Shqipëria prej shekujsh përjeton një tolerancë dhe bashkëjetesë në harmoni midis besimeve, etnive dhe kulturave të ndryshme. Nëse ne i shtojmë kësaj bujarinë, besën dhe mikpritjen tradicionale shqiptare, shohim se me të vërtetë dhe brenda modestisë mund të pohojmë me plot gojë se, përbëjmë një gur të veçantë rrezatues me vlerat tona, në mozaikun botëror.

Këto vlera janë arritur nëpërmjet mësimeve të shenjta, që na japin librat tanë hyjnorë dhe në rastin tonë Kur’ani dhe Tradita Profetike, që na urdhërojnë për paqe, harmoni dhe bashkëjetesë. Paraardhësit tanë ushqyen vetëm virtyte dhe mirësi, duke na lënë neve sot këtë trashëgimi të madhe.

Sot, më tepër se për çdo gjë tjetër, njerëzimi ka nevojë për tolerance dhe mirëkuptim. Në të vërtetë, njerëzimi duhet të mbështetet tek kjo forcë lëvizëse duke i dhënë përparësi asaj, duhet të shfaqë tolerancën, mirëkuptimin në botë sepse paraardhësit tanë të lavdishëm pushtuan zemrat e njerëzve me synimin për tolerancë dhe u bënë mbrojtësit e paqes së përgjithshme.

Faktorët që nxisin tolerancën janë të shumtë, por mbi të gjitha një rol mjaft të rëndësishëm  në përhapjen e tolerancës dhe mirëkuptimit luan edhe gruaja në përgjithësi dhe ajo myslimane në veçanti.

Zoti e krijoi njeriun si mëkëmbësin e Vet në Tokë e gruan si vend prehje e qetësie, e rrjedhimisht, si simbolin e paqes për familjen e mbarë njerëzimin. Është shoqja besnike e jetës, që me virtyte të larta të kultivuara nëpër dekada e të trashëguara brez pas brezi na jep dorën tek e cila mund të mbështetemi, të gjejmë forcë dhe besim, nga ku presim të përfitojë jo vetëm familja e ngushtë, por edhe gjithë shoqëria dhe komuniteti.

Funksioni i nënës me të gjitha specifikat, vlerat dhe peripecitë e saj në fakt është thelbi i misionit të gruas. Kështu, arsimimi i gruas është jetik për shoqërinë tonë, pasi është ajo që prodhon anëtarë të mirë ose të këqij të shoqërisë. Gruaja është shkolla fillore për fëmijët tanë. Ata ushqehet me moralet, vetitë dhe virtytet e larta pikërisht në prehrin e nënës. Që nëna të mund t’i japë fëmijës një arsim të shkëlqyer dhe të mbjellë te fëmija vlera është kusht arsimimi i saj, njohja dhe përgatitja praktike mësimore dhe moralo-etike e saj.

Këtu mund të bëjmë edhe një pyetje: “Çfarë e rrezikon tolerancën, bashkëjetesën, bashkëpunimin?” Këto janë koncepte që nuk mund të ekzistojnë njëkohësisht, nëse në shoqëri mungojnë elementë si morali, etika humane, dashuria, paramendimi pozitiv, dhembshuria, sakrifica, përkushtim, etj.  Të gjitha këto janë vlera që nisin të kultivohen që në folenë e familjes. Aty pra ku nëna/gruaja ruan një rol thelbësor.

Nga ana tjetër, shpeshherë Islami paragjykohet sidomos në lidhje me pozitën dhe funksionin që i ka caktuar gruas. Një grua që është në thonjëza “vetëm nënë dhe bashkëshorte”, të mbyllur nga shoqëria, joaktive dhe të paemancipuar, askush nuk do ta donte. Në fakt, një individ me tipare të tilla nuk është gruaja ideale që Islami kërkon. Ky është thjesht prototipi i gruas, që ka prodhuar qasja tejet maskiliste e disa shoqërive islame. Me pretekstin që gruaja të mbrohet, shpeshherë asaj iu vu kyçi dhe u izolua. Madje arriti deri atje, saqë edhe vetë gruaja mendoi se hapësira dhe e drejta e saj në shoqëri ishte vetëm kaq.

Islami propozon rrugën e mesme. Ai predikon faktin se gruaja është krijuar në një formë të caktuar dhe ka detyra, që burri mund t’i kryejë, por jo si ajo. Gruaja do të jetë nënë, do të jetë bashkëshorte dhe motër, por nga ana tjetër ajo duhet të ketë guximin të jetë aktive në shoqëri.

Prandaj gratë myslimane duhet të përballen me terrenin social duke lënë shembullin e mirë për të ndryshuar sadopak mentalitetin, paragjykimet dhe barrierat. Për sa kohë që çdo veprim manifestohet brenda suazave të fesë, çdo aktivitet konsiderohet shumë normal.

Gruaja përbën një kontribut të një rëndësie të veçantë për rinovimin e shoqërisë. Emancipimi dhe përparimi i gruas dhe i familjes e bëjnë shoqërinë më të emancipuar, e cila kërkon afrimin e gruas në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Gruaja myslimane bashkëkohore, duket se është duke e kuptuar rëndësinë jetike të kësaj çështjeje dhe është gjithnjë e më shumë e emancipuar.

Ekzistenca e gruas në terren, është edhe një mundësi, që ajo me natyrën e saj origjinale, ku gjejmë të mishëruar butësinë, dashurinë dhe dhembshurinë, të bëhet shembull pozitiv për shoqërinë, meshkuj e femra, për të ndërtuar relata, të cilat në thelb kanë bashkëjetesën dhe bashkëpunimin. Të gjitha këto, duke mos cenuar thelbin e figurës së saj dhe tiparet që e karakterizojnë. Në këtë mënyrë ajo mund të jetë një element thelbësor për përparimin sa më të shpejtë e të shëndetshëm të shoqërisë.

Për të ofruar më të mirën e saj në familje dhe shoqëri ajo duhet të jetë prezente, aktive ne rolin e saj dhe me dashuri, përkushtim dhe përgjegjësi, të ofrojë modelin dhe kontributin e saj.

Të tilla synime patjetër që nuk mund të arrihen vetëm me përpjekje të grupeve të caktuar apo vetëm të instancave shtetërore, por përfshirja më gjerësisht e shoqërisë civile dhe pjesëmarrja e komunitetit, janë çelësi për të çuar përpara aksionin civil për arritjen e ruajtjes së pozitës së denjë për gruan dhe të harmonisë që karakterizon shoqërinë shqiptare.

Pavarësisht gjendjes aktuale goxha të errët anekënd botës, nuk duhet të harrojmë se zgjidhjet arrihen me dialog dhe tolerancë, dhe bota e sotme ka shumë nevojë. Ne kemi besimin se gjithçka do të zgjidhet dhe për këtë i lutemi edhe Zotit.

Fatma Karaj
vizionislam.com

Ndajeni me miqtë tuaj...