ilmihali

E para, Allahu (xh.sh.) është i Zoti i mallit. Ai vepron me mallin e Vet vepron si të dojë. Askush nuk mund t’i përzihet dhe nuk mund t’i ndërhyjë në punën e Tij krijuese. Është Allahu (xh.xh.) Ai që ka krijuar elementet përbërëse të trupit tënd e që të ka falur këtë trajtë njerëzore që ti zotëron përkohësisht. Ti nuk i ke dhënë asgjë më parë Allahut që të të favorizonte qoftë edhe me një të vetme mirësi prej atyre që të ka favorizuar, që ti të arrish të mund të pretendosh për diçka më tepër prej Tij!..

Nëse ti do t’i kishe dhënë diçka Allahut në përgjigje të atyre që të janë dhënë, ndoshta do të kishe të drejtë t’i kërkoje: “Më jep jo një sy, por dy; jo një dorë, por dy duar!” Ose ta kundërshtoje: “Pse më dhe një këmbë e jo dy?” Mirëpo ti nuk i ke dhënë ndonjë gjë Allahut që, mos qoftë e thënë, të ngresh akuzën për padrejtësi! Padrejtësia lind nga e drejta e papaguar. Cila është ajo e drejtë që kërkon ti prej Tij, që s’të është dhënë, duke lindur saora një padrejtësi!

Allahu i Lartë të ka krijuar ty duke të nxjerrë nga e hiçi, madje si njeri e jo si ndonjë qenie tjetër më e dobët… Nëse tregohesh sadopak i kujdesshëm, do të shohësh se poshtë teje ka shumë aq shumë krijesa, që po t’i vëresh mirë e mirë, do të kuptosh se për ç’gjëra të larta je bërë i merituar!

E dyta, disa herë Allahu Mëshirëplotë ia merr njeriut këmbën dhe në jetën tjetër i jep shumë e shumë gjëra në shkëmbim të saj. Duke i marrë këmbën, njeriun e bën të ndiejë e të kuptojë se sa i varfër, sa i dobët e sa i pafuqishëm përpara Zotit është ai si njeri! Nëse Allahu bën që ai njeri t’i kthejë sytë e zemrës kah vetja e ndjenjat t’i marrin një zhvillim të veçantë, del se i ka dhënë shumë gjëra duke i marrë fare pak. Kjo do të thotë se, edhe nëse formalisht jo, në të vërtetë, në esencë, gjymtimi i njeriut është shprehje e favorit të Zotit! Krejt si dhënia e Xhenetit, parajsës për dëshmorin. Një njeri bie dëshmor në luftë. Në saje të këtij akti, në Gjyqin e Madh dhe në audiencën e Allahut lartësohet në një pozitë të atillë që edhe njerëzit më të lartësuar në përsosmërinë shpirtërore do t’ia kishin zili! Të tjerët që e shohin pozitën e dëshmorit, thonë: “Ah sikur Allahu (xh.sh) të na e kishte mundësuar edhe neve eliksirin e të rënit dëshmor në fushën e betejës!” Për rrjedhojë, edhe sikur ky njeri të jetë bërë cop-e-çikë, nuk quhet se ka humbur kushedi se çfarë. Ndoshta gjëja që ka arritur është shumë më e madhe në raport me atë që ka humbur!

Lexo  Ç’duhet bërë e ç’duhet kënduar për t’u mbrojtur nga e keqja e xhindëve?

Edhe nëse, ndonëse shumë rrallë, disa njerëz devijojnë kur përballen me një “fatkeqësi” të tillë, disa nëpërmjet nervozizmit, disa të tjerë duke rënë në pusin e errët të zemërimit, egoizmit dhe ndjenjës së inferioritetit; tek shumë njerëz këto lloj të metash trupore më së shumti janë bërë shkak për kthimin e fytyrës kah Zoti. Nisur nga kjo, nuk është me vend që të merren si pikë referimi humbjet në fjalë, që mund të jenë shfaqur tek një pjesë njerëzish të llojit të insekteve të dëmshme. Esenciale në këtë subjekt është nxitja ose zgjimi i dëshirës për atë botë në shpirtrat e njerëzve kandidatë për amshim. Nëse në njeriun me mangësi shfaqen, me shtysën e defekteve, kthimi i tij kah Zoti, kurse te të tjerët marrja mësim prej tij dhe nxitja drejt së vërtetës, domethënë se tek shfaqja e mangësimit ka një urtësi dhe ky i shërben qëllimit.

Në çdo punë të Zotit ka urtësi,

Punë të kotë s’bën Ai…

                                          Ibrahim Hakiu

Ndajeni me miqtë tuaj...