Një nga qëllimet e dërgimit të profetëve, është edhe që ata të bëhen një shembull i bukur për bashkësitë e tyre.
Në Kuran Allahu thotë: “Ishin ata që Allahu i vuri në rrugë të drejtë, prandaj edhe ti përshtatiu atyre!” (En’am: 90).
Duhet të na vejë në mendime fakti që edhe vetë Profetit tonë, pasi i përmenden profetët e kaluar emër për emër, i thuhet që të ecë në rrugën e tyre. Edhe neve kështu na fton Kur’ani:
“I Dërguari i Allahut është një shembull i bukur për ata që shpresojnë shpërblimin e Allahut në Ditën e Ringjalljes, për ata që e përmendin shpesh Allahun.” (Ahzab: 21)
Profetët janë për ne prijës dhe imamë. Ashtu siç ndjekim imamin gjatë faljes, po ashtu veprojmë në përputhje me shembullin e Profetit në çdo fragment të jetës sonë. Sepse për ne, jetën e vërtetë ai dhe profetët e tjerë e kanë përfaqësuar. Ata që e patën përjetuar periudhën e parë të Islamit, e patën ndjekur Profetin hap pas hapi. Prandaj edhe ata si dhe pasardhësit e tyre patën fatin të cilësohen nga Profeti i Dy Botëve, siç urdhëron dhe thotë më poshtë Profeti:
“Do të vijë një kohë që një grup njerëzish do të luftojnë dhe atyre do t’u bëhet kjo pyetje:
– A ka midis jush që ta kenë parë të Dërguarin e Allahut?
– Po, – do të përgjigjen dhe pas kësaj atyre do t’u mundësohet fitorja.
Pastaj një grup tjetër njerëzish do të luftojnë dhe gjithashtu atyre do t’u bëhet pyetja:
– A ka midis jush që të ketë parë pasuesit e të Dërguarit të Allahut?
– Po, – do të thonë. Edhe atyre do t’u mundësohet fitorja.
Pastaj përsëri një pjesë njerëzish do të shkojnë në luftë dhe do të pyeten:
– A ka midis jush që të jetë shok me ata që i kanë parë pasuesit e të Dërguarit të Allahut?
– Po, – do të përgjigjen edhe ata. Pastaj atyre do t’u hapen portat e kalave dhe t’u mundësohet fitorja ”
Në një hadith, porosi të tijin, Profeti ynë urdhëron: “Më të dobishmit e njerëzve janë ata që kanë jetuar të njëjtën kohë me mua. Pastaj pasardhësit e tyre dhe, më pas, pasardhësit e këtyre të fundit.” Me këtë ai kërkon të theksojë vlerën dhe virtytin e periudhave të afërta me periudhën e tij. Sepse njerëzit që patën jetuar në ato periudha, qenë treguar shumë të ndjeshëm e të kujdesshëm për t’i përngjarë të Dërguarit të Allahut në jetë, në ndjenja e në mendime. Në të vërtetë, dëshira për t’i ngjarë atij njeriu që Allahu kishte zgjedhur si model, si shembull, duhet të përbënte një qëllim dhe ashtu ngjau.
Po, sahabet, pasuesit e Profetit; tabiinët, pasardhësit e pasuesve dhe tebe-i tabiinët, pasardhësit e këtyre të fundit, të gjithë këta, kanë qenë më të ndjeshmit në këtë çeshtje. Dhe në këtë aspekt, ata janë më të dobishëm se njerëzit që kanë jetuar në shekujt e tjerë. Hz. Mesihu thoshte: “Flamurët ndodhen në duart e shenjtorëve.” Me këtë fjalë ai aludonte për bashkësinë e Profetit tonë. Dhe ky ishte një vlerësim i madh. Në një porosi tjetër, i Dërguari i Allahut thotë: “Dijetarët e ummetit tim janë si profetët e të bijve të Izraelit.”
Po, në përngjasimin me Profetin ata i ishin afruar një niveli të tillë, pak pas të cilit fillonin kufijtë e profetësisë.
Ja njëri prej këtyre, Omeri, është shembulli më i goditur! Ai e pati pranuar plotësisht Profetin si një prijës dhe udhëzues për vete dhe gjithë jetën ia pati përngjasuar atij. Ishte njeriu i pashoq, trajta e jetesës së të cilit i përngjante plotësisht asaj të Profetit! Megjithëse i qenë hapur kat më kat dyert e Romës e të Bizantit, megjithëse popuj dhe sundimtarë pranonin t’i bëheshin skllevër, në jetesën e tij nuk pati ndodhur as ndryshimi më i vogël. Jerusalemi në kohën e tij ishte triumfuar; ai Jerusalem sot i mërzitur, i brengosur, i robëruar, njollë e zezë në ballin e botës Islame. Megjithëse ishte realizuar praktikisht pushteti ushtarak, priftërinjtë ngulmonin të mos i jepnin çelësat e qytetit duke thënë: “Nuk i japim sepse nuk e shohim midis jush atë fytyrë që duhet t’i marrë çelësat e qytetit…” Kur situata i njoftohet Kalifit Omer, ai niset për udhë. Me që nuk kishte deve të vetën, merr hua një deve nga prona e familjes profetike dhe, duke u shkëmbyer rregullisht me shërbëtorin, shkojnë në Jerusalem. Për ironi të fatit, kur do të hynin në qytet, radha për të hipur në deve i takon shërbëtorit. Pavarësisht nga këmbëngulja e shërbëtorit, kalifi zbaton radhën, e hip këtë të fundit në deve, merr kapistrën në dorë dhe ashtu hyjnë në qytet…
Ata që e shohin këtë pamje, shkrijnë në çast si qiriu dhe thonë: “Ja, ky është njeriu që përmendet në librat tanë!” Dhe ia dorëzojnë çelësat e qytetit!
Ai Omeri i madh shtrihej i sëmurë nga plagët e hanxharit të një iranasi adhurues të zjarrit. E nxirrte çdo gjë që hante e pinte, s’bënte zë e rrinte indiferent ndaj zërave. Kur shërbëtori vinte për ta pyetur në se donte të hante a të pinte gjë, ose nuk i jepte përgjigje, ose i përgjigjej negativisht vetëm me vështrim. Kurse kur e lajmëronte me fjalët “O emiri i muslimanëve, është koha e namazit!”, i përgjigjej në çast: “Ja, po ngrihem. Kush e le namazin, s’ka pjesë nga Islami!” Dhe ashtu, me plagë të përgjakura ngrihej e falej.
Vepronte kështu, sepse kështu kishte parë te i Dërguari i Allahut. Do t’i përshtatej atij, do të vepronte si ai, do t’i përngjante atij dhe, kështu, do të bëhej shembull për pasardhësit.
Kështu që njëri prej qëllimeve të dërgimit të profetëve ishte që ata t’i bëheshin shembull bashkësisë së tyre.

Lexo  Nata e madhe e Regaib-it shënon fillimin e tre muajve
Ndajeni me miqtë tuaj...