Meqë këtu nuk ekziston mundësia për ta treguar në mënyrë të gjithanshme Profetësinë e çdo Profeti, besojmë se duke treguar për Profetin tonë (alejhissalatu uesselam), i cili na tregon për të gjithë Profetët dhe librat e tyre dhe na kërkon t’u besojmë atyre, do të kemi treguar për të gjithë ata dhe do t’i kemi kuptuar të gjithë ata!
EX0-001

 

Një vështrim i shkurtër mbi jetën e tij të çmuar

Profeti ynë (alejhissalatu uesselam), jeta e të cilit, mbështetur në dokumente historike, njihet me hollësi nga lindja gjer në vdekje, e ka nderuar botën tonë në qytetin Mekë të Gadishullit Arabik në vitin 571 e.r. Ai i përket familjes hashimite, një familjeje me rrënjë nga fisi i shquar Kurejsh i zonës. I ati është Abdullahu, i biri i Abdulmuttalibit nga parësia kurejshe, kurse e ëma, Amine, bija e Vehbit nga fisi Dhuhre. Muhamedi (alejhissalatu uesselam), i cili e humbi të atin para se të lindte dhe nënën në moshën gjashtë vjeçare, qëndroi dy vjet nën mbrojtjen dhe kujdesin e të gjyshit. Pasi e humbi edhe atë, shkoi pranë të ungjit Ebu Talib. Muhamedi i kaloi vitet e vegjëlisë në Mekë dhe në rrethinat e saj. Në moshën dymbëdhjetë vjeçe udhëtoi për në Siri me karvanin tregtar të të ungjit Ebu Talib. Pas moshës njëzetvjeçare, shkoi për të dytën herë në Siri në krye të karvanit tregtar të Hatixhes, bijës së Huvejlidit, një nga tregtaret e pasura të Mekës. Në moshën njëzet e pesë vjeçe u martua me Hatixhen. Në moshën dyzet vjeçe filloi të përjetojë disa përvoja shpirtërore që s’i kishte ndjerë më parë dhe u tërhoq në vetmi në shpellën Hira në majë të malit Nur të Mekës. Pastaj, këtë tërheqje në vetmi e ktheu në zakon. Një ditë, ndërsa ndodhej i vetëm në shpellën Hira, i erdhi një engjëll me trajtë njeriu dhe i tha: “Lexo!”. Muhamedi (sal’lallahu alejhi uesel’lem) ia ktheu: “Unë nuk di të lexoj!” Atëherë, engjëlli e shtrëngoi fort dhe i tha përsëdyti: “Lexo!”. Pasi kjo u përsërit për të tretën herë, engjëlli i transmetoi këtë fjalë hyjnore:

“Lexo me emrin e Zotit tënd i Cili ka krijuar (gjithçka), i Cili krijoi njeriun prej një droçke gjaku. Lexo (dhe dije) se Zoti yt është më bujari, Ai i Cili ia mësoi njeriut pendën, i mësoi atij ato që s’i dinte” (Alak, 96/1-5)

I ngarkuar me detyrën Profetike, Profeti (alejhissalatu uesselam) filloi t’ua kumtojë pa humbur kohë njerëzve vahjin që mori nga Allahu dhe i ftoi ata në tevhid, në besimin monoteist islam mbi Allahun, Zotin e gjithësisë. Gjatë veprimtarisë ftuese që e zhvilloi bashkë me shokët, iu nënshtrua vështirësive, shqetësimeve dhe vuajtjeve të padurueshme. Pas kësaj, në vitin e trembëdhjetë të Profetësisë, emigroi në Medine. Aty, megjithë luftërat e ashpra dhe pengesat, Profeti e plotësoi me sukses detyrën Profetike dhe, në vitin 632 e.r., si çdo qenie e vdekshme, edhe ai eci drejt Zotit të vet duke u lënë njerëzve pas si porosi fjalën e Allahut dhe sunetin e vet!HP2-E59

Ndajeni me miqtë tuaj...