Qetësia qëndron tek puna dhe puna lind qetësinë

0

Zoti i Madhëruar ka vendosur dëshirën dhe prirjen për punë tek të gjitha krijesat e Tij. Bazuar edhe në misterin e quajtur ‘Sunetullah’, ashtu si gjallesat shfaqen në lëvizje edhe sendet, objektet e pashpirt vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre plot me dëshirë dhe pasion.

Kjo është edhe arsyeja pse personat të cilët e nënvlerësojnë këtë rregull hyjnor dhe preferojnë të jetojnë në dembelizëm përjetojnë më shumë vuajtje dhe vështirësi sesa ata që punojnë. Ndërkohë që ato bien në depresionet e lindura nga dembelizmi dhe papunësia, nga ana tjetër përpiqen të përftojnë apo arrijnë në rrugë jo të lejuara ato që nuk i kanë arritur dot me punë. Personat të cilët mendojnë se jeta është një vend qetësie dhe relaksi, dhe nuk përpiqen të fitojnë rriskun me punë të lejuar, ose thënë ndryshe, me djersën e ballit, do të përlyhen në shumë ndotësi. Në të vërtetë ata do të lodhen më shumë se ato që punojnë, do të vuajnë dhe mundohen më shumë në rrugët e kërkuara të relaksit. Prandaj në këtë rast është shumë me vend fjala “qetësia qëndron tek puna dhe puna lind qetësinë”.

Edhe të paditurit të cilët vrapojnë drejt rrugëve të lehta të fitimit të parasë përjetojnë mundime e vuajtje të shumta. Edhe ato lodhen duke mashtruar, tradhtuar, vjedhur dhe gjetur mënyra të tjera vjedhjeje të parave në llogaritë bankare. Po të punonin kaq shumë në rrugë të lejuara ndoshta do të fitonin edhe më shumë para, do të bënin një jetë më luksoze se ajo që kanë, do të ishin të respektuar dhe ç’është më e rëndësishmja, do të ishin të qetë shpirtërisht. Po të vraponin pas punës së lejuar aq shumë sa vrapojnë pas mëkatit dhe rrezikut, do të arrinin pika të paarritura deri më sot. Parë nga ky aspekt, edhe puna e hajdutëve, mashtruesve, trafikantëve nuk është shumë e thjeshtë, edhe ata përpiqen në punët që bëjnë, por kjo është një përpjekje në rrugë të gabuar. Ashtu siç thotë dhe dijetari Said Nursi, ‘rrethi i së lejuarës na mjafton të gjithëve, nuk është e nevojshme të hyjmë në mëkat.’

Të gjithë nevojat e njeriut si ngrënia, pirja, pushimi apo dëshirat tjera personale mund të përmbushen dhe plotësohen brenda rrethit të së lejuarës pa qenë nevoja të hyjmë nga vija e ndaluar. E ndaluara është punë e djallit, ai fryn oreksin e njeriut dhe nxit tek ai dëshirën për të arritur gjërat jashtë së lejuarës. Dhe njerëzit të shndërruar në robër të dëshirave jetojnë si të verbër megjithëse shikojnë, si të shurdhër megjithëse dëgjojnë, nuk mund të vlerësojnë gjërat dhe mirësitë megjithëse mendojnë e logjikojnë. Për këtë arsye e shtyjnë veten drejt punëve në kundërshtim me nderin dhe personalitetin e pastër të njeriut.

Foleja e të gjitha poshtërsive

Pasioni, dhënia pas rehatisë është dhe foleja e të gjitha poshtërsive, të gjitha gjendjet më turpëruese, poshtërsitë dhe maskarallëqet rriten nën hijen e saj. Personat që nuk janë pjesë e veprimeve pozitive bien pre e rrjetës së djallit. Djalli i mban ato të zënë me diçka duke i drejtuar drejt dëshirave dhe kërkesave të pakontrolluara. P.sh., po dal pak e heq stresin, të shkoj e relaksohem njëherë në këtë lokal, të shëtis pak në internet e pëshpëritje të tjera, e shtyjnë njeriun drejt kotësisë dhe humbjes së kohës. Ndjekësit e pëshpëritjeve të tilla humbasin kohën e tyre të vyer, dhe papritur hyjnë në mëkate me një shikim, një kafshatë apo një prekje.

Të dhënët pas dembelizmit, indiferentizmit, në të vërtetë nuk arrijnë asgjë në jetë. Edhe bota jonë islame, e pafat, e ndjekur nga dëshira për qetësi e rehati që në shekullin e pestë hixhri, ia ka dorëzuar të tjerëve dëshirën për punë, kërkime, studime dhe kështu ka mbetur e shtypur, e nëpërkëmbur dhe e pazhvilluar. Shoqëritë të cilat në të kaluarën na shikonin në sy me injorancën e tyre, tani kanë arritur majat me anë të zhvillimeve teknologjike dhe seriozitetit në studime të ndryshme. Për këtë arsye, dembelizmi është një nga faktorët kryesor të çdo varfërie dhe skamjeje, dhe shembulli më i mirë është gjendja e bashkësisë islame sot.

Nuk mund të mendohet se personat e dhënë pas rehatisë dhe luksit të ngrihen e të qëndrojnë me orë të tëra në laboratorë për të bërë kërkime. I gjithë ky dembelizëm shpie në një paralizim të shpirtit dhe trupit të individit.

Ndajeni me miqtë tuaj...

Leave A Reply