Jeta e një besimtari duhet të jetë përherë e akorduar dhe e rregullt. Ai duhet ta dijë mirë më parë çfarë duhet të bëjë dhe me çfarë punësh duhet të merret dhe të sillet sipas këtij perceptimi. Krahas qëllimit të përcaktimit të punës që duhet bërë më parë dhe veprimit sipas një programi, tek ai nuk duhet të ekzistojë mendimi ”Çfarë të bëj tani?”. Ai duhet të përcaktojë më pare kohën e realizimit të detyrimeve që ka para Zotit (xh.sh), përgjegjësive në lidhje me njerëzit e tjerë dhe punëve të tij personale. Në çdo rast ai duhet të jetë pasqyrë e rregullit dhe harmonisë. Ç’është e vërteta, adhurimet janë një gur themelor i organizimit të kohës dhe punëve, dhe besimtari i ekuilibron punët e tij sipas kalendarit të adhurimeve. Ai e ndan ditën në pjesë të caktuara si ”para namazit të drekës” ose ”pas namazit të akshamit” dhe në këtë mënyrë nuk kalon kot asnjë çast të saj.
Personat të cilët e njohin vlerën e kohës dhe e shohin jetën e tyre si një dhuratë të çmuar përpiqen të jetojnë sipas një rregulli dhe akordojnë të gjitha veprimet si ngrënia –pirja, fjetja, zgjimi dhe nuk i lënë sipas rrjedhës së kohës. Ata e dinë shumë mirë se momenti më produktiv dhe më frytdhënës për njerëzit dhe institucionet është koha kur ato janë më të rregullt.
Ja pra, dhe muaji i Ramazanit duke përcaktuar një qëndrim përballë dëshirave të egos dhe nefsit tonë si ngrënia, pirja, na mësojnë ta disiplinojmë jetën tone të shoqëruar me ndjenjat e falënderimit dhe duke plotësuar dëshirat tona aq sa kemi nevojë. Duke u strehuar në atmosferën shpirtërore ne vëmë në lëvizje ndërgjegjen dhe forcojmë vullnetin, duke qëndruar gjithnjë vigjilentë përballë dëshirave të nefsit.
Ramazani mundëson kontrollimin dhe kufizimin e dëshirës së ngrënies dhe pirjes, një nga pikat më të dobëta të njeriut. Ai përcakton një disiplinim të ushqimit. Sigurisht që ne kemi nevojë të hamë dhe pimë për vazhdimësinë e jetës. Por ashtu siç është e dëmshme për trupin çdo gjë e konsumuar pa marrë parasysh principet shëndetësore, ashtu dhe përforcimi i stomakut në atë masë sa të shtypë zemrën dhe ta rrokullisë atë në gropën e materiales është një fatkeqësi. Konsumimi kohë pa kohë i ushqimeve apo mbushja e vazhdueshme e stomakut është e dëmshme për trupin, por në të njëjtën kohë është një veprim i papëlqyer nga Zoti i Madhëruar.
Agjërimi disiplinon jetën
Gjatë këtij muaji të bekuar vlerësohet përcaktimi i vakteve të ushqyerjes, largimi nga mbushja e tepruar e stomakut, qëndrimi larg gjërave të cilat dëmtojnë shëndetin fizik dhe shpirtëror dhe qëndrimi brenda kornizës së të lejuarës pa zgjatur duart drejt të ndaluarës. Agjëruesit disiplinojnë shpirtin e tyre në këto çështje.
Ramazani është muaji i shndërrimit të çdo njeriu i cili di ta shfrytëzojë atë siç duhet në një njeri të devotshëm sipas gradës. Agjëruesi dhe besimtari i cili përpiqet të konceptojë misterin e tij, rrezaton devotshmëri dhe besnikëri përpara Zotit dhe para njerëzve. Ai tashmë nuk është thjesht një njeri që lutet dhe bën adhurimet në kohë të caktuara, por ecën drejt horizontit të devotshmërisë dhe jeton sikur bën adhurimet në çdo çast të ditës. Sapo shkëputet pak nga prirjet e kësaj bote dhe dëshirat materiale para vetes së tij shfaqet qëllimi i përkushtimit ndaj Zotit dhe i njeriut të së vërtetës. Për të arritur këtë qëllim besimtari duhet të mendojë gjithnjë për Zotin, të flasë për Të, ta dojë Atë, pra të qëndrojë brenda kornizës së kënaqësisë dhe pëlqimit të Allahut. Çdo ditë përpiqet të bëjë diçka më shumë dhe pas shumë provave e sheh veten më pranë suksesit. Dhe si rrjedhojë ai bëhet një njeri i besës dhe devotshmërisë. Agjërimi është shenja më e bukur e besnikërisë, pasi është një marrëveshje mes robit dhe Zotit. Robi heq dorë nga gjëra të caktuara dhe gjatë kësaj kohe tregon se mund t’i qëndrojë besnik premtimit të dhënë. Zoti i Madhëruar premton se shpërblimin për këtë besnikëri do ta japë Ai vetë. Një njeri besnik ndaj Zotit me kalimin e kohës kthehet në një simbol besnikërie në jetën familjare dhe shoqërore, ndihmon të tjerët, nuk lë pa paguar zekatin dhe nuk ngopet duke dhënë sadaka (lëmoshë).
Ramazani dhe Kurani
Një element tjetër i rëndësishëm në marrëdhënien me Zotin është dhe leximi i Kuranit, t’i lutemi me përkushtim Zotit dhe të mbështetemi vazhdimisht tek Ai. Tashmë i ka ardhur fundi kohës së mbajtjes apo ruajtjes së Kuranit në rafte, duhet të rrëshqasë në gjuhët e agjëruesve sidomos në këtë muaj të bekuar. Ky muaj i shenjtë na lë një shije kuranore dhe i mëson njerëzit me një disipline të papërshkruar.
Ai që jeton sipas rregullave dhe principeve të caktuara dhe disiplinon shpirtin e trupin për një muaj, duhet ta vazhdojë këtë rregull dhe disiplinim edhe pas muajit të Ramazanit.