Komentimi i Sures El-Felek – 113

بِسْمِ اللهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ

قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ الْفَلَقِ (1)
مِنْ شَرِّ مَا خَلَقَ (2)
وَمِنْ شَرِّ غَاسِقٍ إِذَا وَقَبَ (3)
وَمِنْ شَرِّ النَّفَّاثَاتِ فِي الْعُقَدِ (4) وَمِنْ شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ (5)

Kuptimi: Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

  1. “Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit,
  2. që të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar
  3. dhe nga sherri i natës, kur kaplon terri
  4. dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji)
  5. dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë!”

Emrin e ka marrë nga ajeti i parë ku përmendet fjala “felek”, që do të thotë agim. Surja ka 5 ajete. Na mëson se si t’i mbështetemi Allahut dhe sitë hyjmë nën mbrojtjen e Tij, prej çdo dëmi e të keqe që mund të na vijë.

Tefsir (komentimi)

‎قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ الْفَلَقِ

  1. “Thuaj: I mbështetem Zotit të agimit!”

Audh, meadh, ajadh, istiadhe; kanë kuptime si: kërkoj mbrojtje, strehim, mbështetje me qëllim të largimit të dëmit material si dhe të ligave e të këqijave të tjera të natyrës shpirtërore. Në foljen “strehim, mbrojtje” ekzistojnë tre elementë: e para, i strehuari aidh ose musteidh; e dyta, strehuesi musteadhun bih; e treta, asaj të cilës i druhemi dhe kërkojm strehim prej frikës së saj, i thuhet munte’adhun minh.

Kuptimi i “strehimit” është, për shkak të frikës t’i mbështetesh dikujt, të hysh në mbrojtjen e tij dhe t’i dorëzohesh atij. “Mbështetësi” për arsye se i trembet diçkaje dhe ndjehet i pafuqishëm para saj, ndjen nevojë t’i mbështetet dikujt. “Mbështetësi”, ka besim të plotë se, atij që i është strehuar, do ta mbrojë dhe ruaj nga ajo prej së cilës frikësohet.

Fjala قل kul “Thuaj”, në krye të sures, shpreh formën e këshillës hyjnore të Krijuesit, i Cili, e mëson të Dërguarin e Vet se kujt duhet t’i mbështetet për të kërkuar mbrojtje. Gjithashtu me të njëjtën këshillë, u drejtohet të gjithë besimtarëve.

Arsyeja e përmendjes në ajet të emrit atributit Rrab (Zot) në vend të emrit Individual Allah, pra, Rrab (Zot), “edukues”, “edukator” tregon përputhjen e tij më mirë me çështjen e mbështetjes.

‎بِرَبِّ الْفَلَقِ “Zotit të agimit”, Ai , i cili ndan dhe krijon, nxjerr të gjallin nga i vdekuri, e të vdekurin nga i gjalli, veçues i natës nga dita.

اَلْفَلَقُ , në aspektin leksikor do të thotë: ndarje, çarje. Qëllimi i saj në kontekst të fjalisë do të thotë agim i mëngjesit, feksja e parë e dritës, proçes ky që simbolizon veçimin e dritës nga errësira me fillimin e dritës së parë të agimit. Shumica e dijetarëve të tefsirit, kanë theksuar se kuptimi mëngjes, siç është e përhapur midis njerëzve, është kuptimi i parë i fjalës “felek”. Për rrjedhojë, “Rrabi’l-felek” është si të thuash Zoti i mëngjesit. Rabu’l-felak ashtu si feliku’l-isbah, ka kuptimin, Ai që njerr në pah mëngjesin. Ashtu si ai që ka mbetur në errësirë pret zbardhjen e dritës, edhe ai që është përballur me frikën pret dritën e shpëtimit dhe suksesit. Pas errësirës së natës vjen drita e mëngjesit. Gjithashtu, këtu vihet theksi që mbas vështirësisë vjen lehtësimi. Në të njëjtë kohë mund të nënkuptohet edhe çdo gjë, që e ndan dhe e njerr në pah Allahu. Fjala “felek” mund të vijë edhe në kuptim e krijimit ose më saktësisht çdo gjë që shpërthen në jetë, si fjala vjen kur fara çahet dhe filiza del mbi tokë ose uji kur shpërthen nga shkëmbinjtë, shiu kur bie e ndahet nga retë, të vegjëlit që dalin nga barqet e nënave etj.

Urtësia e përmendjes së emrit atribut Rrab (Zot) në vend të emrit Individual Allah është: Rrab (Zot), pra, “edukues”, “edukator” tregon përputhjen e tij më mirë me çështjen e “mbështetjes”. Nëse e pranojmë kuptimin e “Rrabu’l-felek” si: “Zoti që nxjerr në pah dritën e agimit”, nga ajeti do të nxirrnin një kuptim të tillë: “I mbështetem Zotit që më nxjerr nga errësira e natës në dritën e agimit. Zotit, që më nxjerr nga frika dhe terri i natës, në qetësinë e ditës”. Një urtësi tjetër është, edukimi që të mbron nga dëmet. Zoti, përfshin të strehuarin, gjithashtu edhe atë për të cilin kërkohet strehim. Zoti, është krijuesi i strehuesit, i atij prej të cilit kërkohet strehim dhe i gjithë krijesave, sepse Ai, është Zoti i botërave.

‎مِنْ شَرِّ مَا خَلَقَ

  1. “Prej dëmit të asaj që Ai krijoi”.

Pra, përfshin te gjitha krijesat që ka krijuar Zoti: përfshin dëmin që mund të vij nga cilado lloj krijese, qoftë ky në aspektin material apo shpirtëror, qoftë në lidhje me këtë botë apo me jetën e pasme, objektive apo subjektive, qoftë ky një dëm që vjen jashtë vullnetit tonë apo nga vullneti ynë. Për rrjedhojë, përfshin: dëmet që vijnë nga të gjithë shejtanët njerëz dhe xhindë, nga shtazët e egra, insektet dhe mikrobet, helmet dhe zjarret, gjynahet dhe kapriçot e egos, punët e dëmshme, deri te të gjitha dëmet që mund të vijnë nga çdo lloj krijese.

‎وَمِنْ شَرِّ غَاسِقٍ إِذَا وَقَبَ

  1. “Dhe prej dëmit të natës kur ajo ngryset”.

‎غَاسِقٍ “gasik”, një fjalë e cila është komentuar me kuptime të shumta, një fjalë me kuptim të gjërë. Dijetarët e tefsirit, të cilët kanë konkluduar se “felek” ka kuptimin mëngjes, i kanë dhënë fjalës “gasik” kuptim natë, ndërsa وقب “uekab”, do të thotë “ka hyrë (është shtrirë)”, dhe simbolizon shtrirjen e errësirës në tokë. Me shtrirjen e territ të natës, fillon të përhapet dhe e liga, sepse shumica e krimeve kryhen gjatë errësirës së natës. Shtazët e dëmshme dhe helmuese dalin në terren gjatë errësirës së natës. Për rrjedhojë, është me rendësi që të sigurohet mbrojtja (strehimi), pa e kapluar ambjentin përreth errësira dhe terri i natës. Në ajet tregohet që t’i mbështetemi dhe kërkojmë mbrojtje Allahut, veçanërisht, nga të këqiat dhe ligësitë që dalin në pah gjatë errësirës së natës. Një hollësi tjetër e ajetit është, strehimi te Allahu që sjell agimin, nga e keqja e territ të natës.

Disa dijetarë, e kanë kementuar “gasik” si hënë, dhe “uekab”, si eklips të hënës ose tre ditët e fundit të muajit, në të sosur të saj. Në një transmetim të përcjellë nga Aishja r.a. thuhet që i Dërguari i Allahut a.s. e kishte porositur atë me fjalët: “Kërko mbrojtje tek Allahu prej kësaj (hënës në të sosur), sepse kjo është “gasiku”- errësira kur ngryset”.[1]

Sipas Meududi’t, komentimi i saktë i hadithit është: Duke qënë se hëna del vetëm natën, ndërsa ditën megjithëse ndodhet në qiell nuk duket, atëherë shprehja e të Dërguarit të Allahut është në këtë formë “Kërko mbrojtje tek Allahu prej kësaj (hënës), sepse kjo është “gasiku”- errësira kur ngryset”. Sepse drita e hënës nuk i bën shumë dobi atyre që janë duke u përpjekur të mbrohen nga sulmuesit, por ajo, është më e favorshme për ata që kanë si synim të bëjnë keq.

Nata, kur ngryset, është “gasik”. Po ashtu edhe hëna (në të sosur) është “gasik”. Allahu i Madhëruar, nuk e ka përcaktuar se cilë prej këtyre të dyjave ka dashur të përmend, por e ka përgjithësuar. Për rrjedhojë, jemi urdhëruar që të kerkojmë mbrojtje prej dëmit të cilido “gasik”, në kohën që ai shfaqet.

‎وَمِنْ شَرِّ النَّفَّاثَاتِ فِي الْعُقَدِ

  1. “Dhe prej dëmit të atyre që fryjnë (fjalë të magjisë) në nyja (të lidhura)”.

النَّفَّاثَاتِ pra, fijet, penjtë, penjtë e lidhur nyje, ose nyjet dashakeqe në zemra, bestytnitë, ata që fryejnë me entuziazëm, ose shpirtrat që fryejnë nyje në fshehtësi e bëjnë yshtje, ose gratë që fryejnë nyje, ose të këqijat që vijë nga shoqëria.

Të frysh, është të frysh ose të bësh sikur fryn me pak ose pa pështymë.

الْعُقَد është shumësi i fjalës عقدة. Ukde, ka kuptim e të kapurit diçkaje nga cepet dhe t’i lidhësh fort me njëri-tjetrin, pra, t’i lidhësh nyje. Duke qënë emër që vjen nga fjala “akd” që do të thotë të lidhësh kopsat, kuptimi esencial e saj është nyje.

Lexo  Surja Nas

Një pikë tjetër që tërhiqet vëmendja tek fjala “neffethet”, është qënia e saj në gjininë femërore dhe shumës. Për rrjedhojë, për përcaktimim e emrit i cili ka si mbiemër “nefethet”, ka tre mendime të ndryshme:

  1. Sipas kuptimit sipërfaqësor, supozohet të jenë gratë, me kuptimin “gratë që fryejnë”. Gjithashtu edhe këtu ka dy askpekte të ndryshme: E para, qënia e magjisë një simbol i grave dhe roli i tyre i lartë në këtë fushë. Ndërsa aspekti tjetër është që, intriga e gruas ka një ndikim shumë të lartë mbi vendosmërinë dhe fuqinë e burrit. Ndikimi magjik që ka në zemër kurthi i femrës apo atraktiviteti i saj, është aq i lartë, saqë edhe ata që e mohojnë magjinë, detyrohen ta pranojnë. Gjithashtu mund të thuhet së të dy mendimet, përmbajnë në vetvete të njëjtin kuptim.
  2. Supozimi i të qënit me kuptimin nufus (egot), përfshin mashkullin dhe femrën, që do të thotë “egot fryrëse”.
  3. Sipas një hamendësimi tjetër, ka kuptimin shoqëri, bashkësi, pra, “shoqëri fryrëse”.

A është e lejuar të lexosh (diçka nga Kurani, syneti apo ndonjë dua), dhe ta frysh (dikujt tjetër ose vetes)?

Pa u përzier me magji, pra, pa qënë për ndonjë djallëzi por për t’u ruajtur prej saj, apo lutje për shërim Allahut nga ndonjë sëmundje apo fatkeqësi, qoftë kjo për vete apo për ndonjë tjetër, të lexosh një ajet apo dua me zemër të sinqertë dhe nijet (qëllim) të pastër dhe ta frysh, fryma e nxjerrë në këtë formë është e lejuar. Sepse në këtë mënyrë nuk dëmtohet askush, nuk ka devijim nga rruga e drejtë apo mbështetje dhe drejtim dikujt tjetër përveç Allahut. Në këto sure, urdhërat قل أعوذ “Thuaj i mbështetem” , tregojnë domosdoshmërinë e mbështetjes tek Allahu, për çdo gjë. Gjithashtu, në traditën Profetike, ka ndodhur dhe është parë që, i Dërguari i Allahu (poqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi Të) ka vepruar vetë duke fryrë, dhe i ka lejuar shokët e tij që të freyjnë (rukje) për mirësi, dhe në këtë mënyrë kanë gjetur shërim, qoftë kjo nga sëmundjet trupore apo shpirtërore.

Nuk ka asnjë dyshim që, ashtu si në këtë sure edhe në ajete të tjera, urdhërohet që t’i mbështetemi Allahut dhe ti lutemi Atij për veten tonë dhe për të tjerët, tregojnë qartë që kjo jo vetëm është e lejuar, por është një urdhër fetar.

Në hadithin që transmeton Afu b. Melik Eshxhei (r.a) thotë: Ne në periudhën e injorancës lexonim dhe frynim. Pastaj pytetëm të Dërguarin e Allahut (s.a.s) çfarë na thua rreth kësaj? “M’i tregoni mua rukjet (duatë) tuaja, në rukje nuk ka problem për aq kohë sa nuk ka shirk (politeizëm)”.[2] Rukjet të cilat janë të ndaluara (harram), janë ato të cilave nuk u dihet brendësia, që ekziston mundësia e magjisë ose që mund të kenë përmbajtje shirku (politeizmi).

Siç kuptohet nga ajetet dhe hadithet, feja jonë, i ka ndaluar: nyjet që përzihem me magji, gjërat e pakuptueshme që nuk dihet se cfarë janë, gjërat e dyshimta, gjithashtu edhe fryrjet djallëzore që mund të përbejnë rrezik për besimin apo trupin tonë. Për rrjedhojë, dijetarët e tefsirit e kanë komentuar kuptimin e ajetit vazhdimisht rreth magjisë, kanë thënë që të ruhemi nga rukjet ( leximet dhe fryrjet) që mund të jenë përzier me magji, dhe gjithashtu, i kanë cilësuar leximet duke lidhur nyje me fije si magji.

“Çdo sëmundje e ka shërimin”.[3] në përputhshmëri me hadithin, ashtu siç sëmundjet shpirtërore e kanë shërimin me metoda shpirtërore, sëmundjet fizike me medota fizike, edhe sëmundjet e përziera (shpirtëroro-fizike), e kanë metodën e kurimit të përzier. Me kusht që, shërimi duhet ditur prej Allahut jo prej ndikimit të shkaqeve, dhe në të gjitha rastet duhet ndejtur larg intrigave, magjisë dhe mashtrimit.

Nuk është aspak e saktë të pranohet si magji, mbështetja me qëllim të sinqertë dhe frymë të pastër te Allahu, leximi dhe fryrja duke kërkuar shërim nga Allahu. Kështu që, ata që e cilësojnë si të lejuar rukjen (leximin) kanë sjellë si argument shumë hadithe, që ekzistojnë në librat e saktë të hadithit.

  1. Njëherë Profeti (s.a.s) ishte sëmurë, dhe transmetohet që erdhi Xhibrili (a.s) dhe lexoi dhe fryu: بسْمِ اللهِ أَرْقِيكَ مِنْ كُلِّ شَيْءٍ يُؤْذِيكَ وَ اللهُ يَشْفِيكَ “Bismilah (me emrin e Allahut), të bëj rukje (lexim) ty nga çdo gjë që të mundon, Allahu të jep shërim”.[4]
  2. Aishja (r.a) transmeton se: Kur ndonjëri nga ne sëmurej ose kur shkonte për vizitë te ndonjë i sëmurë, e fërkonte me dorën e djathtë dhe thoshte اِذْهَبِ اْلبَاْسَ رَبَّ النَّاسِ اِشْفِهِ أَنْتَ الشَّافِى لاَشِفَاءَ اِلاَّ شِفَاؤُكَ شِفَاءً لاَيُغَادِرُ سَقَماً “Zoti i njerëzve, largoje sëmundjen, jep shërim, Ti je shërues, nuk ka shërim përveç shërimit tënd, shërimi jot nuk le asnjë sëmundje”.[5]
  3. I Dërguari i Allahut (s.a.v) lutej për Hasanin dhe Hysejnin (r.a) kështu: أَعُوذُ بِكَلِمَاتِ اللهِ التَّامَّةِ مِنْ كُلِّ شَيْطَانٍ وَ هَامَّةٍ وَ مِنْ كُلِّ عَيْنٍ لاَمّةٍ “Mbështetem me fjalët e plota (pa të meta) të Allahut, nga çdo shejtan, nga çdo insekt e nga çdo sy i keq (nazar). Pastaj shtoi: “Babai im, Ibrahimi, lutej në të njëjtën mënyrë për fëmijët e tij, Ismail dhe Is’hak”.[6]
  4. Osman b. Ebi’l-As Thekafij (r.a), ka thë që: Kisha një dhimbje të tmerrshme, për pak do të më vdiste. Shkova pranë Profetit (s.a.s), dhe më tha: “Vendose dorën atje ku të dhemb, pastaj thuaj shtatë herë kështu:

بِسْمِ اللهِ بِسْمِ اللهِ بِسْمِ اللهِ أَعُوذُ بِعِزَّةِ اللهِ وَ قُدْرَتِهِ مِنْ شَرِّ مَا أَجِد وَ أُحَاذِرُ مِنْ وَجَعِى هَذَا “Bismilah (Me emrin e Allahut, tre herë), i mbështetem madhërisë dhe fuqisë së Allahut, nga sëmundja dhe nga e keqja në të cilën ndodhem”. Dhe unë ashtu veprova, Allahu më dha shërim.[7]

  1. I Dërguari i Allahut (s.a.s) këndonte çdo natë, para se të flinte muauidhat (suret Ihlas,Felak dhe Nas), pastaj i frynte duarve dhe fërkonte të gjithë trupin (aq sa mundej).[8] Një transmetim tjetër nga Aishja (r.a): Profeti i Zotit (s.a.s) kur sëmurej dikush nga familja e Tij, i lexonte atij muauidhat (suret Ihlas,Felak dhe Nas) pastaj i frynte.[9] Në sëmundjen në të cilën ndërroi jetë; i lexoja, i fryja dhe ja prekja trupin me dorën e Tij. Sepse bereqeti i dorës së Tij, ishte shumë më i madh se bereqeti i dorës time”.

Nga gjithë këto transmetime nxjerrim si konkluzion se: Me kusht që të mos jetë magji, është e lejueshme që të bësh rukje (lexim, fryrje), për të gjetur shpëtim nga sëmundjet fizike dhe shpirtërore. Por nuk është cilësuar si e përshtatshme t’i kërkosh të tjerëve që të të lexojnë (istikrra) e të fryjnë. Gjithashtu, nuk është e përshtatshme të kërkosh ndërmjetësim e dikujt tjetër për t’iu mbështetur Allahut.

Sipas gjykimit të dijetarëve Hanefi: Për aq kohë sa te besoj se shëruesi i vërtetë është Allahu, dhe se ilaçin e ka bërë shkak për shërim, nuk ka ndonjë problem të merret me shërim. Por, nëse beson se shëruesi i vërtetë është ilaçi, nuk është e drejtë.

Ashtu siç kuptohet nga shpjegimet, shërimi me lexim dhe fryrje nuk përbën një urdhër fetar ashtu siç e pandeh shumica e njerëzve, por është një leje, si zgjidhje përfundimtare.

Detyrim i vërtetë fetar, është t’i mbështetesh vetëm Allahut dhe t’i lutesh vetëm Atij, pa kërkuar ndërmjetësimin e dikujt tjetër. Duaja e besimtarit për besimtarin, qoftë në prani apo në mungesë të tij, është diçka legjitime dhe e pëlqyeshme, për më tepër një detyrë fetare. Padyshim që, sipas hadithit profetik الدُّعَاءُ مُخُّ الْعِبَادَةِ “Duaja është esenca e fesë”, duaja zë një vend të rëndësishëm në fe, por; të bësh dua është gjë tjetër, të lexosh e të frysh, të presësh ndihmë nga njëri tjetër, është tjetër gjë. Allahu i Lartë e ka urdhëruar duanë “Lutmuni Mua, që t’ju përgjigjem”. (Mumin, 40/60). “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë”.(Bakara, 2/186) “Thuaj: “Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj”. (Furkan, 25/77) Por e ka ndaluar shirkun (politeizmin), e ka ndaluar lutjen dikujt tjetër përveç Tij: “Thuaj (o Muhamed): “Unë i lutem vetëm Zotit tim dhe nuk i shoqëroj Atij askënd (në adhurim)” (Xhin, 72/20).

Lexo  HAXHI

Në të njëjtën mënyrë, Kurani na ka mësuar duatë më të bukura me gjuhën e ëmbel të Profetit (s.a.s), dhe në suret (Felak,Nas) na ka urdhëruar në mënyrë të drejtperdrejtë qe t’i mbështetemi vetëm Atij. Ashtu siç transmetohet nga i Dërguari i Zotit (s.a.s), çdo natë dhe sa herë të ketë nevojë duhet t’i lexojë me një zemër të pastër dhe me devotshmëri, t’i fryej vetes së tij, të lutet për besimtarët e tjerë dhe t’ia këshilloj atyre duanë, dhe mos ta mohojë bereqetin e duasë së atyre që bëjnë dua me një frymë të pastër. Kur dihet që dera e Allahut është e hapur për të gjithë ata që luten, dhe që i thërret të gjithë për në atë derë, kërkon që të gjithë t’i drejtohen dhe luten Atij, dhe që nuk e pranon turpin e shirkut (politeizmit); por nuk duhet kaluar në një gjendje të tillë që të thuhet “Unë nuk mund të shkoj te ajo derë, as që e di se çfarë të kërkoj”. Njerëzit nuk duhet ta privojnë veten e tyre nga duaja, dhe ti kërkojnë të tjerëve të lexojnë për ta dhe t’i fryjnë.

Atëherë përmbledhja është kjo: Fjala “Ukad” (nyjet), edhe pse mund të ketë kuptime të ndryshme, kuptimi esencial i saj është, nyje. Por, gjithashtu, është e qartë se nuk bëhet fjalë për një fije apo litar, bërja e tij nyje duke i fryrë apo pështyrë. Sepse është mëse e qartë që, jo në çdo nyje të lidhur ka dëm apo ligësi. Për rrjedhojë, qëllimi nuk është e vërteta e jashte e nyjes, por magjia. Kështu në ajetin النَّفَّاثَاتِ فِي الْعُقَدِ, kërkohet mbështetje, strehim prej dëmit të magjistarëve dhe magjistareve. Magjia nuk është e përkufizuar vetëm në nyjet e fijeve, por ajeti përfshin të gjitha llojet e magjisë.

‎وَمِنْ شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ

  1. “dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë”.

Smira (hased), ka kuptimin e të ushqyerit të dëshirës që një njeri të humbasë prej duarsh një pasuri që e ka fituar me të drejtë. Në një shkakllë më të tepruar, smira shndërrohet në përpjekje për të shkaktuar që njeriu ta humbasë atë pasuri që e ka fituar me të drejtë. Arrin deri në atë pikë sa që t’i thuash: “Atë që posedon ai t’i mbetet atij, ndërsa ty të japim tjetër”, nuk kënaqet sërish. Kërkon me patjetër që tjetri ta humbasë atë që posedon, edhe sikur atij vetë të mos i jepet asgjë, përsëri mbetet i kënaqur. Personi ndaj të cilit ushqen smirë, po qe se ka ndonjë të mire tropore ose talent të veçantë, atëhere ai që smirëzon e humb fare torruan dhe tërbohet nga inati, dhe mund të qetësohet vetë duke e dëmtuar tjetrin. “Allahu na ruajt”.

Smira është sjellja e atyre shpirtrave të mjerë e zemërngushtë që në vend që të kërkojë prej thesarit të Allahut, i gëzohen humbjes së asaj që ka në dorë tjetri. Por nëse nuk kërkon që ai tjetri ta humbasë atë që zotëron, por vetëm ka dëshirë që edhe ai të ketë si tjetri, në këtë rast s’është smirë, por ambicie. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të), duke tërhequr vëmendjen tek ky dallim mes smirës dhe ambicies, ka thënë: “Besimtari ushqen ambicie, hipokriti ushqen smirë.” Kurani e paraqet smirën si një sjellje e dëmshme dhe burim të keqeje, prej së cilës duhet të kërkojmë mbrojtjen e Allahut. Ashtu siç dihet smira, cilësohet si gjynah i madh. Ndërsa për smirën të cilën e ka të lindur, njeriu duhet të përpiqet të formojë një karakter të mirë, dhe assesi s’duhet të bjerë pre e smirës. Por duhet vazhdimisht të luftojë me egon (vetveten) e tij, nuk duhet t’ia lejoj egos t’i marrë frerët në dorë, kjo do të bëhet preteks që ai të fitojë shumë shpërblime (sevape).

Ndërsa ambicia, nuk është dëshirë që ai tjetri ta humbasë atë që zotëron, por vetëm dëshirë që edhe ai të ketë si tjetri. Ambicia është diçka që nuk përbën rrezik për besimtarin. Ashtu siç transmetohet nga i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të): “Nuk lejohet hasedi (smira) vetëm se në dy gjëra: Një njeri, të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai e shpenzon atë në rrugë të Allahut dhe, një njëri, të cilit Allaku i ka dhënë dije dhe ai ponon me të dhe i këshillon të tjerët”.[11]

Xhelozia, edhe pse përdoret ndonjëherë në kuptimin e smirës, në arabisht përdoret termi “gajret”. Të ruhesh nga gjendjet dhe situatat që e dëmtojnë ndershmërinë dhe dëlirësinë. Për shembull; xhelozimi i burrit për gruan e tij nga të huajt, dhe anasjelltas, nuk është smirë por gajret. Por mos hanopsja e dikujt për gruan apo burrin, për bukurinë e gruas së tjetrit, nderin apo fëmijët e tij, talenteve që ata mund të posedojnë, dhe dëshira që ai t’i humbasë këto mirësi është smirë, dhe nuk pëlqehet. Smira është cilësuar si e keqe, ndërsa xhelozia me kuptimin gajret dhe patriotizm është e lavdëruar, dhe moral i mirë.

Thuaj i mbështetem dhe kërkoj mbrojtjen Zotit të agimit, prej të keqes së gjithë këtyre që u përmendën. Mbështetju Atij, Samedit (i vetëmjaftueshëm) që ka krijuar gjithçka, dhe është po Ai që do të ruaj e mbroj prej së keqes së gjithçkaje. Ai u ka premtuar mbrojtje atyre që i mbështeten me sinqeritet Atij; “Allahu është Ruajtësi më i mirë dhe Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve”. (Jusuf, 12/64)

Pasi thuhet që, i mbështetem Allahut: “Prej dëmit të asaj që Ai krijoi”, ka kuptimin që i mbështetem Allahut edhe për gjëra të tjera, dhe kjo tregon se sa shumë gjëra të dëmshme ekzistojnë. Dhe në fund i mbështetemi prej: “sherrit të smirëziut, kur vepron me smirë”, dhe kjo na tregon se e keqja e smirës (hasedit) është më e madhe. Sepse smira, është bërë pretekts që Allahun të kundërshtohet për herë të parë ne qiell e tokë. Iblisin (shejtanin) smira që ushqente për Ademin (a.s) e shtyu që të kundërshtonte Allahun. Po ashtu Kabili (djali i Ademit a.s) nga smira që ushqente për Habilin (djali tjetër i Ademit a.s), e shtye atë që të vriste vllain e tij.

[1] Tirmidhi, Tefsiru sure 113,114-1; Ahmet İbn Hanbel, 6/60, 206, 215, 237, 252.
[2] Muslim, Selam 64; Ebu Davud, Tibb 18.
[3] Muslim, Selâm 59, Fezâilü’s-sahâbe 92; Buhari, Tıbb 1; Ebu Davud, Tıbb 1,11; İbn Mâce, Tibb 1; Tirmizi, Tibb 2; Ahmet İbn Hanbel, I/377, 413, 443, 446.
[4] Buhari, Tibb 38; Muslim, Selam 40; Ebu Davud, Tıbb 19; Tirmizi, Cenâiz 4; İbn Mace, Tibb 36, 37; Ahmet İbn Hanbel, 6/332.
[5] Buhari, Merdâ 20, Tibb 38, 40; Ebu Davud, Tibb 17, 19; Tirmizi, Cenâiz 4, Daavât 111; İbn Mace, Tibb 36, 39, Cenâiz 64; Ahmet İbn Hanbel I/76, 381.
[6] Buhari, Enbiya 10; Müslim, Dhikr 54,55; Ebu Davud, Tıbb 19, Sunnet 39; Tirmidhi, Tibb 18; Ahmet İbn Hanbel, 2/290.
[7] Ebu Davud, Tibb 19; Tirmidhi, Tibb 29, Daauât 125; İbn Mace, Tibb 36; Muuatta, Ayn 9; Ahmet İbn Hanbel, 6/390.
[8] Buhari, Tibb 39; İbn Mace, Dua 15.
[9] Buhari, Megazî 83, Fedâilu’l-Kur’an 14, Tibb 41, Daauât 12; Ebu Davud, Tibb 19; Muuatta, Ayn 10; Ahmet İbn Hanbel, 6/104, 124.
[10] Tirmidhi, Dua 1.
[11] Buhari, Zekat5, Ahkâm3, Temenni5, İtisam13, Tevhît45; Ahmet İbn Hanbel, 2/9,36.

Ndajeni me miqtë tuaj...