Rauda është e vetmja ndërtesë që na bën të ndiejmë shpirtin e qenies sonë në botë. Në marrëdhënie e lidhje zemrash me këtë ndërtesë të bekuar, brenda nesh lindin emocione të tilla të shenjta, saqë kur mendojmë për të, kur flasim për të, sikur të shpjegonim një monument përnderimi që e kemi njohur në gjithë dëlirësinë e tij, druhemi e dridhemi se mos biem qoftë edhe në gabimin më të vogël. Shpirti që në kthjelltësinë e saj të çelët gjen strehë, në thellësitë e zemrës, ndien qasjen e vargjeve të Nabiut:

Mirësjelljen mos braktis, vend i dashurisë hyjnore është ky./Në sy të Perëndisë, vend i të Zgjedhurit Profet është ky.” dhe përflaket.

Meka, gjatë gjithë historisë njerëzore, me përjashtim të pak ndërprerjeve, ka qenë kurdoherë mihrabi i njerëzimit. Kjo veçanti e Mekës shkon përtej Qabesë. Dhe në këtë këndvështrim, Qabeja është mihrabi i mihrabëve. Ky mihrab i jashtëzakonshëm ka edhe minberin e vet, që – sa numri i pjesëzave elementare të trupit tonë, aq përshëndetje e selame i shkofshin Zotërisë së tij! – është edhe më i pastër se kopshtet e Parajsës; është Rauda e Dëlirë.

“Rauda” do të thotë “kopsht”. Me lidhjen që ndiejnë kundrejt saj njerëzit që kanë besuar, me ndjesinë që buron prej kësaj lidhjeje, me mendimet e meditimet në shpërfaqjet që ndryshojnë vazhdimisht, brenda meditimeve për artin e tempullit të shenjtë të rrotullimit të shenjtorëve[1], Rauda përbën një “Kopsht Parajse” që prej shumë e shumë kohësh është synuar të ndahet si me një gardh a mur.[2]

Ky vend i bekuar, në ndjenjën e nderimit dhe në përjetimin artistik, ka ndryshuar shumë e shumë herë për së jashtmi.. me tablonë e tij të jashtme është lodruar e lodruar shumë e shumë shpesh, por përsa i përket shpirtit dhe brendisë së lidhur me botën e zemrave, nuk është cenuar, nuk ka mundur të cenohet kurrgjë.

Si dyert e çela porsi zemrat e djegura nga malli drejt shpirtit të zotërisë së saj ose si kanatet e hapura prej shpirtit të saj drejt njerëzimit, Rauda e Dëlirë ka plot e plot dyer. E ndër këto dyer, ajo më me nam është “Babus selam” apo “Porta e Paqes”, e përshkruar prej poetit të ndjerë, Nabiut, me fjalët:

“Hënë e re në qiell është zemër e plagosur e Portës së Paqes.”

Ata që hyjnë në këtë derë duke përshëndetur, përjetojnë një ndjesi e gjendje shpirtërore sikur dy hapa më tutje do t’i presë Zotëria i Zemrave, Profeti i Dashur. Ndiejnë dhe madje ndihen të përfshirë prej flladesh të larmishme.

Me dinjitetin, seriozitetin dhe fisnikërinë e të gjendurit në praninë e Profetit, mes radhëve të burrave me zemrat e dashuruara me të Vërtetin Zot, që falen, luten e përcjellin selame e përshëndetje, njëlloj sikur të ishte duke ecur në një korridor drite, duke marrë dritë, mbushur me dashuri e ndezulli hyjnore, njeriu ecën zgjuar drejt muvaxhehesë[3] me ndjesinë se në krye të çdo hapi do të përballet me të papritura që s’i rrok dot mendja. Së paku muvaxheheja, sidomos muvaxheheja… Shpirtrat e dëlirë që e mbërrijnë atë, sikur të mos i shihnin kurrgjë sytë, veç Atë përkujtojnë dhe dënesen, veç me ëndrrën e shëmbëlltyrën e Tij gjejnë ngushëllim. Për më tepër, pastaj, nëse ka mbërritur aty me pakufishmërinë e shpirtit, i përgatitur që më parë e në e pastë vënë kryet nëpër ëndrra mbi atë kufi.. në të vërtetë, për të përshkruar një tablo të tillë të folurit e fjalës ndalet dhe ligjërimi, veç shprehjes së dobësisë, nuk gjen dot kurrfarë fjale tjetër…

Kur njeriu mbërrin në sutren në drejtim të kibles, përballë vendprehjes së bekuar, që i ngjan më fort me një fytyrë të trishtë të buzëqeshur, përballet me qindra shpirtra të dashuruar që mundohen e përpiqen plot emocion e shpresë. Kjo klimë drite maksimalisht të gjelbër dhe të magjishme, thuajse secilit sipas shkallës së vet, i përcjell ndjesinë e të gjendurit përballë portës së një tjetër bote. E kështu, çdo shpirt i dashuruar që i qaset muvaxhehesë mbushet plot emocion sikur dy-tri hapa më tutje do të takonte më të dashurin dhe në shpirtin e tij nis të ndiejë meloditë më të bukura të dashurisë që kurrë nuk kanë parë penë e bojë.. e në këto e sipër, ato zëra klime të florinjtë, ato fjalë e ato pamje, me njëmijenjë shëmbëlltyra, ia mbështjellin të gjithë qenien dhe e tërheqin duke e mbartur në një brez të magjishëm e të përtejkohshëm. Secili që mbërrin në këtë brez, koncepton në vetëdijen e vet njëkohshëm të sotmen me të djeshmen, të djeshmen me epokën e dritës së të Lartit dhe duke ndier pëshpëritjet që mbërrijnë prej kuvendit të tij, e humbet toruan…

Përballë Raudës së Dëlirë, jeta jetohet përherë si një shëmbëlltyrë e ëndërr. Thuajse çdo shpirt që nuk ia ka kthyer atij shpinën krejt, që ka pirë prej dorës së tij verën e dashurisë, që është dehur prej saj e ka humbur arsyen, nuk do aspak të ndahet prej kësaj bote të magjishme. Këtu mendimet ndalen, shpirtrat hyjnë në ndikimin e ndjenjave dhe të gjitha zemrat i pushton dëshira për të mbërritur më të dashurin. Këtu, ëndrrat e fshehta që çelin brenda njeriut një nga një porsi lule, e bëjnë njeriun thuajse të shijojë ëndjet e kopshteve të Parajsës, këndelljet dhe paqen e amshimit. Këtu është porsi një zgjatim që nga përtej qiejve, i planifikuar e i ngritur me dorën e Fuqisë Hyjnore që nga përjetësia për të mundësuar thellimin në ëndrrat e shpirtrave, që ndez, ushqen e pëshpërit ndjenjat, dëshirat, dashuritë. Këtu, ata që mund ta braktisin veten në klimën shumëngjyrëshe e të begatë të dëshirave në përmasa besimi, zhyten në ëndrra pa fund e pa anë, porsi udhëtarë të një misteri, të një të fshehte në dukje të parëndësishme[4] brenda jetës që jetojnë, që për ne shpesh mbetet e pasqaruar, por që ata i bën të ndiejnë ekzistencën e një tjetër “uni” që formëson identitetin e vërtetë të njeriut. Madje perdja me tylin e hollë të botës së të padukshmes shpohet e përshkohet dhe thelbi i njeriut, bashkë me të vërtetën e gjithçkaje, del në shesh.. Për këtë arsye, gjithsecili e ndien veten si të njësuar me botën e amshuar, përshtatet me harmoninë e jetës së përjetshme dhe e gjen veten në këndellje firdeusore.

Ne kurdoherë e ndiejmë veten në Qabe në brezin e adhurimit, në Rauda në brezin e dashurisë e të përmallimit. Në të parën mundohemi t’i përgjigjemi me vetëdije të fshehtës së nënshtrimit, ndërsa në të dytën e përqafojmë atë me sinqeritet e besë. Këtu edhe në mos e dallofshim dot plotësisht thelbin e asaj çka ndiejmë, trazohemi në një botë ndjesish më prekëse se gjithçka prekëse, më entuziazmuese se gjithçka entuziazmuese; një botë që na deh me ëndrrën e vet, me harmoninë e veçantë dhe me magjepsjen e poezisë së vet. E kështu, me ndjesi që e kanë të pamundur shprehjen me fjalë, arrijmë të ndiejmë dëshirën për t’u përulur, përkulur e njësuar me tokën në sexhde.

Gjithmonë, mes gjeratores së dashurisë hyjnore, jeta këtu jetohet në emocionin e mbërritjes së të dashurës, në këndelljen e shebi arusit.[5] Çdo ngashërim, çdo dënesje çliron në shpirtra drithërimën që shkakton zhurma e portës teksa i çelet mikut. Shpirti mezi e pret mbërritjen e së dashurës dhe ngashërehet; e përballë njerëzve që rrinë në këmbë, me kryet ulur e me sytë të mbyllur, që presin me respekt t’u çelen ëndrrat, porta aty çelet e aty mbyllet. Por ajo vazhdimisht ndez mall, vazhdimisht ushqen shpresë dhe kurdoherë shkon me dhembshuri…

Këtu muret, kolonat dhe kubetë që duken sikur janë stolisur me spiralet e dashurisë, madje dyshemetë, qilimat, thuajse të gjitha sendet, sjellin ndërmend në brendinë e tyre lule plot naze të kaltra, të gjelbra, të verdha, të çdo ngjyre dhe ngjajnë sikur janë çelur në përjetim të thellësive më të mëdha të bukurive…

Në të vërtetë, Vendprehja dhe Kubeja e Gjelbër, që kurdoherë mund t’i përngjasojmë me një shpirt të dëlirë, kur vihen pranë e pranë me thellësitë në botët e brendshme, në mendimet e në ndjenjat e të dashuruarve, bëhen aq të mistershme, saqë njeriu e mendon vendin ku rri sikur të ishte një copëz e shkëputur prej Parajsës.

“Ja vendi i vendeve, një grusht dhè të të cilit nuk do ta shkëmbeja me botët mbarë!”



[1] Metâfu’l-Kudsijân: Vend ku shenjtorët rrotullohen rreth vetes në një shprehje të përdorur prej poetit Nabi.

[2] Hazîratu’l-Kuds: Një kopsht parajse përtej asaj që mund të arrijë mendimi njerëzor.

[3] Muvâxhehe: Gardh i hekurt që veçon e rrethon nga ana e Kibles varrin e përndritur të Profetit tonë.

[4] Hafî-Ahfâ: Ndjenja njerëzore që nuk i vihet shumë në dukje rëndësia.

[5] Sheb-i Arûs: Mbërritja e lume, çasti kur i dashuri mbërrin të dashurën.

Ndajeni me miqtë tuaj...