Rrugët zgjatojnë dredha-dredha drejt pafundësisë. Dhe në çdo rrugë gjenden sa e sa udhëtarë, ujërat burojnë, njësoj si retë që derdhin lot… njësoj si ujërat e rrahin kokën gur më gur, drejt oqeanësh të paanë. Dhe me dritë, me zjarr, lartësohet lartësish me sa të mundë… kjo epokë që nuk njeh të mbaruar, ky rrugëtim i përjetshëm, vijon pa ditur të ndërprerë për as edhe një çast. Vijojnë parreshtur migrimin e tyre të gjitha krijesat, nga atdheu i diejve drejt zemrës së tokës e së andejmi kthehen sërish në botën e yjeve…!

Të panumërta sa frymimet e gjithësisë janë edhe rrugët. Dhe çdo krijesë rend në rrugën e zgjedhur vet, drejt synimit të futur në ëndrra… Krimbi e përmbush rrugëtimin e tij hap pas hapi, ashtu duke u zvarritur. Hap pas hapi përparon në rrugën e saj edhe breshka. Kuajt hidhen përtej me galop, ndërsa zogjtë bëjnë përtej duke rrahur flatrat fluturim. Vetëtimat e kanë shumë ndryshe udhëtimin; e edhe më të veçantë e ka rrjedhjen e vetë në këto rrugë Dielli…

Por rruga e vërtetë ka lindur bashkë me njeriun, e me vetëdijen e tij e ka arritur të plotë dritësimin e saj, aq sa thellë brenda ndjenjave dhe mendimeve të njeriut ka fituar edhe amshimin. Shumë e habitshme; edhe paudhësia ka lindur po me të, pavarësisht shumësisë së panumërt të rrugëve; paudhësia që nuk e ka lënë të qetë për as edhe një çast të vetëm. Po, në çdo kohë, ndanë atyre që udhëtojnë mes yjesh nuk kanë munguar kurrë as ata që kërkojnë rrugën të zhytur në batak.

Në të vërtetë rrugët janë vetëm për ata që dinë të ecin dhe që i njohin mirë dritat dhe kriteret e rrugës në të cilën janë duke ecur. Ekzistenca ose jo e rrugës është e njëjta gjë për ata që çdo ditë e jetës u shkon me shqetësime e barrë të reja mëkati. Të ecurit në një rrugë janë kushti i parë i sigurisë dhe i mbërritjes në qëllimin e synuar. Prandaj edhe të ndjell kënaqësi e të fal shpresë. Mirëpo e njëjta rrugë ka edhe shumë zbritje dhe ngjitje, shumë lugina e shumë kodra, shumë shqetësime e vuajtje. Sidomos rruga jonë… sidomos rruga jonë…!

Kjo rrugë është e gjatë,
Pengesat i ka të shumta,
Rrugëdalje nuk ka,
Se ujërat të thella janë.
(Junus)

Ata që ia nisin rrugës me këtë dashuri, duke u shndërruar në revan; ata që ecin dhe e kanë gjetur udhërrëfyesin e tyre, malet i shohin si të sheshta, e pllajat tërësej të lëmuara. Si vetëtima i kapërcejnë ata detet e gjakut e plagëve. E fikin zjarrin e Xhehenemit në çdo rrethinë që u bie të kalojnë… Për ata as që mund të bëhet fjalë që të pengohen e të mbeten në mes të rrugës, apo të heqin dorë së ecuri në mes të rrugës, për t’u kthyer pas. “Udhëtojnë nga njerëzit për tek i Drejti, e askund nuk devijojnë. Në rrugët me gjemba ngrihen në fluturim, e nuk u zë këmba në asnjërin syresh. Vdekjen dhe exhelin e konsiderojnë mik, duke mos pasur asfare frikë syresh. Ata nuk e shohin ata si gojë dragoi, shtrat të tmerrshëm, apo grykë të hiçit; përkundrazi atë ata e shohin si një portë mëshire që i bashkon me të dashurit, si një portë drite, portën e më të Drejtit dhe të të Vërtetit”, pa u kapur nga asnjë dyshim a shqetësim i çastit…

Por ka edhe nga ata që e braktisin synimin drejt të cilit janë nisur dhe kthehen, që e humbin rrugën edhe në dritën e ditës, duke u shpuar nga një gjemb i vetëm pengohen dhe mbeten aty; fatkeqë që nuk kalojnë dot as një pengesë të vogël. Ata që nuk e kanë provuar shijen e të ecurit në një rrugë të tillë, por për fatkeqë të këtillë që e kanë pandehur të përjetshëm këtë atdhe të varësisë, e që kanë vendosur ta ngulin në të vendbanimin, as thurja e qiellit mbi ato kalldrëme me yje të panumërt nuk ka kurrfarë kuptimi.

Ashtu siç çdo rrugë ka kënaqësinë dhe gëzimet, ka edhe vuajtjet dhe shqetësimet e veta. Sidomos nëse kjo rrugë është krah për krah dhe e brendashkruar në amshimit të pasosur…

Po, ashtu siç lumturia e përjetshme nuk mund të jetë një honorar, ashtu edhe mirësitë e pasosura nuk janë diçka e stisur prej njeriut. Përkundrazi, çdo lumturi gjendet e fshehur pas malesh të vështira për t’u kapërcyer dhe çdo mirësi është e arritshme veçse në stacionin e fundmë të rrugës së rrethuar nga mijëra ndërtesa.

Po, çdo mirësi zhvillohet në rrugët e mbushura me vështirësi të stërgjata dhe nuk ka gëzim që të mos arrihet pas sa e sa privimesh.

Nëse që të mund të sundosh mbi Egjiptin, të duhet të hidhesh në pus si të ishe një kovë ujëmbajtëse, të shëtitesh si skllav në tregjet e gjësë së gjallë dhe të hidhesh në birucat ku izolohen vetëm mëkatarët, atëherë askush nuk ka fuqi që ta ndryshojë një fat të tillë. Dhe e pamundur do të jetë përherë arritja në qëllimin e synuar pa i shijuar njëherë të gjitha këto.

E kush mund ta ndryshojë rrugën e çelur nga dora e urtësisë…? Të ngrihesh për ta ndryshuar atë do të thotë t’i hapësh luftë natyrës së karakterit dhe krijimit. Shikojeni me kujdes gjendjen e asaj reje të tejngjeshur, apo klithmat e nënës që është duke lindur, a atë zog a merimangë që përpiqet të thurë çerdhen e saj me njëmijë e një mundime! Ajo që do të vëreni është se ligjet e natyrës janë po aq të pandryshueshme për çdokënd…

I tillë është edhe shpirti i njeriut. Që prej ditës që është zbritur në mesin e materies, ai hyn nga njëra trajtë në tjetrën vetëm se për t’u kthyer në gjendjen thelbesore; vuan, shqetësohet, e po me vuajtje dhe shqetësime ringjallet dhe duke u njësuar me materien rreket që të thurë lumturinë e përjetshme. “Njeriu për shqetësime është krijuar” dhe është një udhëtar i përvuajtur që ecën një rruge ku e presin sa e sa vuajtje parreshtur. Edhe heroizmi i vërtetë i del në pah veçse për aq sa arrin t’i kapërcejë vështirësitë e rrugëtimit.

Ah sikur! Ah sikur të mund ta bënim edhe njeriun e sotëm që t’i ndiente të gjitha këto! Ah sikur të mund t’u flisnim atyre për rrugët e mbushura me gjemba, për përbindëshat që të zënë e të presin rrugën, për padrejtësitë, ashpërsinë dhe tmerret e mëdha që shfaqen përballë, e t’u tregonim atyre fytyrën e së vërtetës…

Po, të kuptuarit që në rrugën e këtyre trimoshave të paepur mbetja “qoftë edhe një çast të çliruar nga problemet” është e pamundur, është e vërteta vetë dhe thelbi i rrugës së këtyre njerëzve të përvuajtur.

Ka aq shumë nevojë që këtë të vërtetë t’ua tregojmë të gjithë atyre që vrapojnë për t’u shërbyer njerëzve të tyre. Në të kundërt, derisa ata ta kuptojnë këtë të vërtetë, do të jetë e pamundur të flasim për rrugë, apo për udhëtarë.

Ndajeni me miqtë tuaj...