Talha (Zoti qoftë i kënaqur me të)
Talha (r.a) ishte nga familjet e zgjedhura të Mekës. Kur bëhej fjalë për të Dërguarin e Allahut (sal’la llahu alejhi ue sel’lem), ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka.
Nuk kishte munguar asnjëherë në ekipet e konsultimit të katër Kalifëve (prijësve të besimtarëve). Ishte një nga dhjetë të përgëzuarit me xhenet.
Islami i tij
Gjatë udhëtimit për tregti në Basra, mëson nga një murg që Profetit Muhamed (sal’la llahu alejhi ue sel’lem) i kishte ardhur shpallja. E le tregëtinë për gjysëm dhe menjëherë niset për në Meke. Sapo mbërrin atje fillon të investigojë rreth asaj që dëgjoi në Basra. Takohet me muslimanin e parë, Ebu Bekrin (r.a) dhe së bashku shkojnë te Profeti (sal’la llahu alejhi ue sel’lem). Talha (r.a) i tregon Profetit (sal’la llahu alejhi ue sel’lem) ç’ka kishte dëgjuar nga murgu. Profeti Muhamed (sal’la llahu alejhi ue sel’lem) kënaqet nga ato që dëgjon dhe buzëqesh. Talha (r.a) pranon Islamin në prani të Profetit Muhamed (sal’la llahu alejhi ue sel’lem) dhe kështu i bashkangjitet karvanit të atyre që do të fitojnë lumturinë e përjetshme.
Talha (r.a) pasi bëhet musliman, torturohet pa masë nga nëna, vëllai, të afërmit dhe nga paria e Mekës. E burgosin në shtëpi, dhe e lënë me ditë të tëra pa bukë e ujë. E sjellin rrotull me duar të prangosura pas shpine. E fyejnë me sharje nga më të ndryshmet. Por, ai, me fuqinë e besimit arriti t’i bëjë ballë gjithë atyre vështirësive. Veçanësrisht, vuajtjet që hiqte gjatë faljes së namazit ishin të papërshkrueshme. Por, ai duke thënë: “Ju, nuk mund të më ktheni kurrë nga feja mua”, nuk lëshoi pe nga qëndrimi i tij.
Dita e Uhud’it
Ai tregoi një heroizëm të pashoq në luftën e Uhudit. Në çastin kur politeistët Mekas po sulmin me gjithë fyqinë e tyre për të ekzekutuar Profetin Muhamed (sal’la llahu alejhi ue sel’lem), një nga ata që e mbrojtën Profetin Muhamed (sal’la llahu alejhi ue sel’lem), me mish e me shpirt ishte edhe Talha (r.a). Ai ishte një njeri i marrosur pas Profetit Muhamed (sal’la llahu alejhi ue sel’lem), saqë dridhej nga frika se mos ndonjë shigjetë sulmonte të Dërguarin e Allahut (sal’la llahu alejhi ue sel’lem). Një ngjarje e padëgjuar ishte edhe guximi i tij, që hidhej përpara shigjetave duke sakrifikuar herë këmbët e herë duart në mbrojtje të Profetit (sal’la llahu alejhi ue sel’lem). Një gjuajtës i mprehtë nga politeistët Mekas, Melik b. Zubejrr, mori në shenjë Profetin (sal’la llahu alejhi ue sel’lem) dhe gjuajti. Talha (r.a) menjëherë sapo e vuri re, zgjati dorën përpara shigjetës. Shigjeta ia copëtoi dorën. Të gjithë nervat e gishtirinjve u prenë dhe kockat iu thyen. Gjatë kësaj beteje, Talhës (r.a) nuk u mbeti asnjë pjesë trupi pa u plagosur nga goditjet e shpatës ose shigjetave. Për një çast nuk i duron dot më dhimbjet dhe bie pa ndjenja përtokë. Profeti (sal’la llahu alejhi ue sel’lem) urdhëron Ebu Bekrin (r.a) që të kujdesej për të. Ebu Bekri (r.a) i hodhi pak ujë në fytyrë dhe ai u përmend. Gjëja e parë që pyeti ishte: “Si është gjendja e të Dërguarit të Allahut?”
Pranë tij, erdhi edhe i Dërguari i Allahut (sal’la llahu alejhi ue sel’lem) dhe ia fërkoi të gjithë trupin. Pastaj i’u lut Allahut kështu: “Allahu im, jepi atij shërim e forcë!” Si një mrekulli e Profetit(sal’la llahu alejhi ue sel’lem), Talha (r.a) u ngrit në këmbë shëndoshë e mirë, dhe vazhdoi sërish betejën me armikun.