Ishin të shumta rastet kur Profeti nuk vinte as edhe një kafshatë në gojë. Gjatë jetës së tij nuk ka ndodhur që të jetë ngopur qoftë dhe një herë me bukën prej elbi. Muajt kalonin dhe në shtëpinë e tij nuk ndizej soba as për të bërë një supë.

Një ditë po falej ulur. Po falte namaz nafile. Ebu Hurejre (r.a.) e pyeti pas namazit:

– O i Dërguari i Zotit! Mos jeni i sëmurë? Po faleni ulur.

Përgjigja e dhënë do të drithëronte gjithësinë.

– O Ebu Hurejre! Kam ditë të tëra që nuk kam gjetur diçka për të ngrënë. Uria m’i preu fuqitë, nuk munda të qëndroj më në këmbë, ndaj dhe po falem ulur.

Ebu Hurejre thotë: “Menjëherë zura të qaj. I Dërguari i Zotit kishte harruar gjendjen e tij dhe po më ngushëllonte.

-Mos qaj, o Ebu Hurejre! Uria e hequr këtu, e shpëton njeriun nga dënimi i ahiretit.

Ai ishte një lider. Kishte dhe të tjerë të uritur në mes të grupit të tij. Ja, pra, i Dërguari i Zotit e kishte caktuar standardin e jetës së tij sipas më të varfërve.

Nga aspekti i jetës materiale, ai bënte jetën më të varfër brenda komunitetit. Dhe këtë e bënte me dëshirën e tij. Po të dëshironte, mund të bënte një jetesë të rehatshme. Kjo nuk ishte aspak e vështirë për të. Sepse po të mos i kishte shpërndarë dhe po t’i kishte mbajtur dhuratat që i ishin bërë, mund t’i mjaftonin për të bërë jetën më të lumtur. Por Ai nuk mendoi asnjëherë të bënte një gjë të tillë.

Kjo, në mënyrë të prerë, nuk duhet të kuptohet si një ndarje e Tij dhe e bashkësisë së tij nga kjo botë, apo si braktisje e saj. Çështja nuk qëndron tek tallja e disa ogurzinjve me kriterin e moralit të të Dërguarit të Zotit duke thënë ‘një kafshatë’, ‘një triko’. Ai që dëshiron, fiton, bëhet i pasur dhe jep zekatin në masën e përcaktuar nga Zoti, dhuron diçka, dhe askush nuk është kundër një fitimi të tillë. Madje fitimi i përfituar në rrugë të lejuara është stimuluar në Islam. Megjithatë, një pjesë e shokëve të Dërguarit të Zotit duhet t’i qëndrojnë besnikë kuptimit dhe perceptimit të shembujve të dhënë më sipër. Përkundrazi, kjo bashkësi që rritej dita ditës me shpejtësi të madhe, që po kalonte kufijtë e Mekës dhe Medinës, nuk mund ta mbante më pastërtinë dhe qëndrueshmërinë e ditës së parë. Ky komunitet nuk është komuniteti i materiales, i lidhur me trupin apo materien. Ky komunitet ishte njëherësh komuniteti i shpirtit, i zemrës, i mendimit dhe i ndërgjegjes. Dhe ja, i Dërguari i Zotit përpiqej ta mbante në këmbë bashkësinë e tij me këto dinamika. Çdo sakrificë të kërkuar nga ata, pikësëpari e tregonte vetë dhe, pastaj, si në çdo çështje tjetër, i bëhej shembull nxënësve të tij. Ja një tablo nga shembujt më të shquar:

Ishte mesnatë. Uria ia kishte fikur gjithë shpresën të Dërguarit të Zotit dhe tani nuk mund të flinte. Ndoshta po të kishte fjetur paksa, do të shpëtonte sadopak nga ajo vuajtje e tmerrshme e urisë. Por dukej që uria nuk do ta braktiste. Doli nga shtëpia dhe nisi të ecë në një drejtim. Pas pak iu errësua pamja. Po vinte dikush. U drejtua andej dhe e kishte njohur. Ishte njeriu i cili nuk ishte ndarë prej tij në asnjë çast të jetës. Kishte qenë bashkë me të, në mendime dhe veprime. Tani, në mes të natës, në këtë cep të qetë të Medinës, dukeshin sikur kishin lënë takim. Ai që po vinte ishte Ebu Bekri (r.a.) dhe i Dërguari i Zotit e përshëndeti. Pastaj e pyeti: “O Ebu Bekër! Ç’të ka nxjerrë jashtë në këtë orë të natës?” Ebu Bekri e kishte harruar problemin e tij kur kishte parë të Dërguarin e Zotit paqja qoftë mbi të!. Ashtu bënte gjithmonë. Nëse ju kujtohet, sa rëndë ka qenë pas grindjes për të shpëtuar të Dërguarin e Zotit në Mekë. Një ditë i kishte rënë të fikët dhe kur kishte hapur sytë, gjëja e parë që kishte pyetur, ishte: “Çfarë i ka ndodhur të Dërguarit të Zotit?” Nëna e tij, Umu Uzare, ishte nevrikosur dhe i kishte thënë: “Ti po vdes, por akoma e ke mendjen tek Ai.” Ajo nuk e dinte se Ebu Bekri vdiste kur nuk mendonte për të. Sepse i Dërguari i Zotit ishte burimi i jetës. Dhe ja, tani, nuk kishte qëndruar i ndarë nga Ai dhe një ndjenjë e panjohur e kishte sjellë deri aty. E kishte sjellë deri aty dhe pyetjes së Profetit i ishte përgjigjur: “uria”. “Nuk gjeta asgjë për të ngrënë në shtëpi, nuk mund të flija dhe dola.”

Lexo  MËNYRA E JETESËS E PROFETIT

E njëjta botë!

Menjëherë më pas tha:

– Nëna dhe babai im, të qofshin falë, o i Dërguari i Zotit, ti përse ke dalë?

– Përgjigja ishte e njëjtë. Edhe i Dërguari i Zotit kishte dalë nga uria.

Ndërkohë u duk dhe dikush tjetër. Dukej që ishte Omeri, i gjatë dhe madhështor. Në të vërtetë, duhej të plotësohej tabloja. I Dërguari i Zotit kishte marrë Ebu Bekrin në krahun e djathtë, por nuk ishte i ftuari i anës së majtë. Sikur ai po vraponte që të mos linte përgjysmë tablonë. Vërtet, ai që po vinte ishte Omeri (r.a.). Edhe ai u habit kur pa para vetes dy miqtë e tij. I përshëndeti dhe e përshëndetën. Dhe mbreti i fjalës e pyeti dhe Omerin për arsyen e daljes në këtë orë të vonë. Edhe ai dha të njëjtën përgjigje: “Uria, o i Dërguari i Zotit, uria më nxori jashtë.”

Profetit tonë i erdhi në mendje Ebu Hejthemi (r.a.). Kishte shtëpinë andej. E kishte parë dhe ditën në vreshtin e tij. Të paktën do t’i jepte ndonjë hurmë për të shuar urinë.

“Le të shkojmë te Ebu Hejthemi”, tha Profeti.

Arritën te shtëpia e Ebu Hejthemit. Ebu Hejthemi (r.a.) dhe bashkëshortja e tij po flinin. Në shtëpi kishin dhe një fëmijë të vogël. Ishte pesë ose gjashtë vjeç. Në fillim trokiti Hz. Omeri (r.a.). Thirri me zërin e tij të trashë: “O Ebu Hejthem!” As Ebu Hejthemi e as e shoqja nuk e dëgjuan. Por vogëlushi i cili po flinte i qetë në shtratin e tij, u ngrit menjëherë. “Babi! Zgjohu, ka ardhur Omeri”, i tha të atit. Ebu Hejthemi duke menduar se djali kishte parë ndonjë ëndërr, i tha: “Fli bir, është mesnatë, ç’punë ka Omeri këtu!” Djali u shtri. Kur dera nuk u hap, atëherë thirri Ebu Bekri (r.a.) me zërin e tij të butë: “O Ebu Hejthem!” Djali përsëri u ngrit dhe i tha të atit: “Babi! Ka ardhur Ebu Bekri”. I ati e shtriu edhe një herë. Por zëri tjetër ishte zë që ngjallte dhe të vdekurit, ishte zëri i të Dërguarit të Zotit. Kur Profeti thirri: “O Ebu Hejthem!”, djali u ngrit si një shigjetë nga shtrati. Vraponte drejt derës duke thërritur të atin: “Babi, zgjohu! Ka ardhur Profeti!” Ebu Hejthemi (r.a.) e kishte humbur krejt. Vrapoi menjëherë te dera. Nuk u besonte syve. Në mes të natës, në shtëpinë e tij, kishte ardhur mbreti i mbretërve. Menjëherë i ftoi brenda. Ky nder mund të vinte një herë në jetën e njeriut. Po jetonte çastin më të lumtur të jetës së tij. Edhe shpirti i tij do të qe pak po të vihej në tryezë. Solli hurma, qumësht, mish dhe ia serviri përpara këtyre mysafirëve të nderuar.

Lexo  JETA TREGTARE NGA KËNDVËSHTRIMI I PROFETIT

Hëngrën sa të shuanin urinë. Më pas, sytë e Profetit ishin të përlotur. Nga çdo ngjarje nxirrte një dimension dhe thellësi të veçantë dhe nga buzët e tij rrodhën këto fjalë:

“Betohem në Zot, nesër do të jepni llogari për gjitha këto mirësi.”

Ja, ai ishte një njeri i veçantë që e kalonte jetën brenda disa kritereve të thella dhe të ndjeshme. Të përpiqesh të ndryshosh drejtimin e jetës të një njeriu të tillë, është injorancë ose armiqësi.

Omeri (r.a.) ishte një nga njerëzit më të afërt dhe anën askete të Profetit e shpjegon kështu: “Ju betohem për Zotin se unë e kam parë Profetin të dridhej nga mëngjesi deri në mbrëmje, pasi nuk mund të gjente as hurmën më të keqe për të shuar urinë.”

Megjithatë, po të dëshironte Ai, po të kërkonte prej dikujt, kushedi çfarë sofrash të mrekullueshme do të shtroheshin. S’kishte nevojë për këtë. Dhuratat që i kishin ardhur, i mjaftonin që ai dhe familja e tij të bënin një jetë luksoze. Vetëm se Ai shpërndante çfarë i jepej dhe nuk linte asgjë për të nesërmen.

Kur është pyetur përse nuk përfitonte nga mirësitë e dhuruara të botës, përgjigjej kështu: “Si mund të mendoj për përfitimin nga mirësitë e botës, ndërkohë që Israfili ka marrë në dorë surin dhe pret urdhrin e Zotit. Si mund të përfitojë nga mirësitë kalimtare të botës një njeri i ndodhur në këtë situatë?”

Ndajeni me miqtë tuaj...