ilmihali

Kurani e ka përmendur besimin te jeta e pasme që është njëri prej tri bazave që përbëjnë themelin e kumtimit: teuhid (besimi monoteist islam), nubuvvet (Profetësi) dhe ahiret (jeta e pasme), së bashku me besimin te Allahu. Fakti që Kurani i përmend së bashku këto dy baza besimi në shumë ajete, tregon se besimi te Allahu ngrihet mbi besimin te dita e ahiretit (kiametit, ringjalljes dhe jetës së amshuar) dhe plotësohet me të.
Besimi te ahireti bashkë me besimin te Allahu përbëjnë themelin e sistemit besimor teuhid. Këta dy elementë besimi shprehin vlerë së bashku. Po të lihet mënjanë besimi te ahireti, besimi te Allahu e humb kuptimin. Prandaj, në Kuran, mohimi i ahiretit është vlerësuar si mohim i Allahut.
Në Kuran, pothuaj në çdo sure bëhet fjalë për ahiretin dhe me pretekste të ndryshme aludohet mbi këtë jetë.
Shkaku që i jepet kaq rëndësi jetës pas vdekjes, është se kjo jetë është faktori më i fuqishëm për forcimin nga Kurani të parimeve themelore dhe synimeve kryesore të tij. Sepse bindja mbi ringjalljen që i përfton një dimension të veçantë jetës së njeriut, i jep kësaj jete një kuptim dhe seriozitet që s’mund t’ia japë asgjë tjetër. Mund të thuhet se ajo që e bën njeriun njeri dhe që e forcon qenien e tij si qenie morale, është ndodhja e tij brenda një tendosjeje të tillë metafizike lidhur me përtejvdekjen.
E vërteta e jetës së amshuar përbën dimensionin më realist e më të thellë të ekzistencës të reflektuar tek të gjitha formimet (gjenezat) në botë. Nuk ka besim tjetër që ta lartësojë shpirtin e njeriut, ta rregullojë jetën, ta lartësojë njeriun në shkallën e merituar sa ky besim.
Kurani, i cili me besimin mbi ahiretin që ka sjellë, e ka vlerësuar çdo fushë hallall ose haram, të bukur ose të shëmtuar të jetës të kësaj bote, pas sjelljeve njerëzore pozitive e negative, e shtjellon hapur rolin e besimit te ahireti.
Rëndësia që shpreh besimi te ahireti për sa i përket sigurimit të qetësisë dhe lumturisë së njeriut, ka një vlerë përtej çdo shpjegimi. Këtë mund ta përmbledhim kështu në formën e disa pikave:
a) Shpresa e njeriut që beson te dita e ahiretit, është gjithmonë e freskët, ai s’bie kurrë në pesimizëm. Ky besim e bën të aftë e të fuqishëm atë për të duruar përballë çdo fatkeqësie dhe sëmundjeje që mund ta zërë. Sepse kur një njeri i tillë e beson se të gjitha këto janë prej Allahut dhe i pranon, e di se Allahu do t’ia shpërblejë të gjitha në ahiret dhe qetësohet.
b) Vetëm besimi te ringjallja pas vdekjes e ngushëllon njeriun përballë vdekjes një pas një të të afërmve të tij. Gjithashtu vetëm ky besim mund t’i qetësojë të sëmurët dhe pleqtë që e shohin se po shkojnë hap pas hapi drejt vdekjes!
c) Edhe zhvillimi i vetëdijes së detyrës dhe përgjegjësisë në kuptimin e vërtetë të fjalës te njeriu varet nga besimi i tij te vendbanimi i ahiretit ku do të bëhen të gjitha llogaritë e mëdha e të vogla. Vetëm njerëzve me këtë besim mund t’u thuhet “bëj ç’të duash”, sepse është jashtë çdo diskutimi se njeriu me këtë mendësi do të ndjejë nevojën për të bërë punë që nuk do ta linin të turpëruar e nuk do ta fundosnin nën dhé në botën tjetër! Gjithashtu, personi me këtë besim, duke menduar se “po përgatitet një libër i cili ditën e kiametit do të m’i nxjerrë para të gjitha ç’kam bërë”, do ta hedhë hapin me llogari dhe kujdes. Bie fjala, kujdesi i një nëpunësi që ka bindjen se fjalët e tij regjistrohen dhe i çohen shefit, nuk është i njëjtë me kujdesin e një nëpunësi tjetër që nuk e ka një informacion apo bindje të tillë. Shkurt, besimi te dita e ahiretit është dorëzanësi më i madh i idesë së detyrës dhe përgjegjësisë!
d) Një urtësi tjetër e kushtimit rëndësi në Kuran kësaj shtylle besimi, është fakti që ky besim është një parim i nevojshëm në përmirësimin e shoqërisë. Edhe Volteri i cili nuk u besonte të vërtetave metafizike, duke mbetur i detyruar ta pohojë këtë, ka thënë: “Si dy baza që përbëjnë parimet morale, ideja e Zotit dhe e jetës tjetër, me të vërtetë bartin rëndësi të madhe!” Siç shihet, edhe në vështrimin e Volterit, ky besim është forca e vetme që mund ta ngrejë brenda shoqërisë e vetme kornizën morale më të lartë. Po qe se ky besim do të eliminohej, nuk do të gjenim dot ndonjë faktor nxitës dhe inkurajues për punë dhe veprimtari të mira.
e) Natyra njerëzore është e prirur për kënaqësi epshore dhe dëshira trupore. Këto janë vendosur në përbërjen e njeriut për shumë urtësi: vazhdimi i brezit, zhvillimi i jetës, rregullimi i faqes së tokës, etj. Ndërkaq, rrethi i hallallit është i gjerë, i mjaftueshëm për kënaqësitë. Njeriu mund ta plotësojë çdo nevojë e ta kënaqë çdo dëshirë brenda rrethit të lejuar pa pasur nevojë të hyjë në haram, pra, të përdorë rrugë dhe mjete ilegjitime. Por ç’e do se këto ndjenja tek njeriu mund të përdoren në drejtime të gabuara dhe, duke e zvarritur njeriun në rrugë jolegjitime, ta shkatërrojnë edhe në këtë botë, edhe në ahiret. Ja, vetëm frika nga llogaridhënia dhe rreziku i ndëshkimit mund ta pengojnë dhe mënjanojnë njeriun nga një rrezik kaq i madh. Ndërkaq, nuk mund të thuhet se zbatimi i ligjeve dhe frika nga humbja e të mirave janë të mjaftueshme për këtë gjë, sepse, disa herë, ligjet mund të mos zbatohen ose, edhe po të zbatohen, nuk bëhen dot një zgjidhje përfundimtare. Veç kësaj, edhe humbja e të mirave nuk mund ta zëvendësojë frikën e llogaridhënies, sepse disa herë, personat e rënë ngushtë e gjejnë shpëtimin në vetëvrasje pa çarë kokën për humbjen e të mirave. Atëherë, është kusht që të jetë një forcë efektive që ta bëjë njeriun të druhet dhe të largohet nga dëmet që e presin. Vetëm parapëlqimi i rrugës së të mirës apo së të keqes nuk është i mjaftueshëm. Në këtë pikë është kusht prania e një elementi detyrues në parapëlqim, i cili të jetë i mjaftueshëm për ta drejtuar njeriun te e mira e për ta larguar nga e keqja. Kjo fuqi detyruese në parapëlqim s’mund të jetë tjetër veç besimit te jeta e pasme!

Lexo  Argumente të përgjithshme që vërtetojnë jetën e përtejme

Ndikimet negative të mohimit të ahiretit në jetën e njeriut
Po qe se këtë çështje e parashtrojmë në formë pikash, mund të themi këto gjëra:
a) Ndikimi negativ i mohimit të jetës së ahiretit mbi njeriun është tejet i madh. Në mendjen e njeriut që e pranon vdekjen si një asgjësim, kurrsesi s’mund të formohet siguri dhe qetësi. Njeriut i cili nuk e mendon jetën e amshuar, mendimi i harrimit dhe asgjësimit i formuar çdo ditë me heqjen edhe të një flete tjetër nga kalendari i ngulet në zemër si shigjetë dhe e fut atë në një ankth të papërshkrueshëm.
b) Për dikë që s’ka besim te ahireti, gjëja më e bukur dhe më e drejtë në botë është sigurimi i përfitimeve pavarësisht se me ç’rrugë e me ç’mënyrë, sepse para tij s’ka asgjë tjetër që mund t’i zgjojë mall. Dhe, si përfundim i kësaj mendësie, ai vazhdimisht do të hajë hakun e të tjerëve, do të shkelë të drejtat e të tjerëve dhe do të shkaktojë konflikte. Shkurt, nuk do të druhet të përdorë mashtrimet më të shumëllojshme e më të ndyra.
c) Është e pamundur që mohuesit e ahiretit ta mbajnë veten larg prej dukjes dhe dyfytyrësisë, sepse ata janë prej kohësh të gatshëm për të pranuar çdolloj poshtërsie për të arritur interesa materiale.
d) Në sy të mohuesve të ahiretit, konceptet faj dhe mëkat nuk kanë ndonjë vlerë. Këto kanë vlerë vetëm kur dëmtohen interesat e tyre. Mirësitë dhe dobitë janë për ta vetë kokëtrashësia; po qe se e keqja nuk lind ndonjë rrezik për ta, është e justifikueshme.
Është si rrjedhojë e të gjitha këtyre shkaqeve që Kurani përpiqet para së gjithash të formojë tek njeriu që kërkon ta edukojë, drojën në lidhje me jetën e pasme. Sepse po ta shohim me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve, vëmë re se në themelin e të gjitha teprimeve dhe kundërshtimeve shtrihet ideja e jetesës pa e llogaritur ahiretin. Me të vërtetë, Kurani tërheq vëmendjen kështu mbi këtë specifikë:
“Jo, me të vërtetë ata nuk frikësohen nga ahireti!” (Muddeththir, 74/53)

Lexo  BESIMI NË JETËN E PËRTEJME
Ndajeni me miqtë tuaj...