuar pikërisht atë ditë…

Lexo  Një periudhë e errët
Ndajeni me miqtë tuaj...