Në përpjekjen që “Ta Lartësojmë Njeriun”, janë të domosdoshme arsimi dhe edukimi. “Dija, krahas trashëgimisë kulturore dhe qytetërimore, njeriu i mrekullueshëm dhe i virtytshëm është fryt i mundit dhe i përpjekjes njerëzore. Vetëm me dorën e sivëllait të llojit të tij është bërë e mundur që njeriu të mund t’i zhvillojë aftësitë e tij edhe më tej e t’i planifikojë sjelljet e tij; që të ngjitet drejt së mirës dhe të së virtytshmes. Përgjatë gjithë historisë, përherë ka pasur nga një brez që i ka vënë vetes detyrën për t’u kujdesur për brezin e ardhshëm, duke ia ditur këtë për detyrë vetes. Për këtë arsye, dhurata më e bukur që të parët u bënë të mbramëve ka qenë përherë edukimi i mirë.

Edukimi e pengon që instinktet kafshërore ta largojnë njeriun prej njerëzores dhe që ta shkëputin atë prej qëllimit të tij. Ai u përcakton njerëzve kufijtë e sjelljes dhe veprimtarisë së tij, për të mos e lënë atë që të jetojë në një udhë pa krye. Njëkohësisht, edukimi u vjen njerëzve në ndihmë që ata të mund t’i zhvillojnë të gjitha ato aftësi që kanë ardhur së bashku me të vetë në jetë.

Të nxënët dhe të mësuarit janë dy detyra shumë të lartësuara, të cilat mbështetjen e kanë te qielli. Vetëm falë kryerjes denjësisht të kësaj detyre mund të nxirret në pah merita dhe talenti i fshehur në shpirtin njerëzor, i cili, në fund, shndërrohet në dhuratën më të bukur që mund t’i bëhet një shoqërie. Një individ që nuk ka kaluar përmes sitës së të nxënit dhe të të mësuarit, duke qenë se aftësitë e tija njerëzore dhe cilësitë lartësuese të tij nuk janë zhvilluar siç duhet, do të ishte më se e kotë, nëse ne do të kërkonim që aty të bëhej fjalë për një shoqëri.

Mësuesi është formësuesi i një shoqërie, duke qenë se është ai që i jep formë vetë jetës. Pas sistemit arsimor materialist dhe shumë shembujsh të këqinj, të cilat kanë kryer mëkate shumë të mëdha karshi njerëzimit, “… sot kjo ushtri e dijes, që e ka konsideruar shumë dyshime të shkuarën e afërme, duke ndierë nevojën për t’i kundruar edhe njëherë me kujdes lidhjet mes shkaqeve dhe pasojave, ngjan se do të na e rikthejë edhe njëherë mbrapsht atë institucion të mësuesisë, për të cilin ne ndiejmë respektin më të thellë.

Në mesazhet që vijnë prej “Ekzistencës absolute”, paraqiten cilësitë më të mira të mësuesit, që frymëzojnë entuziazmin e këtyre mësuesve, që ndriçojnë mendjet dhe u japin zemrave forcë. “… në fakt, me atë dije që nuk të shërben për të të lidhur me “Absoluten” as nuk mund të arrihet te konceptet e epërme, as mund të hidhet dritë mbi sipërfaqen e krijimit. Një dije e këtillë i ka çuar çirakët e saj drejt mohimit, që i refuzon të gjitha të fshehtat e pranishme tek ekzistenca dhe zemrat i mbyt me dyshime të pazbërthyeshme. Ndërsa ai mësues që e katandis nxënësin e vet në këtë farë gjendjeje, ose është vetë një mohues, ose është një skeptik i pandreqshëm; por nuk është dhe nuk mund të jetë assesi e kurrsesi një mësues.

Ndajeni me miqtë tuaj...