I Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi Të, pasqyronte një përulësi të thellë në namazin e tij, aq sa nuk kishte namaz në të cilin nuk derdhte lot. Shokët e tij pohonin se zëri i dëgjuar nga gjoksi i tij përngjasonte me zërin e nxjerrë nga guri i mullirit.
Stuhitë e shpërthyera brenda tij dhe obligimet e rënda të përulësisë e shndërronin atë në një kazan të valuar. Sigurisht që kjo gjendje rridhte nga përpjekja e tij për të arritur përsosmërinë dhe stadin më të lartë të përulësisë.
Namazi ishte obligimi më i dëshiruar për të. Asnjë gjë tjetër nuk mund ta zëvendësonte kënaqësinë e marrë nga namazi. Për këtë arsye dhe ka thënë: “Mua më janë bërë të dashura tri gjëra: femra, aroma e mirë dhe namazi, drita e syve të mi.”
Femra është një nga pikat më tërheqëse për një mashkull. Edhe Ademi (a.s.) është krijuar me këtë ndjenjë. Interesi i tepërt ndaj kësaj pike shndërrohet në epsh, pasion. Ndërsa pasion do të thotë çmimi i dhënë për vazhdimin e brezit. Po të mos ishte dhënë diçka e tillë, ahere asnjeri nuk do të mendonte për vazhdimësinë e brezit. Sepse të tjerat janë vetëm obligime të cilësuara si punë angari. Edhe dashuria e vetme e njërës palë për të pasur një fëmijë nuk është e mjaftueshme. Për këtë arsye Allahu (xh.sh.) krijoi pasionin e mashkullit ndaj femrës dhe femrës ndaj mashkullit. Është e pamundur të fshihet apo zhduket në ndjenjë e tillë e krijuar bashkë me njeriun. Po të ishte e mundur, do të ishte Ademi (a.s.) i pari që do ta bënte. Dhe ja pra, Profeti ynë flet për këtë ndjenjë dhe thotë: “më është bërë e dashur femra.” Ai ishte një profet i cili përputhej me natyrën e pastër njerëzore. Në fenë e transmetuar nga ai nuk kishte vend për murgjëri. Ja si i këshillonte ai shokët e Tij të cilët dëshironin të kalonin gjithë kohën duke bërë adhurime: “Unë jam ai i cili e njeh Zotin më mirë se askush tjetër dhe frikësohet më shumë nga Ai. Por unë i bëj adhurimet dhe kaloj kohë edhe me gruan. Pushoj, por edhe fal namazin e natës; agjëroj dhe ha. Kjo është rruga ime. Nuk është prej nesh ai e cili e kundërshton atë..”
Ai ishte një njeri i ekuilibruar dhe kishte ardhur me principe objektive. Feja e sjellë nga Ai ishte një sistem i cili mund të ndiqej dhe jetohej lehtë nga të gjithë. Nuk kishte ardhur vetëm për një grup. Mesazhi i tij ishte për të gjithë dhe përfshinte mbarë njerëzimin.
Aroma e mirë është ushqimi i engjëjve dhe i qenieve shpirtërore. Profeti (a.s.) pëlqente shumë aromën e mirë nga lidhja e ngushtë që kishte me ta si nga ana fizike, ashtu dhe nga ajo shpirtërore. Aroma e mirë ishte si një burim frymëzimi për të.
Përsa i përket pikës së tretë, na duhet të ndalemi pak sepse i Dërguari i Allahut e cilëson namazin si ‘dritën e syve të tij, si dëshirën më të madhe.’ Ashtu siç gëzohemi kur marrim lajmin se ka ardhur një njeri mjaft i dashur për ne, edhe Profeti (a.s.) ndjente po të njëjtin gëzim, hare, e ndoshta edhe shumë herë më të madhe kur fillonte namazin. Ashtu siç gëzohej kur e lajmëronin se ka ardhur Fatimja (r.a.), ashtu gëzohej edhe kur ndalej në namaz, por aty Ai mbushej edhe më me hare, gëzim, dukej sikur zemra do t’i dilte nga vendi. Sepse namazi ishte dashuria e Tij, drita e syve të Tij.
Përulësia e të Dërguarit të Zotit, lidhja e ngushtë me Të dhe shpalosja e njësisë hyjnore ishin aq të thella, saqë askush nuk ka arritur ta parafytyrojë apo mendojë atë. Dhe hadithi i transmetuar më lart është shembulli më i mirë i kësaj. Aishja e nderuar (r.a.) thotë: “Një natë u zgjova nga gjumi dhe nuk e pashë Profetin pranë meje. Menjëherë mendova se mos ka shkuar pranë ndonjërës nga bashkëshortet e tjera. Kontrollova edhe njëherë përreth. Dora më preku këmbën e Tij. Kuptova se Profeti (a.s.) po falte namaz, ballin e kishte në sexhde. Më pas dëgjova një zë; Ai qante me ngashërim dhe i lutej Zotit:
“Zoti im ! Kërkoj kënaqësinë Tënde ndaj zemërimit Tënd. Të Kërkoj falje. Zoti im ! Kërkoj strehën Tënde, të askujt tjetër vetëm Tënden, unë jam i pafuqishëm të të lavdëroj dhe të të madhëroj ashtu siç e meriton Ti.”
Në një transmetim tjetër, Ebu Dherri (r.a.) thotë se Profeti (a.s.) një natë fali namaz deri në mëngjes. (Kur zbritën ajetet e lutjes i Dërguari i Allahut (xh.sh.) i përsëriste shpesh ato duke i shndërruar në një mozaik të bindjes, respektit dhe qetësisë së namazit. Ka shumë lutje të gjata dhe të ndryshme që mund të lexohen në namazet nafile në sexhde, ruku, në këmbë).
Adhurimit i tij ishte unik. Ndërkohë që falte namazin në mënyrën më të përkryer, Ai nuk nënvlerësonte një lloj tjetër adhurimi siç mund të ishte agjërimi. Agjëronte një ose dy ditë në javë, madje ndonjëherë agjëronte aq shumë, saqë mund të mendohej se nuk kishte bërë as iftar. Ndonjëherë edhe ai ulej e bënte iftar si të tjerët. Por ditët e kaluara me agjërim ishin më të shumta se ato të kaluara pa agjërim.
Njeriu më i përsosur në namaz
Ibn Mes’udi, një ndër fytyrëndriturit e Kufes, një nga personalitetet më të rëndësishme në medhhebin Hanefi. Shokët e Profetit mendonin se ai ishte nga familja profetike sepse hynte e dilte shpesh tek ai. Profeti (a.s.) i lexonte Kuran e dëgjonte nga ai dhe më pas thonte: “Kush dëshiron ta dëgjojë Kurani ashtu siç ka zbritur, le të dëgjojë Ibn Umi Abd, pra Ibn Mes’udin.” Ja si e shpreh Omeri i nderuar (r.a.) mërzinë dhe hidhërimin e tij kur e dërgon Ibn Me’sudin në Kufe: “O njerëz! Po të mos ishte për ju, Abdullah Ibn Mes’udin do ta mbaja pranë vetes.”
Ibn Mes’udi (r.a.) thotë: “Një ditë vendosa të fal namaz nate me të Dërguarin e Zotit. Do të kaloja natën me të dhe do të bëja të gjitha adhurimet që bënte Ai. Filluam namazin, edhe unë po ashtu. Por i Dërguari i Zotit nuk po ulej në ruku. Mbaroi surja Bekare, mendova se tani do të ulej në ruku, por Ai vazhdoi, lexoi suren Al Imran dhe Nisa, dhe më pas kaloi në ruku. Aq shumë u lodha në namaz, saqë për një çast nuk mendova gjëra të mira. Njëri nga të pranishmit e pyeti: “Çfarë mendove?” Ai iu përgjigj: “Mendova ta prish namazin dhe ta lija të vazhdonte vetëm.”
Abdullah b. Amri tregon këtë ngjarje: “Një natë fillova të fal namaz pas të Dërguarit të Allahut. Ai lexonte e rilexonte këtë ajet dhe qante me ngashërim. Ajeti ishte: “Zoti im! Nuk ka dyshim se shumica e njerëzve kanë devijuar. Kush më ndjek mua, ai është nga unë; e kush ngre krye, s’ka dyshim se Ti je Falësi, Mëshirëploti!”