Në një atmosferë festive, në Pallatin e Kongreseve më 20 prill u zhvillua për të tetin vit radhazi programi “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit”.
Programi u hap me himnin kombëtar, dhe më pas hafizi Omer Çallësh recitoi një pjesë nga Kurani Fisnik. Më pas vijuan ilahitë e përgatitura nga kori i medreseve nën udhëheqjen artistike të mjeshtrit Kujtim Alia. Emra të njohur të skenës dhe ekranit shqiptar si: Kastriot Tusha, Sidrit Bejleri, Violeta Zefi, Mukades Çanga, Rosela Gjylbegu, Lind Islami, Bujar Asqeriu, Rozina Kostani, Dritan Boriçi, prezantuesit Elta Liksenaj dhe Ramadan Çipuri,
janë bërë së bashku në këtë veprimtari të përvitshme nën regjinë e z. Agron Hoxha.
Kryetari i Komunitetit Mysliman H. Selim Muça, në fjalën e tij, pasi falënderoi përzemërsisht pjesëmarrësit dhe përgëzoi organizatorët për përpjekjet e tyre, theksoi se ky organizim është një përpjekje serioze për të pasqyruar dhe bërë të prekshme për njerëzit madhështinë e personalitetit të Profetit Muhamed a.s. “Sot po festojmë lindjen e bekuar të Profetit të fundit, i cili është dërguar nga Allahu si mëshirë për gjithë botët. …Ai me jetesën e tij shembullore në familje dhe shoqëri, na bëri të ditur qëllimin e jetës dhe na mësoi përpjekjet që duhet të tregojmë në fitimin e kënaqësisë së Zotit, u shpreh në fjalën e tij kreu i KMSh-së, duke uruar njëkohësisht për fillimin e punimeve të xhamisë së re të kryeqytetit pikërisht në një datë të shënuar.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj. Në urimin e tij për besimtarët, z. Brahimaj teksa vlerësoi lart këtë organizim serioz të Komunitetit Mysliman ndaj figurës morale e profetike të Muhamedit a.s., u shpreh me urimet më të përzemërta për nisjen e ndërtimit të xhamisë së re Tiranës, e cila, sikurse u shpreh ai, do të na bëjë të krenohemi me objektet tona të kultit.
Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha në fjalën e tij u shpreh: “Kam kënaqësinë dhe privilegjin t’ju përcjell përshëndetjet e ngrohta në këtë ditë të madhnueshme, ditë kur lindi Profeti Muhamed, që me mësimet e Zotit, ndriçoi mendjen, rrugën e njeriut dhe njerëzimit. Muhamedi ndikoi më shumë se kushdo në moralin njerëzor. Mësimet e tij janë dhe mbeten frymëzuese sepse ai ishte udhërrëfyesi i madh i rrugës së mirëkuptimit, tolerancës, bashkëjetesës, paqes dhe të ardhmes”, tha z. Berisha.