PROFETI MUHAMED (a.s.)

Ishte mesi i natës, kur Abdulmutalibi u ngrit vrulltazi nga shtrati. Vallë kishte zbardhur? Ngriti tendën që shërbente si hyrje e çadrës, por jashtë dukej vetëm errësira e thellë e shkretëtirës pafund, e nderë mbi majat e rërës dhe qielli i mbushur me yje të ndritshëm, që ruanin heshtjen e tyre të thellë, të përjetshme. Sa pamje e mrekullueshme, mendoi me vete? Po ç’e kishte zgjuar vallë në mes të natës? Nuk po kthjellohej, ndaj hyri brenda, uli tendën dhe u shtri sërish.

Pas pak, sërish u zgjua i trembur. Sërish kishte parë të njëjtën ëndërr, por kësaj radhe e kujtonte fare kthjellët. Një zë, i zoti i të cilit nuk dukej, vetëm nga timbri të linte të kuptonte një autoritet e fisnikëri të madhe, i thoshte:

  • Hape Zemzemin!
  • Ç’është Zemzemi? – pyeti Abdulmutalibi

Zëri vazhdonte të urdhëronte me të njëjtin ton:

  • Hape Zemzemin!

Kur hodhi mbulesat e u ngrit në këmbë, zemra i rrihte fort. Ende ndër veshë i jehonte ai zë. E kuptoi se nuk do mund të flinte më, ndaj doli nga çadra dhe e la veten në qetësinë e thellë të shkretëtirës.

Ç’të ishte vallë Zemzemi? Papritur, diçka i vetiu në mendje. Diçka që i kishte mbetur në kujtesë kohë më parë, nga historia që kishte dëgjuar nga të urtët. Po, po, Zemzemi ishte një pus. Pusi që kishte gurgulluar nën këmbët e Ismailit. Po ku ishte vallë? Pse ai zë kërkonte nga ai që ta hapte? Në mendje i vinin një mori gjërash. Ndoshta për të shuar etjen e pelegrinëve që vinin në Qabe. Po kishte plot puse e burime nga të cilat mund të furnizoheshin me ujë. Ç’të veçantë kishte Zemzemi nga të tjerët?

Abdulmutalibi u ul mbi një pirg rëre dhe nën errësirën e natës e nën heshtjen e shkretëtirës, u zhyt në mendime të thella. Yjet, dëshmitarë të heshtur të gjithë historisë njerëzore, shndrisnin nga qielli, por asnjë mesazh, asnjë të dhënë nuk kishin për këtë temë.

U mundua të kujtonte më saktë historinë e Ismailit dhe të pusit të Zemzemit. Sipas fjalëve që thoshin njerëzit, pusi ishte mbyllur vite më parë, kurse puset e tjerë që ishin në funksion tani, ishin hapur goxha larg nga vendi i tij.

Rrezet e para të diellit që ndriçuan gadishullin arabik, shkretëtirat e kodrat, e gjetën liderin e fisit të Kurejshëve, Abdulmutalibin, duke drejtuar një mbledhje me njerëzit e tij. Ata ishin bërë gati e kishin marrë veglat për të hapur pusin. Kur Abdulmutalibi u tregoi vendin ku do e hapnin, disa prej tyre nisën ta kundërshtonin, sepse vendi që tregonte ai, ndodhej mu në mes të dy idhujve, “isaf” dhe “naile” që ata i vlerësonin shumë.

Abdulmutalibi bëri të pamundurën t’i bindte njerëzit e tij ta hapnin pusin në atë vend, nuk la fjalë e argument pa thënë, por më kot. Abdulmutalibi kishte veç një fëmijë, edhe kushërinj të afërt nuk kishte shumë. E po të kishte shumë fëmijë e shumë djem përreth, fisi do i bindej padyshim, se nuk do të donin t’i hapnin vetes belara me ta. Atë kohë sa më shumë fëmijë e kushërinj, aq më tepër forcë donte të thoshte. Një lider me familje të madhe ishte në gjendje të ekzekutonte çdo vendim.

Kurse Abdulmutalibi ishte i vetëm, i trishtuar.

Duke ecur i shqetësuar nga fjalët e mosbindja e fisit të vet, Abdulmutalibi arriti pranë Qabes. Aty i erdhi ndërmend diçka e mrekullueshme.

Hapi duart dhe iu lut Zotit:

“O Zot, më dhuro mua dhjetë djem dhe të betohem se njërin prej tyre do e sakrifikoj mu këtu në Qabe, për hirin Tënd!”

Ai çast, kishte qëlluar një çast i mrekullueshëm, kur çdo lutje shkonte drejt e në qiell dhe gjente përgjigje atje.

Pa kaluar një vit, e shoqja lindi fëmijën e dytë, pas një viti të tretin… Kështu, çdo vit nga një djalë, Abdulmutalibit iu bënë plot dhjetë djem.

Kaloi kohë, djemtë e Abdulmutalibit ishin rritur, tashmë kishte një familje të madhe e të fortë. Askush nuk i dilte dot para, as nuk matej dot me të. Çfarëdo që vendoste, e kryente menjëherë, pa hasur në pengesën e askujt.

Kështu, një ditë bashkë me djemtë, shkoi te vendi që i kishte treguar zëri i ëndrrës dhe hapi pusin e Zemzemit.

Tani ishte koha të përmbushte premtimin e dhënë. Po cilin do flijonte? Vendosi të hidhte short. Shkroi emrat e të dhjetë djemve në dhjetë letra të ndryshme, i futi në një qese dhe tërhoqi njërën prej tyre. Abdullah.

Kush, Abdullahu? Njerëzit e pranishëm, që dëgjuan emrin e Abdullahut, reaguan menjëherë. Në asnjë mënyrë, nuk mund të lejojmë të flijosh Abdullahun!

Abdullahu ishte njeriu më i mrekullueshëm i gadishullit arabik. Atij i kishte falur Zoti një moral prej profeti, ishte i dashur e paqësor si profeti Isa, trim e ballëhapur si Musai, i sinqertë e zëëmbël si Dauti, zemërmirë si Jahja. Zemrën e kishte plot me dashuri e mëshirë për njerëzit e për çdo gjallesë.

Gjatë gjithë jetës së tij nuk kishte shqetësuar asnjeri, nuk e kishte ngritur zërin para askujt, nuk i ishte zemëruar asnjeriu. Ishte e pamundur të gjeje në gjithë gadishullin arabik një buzëqeshje si të tijën, një zemër aq të pastër dhe një shpirt të tillë të kthjellët, që i ngjante një oazi në shkretëtirën përvëluese e që gjallëronte e ndihmonte këdo. Si mund të sakrifikonin një njeri si Abdullahun? Për këtë arsye, të gjithë ata që panë se në short doli emri i Abdullahut, kundërshtuan e thanë njëzëri:

  • Jo, ne më mirë sakrifikojmë fëmijët tanë se sa të sakrifikojmë një si Abdullahu!
  • Ku mund të gjejmë një njeri tjetër si ai mes nesh?
  • Prit, Abdulmutalib, mos u ngut, të shkojmë njëherë te orakujt e të konsultohemi me të urtët mos na japin një zgjidhje për këtë problem!

Abdulmutalibi, i çuditur, po edhe i kënaqur me reagimin e njerëzve, e la për më vonë sakrifikimin e djalit.

Një grup njerëzish nga Kurejshët shkuan së bashku te një grua e moshuar, e njohur për urtësinë dhe për zgjidhjet me vend që bënte dhe e pyetën se si të vepronin.

  • Sa është dieta te ju? – i pyeti plaka.
  • Dhjetë deve.

Dhjetë deve ishte dieta që normat e fisit parashihnin për gjakun e një njeriu, ose për raste betimesh që nuk përmbusheshin dot. Kishte më tepër një sens penal, por shpeshherë, kur arrinin në marrëveshje, shpëtonte njerëzit nga gjakmarrjet, luftimet ose dënimet e tjera.

  • Atëherë merrni dhjetë deve dhe hidhni short mes tyre e Abdullahut. Nëse prapë shorti i bie Abdullahut, shtoni dhjetë deve të tjera, e kështu me radhë, nga dhjetë deve, derisa shorti t’i bjerë deveve.

U kthyen të gjithë së bashku në Qabe dhe sollën dhjetë deve. Në shortin e parë doli emri i Abdullahut. Shtuan dhe dhjetë deve dhe hodhën short sërish. Prapë i ra shorti Abdullahut. E kështu me radhë, shtuan dhe dhjetë e u bënë tridhjetë, dyzet, pesëdhjetë, po që të gjitha herët dilte emri i Abdullahut. Gjersa u bënë njëqind deve. Atëherë shorti u ra deveve. Në herën e dhjetë shorti më në fund u kishte dalë deveve, Abdullahu kishte shpëtuar.

Të gjithë njerëzit që ishin mbledhur përreth Qabes ishin të emocionuar. Shpëtimi i atij djali të artë i kishte prekur thellë. Të njëqind devetë u therën dhe mishi iu shpërnda njerëzve.

Por ai që ishte gëzuar më tepër për shpëtimin e Abdullahut, padyshim që ishte i ati. Që të gjithë djemtë ishin shumë të mirë, ndërsa Abdullahu ishte i veçantë për Abdulmutalibin. Tani donte ta martonte atë me vajzën më të mirë të vendit, një vajzë të mirë e familjes fisnike, siç ishin dhe vetë. Po atë ditë, me të dalë nga Qabja, shkoi te shtëpia e Vehbit dhe i kërkoi vajzën e tij, Amine, për Abdullahun. Amina ishte një vajzë e bukur, si lule xheneti dhe e pastër si vesa. Të gjitha vajzat që dëgjuan këtë lajm e shihnin të mahnitura Aminen, sepse ajo do martohej me djalin më të mirë, më të pashëm e më fisnik të vendit.

Kur erdhi dita e dasmës, mbi kodrat e Mekës u ndezën zjarre të mëdhenj për t’u treguar rrugën mysafirëve që vinin nga larg. U therën e u poqën gjithato dele e deve. Erdhën me mijëra njerëz, kushërinj, të afërt, të pasur, të varfër, të njohur e të panjohur. Të gjithë u kënaqën, të gjithë dëfryen e uruan çiftin.

Nuk kishin kaluar as dy muaj nga dita e dasmës, kur për çiftin e ri ranë këmbanat e ndarjes. Abdullahu i duhej t’i bashkohej një karvani që shkonte për tregti në Siri… Ajo që i mbeti e ngulitur në mendje Amines, ishte fytyra e pastër dhe e ndritshme e të shoqit…

Gjer kur karvani i humbi nga sytë, ajo e përcolli me lot në sy e me ankth në zemër. Pas pak edhe hija e karvanit tej në horizont i humbi nga sytë dhe Amina mori rrugën drejt shtëpisë.

E nga ta dinte Amina se nuk do ta shihte më të shoqin! Pas një muaji, kur arriti në Medine të vizitonte dajallarët, Abdullahu ia dorëzoi shpirtin Zotit, kurse trupin ia varrosën në Medine. Biri i Abdulmutalibit, Abdullahu, kish vdekur. Ishte vetëm njëzet e pesë vjeç. Lajmi i kobshëm u përhap menjëherë nëpër vend, duke tronditur e trishtuar këdo që e dëgjonte. Më në fund, lajmi i arriti edhe Amines. Nusja e re u trondit thellë e u mbyt në lotë. “Po kur kishte për t’ia marrë shpirtin pas tre muajsh, vallë pse ia fali Zoti jetën në këmbim të njëqind deveve?”, mendoi me vete.

Po ato ditë, ajo ndjeu edhe lëvizjet e para të fëmijës që kishte në bark. Kur u sigurua se ishte shtatzënë, e qara e saj u dyfishua. Nga njëra anë qante të shoqin e veten që kishte ngelur vetëm aq e re, nga ana tjetër qante fëmijën që kishte mbetur jetim pa lindur ende.

Por ai jetim, do mbante në shpirtin e tij të lartë gjithë hallet e shqetësimet, gjithë dhembjet e vuajtjet e gjithë jetimëve, të vuajturve e të varfërve të njerëzimit. Ai do ishte profeti i fundit, shpresa e fundit që Zoti do t’i çonte njerëzimit. Simboli i Mëshirës e i Dashurisë, i Paqes e i Shpëtimit. Asnjë më mirë se ata që e shijojnë vuajtjen pikë për pikë, nuk ia di vlerën dhembshurisë e dashurisë. Ajo foshnje po ushqehej me vuajtje e me trishtim që në barkun e nënës.

Koha që kalonte ia shtonte më tepër dhembjen nënës së re. Lotët e saj ishin shterur nga të qarët. Po vuajtja rritej brenda saj, e vaditur me lotët e shpirtit.

Nga shtatzënia, çuditërisht nëna e re nuk kishte as edhe më të voglin shqetësim. Përkundrazi, e ndiente veten të lehtë e të shëndetshme, se po të mos ishte dhembja që e mbante te rënduar mbi tokë, ajo mund të fluturonte, aq e lehtë ndihej. Nga ta dinte Amine se në bark kishte Nderin e Gjithësisë?!

Dita e lindjes ishte afruar tashmë!

Pikërisht në ato ditë të fundit të shtatzënisë së Amines, ushtritë e Ebrehes erdhën në dyert e Mekës.

Ebreheja ishte guvernatori për Jemenin, i mbretit të Abisinisë dhe ishte njeri tepër agresiv. Ai kishte përgatitur një ushtri të madhe për të pushtuar gjithë gadishullin arabik dhe veçanërisht për të shembur Qaben. Në ushtrinë e tij kishte futur elefantë, që për atë kohë kishin funksionin e tankeve të sotshme. Gjer atë ditë nuk kishte humbur as edhe një betejë. Ushtria e tij ishte si furtunë që shkatërronte e shkrumbonte gjithë vendet nga kalonte. Nëpër qytetet që shkelte mbillte pa dhembje farën e vdekjes.

Sapo dëgjuan se Ebreheja me ushtrinë e tij po i afroheshin qytetit, njerëzit lanë ç’kishin e ç’nuk kishin dhe rendën për t’u fshehur në male. Pas pak, rojet shkuan te Ebreheja dhe i thanë se lideri i Kurejshëve kërkonte të takohej me të.

Kur hyri në çadrën e Ebrehes, Abdulmutalibi ishte mëse i qetë dhe tepër krenar. Kur e pyeti Ebreheja se ç’kërkonte prej tij, Abdulmutalibi i tha:

  • Kam ardhur të të kërkoj llogari se pse njerëzit e tu më kanë marrë njëqind deve që më përkasin mua!

Ebreha u çudit.

  • E çuditshme! – i tha. Unë kam ardhur gjer këtu me njerëzit e mi për të shembur Qaben, që ti e ke të shenjtë, kurse ti qan hallin e deveve.

Atëherë Abdulmutalibi tha ato fjalët e tij të mençura, që zunë vend në histori.

  • Unë jam i zoti i deveve. Qabja ka Zot, atë e ruan Zoti i saj!

Ushtria ndodhej pikërisht përballë Qabes. Të gjithë prisnin urdhrin e Ebrehes, atëherë elefantët do i drejtoheshin Qabes e do e bënin atë njësh me tokën. Dhe Ebreheja, pa vonuar, dha urdhrin:

Vetëm se… elefantët nuk po bindeshin. Si të ngulur, kishin ngrirë e nuk hidhnin asnjë hap. Ngaqë të parët ishin elefantët, edhe pjesa tjetër e ushtrisë nuk mund të lëvizte. Ebreheja pyeti komandantët pse nuk po i bindeshin urdhrave të tij. Komandantët i shpjeguan se nuk arrinin të lëviznin elefantët. “Atëherë goditini!”- urdhëroi Ebreha.

Më kot!

Papritur, sytë e elefantëve u zgurdulluan të tmerruar. Dridheshin dhe nisën të ulërinin me një zë të tmerrshëm. Ushtarët i zuri paniku. Ndërkohë, një banor i Mekës, i frikësuar nga ushtria gjigante e Ebrehes, thirri:

  • Po tani, kush do e ruajë Qaben nga kjo ushtri?
  • Ajo është shtëpia e Zotit. I zoti do ta ruajë, patjetër, – iu përgjigj Abdulmutalibi.

Sapo Abdulmutalibi kishte mbaruar këto fjalë, zogj të mëdhenj e të errët mbuluan qiellin. Ishin me mijëra. Në sqepa kishin gurë të zjarrtë. Prijës kishin një engjëll, i cili u dha urdhër:

  • Sapo të ndalem mbi ushtrinë e Ebrehes, ju do i shkatërroni ata!

Megjithëse kishin kaluar tri ditë nga rrethimi, askush nuk kishte arritur t’i lëvizte dot elefantët nga vendi. Ata veç ulërinin gjithë tmerr. Njëri prej ushtarëve çoi kokën drejt qiellit. Në horizont dukej një re e madhe e zezë që po u afrohej.

  • Shikoni, shikoni, Ç’është ajo që po vjen? – thirri ai.

Ushtarët panë nga lart me tmerr. Pas pak, njëri thirri me frikë:

  • Nuk është re, jo! Ata janë zogj. Madje me mijëra!

Anekënd nisën britmat. Mijëra zogj që kishin errësuar qiellin, po errësonin edhe dheun. Njerëzit mezi dallonin njëri-tjetrin.

Veçse tmerri i vërtetë nisi pas pak. Nga qielli nisi një breshër i zjarrtë. Secili zog e lëshonte gurin e zjarrtë që mbante në sqep mbi ushtrinë e Ebrehes. Vendi ishte kthyer në një ferr të vërtetë. Ishte një pamje e tmerrshme, gurët e zjarrtë digjnin çdo gjë mbi të cilën binin. Nuk kishte mbetur asgjë nga ushtria e Ebrehes. Ja, ky ishte dënimi i Zotit për ata që u çuan të shembnin shtëpinë e Tij.

Ebreheja u mundua të largohej nga fusha e betejës, por vdekja e gjeti rrugës. Nga gjithë ajo ushtri e tmerrshme kishte mbetur vetëm pluhuri që e mori era e shkretëtirës.

Gjithë kjo ngjarje, në fakt, kishte një kuptim dhe një vendosje të përsosur vendi dhe kohe. Lindja e të Nderuarit të Gjithësisë ishte afruar. Në momentet kur populli i Mekës festonte shpëtimin e Qabes, Amineja pa një ëndërr.

Ajo vetë sikur rrinte në mes të një shkretëtire pa fund e pa anë. Papritur nga trupi i saj nisi të lëshonte një valë drite të fortë. Vala rritej e rritej. Mbushte gjithë hapësirën mes lindjes e perëndimit, pastaj duke u lartësuar, vala e dritës rrokte qiejt e ndriçonte gjithësinë. Kjo ëndërr i pëlqeu shumë Amines, po nuk diti t’i jepte një shpjegim të saktë.

Pas disa ditësh… Viti i elefantit… Dita e dymbëdhjetë e muajit Rebiul Euel… E hënë, mëngjes… E nderuara Amine solli në jetë birin e saj, Muhamedin, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të.

Që pa lindur ai, bota ishte e etur për qenien e tij. Njerëzit kishin nevojë për dashuri, mëshirë, drejtësi. Gjashtëqind vitet që kishin kaluar pas Isait (a.s.), kishin qenë të mjaftueshme që njerëzit të ndryshonin si të donin parimet e kristianizmit. Hebrenjtë kishte kohë që ishin larg doktrinave të Musait, e kishin harruar botën e përtejme e i ishin kushtuar plotësisht kësaj jete.

Përsa i përkiste vlerave shpirtërore bota i ngjante një shkretëtire të plasaritur nga thatësira. Zemrat e përvëluara prisnin shpëtimtarin që të sillte vesën ringjallëse për ta. Dhe ai erdhi, duke sjellë jetën e gjallërinë që nga mesi i shkretëtirës, si një burim i kulluar e i bekuar besimi e mbështetjeje.

***

Ndërsa kodrinat ngjyrë ari të rërës zgjateshin derisa cakonin horizontin tej, nga larg, në një shtëpi modeste të Mekës, u dëgjuan britma shendi e gëzimi. Një jetim ishte ai që po lindte. Por një jetim që kur të rritej, do shuante mallin e botës për dashuri, për drejtësi, liri e dhembshuri.

Pak hapa tej shtëpisë ku kishte lindur, në të katër anët e Qabes, ishin rreshtuar idhujt radhë-radhë. Ai vend i shenjtë, i ndërtuar nga profetët Ibrahim e Ismail, vetëm që njerëzit të adhuronin Zotin atje, ishte mbushur me lloj-lloj idhujsh të gdhendur në gur e në dru, e që nuk kishin asnjë farë vlere.

Ndjenjat e pastra e besimi naiv i njerëzve kishte marrë sërish për kot, mendja kishte falimentuar përballë këtyre bestytnive formale, njerëzit kishin mbetur të udhëhequr nga zakonet që trashëgoheshin duke u shtrembëruar çdo brez e më shumë.

Larg nga Meka, në qytetin e Medinës, jetonin disa hebrenj që kishin ikur e ishin vendosur atje për të shpëtuar prej Romakëve. Ata kishin shtjerë në dorë tokat më pjellore të qytetit dhe dyqanet e tregjet më aktive. Duke përfituar nga përçarjet e arabëve, ia kishin dalë ta kolonizonin vendin më së miri.

Në anën lindore të gadishullit jetonin persët. Edhe ata adhuronin ujin dhe zjarrin. Gjithashtu kishin të shenjtë Liqenin Sava që ndodhej brenda kufijve të tyre. Mbretërit, po ashtu, kishin një autoritet suprem, quheshin kisra dhe vendimet e tyre as që diskutoheshin. Persët i kishin mundur romakët dhe kjo gjë e kishte forcuar shumë pushtetin e tyre material. Por shpirtërisht ishin bosh!

Njerëzit ishin si bisha, kush e kush të shtypte më shumë, të pasurohej më shumë e të skllavëronte më shumë. Nuk kishte mbetur pothuaj asnjë vlerë morale, asnjë kriter human.

Ja, në një të tillë atmosferë lindi fëmija i mrekullueshëm i Mekës.

Sapo lindi fëmija, vrapuan për të lajmëruar gjyshin e tij. Abdulmutalibi menjëherë shkoi të shtëpia e Amines dhe e mori nipin në krahë me dashuri. E puthi, i mori erë dhe me të në krahë, mori rrugën drejt Qabes. Së bashku e vizituan dhe iu sollën shtëpisë së shenjtë. Abdulmutalibi kishte mbetur në mëdyshje, si ta quante këtë fëmijë kaq të bukur?

Kur ra në gjumë po atë natë, pa në ëndërr të njëjtin engjëll që i kishte thënë të hapte Zemzemin, i cili i pëshpëriti në vesh:

“Quaje Muhamed. Sepse Muhamedi do fitojë lavdërimin e gjithë krijesave të qiellit dhe të tokës.”

Të nesërmen njerëzit e fisit të Kurejshëve, e pyetën Abdulmutalibin:

  • Si ia vutë emrin nipit?
  • ..
  • Muhamed? Po pse i ke braktisur emrat e të parëve? Pse Muhamed?

Abdulmutalibi iu përgjigj me fjalët e engjëllit të ëndrrës:

“Sepse desha që Zoti në qiell e njerëzit në tokë ta përmendin atë veç me nderim e lavdi. Dua që krijesat e qiellit e të tokës ta lavdërojnë këtë njeri!”

Dhe koha do ta vërtetonte se Muhamedi ishte i denjë për nderimin e respektin e çdo krijese!

Që në bark të nënës, Muhamedi (a.s.) kishte mbetur pa baba. E ëma e mbante në krahë me dashuri, e puthte e i merrte erë, por kishte problem se nuk e ushqente dot me qumësht. Kështu ajo nisi të priste për ndonjë tajë që ta mëndte, t’i ushqente të birin. Sipas traditës së atëhershme, tajat vinin në Mekë dhe merrnin fëmijët e familjeve të fisme për t’i mëndur. Për sa kohë që pinte qumësht, fëmija rrinte me familjen e saj, pastaj, kur e linte gjirin, i kthehej prapë prindërve të vet.

Asnjëra prej tajave që erdhën në Mekë, nuk u bind ta merrte Muhamedin e vogël me vete, pasi menduan se nëna e tij nuk do kishte gjendjen e duhur për të përballuar shpenzimet e tij.

Foshnja kishte mbetur e uritur në krahët e nënës së vet. Sikur përgatitej që fëmijë për vështirësitë që do haste në të ardhmen, njëherë pa baba, pastaj i uritur…

Një tajë, e quajtur Halime, erdhi në shtëpinë e Amines. Kishte mbetur vonë, fëmijët e baballarëve të pasur i kishin marrë gratë e tjera. Ajo ishte një grua e varfër dhe kishte shumë nevojë të merrte një fëmijë.

Mori Muhamedin (a.s.) në krahë:

  • Kush është babai i kësaj fëmije? – pyeti.
  • I ka vdekur.
  • Po e ëma, a është e pasur?
  • Jo dhe aq!

Po Halimes i kishte bërë shumë përshtypje ai fëmijë aq i bukur.

  • Këta vitet e fundit më ka rënë gjendja shumë, kam ngelur e varfër. Edhe ti je një jetim i varfër. A thua do të kem ndonjë mirësi unë prej teje? Po nuk dua të të lë e të kthehem duarbosh!

Halimja vendosi.

  • Dakord, unë do e marr këtë fëmijë e ta mënd.

E ku ta dinte gruaja e gjorë se duke marrë në krahë jetimin e vogël, do e shkruante emrin e saj me germa të arta në historinë e njerëzimit?

Megjithëse Halimja u kthye me një jetim në krahë pranë njerëzve të vet, ai jetim ishte burim begatie për qiellin e tokën. Dhe Halimja menjëherë do ta vinte re këtë, sepse shtëpia iu mbush me gjithë të mirat. Tokat e thata u kthyen në ara pjellore, pemët e harruara nisën menjëherë të jepnin fruta si nuk kishin dhënë kurrë më parë. Numri i bagëtive u shtua habitshëm, dhentë nuk dinin ku t’i vinin. Lopët jepnin qumësht për gjithë fisin. Halimja e kuptoi se ky fëmijë ishte shkaku i këtij ndryshimi të paparë. Ai jetim i lumturuar!

Muhamedi (a.s.) po rritej shumë i mbarë e i shëndetshëm. Një ditë, ndërsa luante në kopsht, atij i ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme.

I ardhur në tokë për zbatimin e një vendimi hyjnor, Xhebraili shkoi pranë Muhamedit (a.s.), që po luante i qetë dhe i hapi gjoksin. Mori zemrën e tij dhe e lau me mëshirën hyjnore, e mbushi me dritë e mirësi dhe e vendosi prapë ashtu siç kishte qenë.

Që prej asaj dite, jeta e fëmijës me zemër të larë me nur e mëshirë, ndryshoi tërësisht. Çdo veprim i tij ishte i pjekur, ndërsa fëmijët e tjerë luanin e lodronin, ai tërhiqej në një cep e mendonte. Ishte serioz dhe i vetëdijshëm për çdo veprim që kryente.

Edhe kur u kthye afër nënës së tij të mrekullueshme, Muhamedi (a.s.) ashtu ishte. Amina, që dhembja ia kishte shtuar edhe më fort fisnikërinë, vetëm sa i rriste e i theksonte më tepër vetitë e mrekullueshme të të birit. Një ditë, Amina vendosi që bashkë me të birin, të shkonte në Medinë për të vizituar varrin e të shoqit, të cilin nuk e kishte harruar për asnjë çast. Bashkë me shërbyesen dhe Muhamedin gjashtëvjeçar, Amina mori rrugën përmes shkretëtirës përvëluese, ku nuk dukej asnjë gjurmë jete, për të shkuar në Medinë.

Pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm, Muhamedi dhe Amina arritën në Medine. Qëndruan atje pranë dajallarëve të vet për gati një muaj. Pastaj morën sërish rrugën e kthimit për në Mekë. Mirëpo rruga e lodhshme e kishte drobitur shumë Aminen, kështu që ajo u sëmur rëndë. Pa kaluar shumë kohë, Amina vdiq në rrugën e kthimit. Jetimi gjashtëvjeçar tani kishte humbur edhe të ëmën. Umu Ejmen, gruaja besnike që i kishte shoqëruar përgjatë gjithë rrugës, u trishtua e qau shumë për Muhamedin. Për mbretin e profetëve, që kishte mbetur pa nënë dhe pa baba!

Një ditë, vite më vonë, disa prej shokëve i kërkuan profetit Muhamed (a.s.) të fliste pak për veten.

“Ç’t’iu them. I vetmi kapital që kam është besimi te Zoti. Misioni im primar është dashuria. Ngushëllimin e vetëm e gjej kur përmend Zotin, dhimbja e shpirtit: gjëja që më ka shoqëruar gjithmonë.”

Gjithë jetën ai vuajti e i dhembi shpirti për t’u dhënë jetë shpirtrave të vdekur e mendjeve të shuara. “Profeti i Vuajtjes”, thanë për të. Profeti, që jetoi veç për të tjerët.

Edhe pse ishte në mes të shkretëtirës, në mes të njerëzve pa besim e pa ideale, në mes të një shoqërie të shthurur e të marrë fund moralisht, i Dërguari i Zotit e kishte gjithmonë ndërgjegjen e gjallë, shpirtin plot jetë! Sepse ajo atmosferë që mpinte dhe më tepër ata që nuk vrisnin mendjen, njëkohësisht mprehte më fort ndërgjegjet e zgjuara të njerëzve që ruanin një ideal në shpirt. Trëndafilat dhe gjembat ushqeheshin e merrnin jetë nga e njëjta tokë!

Fëmijërinë e hershme e kaloi më tepër duke dëgjuar bisedat e njerëzve të urtë dhe duke menduar. Asnjëherë nuk fliste pa radhë, kurrë nuk fliste shumë. Ishte shumë i edukuar e shumë fisnik. Megjithëse ishte një fëmijë i heshtur, ishte shumë i zgjuar dhe shumë shpejt e kuptoi sa pa kuptim ishte idhujtaria që kishte përqafuar shumica e njerëzve përreth.

Mendja e tij punonte si mendja e paraardhësit të vet, Ibrahimit (a.s.). Asnjëherë nuk iu afrua statujave të idhujve, kurrë nuk u tërhoq prej tyre dhe as prej filozofisë së tyre. I vinte keq vetëm pse mendja e njerëzve punonte kaq pak, pse ishin kaq të papërtueshëm për t’u marrë me idhuj, me vlera materiale e me të tjera gjëra pa vlerë, ndërsa nuk ishin të aftë të falnin dashuri e mëshirë, të gjenin të vërtetën e të jetonin në paqe.

Ndonjëherë bashkohej me të tjerët dhe dëgjonte me vëmendje bisedat e tyre. Diskutimet, grindjet, luftërat e tyre ishin për shkaqe aq pa vlerë e aq të parëndësishëm, sa ai çuditej. Si nuk e kuptonin këtë? Mendonte dhe shqetësohej shumë. Vlera dhe qëllimi i krijimit dhe ekzistencës duhej të ishte patjetër më i shenjtë se këto humbje kohe pa vlerë. Pse nuk mendonin njerëzit se një ditë do vinte vdekja dhe do të iknin nga kjo botë veç me një grusht dhè përsipër? Atëherë, ç’vlerë kishte të vriteshin e të grindeshin për gjëra koti, për prona e për sende?

Sa më shumë rritej, aq më tepër i kushtohej botës shpirtërore, duke lënë pas dore mallrat e pasuritë. Njerëzit në Mekë, të gjithë thonin se ai është ndryshe. Ai nuk ka shok, ai është i veçantë. Dhe të gjithë kishin një besim të jashtëzakonshëm e një respekt të madh për të.

Mjaftonte të vinte një pëllumb i uritur në sofrën e tij, ndërsa ai hante, dhe Muhamedi (a.s.) e linte ushqimin e niste të merrej me zogun. Një mace të gjorë apo një qen të uritur të shihte, vraponte menjëherë për ta ushqyer. Nuk e kishte për gjë t’i dhuronte një fëmije të varfër a ndonjë njeriu të vobektë rrobat e trupit, shapkat a ç’të kishte. Vërtet që ishte shumë i veçantë ai njeri. Kushedi sa netë kishte kaluar i uritur, sepse ua kishte dhënë gjithë ushqimin të tjerëve…

Për të qëndruar mbi këmbët e veta, Muhamedi (a.s.) ishte i detyruar të punonte që herët. Në fillim punoi si bari dhe kur ishte ende shumë i ri, nisi të merrej me tregti. Dhe trembëdhjetë vjeç, bashkë me karvanin e xhaxhait të tij, Ebu Talibit, shkoi në Damask.

Udhëtimi nëpër shumë vende i dha atij që në moshë të re mundësinë të njihej me njerëz e me kultura nga më të ndryshmet. Dëgjoi historitë e shumë personave e fiseve, por kjo gjë e tronditi edhe më fort. Me gjithë disa ndryshime të vogla, njerëzit kudo ishin njëlloj. Shejtani i kishte të njëjta armët e mashtrimit. Injoranca dhe urrejtja kishin mbirë kudo. Sado mund të ndryshonte vendi e koha, shqetësimet e hallet njerëzore ishin njëlloj. Në çdo vend luftohej për para, pushtet, interesa…

Kur shihte njerëzimin duke u ndrydhur në kthetrat e shejtanit, që zgërdhihej me ligësinë e vet, vuajtja i shtohej e i thellohej edhe më.

E vetmja shpresë e tij ishte bindja se Zoti i Madhërueshëm, që kishte krijuar gjithësinë në formën më të mrekullueshme dhe e kishte gjallëruar atë dhe ekzistencën e njeriut, nuk do e linte këtë gjendje të vazhdonte kështu, por do ndërhynte me dashurinë dhe mirësinë e Tij për të sjellë një epokë të re vlerash. Që pa iu shpallur shpallja hyjnore, zemra e tij rrihte vetëm për Mëshirën Hyjnore. Sepse më i larti i të Dërguarve, edhe para se të bëhej profet, kishte jetuar si një profet, duke mishëruar virtytet më të larta që mund të posedojë një njeri.

Ndërsa të rinjtë në Mekë mburreshin me dëfrimet e natës, pijet që konsumonin e gratë me të cilat kishin lidhje, Muhamedi (a.s.) gjeti një guvë të qetë jashtë qytetit, në mal, dhe kalonte atje më të shumtën e kohës, duke medituar i vetëm. Orët në guvën Hira, ishin orët më të lumtura e më të qeta për të. Me anë të meditimit dhe forcës së mendimit e të shpirtit aty, ai gjente rrugën për zgjidhjen e mistereve të krijimit, të ekzistencës e të vetë njeriut. I zhytur shpirtërisht në thellësitë e gjithësisë, aty zbulonte të vërtetat që çdo ditë e më shumë, ndërgjegjja e tij e kulluar ia diktonte.

Kur u martua me Hatixhen, ai ishte njëzet e pesë vjeç, kurse ajo zonjë e nderuar, dyzet. Ajo ishte një grua shumë e bukur dhe shumë fisnike, që kishte punën e vet tregtare. Hatixhja dëgjoi se Muhamedi ishte më i ndershmi, më i besueshmi dhe me i moralshmi i gjithë tregtarëve, ndaj i propozoi që të kryesonte karvanin e saj që do shkonte në Damask për tregti.

Kur u kthye nga Damasku, Muhamedi (a.s.) kishte bërë një punë shumë të mirë dhe kishte ardhur me fitime të mëdha. Menjëherë sapo u kthye, shkoi te Hatixhja dhe i dorëzoi asaj gjithë paratë, deri në qindarkën më të fundit. Hatixhja u mahnit nga korrektësia e tij dhe pas pak ditësh, i propozoi për martesë. Ditën që u bë fejesa e tyre, xhaxhai Ebu Talib thoshte këto fjalë për të:

  • Muhamedi është më i veçanti në të rinjtë e Mekës. Është e pamundur të gjendet një që është më i moralshëm e më i zgjuar se ai. Vërtet që nuk ka ndonjë pasuri të madhe materiale, po pasuria e tij shpirtërore është më e çmuar dhe më e qëndrueshme se çdo pasuri tjetër.

Edhe pas martesës, i nderuari Muhamed (a.s.), nuk hoqi dorë nga orët e meditimit dhe thellimit në të fshehtat e shpirtit e të gjithësisë. Në muajin Ramazan të çdo viti, ai tërhiqej në Hira dhe i falej e adhuronte Zotin e gjithësisë, mendonte mëshirën e dashurinë e Tij, artin e Tij të mrekullueshëm, jetën dhe vdekjen.

Sërish, një ditë të muajit Ramazan, ndodhej në Hira dhe ishte zhytur në mendime të thella. Pikërisht atëherë, Xhebraili doli para tij në formën e tij të mirëfilltë. Muhamedi (a.s.) o drodh para asaj pamjeje.

  • Lexo!… – i tha engjëlli.
  • Po unë nuk di të lexoj, – iu përgjigj mbreti i njerëzimit.
  • Lexo! – i tha engjëlli sërish.
  • Nuk di të lexoj. Çfarë të lexoj?
  • Lexo! Me emrin e Zotit tënd, që krijoi gjithçka nga hiçi, – i tha atëherë engjëlli.

Kështu, në jetën e të Dërguarit të Mbramë, u hap një faqe e re. Zoti kishte nisur t’i shpallte atij Kuranin dhe e kishte zgjedhur profet për gjithë njerëzimin. Ai ishte hallka e fundit e vargut të profetëve, pas tij Zoti (xh.sh.) nuk do të dërgonte më profet deri në fund të botës. Profetët para Muhamedit (a.s.) e kishin detyrën e tyre të kufizuar me një shoqëri, një popull ose një vend, kurse profetësia e Muhamedit (a.s.) do të përfshinte gjithë njerëzimin, pa kufij vendi e kohe.

Edhe Muhamedi (a.s.) u përball me vështirësitë e ndryshme që kishin hasur më parë gjithë profetët, kur doli para njerëzve për t’u përcjellë mesazhin hyjnor. Mohim, shpifje, tallje, pse jo dhe dhunë… Kurse ai i përballoi të gjitha këto me dashuri, durim, vullnet e besim. Ndihmësi i tij ishte Zoti.

Viti i dëshpërimit… Ai vit do kalonte në histori si viti i dëshpërimit.

Atë vit vdiq bashkëshortja e nderuar e profetit, Hatixhja. Ajo grua ishte me të vërtetë një njeri i rrallë. E para ajo i kishte besuar profetit dhe fjalëve të Zotit. Gjithmonë kishte qenë në krah të tij, si një grua e jashtëzakonshme, mike e mirë dhe besimtare e devotshme. Po atë vit u nda nga kjo botë edhe xhaxhai i profetit, Ebu Talibi. Ai xhaxha e kishte mbrojtur dhe përkrahur Muhamedin (a.s.) në çdo rast, duke mos lejuar asnjë që t’i bënte keq atij.

Kurejshët nuk kishin lënë rrugë e formë pa provuar, për të dëmtuar të nderuarin e profetëve dhe për të ndaluar përhapjen e Islamit. Derisa erdhi një ditë dhe prenë çdo lidhje me myslimanët. I ndaluan të gjithë të flisnin me ta, të blinin nga ata apo t’u shisnin gjë atyre. Kishin vendosur të bënin embargo, derisa myslimanët të hiqnin dorë nga besimi i tyre dhe të ktheheshin te idhujt. Por edhe kjo gjë nuk vlejti.

Një ditë, profeti po falej para Qabes. Një nga armiqtë e tij erdhi dhe i vuri mbi shpinë të brendshmet e një deveje të porsatherur. Sikur nuk mjaftonte kjo, shokët e tij nisën ta gjuanin me gurë e me rërë. Pastaj u gajasën së qeshuri. Ishte një pamje rrënqethëse. Vajza e profetit, Fatimja, sapo dëgjoi për ngjarjen, vrapoi pranë Qabes. Kur e pa të atin në atë gjendje, iu mbushën sytë me lotë. U afrua dhe nisi të pastronte trupin dhe rrobat, ndërsa shihte me sy të inatosur fajtorët e ngjarjes. I Dërguari i Zotit vendosi ta qetësonte vajzën:

“Mos u mërzit, Fatime! Zoti nuk do e braktisë babain tënd!”

Populli i Mekës e kishte bërë të vuante shumë profetin. Ai kishte ndjekur çdo rrugë e çdo mënyrë për t’i ndikuar sadopak ata e për t’i tërhequr në rrugë të drejtë, por pa rezultat, se zemrat e tyre ishin edhe më të ngurta se ata statujat prej guri që adhuronin.

Çdo ditë, profeti i madh, dilte e kërkonte vend më vend se mos gjente ndonjë zemër të etur për të vërtetën. Vizitonte çdo vend, shkonte nëpër kuvende dhe u shpjegonte njerëzve Zotin. Pas Mekës i kishte ardhur radha edhe fshatrave e krahinave përreth. Edhe në ato vende i duhej të shkonte, se edhe atje mund të gjente dikë që ta besonte e të ndiqte rrugën e Zotit.

Vendosi të shkonte në Taif. Kushedi, ndoshta atje dilte një njeri, një zemër e prirë për të ndjekur rrugën e dritës. Mirë, po ku është Taifi, ku është Meka. Duhen ditë të tëra për të arritur atje! Rruga është e vështirë dhe e mundimshme. Dhe devetë më të forta e kuajt më të stërvitur rraskapiten pa arritur.

Rruga ishte mes shkretëtirës e diellit përvëlues, mes shtigjeve e ferrave, gjithë të përpjeta e të tatëpjeta. Po çdo mundim që e bënte për Zotin e Gjithëmëshirshëm, i jepte Muhamedit (a.s.) një fuqi e një lehtësi të jashtëzakonshme. Çdo vuajtje për të shpëtuar njerëzit, sado e rëndë të ishte, ishte e shenjtë për të. Aq më tepër kur gjente qoftë një zemër të vetme që rrihte për Zotin e për të drejtën!

Në udhëtimin e tij drejt Taifit, profetin e shoqëronte një djalë i ri, i quajtur Zejd. Për dhjetë ditë me radhë ata nuk lanë lagje pa shëtitur, shtëpi pa vizituar, njeri pa takuar. Ia hapi zemrën të gjithëve, duke i ftuar në oqeanin e mirësisë e të dashurisë që i dallgëzonte në shpirt. Ndihmoi e i fali dashuri të gjithëve. Nuk u lodh, as nuk u demoralizua aspak dhe i ftoi gjithë ëmbëlsi njerëzit në besimin te Zoti, duke iu dëshmuar mesazhin hyjnor. Fjalët e tij të bukura e plot ndjenjë ishin aq të mrekullueshme, sa edhe gurët e drurët u mahnitën duke i dëgjuar. Vetë toka u gjallërua nga ata tinguj si perla të zërit të shenjtë të profetit. Por zemrat e atyre njerëzve nuk ishin as gur, as dru, që të ndikoheshin. Shpirtrat e tyre ishin aq të errët, retë e injorancës që i mbështillnin mendjet e tyre ishin aq të mëdha, sa nuk besonin. Nuk donin të besonin. Nuk donin të shpëtonin, të ndiqnin Pishtarin e profetëve, përcjellësin e mesazhit të Zotit për ta.

Dhe nuk u mjaftuan me aq, por mblodhën gjithë fëmijët e Taifit, u dhanë gurë në duar dhe i thanë që të gjuanin me ta profetin e shokun e tij besnik. Zejdi ishte larë në gjak, duke u munduar të mbronte të Dërguarin e Zotit; ai vetë gjithashtu. U larguan dhe hynë në një kopsht. Ndërsa Zejdi mundohej të fshinte gjakun nga fytyra e bekuar e profetit, ai hapi duart drejt qiellit dhe nisi të lutej:

“O Zoti im! Veç Ti mund të më ndihmosh! Jam i dobët, i pafuqishëm dhe njerëzit më poshtëruan! O Zoti i të pashpresëve, o Ndihmësi i të gjithë atyre që kanë nevojë, o Mbrojtësi i të sulmuarve! O Zoti im! A po më lë mua te të huajt fjalërëndë e fytyrëvrazhdë? Nëse nuk je i zemëruar me mua, nuk kanë rëndësi asnjë prej këtyre që po heq. Mëshira e shpëtimi Yt është më i gjerë e më i madh se universi, o Zot! Më mbro me dritën Tënde që e zhduk terrin e tyre nga këto që po heq! O Zoti im, pres faljen Tënde deri kur Ti të jesh i kënaqur me mua! Sepse gjithë forca e pushteti ndodhet veç në dorën Tënde, o Zoti im!”

Ndërsa ai po lutej, pranë tyre u afrua lehtas dikush. Në dorë mbante një tabaka me rrush, nga mori një vesh dhe ia zgjati profetit.

  • Urdhëroni, merreni! – u tha

Profeti buzëqeshi me dashamirësi dhe e falenderoi për bujarinë. Duke zgjatur dorën drejt tabakasë, tha ashtu siç thoshte gjithmonë:

  • Bismil’lah! (Me emrin e Zotit)

Burri që i kishte sajdisur, ishte një skllav i quajtur Addas. Kjo fjalë ishte diçka e re për të, patjetër që nuk ishin të këtyre anëve, sepse ata nuk e kishin për zakon një shprehje të tillë.

  • Kush je ti? – e pyeti profetin

Profeti e pa në fytyrë dhe i drejtoi të njëjtën pyetje

  • Po ti kush je?
  • Quhem Addas dhe jam nga Ninova, – iu përgjigj.
  • Nga Ninova? Nga vendi i Junusit, – i tha profeti.
  • Po ti, nga e njeh Junusin? – u çudit ai.
  • Ai ishte një profet i madh. Edhe unë jam profet, Zoti më ka nderuar me këtë detyrë fisnike dhe unë jam këtu të përhap mesazhin e Tij.

Addasi nuk i besonte syve e veshëve. Menjëherë u përkul, pastaj nisi të puthte me nderim profetin. Ai që po e kërkonte me vite, qëndronte mu këtu, përballë tij!

Po të mos kishte ndodhur kjo ngjarje, profeti do kthehej shumë i mërzitur nga Taifi. Jo për atë që i kishin bërë, por për njerëzit, për ata njerëz që duke mos i besuar fjalëve të tij, i kishin bërë keq vetes. Ndërsa tani, ai sa nuk fluturonte nga gëzimi. Ja, Addasi e kishte pranuar të vërtetën para syve të tij.

Kur u kthye në Mekë, e prisnin sërish të njëjtat fytyra të vrazhda, të njëjtit shpirtra të egër. Sërish vuajtje e dhimbje, sërish tortura pa fund për myslimanët.

Ndërsa vizitonte Qaben, profeti ishte i trishtuar, i mërzitur, me sy të përlotur e me zemrën copë. Zoti këto ditë kishte përgatitur një kompliment të jashtëzakonshëm për të dashurin Muhamed…

Ishte një natë e qetë dhe e heshtur. Në shtëpinë e tij modeste, profeti sapo ishte shtrirë në dyshekun e vet të shtruar përtokë, sa të pushonte pak. Jashtë shkretëtira sikur dallgëzohej nën dritën e magjishme të hënës, kurse ajri ishte mbushur me një ndjesi magjike që paralajmëronte gjëra të bukura. Edhe zogjtë e natës, edhe egërsirat e shkretëtirës sikur ishin mbështjellë me një prekje magjike e ishin rehatuar në vendet e tyre. Kurse Zemzemi rridhte me një gurgullimë misterioze, aq të ëmbël, sa të sillte ndërmend amshimin.

Një fllad i lehtë përhapte ngado një aromë fantastike, të pandierë më parë, ndërsa yjet vëzhgonin të kujdesshëm për ngjarjen që pritej të ndodhte.

Ndërsa flatrat e Xhebrailit preknin sipërfaqen e shkretëtirës, zemra e globit u drodh nga solemniteti i asaj që do ndodhte. Pas pak, në formën e një njeriu, hyri në shtëpinë ku po çlodhej profeti. U ndal pranë tij dhe nisi të vështronte fytyrën e tij të ndritshme, të mrekullueshme, pa u ngopur së pari. Fytyrën e atij që Zoti vetë i thoshte: “I dashur”. Xhebraili qëndroi ashtu i mahnitur një copë herë. Ai kishte ardhur me një detyrë në tokë, prandaj preku lehtë profetin për ta zgjuar. Sapo hapi sytë e pa pranë vetes Xhebrailin, profeti buzëqeshi.

“Bekim e paqe mbi ty, o Profet i Lartë! Zoti do të të tregojë disa mrekulli të gjithësisë!”

Dy miqtë dolën bashkë nga shtëpia. I nderuari i dy botëve, pa te dera Burakun që i priste. Ishte një qenie prej drite të mrekullueshme. Buraku përshëndeti profetin, pastaj u përkul që ai të hipte. Pasi hipën të dy, Buraku fluturoi, si një shigjetë prej drite. Menjëherë u ndodhën ne Jerusalem, sepse Buraku ishte më i shpejtë se drita.

Mesxhidi Aksa të Jerusalemit, pa gjithë profetët që e prisnin. Ja, Ademi, Ibrahimi, Luti, Isai, të gjithë profetët ishin aty!

Engjëjt i ofruan dy enë, njëra me qumësht, tjetra me verë. Profeti mori atë me qumësht.

– Ti zgjodhe karakterin e pastër. Edhe populli yt do zgjedhë karakterin e pastër, – i tha atëherë Xhebraili.

Profetët e përshëndetën të gjithë dhe i hapën rrugë.

  • Zoti të urdhëron t’i prish profetëve në falje! – i tha Xhebraili.

Muhamedi (a.s.) kaloi përpara dhe nisi të falej. Një imam i mrekullueshëm për një grup të jashtëzakonshëm. Engjëjt u ndalën e vështruan të mahnitur atë falje në Jerusalem. Profeti Muhamed lexoi gjatë faljes pjesë nga Kurani, libri që i ishte shpallur atij. E ndërsa lexonte, lotët i rridhnin nga sytë. Lot u rridhnin edhe profetëve të tjerë…

Pasi mbaroi e falura, profetët e tjerë u larguan një nga një. Edhe profeti ynë doli nga mesxhidi bashkë me Xhebrailin dhe u nisën sërish me Burakun. Ai nisi të fluturonte lart, lart.. Në qiellin e parë Muhamedi (a.s.) takoi Ademin.

Zoti e urdhëroi Xhebrailin:

  • Robi im të ngjitet edhe më lart!

Dhe ai u ngjit. Kapërceu qiejt një nga një. Edhe pak e do arrinte pranë Zotit. Shpejtësia prej drite e Burakut ishte pak para shpejtësisë së lartësimit të tij shpirtëror. Në qiellin e dytë kishte përshëndetur Isain dhe Jahjanë. Sërish Zoti urdhëroi:

  • Më lart!

Profeti u ngjit më lart. Pasi kapërceu të shtatë qiejt dhe gjithë gjithësinë, në sensin fizik e shpirtëror, arriti në atë që Zoti e quan Sidretu’l Munteha. Aty ku ndodhet pema e gjithë ekzistencës. Atje pa xhenetin Me’va dhe mrekullitë e saj të pashpjegueshme.

  • Edhe më lart, robi im!

Ngjitja vazhdonte. Profeti Muhamed (a.s.) pa për Xhebrailin, po ai nuk ishte më pranë tij. Ai ishte më mbrapa me formën e tij të vërtetë. Ishte e mahnitshme ajo pamje, e jashtëzakonshme.

Ngjitja e tij vazhdoi derisa gjendej në praninë e Zotit të gjithësisë.

Në praninë e Zotit, profeti Muhamed (a.s.) nisi të dëgjonte fjalën e Tij:

“Allahu dhe engjëjt përshëndesin profetin!”

I Dërguari i Zotit u përkul menjëherë në sexhde. Qante nga gëzimi, qante shumë. Gjithë vuajtjet e trishtimet i ishin fshirë, në zemër ndjente vetëm qetësi dhe një lumturi të pashpjegueshme. Atje, Zoti e shpalli të detyrueshme faljen për profetin dhe për gjithë besimtarët. Në atë pozitë që ndodhet jashtë konceptit vend e kohë, Zoti tha:

“O Muhamed, ti dhe populli yt do faleni pesë herë çdo ditë!”

Padyshim që ishte dhurata më e bukur për besimtarët, mrekullia më e madhe, nderimi më i lartë. Njerëzve po u jepej mundësia pesë herë në ditë të dilnin në praninë e Zotit. Pesë herë në ditë do të mund të flisnin drejtpërsëdrejti me Krijuesin. Sa kuptimplotë që ishte! Me shprehjen e profetit, e falura e çdo besimtari është miraxhi i tij. Miraxh është udhëtimi që profeti Muhamed (a.s.) bëri me trup e me shpirt përmbi qiej, gjer te Zoti. Kurse myslimanët do të mund ta bënin pesë herë në ditë me shpirtin e tyre.

Atje profeti pa gjëra që syri nuk i sheh, veshi nuk i dëgjon, imagjinata nuk i përfshin dot. Është e pamundur që të shpjegohen me fjalë ato që profeti pa atje! Sepse atje Zoti dhe Muhamedi i dashur, folën drejtpërsëdrejti!

Pas këtij takimi të mrekullueshëm, Muhamedi i hipi sërish Burakut dhe u kthye në tokë… Shtrati në dhomën ku po pushonte para se të vinte Xhebraili ishte ende i ngrohtë! Mbylli sytë dhe u fut në botën e gjumit me një qetësi e rehati të paparë. Në zemër kishte një lumturi të papërshkrueshme, kurse në shpirt, flladet e xhenetit.

***

Kaluan vite të tëra…

***

E nderuara Aishe, gruaja e profetit të madh, doli në derë dhe iu lut fëmijëve të mos thërrisnin aq fort.

  • Profeti është sëmurë, – u tha ajo.

Fëmijët heshtën menjëherë. Me sy të trembur e të shqetësuar panë Aishen, duke pritur ndonjë sqarim prej saj. Vërtet që kishte disa ditë që nuk e kishin parë profetin! Edhe më parë, fytyra e tij e ndritshme kishte qenë më e zbehtë se zakonisht!

Profeti ishte i lodhur, këmbët mezi e mbanin trupin e tij që për një jetë të tërë ishte ngarkuar me hallet e me dhimbjen e gjithë njerëzimit. I vetëm, kishte marrë përsipër amanetin, që as malet, as toka dhe as qielli nuk kishin mundur ta mbanin. Kishte përcjellë plotësisht të njëjta urdhrat që kish marrë nga Zoti, i kishte shpëtuar mendjet e shpirtrat e njerëzve nga bestytnitë pa vlerë dhe i ishte përkulur vetëm Zotit. Ky ishte amaneti! Në të djathtë kishte të birin e Abasit, Fadlin, në të majtë Aliun. Ishte i sëmurë dhe i pafuqi.

Aishja e ndihmoi të shtrihej në shtrat, pastaj i vuri dorën mbi ballin e bekuar. Sikur digjej.

  • A ke dhimbje o profet, të qofsha falë? – e pyeti mes lotëve.

Ai buzëqeshi me vështirësi, për të qetësuar Aishen, pastaj ra në gjumë.

Qëkur kishte lindur, dhimbjen e vuajtjen i kishte pasur të pandara, profeti i madh. Gjithnjë me vuajtjen. Ja, në Hira, kur kishte marrë shpalljen e parë… Ndjenja e mrekullueshme mes tronditjes e qetësisë. Pastaj urrejtja e njerëzve, që para pak kohësh e donin aq shumë! Shpifjet, poshtërimet, fyerjet, një furtunë e tërbuar urrejtjeje pa shkak. Njerëz me zemra të kyçura para të vërtetave! Kurse ai, gjithmonë duke buzëqeshur, gjithmonë i duruar, gjithmonë me dashuri e mirësi në zemër, duke u lutur për ta! I vetëm në mes të shkretëtirës, nën zjarrin e diellit, në mes të detit të rërës.

“O njerëz, nuk ka zot tjetër veç Allahut!…”

Ishte veç një frazë e shkurtër, një frazë përmbledhëse e të vërtetës më absolute. Por një fjalë e mjaftueshme për të tronditur gjithë forcat e errëta në botë. Kështu që gjithë forcat e errëta u bashkuan kundër tij. Ajo fjalë i kishte tmerruar pasuesit e shejtanit!

Natën e mërgimit, profeti ndodhej në shtëpinë e tij në Mekë. Ishte errësirë. Plot dyzet vetë të armatosur kishin ardhur për ta vrarë. Aliun e vuri në shtrat, kurse vetë doli jashtë. Ushtarët e mëkatit kishin rrethuar çdo anë. Mori një grusht rërë dhe e hodhi mbi fytyrat e tyre. Ata fjetën menjëherë mu aty ku ndodheshin. E kush mund të matej me të Dërguarin e Zotit (a.s.)?

Ditët ndiqnin njëra-tjetrën, rruga nuk mbaronte. Shkretëtirat e gadishullit arabik përvëlonin gjithçka. Trupa të lodhur, buzë të plasaritura dhe kodra rëre pa fund!

Gjithë idhujtarët e Mekës i kishin nga pas. Pas pak profeti dhe miku i tij Ebu Bekr hynë në një shpellë të errët. Nuk kishin armë me vete. Kurse armiku ishte i armatosur gjer në dhëmbë. Idhujtarët kishin arritur gjer te hyrja e shpellës. Po të zgjatej veç pak njëri nga ata, do t’i shihte fare mirë. Zoti dërgoi një pëllumb në hyrje të shpellës. Ai menjëherë ndërtoi fole, bëri vezë dhe u ul mbi ta. Sa hap e mbyll sytë, një merimangë thuri rrjetën e saj dhe mbuloi me të gjithë hyrjen e shpellës. Ja, armët e profetit, një merimangë dhe një pëllumb.

Me të parë pëllumbin e rrjetën e merimangës te shpella, idhujtarët menduan se ishte një vend i pashkelur prej vitesh dhe u larguan që andej për t’i vazhduar kërkimet diku tjetër. Rrjeta e imët e merimangës dhe vezët e brishta të pëllumbit ishin më efikase se shpatat e mprehta e mburojat e hekurta të armiqve. Kështu kishin shpëtuar profeti dhe miku i tij…

Ishte dita kur i dërguari i Zotit (a.s.) hynte në Medinë. Besimtarët vendas po e prisnin me një entuziazëm të jashtëzakonshëm, për t’i hapur dyert dhe zemrat. Atë periudhë kur edhe më të afërtit e kishin braktisur, medinasit i dilnin zot dhe e mbronin. Ai ishte një diell, ata një aureolë yjesh. Së bashku do ndrisnin qiellin e njerëzimit. Që atë ditë, Islami nisi të themelojë në Medinë qytetërimin e vet të mrekullueshëm. Kurse më parë, kishte përgatitur njerëzit që do e themelonin këtë qytetërim.

Edhe luftën e pa profeti i mëshirës, edhe shpatën e mori në dorë, edhe mburojën e kaloi në trup! E ç’mund të bënte tjetër përballë ushtrive të errësirës, që kishin ardhur gjer në Medinë për të shkatërruar botën e shkëlqyer e plot dritë që kishte ndërtuar Muhamedi? Do mjaftonte që ata t’i zgjasnin një petale trëndafili, e profeti do u dhuronte kopshte të tërë, por ata erdhën me shpatë…

Beteja të përgjakshme kishin nisur mes idhujtarëve e besimtarëve. Në Hunejn, numri i ushtrisë së idhujtarëve ishte dhjetëra herë më i madh se i myslimanëve. Sheshi i betejës ishte mbuluar nga gjaku e pluhuri, myslimanët ishin dobësuar ndjeshëm. Kur… një zë oshtiu mes betejës.

  • Jam i Dërguari i Zotit, Muhamedi, nipi i Abdulmutalibit…

I vetëm, profeti përparonte drejt ushtrisë armike duke i bërë të shtangen të gjithë. Aq, dhe myslimanët e morën veten menjëherë. Beteja u fitua nga ata!

I nderuari i profetëve u zgjua nga të qarat e Aishes. Hapi sytë dhe vështroi gjatë Aishen. Kishte dhimbje shumë të forta koke. Po nuk donte ta mërziste atë, ndaj u mundua të mos e shprehte. E pa në sy, buzëqeshi ëmbël, pastaj i mbylli sytë sërish…

I nderuari i Profetëve po kthehej nga beteja në Mekë. Ishte një ditë e paharrueshme. Ushtria islame vinte pas tij. Dhjetë mijë ushtarë kishin mbuluar malin dhe vërshonin drejt hyrjes së Mekës. Mekasit që kishin mërguar, Medinasit mikpritës dhe në krye të të gjithëve, Sulltani i Njerëzimit.

Nga Meka kishte ikur një natë, vetëm me shokun e tij më të afërt, Ebu Bekrin, kurse tani po kthehej atje në krye të një ushtrie madhështore. Meka, që atëherë kishte ngritur gjithë kurthet si e si ta vriste atë, sot po e priste si prijësin më të madh. Tashmë i Dërguari ishte komandanti i një ushtrie shumë të fortë, që kishte fituar gjithë ato beteja. Gjithsesi, ai ishte aq modest duke hyrë në Mekë dhe aq i mbushur me mirënjohje e falënderim për Zotin, sa me kokën ulur, përlotej e mallëngjehej duke hyrë në qytet.

Populli i Mekës ishte tubuar në sheshin e madh të qytetit. Njerëzit ishin të tronditur. Vallë si do hakmerrej Muhamedi për gjithë ato që i kishin bërë?

Po Profeti i Mëshirës (a.s.) doli para tyre dhe i foli me dashuri:

  • Jeni të lirë, mund të shkoni! Nuk ka sot për ju as qortim dhe as hakmarrje. Zoti ju mëshiroftë të gjithëve!

I Dërguari, nxori jashtë gjithë idhujt nga Qabja dhe thirri Bilalin të këndojë ezanin. Qabja ishte rikthyer në identitetin e saj të vërtetë. Dhe që nga ajo ditë, ajo do të ishte qendra e myslimanëve që adhuronin Zotin e Vërtetë.

Profeti hapi sytë përgjysmë. Pranë tij nuk kishte asnjeri këtë radhë. Temperaturën e kishte të lartë. Trupi i dhembte në mënyrë të padurueshme. Kërkoi pak ujë nga Aishja. Ajo dhe të tjerët që ishin në dhomë, i hodhën ujë të ftohtë mbi trup, për t’ia ulur sadopak zjarrminë. Ishte qetësuar disi, edhe dhembja sikur i ishte lehtësuar. Mendoi, a thua kishte harruar t’u thoshte ndonjë gjë njerëzve? A thua kishte mbetur diçka që i kishte rrëshqitur e nuk ua kishte mësuar?

Ua kishte shpjeguar të gjitha, po të shtrëngonin fort Kuranin e këshillat e tij, asnjëherë nuk do të dilnin në rrugë të gabuar.

I Dërguari mbylli sytë sërish.

Gjatë Pelegrinazhit të lamtumirës, Profeti i shpjegonte Zotin e Islamin më tepër se njëqind mijë bashkëkohësve të vet, duke u thënë kështu edhe fjalët e tij të fundit. Dhe ai grup i bekuar e kuptonte se ishte afruar koha kur profeti i madh do ndahej nga kjo botë.

Përcolli Muadhin për në Jemen. Muadhi do të shkonte atje për t’u mësuar Islamin njerëzve.

  • Në botën tjetër gjithë besimtarët e devotshëm do të jenë me mua. Ata që e duan dhe që e kanë frikë Zotin, – i tha duke e kapur nga jelet kalin ku ai kishte hipur.

Megjithëse ishte njeriu më i mrekullueshëm i krijuar nga Zoti, megjithëse ishte i fundit i profetëve, simboli i vëllazërisë, i paqes e i dashurisë mes njerëzve, profeti Muhamed (a.s.) gjithmonë kishte jetuar si gjithë të tjerët, mes njerëzve, me modesti e mirëkuptim, edhe pse ishte udhëheqësi më i madh i njerëzimit. Shpesh ua përsëriste shokëve të vet se “Unë jam një rob i Zotit. Rob dhe i dërguar i Tij”

Gjithmonë kur e shihnin profetin, shokët e vet ngriheshin në këmbë me nderim e respekt. Po ai gjithmonë i thoshte të mos ngriheshin, të mos i lironin vend dhe shkonte e ulej aty ku e gjente të lirë. Nuk përtonte të merrej me problemet e të gjithëve, t’i ndihmonte në hallet e tyre, t’i këshillonte sa herë që kishin nevojë. Gjithashtu edhe me fëmijët ishte shumë i dashur. Luante e qeshte me ta, i merrte në prehër e i përkëdhelte me shumë dashuri. Gjithmonë iu përgjigjej me dashuri ftesave të njerëzve dhe po të mësonte se dikush ishte i sëmurë, edhe në anën më të largët të qytetit të ndodhej, menjëherë shkonte ta vizitonte.

Gjithmonë e përshëndeste vetë i pari njeriun që takonte. Po të vinte ndonjë hallexhi për ta takuar kur ai falej, mundohej ta mbaronte faljen më shpejt e të dëgjonte hallin e tij. Faljen pastaj e plotësonte më vonë. Asnjëherë nuk ishin parë shenja nervozizmi a zemërimi në fytyrën e tij të ndritshme, që gjithmonë buzëqeshte. Ai ishte më zemërmiri, më bujari!

Çdo punë të tijën personale mundohej ta kryente vetë dhe gjithmonë ndihmonte në punët e shtëpisë. Rrobën e vet e lante vetë, kur i grisej, e qepte vetë. Ishte shumë modest, edhe me shërbëtorin hante, edhe me skllavin, sa herë kishte njeri ndonjë nevojë, rendte t’ia plotësonte vetë.

Mëshira e dashuria që mbante në zemër ishte aq e madhe, sa bashkë me njerëzit, përfshinte edhe kafshët, edhe pemët…

Vraponte t’i hapte derën maces që dridhej nga të ftohtët, e merrte brenda, e ushqente…

Zogjtë e plagosur i mjekonte vetë, kafshët e sëmura i mbante, i ushqente e i pastronte, pastaj kujdesej për ta derisa shëroheshin. Po ashtu kujdesej edhe për pemët e lulet. Gjithmonë u tërhiqte vëmendjen luftëtarëve:

  • Asnjëherë mos i prekni gratë, fëmijët, të moshuarit, klerikët. Asnjëherë mos dëmtoni shtëpitë e njerëzve. Asnjëherë mos dëmtoni pemët.

Çdo gjë që kishte në dorë, e ndante me të tjerët, çdo pasuri e harxhonte në rrugën e Zotit. Fëmijët, të varfrit dhe gratë e veja, e kishin gjithmonë të ndarë pjesën te ai. Asnjëherë nuk grumbullonte mall me mendimin se do duhet për nesër. Aq sa edhe kur kishte në dorë administrimin e gjithë gadishullit arabik, për të blerë ushqim për familjen e vet kishte lënë peng mburojën te një hebre.

Profeti i madh hapi sërish sytë. Mbi krye këtë radhë dalloi Xhebrailin, i cili po e sodiste.

“Paqja dhe bekimet qofshin mbi ty, o i Dërguar i Zotit! Engjëlli i vdekjes kërkon leje për të të ardhur pranë. Asnjëherë ai nuk ka marrë leje nga asnjeri, as nuk do të marrë pas kësaj. Zoti ofron për ty dy mundësi, ose të kthehesh të jetosh mes mirësive në këtë botë, ose të shkosh pranë Tij! Zgjidh cilën të duash.”

 “Mikun e dashur, me të Lartin e të lartëve”, u përgjigj me zë të mekur profeti.

Xhebraili u tërhoq për t’i lënë radhën engjëllit të vdekjes. Engjëlli i vdekjes hyri në dhomën e profetit me flatrat e ulura, u përkul dhe e përshëndeti me nderim të thellë…